Lajmet
Raporti i Freedom House: Kosova me përmirësim të lehtë, por problemet thelbësore vazhdojnë
Kosova shënoi një përmirësim të lehtë nga 3.25 vitin e kaluar në 3.29 këtë vit.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiOrganizata Freedom House bën të ditur se ndikimi i luftës në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, u ndje gjatë vitit të kaluar në 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen në raportin e saj “Vendet në Tranzicion”.
Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon, “kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.
“Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.
Kosova dhe Procesi i Negociatave
Kosova shënoi një përmirësim të lehtë nga 3.25 vitin e kaluar në 3.29 këtë vit, sipas raportit të publikuar sot nga Organizata Freedom House.
“Marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme. Përpjekje të jashtëzakonshme nga shoqëria civile e Kosovës për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veriun me shumicë serbe, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhdojnë të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj”, thuhet në raport.
“Na ka bërë përshtypje të madhe roli që ka luajtur shoqëria civile në Kosovë gjatë vitit të fundit”, thotë Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit, duke shtuar se ajo mund të luajë një rol aktiv edhe në zgjidhjen e situatës me Serbinë.
“Shohim se janë dy persona që e drejtojnë këtë proces: Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër. Mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë më tepër që në drejtimin e këtyre negociatave të sjellë në procesin e negociatave të sjellë zërat e shoqërisë civile dhe perspektivën e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht atyre në Veri”, thotë Karppi.
Raporti përmend edhe mungesën e suksesit në negociatat mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, megjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjendja e demokracisë në Shqipëri
Edhe në vitin 2022, Shqipëria ishte në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.
“Vlerësimi për luftën kundër korrupsionit u rrit nga 2.75 në 3.00 pikë, falë një sërë aktakuzash dhe dënimesh të profilit të lartë të ish-zyrtarëve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rolit të saj proaktiv në nxitje e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.
Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti.
Megjithatë, treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar.
“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”, që e ka siguruar Zëri i Amerikës.
“Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i thotë Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit.
Megjithë, përmirësimin modest në treguesin e korrupsionit, raporti thotë se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 majit këtë vit.
Karppi thotë për Zërin e Amerikës, se edhe zgjedhjet lokale të 14 majit përforcuan këtë prirje.
“Mendoj se zgjedhjet lokale që sapo u mbajtën në maj ishin një shembull tjetër që fatkeqësisht, për shkak të rrjeteve të kapjes së shtetit nga parti të caktuara, të bëjnë mendosh se do të shohim të njëjtën gjë. Mendoj se status quo-ja politike ka të ngjarë të vazhdojë”, thotë ajo.
Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se në vitin 2022, demokracia e Shqipërisë u rezistoi sfidave të shumta, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të posaçme vendore të marsit, si dhe riorganizimeve të brendshme të partive politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit Bajram Begaj.
“Megjithatë, vendi bëri pak përparim të qëndrueshëm drejt shndërrimit në një demokraci liberale të vërtetë dhe ende klasifikohet si një demokraci hibride. Shumica e udhëheqësve politikë shqiptarë mbetën armiqësorë ndaj vlerave liberale demokratike dhe kanë treguar pak vlerësim për faktin se barazia nën ligj dhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë vlera të rëndësishme demokratike”, thuhet në raport.
Sipas vlerësimit të Freedom House, “shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023 (raporti përfshin vetëm zhvillimet e vitit 2022).
Sipas raportit, përplasjet politike në Partinë Demokratike (PD) që panë një rikthim të ish-kryeministrit Sali Berisha në skenën politike dhe largimin nga drejtimi i PD-së të Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit ku në pesë nga gjashtë garat fitoi Partia Socialiste (PS) në pushtet e kryeministrit Edi Rama, mbizotëruan skenën politike të Shqipërisë në vitin 2022 dhe çarjet e mëdha mes fraksioneve partiake përkatëse vazhdojnë.
“Debati publik dhe media u përqendruan më shumë në dinamikën e brendshme të PD-së sesa në problemet sociale dhe ekonomike me të cilat përballet vendi dhe nevojën për të kërkuar llogari nga qeveria e kryeministrit Rama”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.
Gjatë vitit 2022, një numër gazetarësh të politikës u ndeshën me abuzime verbale, ndalim pjesëmarrjeje në konferencat për shtyp, frikësime, gjoba të mëdha dhe madje edhe padi, thotë raporti.
Në raport vlerësohet fakti që Bashkimi Evropian hapi bisedimet e pranimit me Shqipërinë në korrik 2022, të cilësuara nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si një “moment historik” dhe Shqipëria organizoi në dhjetor për herë të parë jashtë BE-së, takimin e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.
“Të dyja rastet përfaqësojnë suksese të rëndësishme të politikës së jashtme për Shqipërinë. Megjithatë, pavarësisht përparimit të bërë që nga rënia e komunizmit – përfshirë dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë për abuzim me pushtetin dhe korrupsion në vitin 2022, falë angazhimit të SPAK-ut, shumë institucione publike mbeten jofunksionale për shkak të korrupsionit të përhapur dhe kulturës së mosndëshkimit, duke minuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë të siguruar nga Zëri i Amerikës.
Sipas raportit, megjithëse Shqipëria në përgjithësi respekton instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, vendi ende nuk arrin të mbrojë të drejtat themelore si vlera thelbësore që mbështesin një shoqëri liberale demokratike, duke përmendur studimin e BIRN-it, sipas së cilit “rreth 320 raste të abuzimit seksual ndodhën në periudhën 2020-2022 dhe identitetet, familjet, informacionet personale dhe adresat e shtëpive të viktimave u publikuan gjerësisht në media” duke çuar në disa vetëvrasje dhe vënie në shënjestër nga trafikantët e qenieve njerëzore.
Raporti përmend gjithashtu vrasjen e 10 grave nga partnerët e tyre dhe diskriminimin e individëve të komunitetit LGBT+, pakicave rome dhe egjiptiane.
“Në vend që të mbajnë përgjegjës abuzuesit, autoritetet publike dhe politikanët lokalë shpesh fajësojnë viktimat dhe madje zbulojnë emrat dhe identitetin e tyre në media, duke çuar në viktimizimin e tyre të dyfishtë. Si e tillë, Shqipëria deri më tani ka neglizhuar përgjegjësitë e saj institucionale për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut dhe liritë civile, vlera që janë themelore për një demokraci liberale të vërtetë”, thuhet në raport.
Qeverisja Kombëtare Demokratike dhe Procesi Zgjedhor
Duke pasur parasysh zgjedhjet dhe dinamikën brenda partive kryesore politike, përfshirë kthimin e zotit Berisha, mbarimin e mandatit të ish-presidentit Ilir Meta dhe kthimin e tij në politikë aktive, si edhe zgjedhjet në Partinë Socialiste, raporti vë në dukje rolin e udhëheqësve.
“Vëzhguesit pohojnë se këto zgjedhje të brendshme në tre partitë kryesore politike të Shqipërisë (PD, PL dhe PS) ishin të paracaktuara dhe të ndikuara shumë nga udhëheqësit e partive, në vend që të ishin rezultat i një konkurrence të vërtetë të brendshme partiake. Kjo nxjerr në pah demokracinë e kufizuar të brendshme partiake të Shqipërisë, ku udhëheqësit e partive ruajnë me grusht të hekurt kontrollin, me sundim autokratik”, thuhet në raport.
Përsa i takon zgjedhjes së Presidentit Bajram Begaj, raporti vë në dukje se megjithëse fillimisht u duk se pati përpjekje për një president konsensual, përfundisht “pavarësisht se (ai) u konsiderua si një kandidat apolitik, PS në pushtet e zgjodhi Begajn”, me votat e saj.
“Duke qenë se BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë të tregojë më shumë përkushtim ndaj bashkëpunimit ndërpartiak, ekspertët argumentuan se të dyja palët humbën një mundësi për të demonstruar bashkëpunim në zgjedhjen e një kandidati të përbashkët për president”, thuhet në raport.
Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.
Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.
Në raport thuhet se gara para që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.
“Në prag të votimit, ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Yuri Kim shprehu shqetësimin për presionin politik në zgjedhjen e kreut të SPAK, të cilin qeveria shqiptare e hodhi poshtë”, thuhet në raport.
Korrupsioni dhe Pavarësia e Gjyqësorit
Falë aktivitetit të SPAK-ut, lufta kundër korrupsionit ishte i vetmi drejtim ku Shqipëria shënoi përmirësim të lehtë.
Në raport përmendet dënimi i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri me tre vjet e gjysmë burg për shpërdorim detyre—çështja e profilit më të lartë që SPAK ka ndjekur me sukses që nga themelimi i tij në 2019.
Po ashtu, përmendet arrestimi i deputetit të PS-së, Alqi Bllako, nën akuzën për marrjen e ryshfetit prej 120,000 € gjatë kohës që ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Ai akuzohet nga SPAK se ka ndihmuar një kompani për të fituar një kontratë publike për inceneratorët. Bllako u lirua nga burgu në tetor dhe ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa SPAK heton tre kontrata për inceneratorët.
Raporti përmed edhe arrestimin e disa zyrtarë publikë me lidhje me këto çështje në vazhdim, të cilët tashmë janë objekt i hetimeve të SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Mes të arrestuarve është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.
“Inceneratorët e mbetjeve ishin tema kryesore e akuzave për korrupsion në Shqipëri gjatë vitit”, thuhet në raport ku përmendet se akuzat u ngritën fillimisht nga Endri Shabani, i Nismës #Thurje, dhe më pas nga deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, tani Partia e Lirisë, si edhe Partia Demokratike e cila hapi edhe hetimin parlamentar në mars të kryesuar nga anëtarja e Kuvendit Jorida Tabaku.
Hetimi shqyrtoi procesin ligjor me të cilin qeveria kishte dhënë kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017) – me një vlerë totale prej 178 milionë euro.
“Gjatë seancës dëgjimore, një zëdhënës i qeverisë pranoi në mënyrë indirekte disa parregullsi në kriteret e dhënies së kontratave, ku kompanitë që morën kontratat ishin të vetmet që bënë oferta”, thuhet në raport.
“Duke qenë se kontratat e prokurimit publik shtrihen deri në 30 vjet, llogaritet se këto parregullsi u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 50 milionë euro. Shuma e saktë e parave të keqpërdorura të taksapaguesve mund të mos dihet kurrë, duke e bërë këtë skandal prokurimi një nga çështjet më të diskutueshme politike në vend”, thuhet në raportin e Freedom House.
Përsa i takon drejtësisë dhe gjyqësorit raporti përmend shqetësimet për zvarritjen e procesit të vetingut, duke shtuar se nën presionin e BE-së dhe SHBA-së, Kuvendi ra dakord për të zgjatur procesin e verifikimit deri më 31 dhjetor 2024.
“Presioni nga shoqëria civile dhe ai politik mbi procesin e vetingut gjyqësor është rritur pasi vonesat në sistemin e drejtësisë kanë shkaktuar sfida ligjore, sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri. Qasja në drejtësi është përkeqësuar dhe sipas ekspertëve tani duhen më shumë se tre vjet e gjysmë për të filluar ose përfunduar procedurat për shkak të mungesës së gjyqtarëve”, thuhet në raport, i cili vazhdon se “që nga reforma e vitit 2017, sistemi gjyqësor nuk ka arritur të tërheqë rekrutë të rinj dhe është në prag të kolapsit”.
Lidhur me hartën e re gjysqësore, Freedom House thotë se ndërsa aktorët ndërkombëtarë që mbrojtën reformën gjyqësore në Shqipëri e vlerësuan hartën, ajo është kritikuar ashpër nga shoqata të shumta avokatësh dhe shoqëria civile, të cilat thonë se “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”.
Në shenjë proteste ndaj hartës së re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë Shqiptare udhëzoi anëtarët e saj të bojkotojnë të gjitha proceset gjyqësore në korrik 2022 dhe avokatët në të gjithë vendin kanë refuzuar të ofrojnë shërbime ligjore.
“Përkundër pretendimeve të qeverisë për rritjen e efektivitetit gjyqësor, vëzhguesit e shtetit ligjor argumentojnë se reformat i japin përparësi prakticiteti ndaj efektivitetit gjyqësor”, thuhet në raport.
Sipas Freedom House, të gjitha këto probleme “kanë krijuar mosbesim te drejtësia”.
Gjendja e Medias dhe Shoqërisë Civile
Raporti shpreh shqetësimin për gjendjen e medias, duke përmendur presionin nga interesat politike për të frenuar mbikqyrjen nga media dhe manipuluar narrativën mediatike për t’u shërbyer agjendave partiake. Freedom House përmend rënien me disa pozicione të Shqipërisë në Indeksin e Gazetarëve pa Kufij.
“Shumica e mediave në Shqipëri zotërohen nga persona biznesi me lidhje të ngushta me politikanë dhe/ose rrjete të krimit të organizuar dhe shërbejnë si zëdhënëse për këto interesa”, thotë raporti.
Disa gazetarë u sulmuan verbalisht dhe/ose fizikisht për mbulimin e tyre. Sipas raportit, Drejtoria e Përgjithshme Shqiptare e Tatimeve vendosi gjoba të larta për rrjete dhe media të ndryshme televizive, si dhe kompanitë që i kanë ato në pronëseim për mbulim kritik ndaj qeverisë.
“Duke pasur parasysh natyrën e paqartë të pronësisë dhe financimit të medias në Shqipëri, është e vështirë të analizohen motivet e sakta prapa gjobave kaq të mëdha apo ndonjë lidhje të mundshme midis politikës dhe pronësisë së medias”, thuhet në raport.
Në raport përmendet padia për shpifje kundër gazetarit Isa Myzyraj, pasi ai raportoi për pasuri të pashpjegueshme të ish-prokurores Elizabeta Imeraj, dështimin e saj për të kaluar procesin e vetingut gjyqësor dhe shkarkimin e saj.
Elvis Hila u kërcënua për publikimin e lajmeve për dokumente të falsifikuara gjyqësore në Lezhë dhe ai dhe bashkëshortja e tij u sulmuan fizikisht një ditë pasi ai dha lajmin.
Unioni i Gazetarëve Shqiptar dhe Gazetarët pa Kufij konfirmuan se Myzyraj, Hila dhe gazetarë të tjerë kanë qenë në shënjestër të grupeve të krimit të organizuar, individëve të lidhur politikisht dhe oficerëve të korruptuar brenda sistemit të policisë dhe drejtësisë.
Organizata e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) vë në dukje se Shqipëria po dështon të mbrojë gazetarët dhe shtypin e lirë.
Sipas raportit në vitin 2022, emisionet televizive të formatit të opinionit u bënë mjet kryesor për dezinformimin e nxitur nga interesat politike dhe lidhjet e pronarëve dhe jo nga faktet — “siç shihet në pasqyrimin e luftës për pushtet Basha-Berisha, akuzat për korrupsion kundër zyrtarëve qeveritarë për shpërdorim në menaxhimin e kontratave publike, dhe rolin e krimit të organizuar në trafikimin e qenieve njerëzore dhe migrimin e shqiptarëve në Britani.
Një shembull që përmend raporti është ai pas raportit të zbulimit amerikan për paratë ruse, ku përfshihej edhe rasti i 500 mijë dollarëve të PD-së të lidhur me Rusinë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2017.
“Gazetarët pyetën ish-kreun e PD-së Lulzim Basha nëse ai do të jepte dorëheqjen dhe do të merrte përgjegjësin për akuzat për paratë ruse. Basha u përgjigj me komente përçmuese dhe më pas disa gazetarë u ndaluan nga konferencat e ardhshme për shtyp”, thuhet në raport.
Gjithashtu, disa gazetarë janë sulmuar verbalisht gjatë pasqyrimit të protestave dhe përplasjeve të dhunshme jashtë selisë së PD-së dhe përçarjeve mes Bashës dhe Berishës për kryesinë e partisë.
“Anëtarët e lartë të qeverisë ndaluan gjithashtu disa gazetarë nga konferencat e tyre për shtyp kur pyetjet e tyre u konsideruan tepër të forta, siç ndodhi në një rast me pyetjet për ministren e Jashtme Olta Xhaçka”, thuhet në raport.
Në përgjigje të kësaj shtypjeje të lirisë së shtypit, gazetarët protestuan jashtë zyrës së kryeministrit në korrik duke kërkuar trajtim më të mirë të gazetarëve nga politikanët në të gjithë spektrin politik.
Përsa i takon shoqërisë civile, në vitin 2022, lëvizjet qytetare në Shqipëri u bënë më të organizuara në mbështetje të çështjeve që organizatat tradicionale joqeveritare dhe të shoqërisë civile, zakonisht i kanë injoruar.
Këtu përmendet rasti i “Diasporës për një Shqipëri të Lirë” e cila ngriti një çështje kundër Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar njohjen e së drejtës së shqiptarëve që banojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet parlamentare.
“Në dhjetor, gjykata vendosi se parlamenti kishte shkelur kushtetutën duke mos lejuar shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe urdhëroi që diaspora të lejohet të votojë nga jashtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në kapitullin e Shqipërisë që e ka lexuar shërbimi shqip i Zërit të Amerikës.
Po ashtu, thuhet në raport, studiuesi Fabian Zhilla organizoi një peticion me mbi 10,000 nënshkrime duke i kërkuar Kuvendit të rregullojë programet “reality show” dhe të urdhërojë Autoritetin e Mediave Audiovizive të përforcojë dhe zbatojë legjislacionin aktual për programet televizive që përhapin gjuhën e urrejtjes.
“Këto lëvizje tregojnë se anëtarët e shoqërisë civile po bëhen më të organizuar pasi publiku shqiptar bëhet më i vetëdijshëm se si të përdorë mjetet demokratike, pjesërisht për shkak të platformave të mediave sociale dhe përparimeve teknologjike”, thotë raporti.
Sipas raportit, një nga parakushtet kyçe të anëtarësimit në BE për Shqipërinë është që Organizatat Joqeveritare dhe ato të Shoqërisë Civile të përfshihen në konsultime kur të hartohen ligjet.
Megjithatë, sipas raportit, shqetësimet e tyre për hartën e re gjyqësore edhe kur Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor më në fund i përfshiu pas neglizhimit fillestar, u hodhën poshtë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ekspozuar vazhdimisht se si Kuvendi dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i sapo reformuar nuk kanë marrë parasysh propozimet e OJQ-ve dhe shoqërisë civile, apo shqetësimet e qytetarëve për qasje në drejtësi, përfshirë kostot e larta dhe sfidat logjistike që rezultojnë nga riorganizimet e gjykatave.
Sipas vëzhguesve, këto dështime janë një temë e përsëritur në Shqipëri.
Ballkani Perëndimor mes Shpresës dhe Zhgënjimit
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, joanëtare të BE-së ishin regjime hibride/demokraci në tranzicion dhe institucionet demokrative vazhduan të ishin të brishta në vitin 2022. Sipas raportit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve janë përjashtuar.“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, politika e përqendruar tek elitat dhe diplomacia, kanë përjashtuar zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë, duke lejuar që udhëheqës anti-demokratikë dhe autoritarë kontrollojnë të ardhmen e vendit”, thuhet në raport.
Përmirësimet modeste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin në barazpeshë me rëniet në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa rezultati i Serbisë mbeti i pandryshuar.
Megjithëse rezultatet në raport e vendosin Shqipërinë pranë Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në aspektin e zhvillimit demokratik, sondazhet sugjerojnë se shqiptarët janë më shumë optimistë se anëtarësimi në BE, do të ofrojë jo vetëm mirëqenie ekonomike, por edhe përmirësim të standardeve demokratike.
Alexandra Karppi e organizatës Freedom House thotë se angazhimi i shtuar i BE-së dhe SHBA-së si në bisedimet Kosovë-Serbi, edhe më gjerë në rajon është është diçka pozitive.
“Megjithatë këto janë procese të drejtuara nga elita që mund të bëjnë më shumë për të pasqyruar perspektivën e qytetarëve dhe aktorëve joqeveritarë”, thotë ajo.
Qytetarët e vendeve kandidate të BE-së vazhduan të mbështesin në masën më të madhe anëtarësimin në bllok. Megjithatë ata dyshojnë se anëtarësimi do të vijë së shpejti.
Serbët janë një përjashtim i qartë, me skepticizmin më të lartë për të përfitimet nga anëtarësimi.
Sipas raportit, mungesa e shpresës ka kontribuuar në eksodin nga rajoni. Një e pesta e të lindurve në Ballkanin Perëndimor, janë larguar nga vendet e tyre.
Raporti sugjeron nevojën e një riangazhimi energjik nga BE-ja për integrimin dhe paralajmëron se braktisja nga Perëndimi hap rrugën për ndërhyrje dhe ndikim nga fuqitë autoritare, shkruan VOA. “Kjo shihet nga përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të përhapur dezinformim dhe krijuar lidhje politike në rajon”, thuhet në raport. Por, Freedom House thekson se janë udhëheqësit e vendeve që duhet të sjellin përparimin demokratik për qytetarët e tyre.
Lajmet
Rusia sulmon ndërtesën e Akademisë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit
Published
9 hours agoon
September 28, 2026By
UBTNews
Një sulm rus ka goditur një ndërtesë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës dhe një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar.
Zjarrfikësit po luftojnë me flakët dhe po kërkojnë për këdo që mund të ketë qenë brenda, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Telegram.
Forcat ruse kanë goditur gjithashtu një kompani farmaceutike dhe pika karburanti në Kiev, një qendër biznesi në Dnipro, si dhe objekte civile, ndërmarrje dhe infrastrukturë komunikimi në qytete e rajone të tjera, shtoi lideri ukrainas.
Zelensky ka thënë se ka viktima dhe u ka shprehur ngushëllime familjeve të tyre. Ai ka thënë se Rusia do të marrë një përgjigje.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj kanë goditur dy qendra të dhënash në Kiev, si dhe pika karburanti në kryeqytetin ukrainas. Ajo ka njoftuar gjithashtu se një qendër shpërndarjeje e shërbimit postar “Nova Poshta” u godit në qytetin jugor të Odesës. /BBC/
Lajmet
Brukseli ia kujton Serbisë nevojën për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas bisedës Vuçiq-Putin
Published
9 hours agoon
September 28, 2026By
UBTNews
Një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Komisioni Evropian ia ka kujtuar Beogradit se duhet t’i përshatë më shumë politikat e tij me ato të Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
“Si vend kandidat, nga Serbia pritet që politikat e saj t’i harmonizojë me objektivat e BE-së, përfshirë politikën energjetike dhe atë të jashtme, dhe të jetë një partnere e besueshme që ndjek të njëjtin drejtim strategjik”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
Ai tha se qëndrimi i BE-së ndaj marrëdhënieve të vendeve kandidate me Rusinë është “gjithmonë plotësisht i qartë”.
“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen sikur gjithçka të ishte si më parë me regjimin e Putinit, dhe kjo në hijen e luftës agresore, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Mercier.
Deklaratat e tij pasuan bisedën telefonike të 26 shtatorit mes Vuçiqit dhe Putinit.
Biseda u zhvillua një ditë para se Vuçiqi të jepte dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pasi është bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) për postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit.
Pas bisedës me Putinin, Vuçiq tha se beson se marrëveshja për furnizimin e Serbisë me gaz rus do të zgjatet.
Marrëveshja e tanishme afatshkurtër skadon më 30 shtator.
Serbia e importon nga Rusia më shumë se 80 për qind të gazit që konsumon.
Beogradi nuk ka arritur marrëveshje afatgjatë për furnizimin me gaz që nga skadimi i kontratës së mëparshme trevjeçare, në verën e vitit 2025. Që atëherë, marrëveshjet me Moskën janë zgjatur për periudha të shkurtra. Marrëveshja e tanishme u zgjat në qershor për tre muaj.
Komisioni Evropian tha se është në dijeni të bisedës mes Vuçiqit dhe Putinit.
Duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit se presidenti i ardhshëm i Serbisë do të duhet të kujdeset për interesat e vendit dhe ta ruajnë një baraspeshë në raport me aktorët e rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, Mercier rikujtoi detyrimet që Serbia i ka si vend kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas tij, vendimi i Serbisë për të aplikuar për anëtarësim nënkupton zotimin për t’i harmonizuar politikat e saj me BE-në, përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.
“Përputhshmëria e Serbisë me Politikën tonë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë vazhdon të jetë dukshëm më e ulët sesa te vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor”, tha Mercier.
Ai shtoi se Serbia duhet, si prioritet, t’i intensifikojë përpjekjet për një nivel “më të qëndrueshëm dhe dukshëm më të lartë” të harmonizimit me politikën e BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
“Duam të jemi në gjendje të llogarisim në Serbinë si një partnere të besueshme”, tha ai.
Komisioni Evropian tha se BE-ja po e rrit mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë energjetike, me synim uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit.
Sipas Mercier, kjo do t’u mundësonte vendeve të rajonit integrim më të mirë të rrjeteve energjetike dhe qasje në energji nga burime të ndryshme.
“Pas fillimit të luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, pamë se sa e rëndësishme është kjo dhe çfarë problemesh mund të shkaktojë për çdo vend evropian, përfshirë Serbinë”, tha ai.
BE-ja synon që deri në fund të vitit të ardhshëm të ndërpresë gradualisht dhe në mënyrë efektive importin e gazit dhe naftës ruse, ndërsa nga vendet kandidate pret që t’i përshtatin politikat e tyre me këtë objektiv.
Negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE kanë ngecur, ndër të tjera, edhe për shkak se ajo nuk e ka përshtatur mjaftueshëm politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Niveli i saj i përputhshmërisë me politikën e sanksioneve të BE-së është rreth 60 për qind. /REL/
Lajmet
Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve për programin e Kimisë Aplikative në UBT
Published
10 hours agoon
September 28, 2026By
UBTNews
Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve nga vendi dhe rajoni për të studiuar në nivelin bachelor Kimi Aplikative në UBT, një program që po tërheq vëmendjen e gjeneratës së re falë mundësive të shumta për zhvillim profesional dhe karrierë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit.
I konceptuar si program bashkëkohor dhe inovativ, Kimia Aplikative në UBT ndërthur njohuritë teorike me punën praktike laboratorike dhe kërkimin shkencor, duke u ofruar studentëve mundësinë të zhvillojnë aftësi të aplikueshme në industri dhe në sektorë të ndryshëm profesionalë.
Një nga veçoritë e programit është stafi akademik i përkushtuar dhe i kualifikuar, me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushat kryesore të kimisë. Përmes angazhimit të tyre, studentët kanë mundësi të përfitojnë njohuri nga fusha të ndryshme, duke filluar nga kimia organike, inorganike, analitike dhe fizike, deri te kimia e nanomaterialeve, kimia mjedisore, teknologjia ushqimore, toksikologjia, proceset industriale dhe metodat instrumentale të analizës.
Puna laboratorike, praktika profesionale dhe kërkimi shkencor janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit akademik, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësi në analizë, eksperimentim, interpretim të të dhënave dhe zgjidhje të problemeve reale.
Përmes infrastrukturës moderne dhe hapësirave laboratorike të UBT-së, studentët krijojnë mundësi për të fituar përvojë praktike dhe për t’u përgatitur për kërkesat e tregut bashkëkohor të punës. Programi synon të krijojë profesionistë të aftë për të kontribuar në fusha si industria farmaceutike, industria ushqimore, mbrojtja e mjedisit, teknologjia e ujit, energjia, inxhinieria e materialeve, laboratorët analitikë dhe institucionet kërkimore e shkencore.
Për të rinjtë që tashmë kanë nisur studimet në këtë fushë dhe dëshirojnë të vazhdojnë në një mjedis akademik modern, UBT ofron edhe mundësinë e transferimit të studimeve, duke krijuar mundësi për të vazhduar rrugëtimin akademik në një program të orientuar drejt praktikës, kërkimit dhe zhvillimit profesional.
Bëhu edhe ti pjesë e Kimisë Aplikative në UBT!
Zgjidh një program inovativ, zhvillo njohuritë dhe aftësitë e tua në laboratorë dhe me staf vendor e ndërkombëtar, dhe përgatitu për mundësi të shumta në tregun e punës.
Regjistrimet vazhdojnë të jenë të hapura.
Fillo ose transfero studimet në UBT.
Lajmet
IKShPK me apeli për prindërit: Konfirmohen 180 raste me fruth, mbi 95% prej tyre të pavaksinuar
Published
10 hours agoon
September 28, 2026By
UBTNews
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka apeluar sërish te qytetarët për vaksinimin e fëmijëve, duke e vlerësuar këtë proces si masën më të sigurt, më efikase dhe më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe gjithë komunitetit.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 180 raste me fruth në Kosovë, prej të cilave tetë raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Mbi 95% e personave të prekur i përkasin kategorisë së të pavaksinuarve me vaksinën MMR, çka dëshmon rolin kyç të kësaj mbrojtjeje në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar fushatën e vaksinimit të vonuar (catch-up) për fëmijët që e kanë shtyrë procesin. Si rezultat i këtij angazhimi, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke dëshmuar ndërgjegjësimin e lartë të prindërve.
Instituti ka shprehur falënderime për prindërit, profesionistët shëndetësorë dhe institucionet për bashkëpunimin në rritjen e shkallës së imunizimit, duke nëvizuar se çdo fëmijë i vaksinuar përbën një hap më afër ndërprerjes definitive të transmetimit të fruthit.
Rusia sulmon ndërtesën e Akademisë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit
Brukseli ia kujton Serbisë nevojën për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas bisedës Vuçiq-Putin
Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve për programin e Kimisë Aplikative në UBT
IKShPK me apeli për prindërit: Konfirmohen 180 raste me fruth, mbi 95% prej tyre të pavaksinuar
Dardanët rikthehen në stërvitje në Debrecen, fokusi te Izraeli
Vlora Çitaku zgjidhet nënkryetare e Kuvendit të Kosovës me 95 vota
PDK përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin në Hagë, kërkon procedim urgjent të projektligjit për Dhomat e Specializuara
Kuvendi miraton Deklaratën për aktgjykimin e Speciales
Taylor Swift hyn në histori si artistja më e suksesshme e “MTV VMA”, ndërsa Madonna fiton çmimin e vitit
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport2 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet2 months agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet2 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
