Lajmet

Raporti i auditimit për Prishtinën, VV: Gjetjet do t’i adresojmë te organet e drejtësisë

Salihu ka thënë se raporti flet për shkelje ligjore dhe keqplanifikim të mjeteve buxhetore.

Published

on

Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë paralajmëruar sot se për disa nga gjetjet e raportit vjetor të auditimit të vitit të kaluar do t’i adresohen organeve të drejtësisë. Ata i kanë bërë thirrje të parit të kryeqytetit, Përparim Rama për reflektim, sepse konsiderojnë se këto gjetura flasin për vepra penale. Asamblistja Violeta Salihu dhe Ermal Osmani kanë prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet që ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin Vjetor të Auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2022.

Asamblistja Salihu ka thënë se opinioni i kualifikuar i Zyrës Kombëtare të Auditimit flet për shkelje ligjore dhe keqplanifikim të mjeteve buxhetore.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2022. Sipas standardeve të auditimit, opinioni i kualifikuar jepet në rastet kur janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri, kur e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare. Baza për opinion të kualifikuar ka rrjedhur: si rezultat i planifikimeve buxhetore të gabuara, ku komuna ka paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro nga investimet kapitale, shpenzime që për nga natyra u takojnë mallrave dhe shërbimeve. Kjo është një tregues i qartë për një keqplanifikim dhe keqmenaxhim, kur paratë merren nga një kategori e caktuar e shfrytëzohen për një kategori”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Komuna e Prishtinës ka pasur mangësi në menaxhimin e të hyrave të tatimit në pronë, që si pasojë e keqmenaxhimit komuna ka realizuar 12 për qind më pak të të hyrave krahasuar me vitin e kaluar.

“Ka pasur subvencionim të OJQ-ve pa thirrje publike, e cila paraqet shkelje të rregullores së Ministrisë së Financave 04/2017 tek neni 2.1 dhe tek neni 6, pika 6.2, ku thuhet se një përfitues fizik apo juridik mund të përfitojë subvencione vetëm një herë në vit, ndërsa këtu kemi një OJQ, e cila ka përfituar tri herë brenda vitit, ndërsa tjetra OJQ dy herë në vit. Kjo paraqet një shkelje ligjore sipas procedurave. Po ashtu, edhe kuzhina qendrore ka përfituar subvencion në vlerë prej 30 mijë euro dhe e cila nuk kishte hartuar raporte kthyese financiare dhe narative në lidhje me shfrytëzimin e mjeteve dhe kjo paraqet shkelje të rëndë të kritereve sipas legjislacionit në fuqi”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, asamblisti Ermal Osmani ka dhënë detaje për të gjeturat dhe rekomandimet. Ai ka thënë se këto të dhëna tregojnë për shkeljet ligjore të Komunës së Prishtinës.

“Po fillojë me mashtrimin e parë që ka tentuar të bëhet, duke keqklasifikuar në kategoritë ekonomike, ku nga buxheti për investime kapitale janë paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro shpenzime që për nga natyra nuk i takojnë investimeve kapitale. Prezantim i pasaktë i llogarive të arkëtueshme me taksat e infrastrukturës, ku kemi shumë të mbivlerësuar për 98 mijë e 78 euro dhe të arkëtueshme nga lejet e ndërtimit ishin të nënvlerësuara për 250 mijë e 309 euro. Mosprezantim i saktë i detyrimeve kontingjente në raportin vjetor të financuar, ku si pasojë e dyshimeve ato ishin mbivlerësuar për 11 milionë e 847 mijë e 843 euro”, ka thënë ai.

Osmani ka shtuar se janë evidentuar shkelje edhe në ngritjet në detyrë, me ç’rast ka theksuar se të gjitha këto kanë ndodhur pa u zhvilluar proces konkurrues. Ai ka thënë se pagesat për borxhe e kamate kanë arritur shifrën mbi gjashtë milionë euro, për çka ka paralajmëruar se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë.

“Duke i bërë thirrje kryetarit Rama për reflektim në shërbim të drejtë të qytetarëve, po i njoftojmë qytetarët se disa nga këto gjetje do t’i adresojmë te organet e drejtësisë, sepse ka indikacione të veprave penale”, ka përfunduar Osmani.

Në konferencën e asamblistëve të kryeqytetit nga radhët e LVV-së është thënë se ky raport ka rezultuar me 22 të gjetura dhe rekomandime, prej tyre pesë janë të reja, 12 të përsëritura dhe pesë pjesërisht të përsëritura nga vitet e mëhershme. Sipas tyre, këto të gjetura tregojnë për dështimin e Komunës së Prishtinës në adresimin e rekomandimeve nga viti i kaluar.

Lajmet

Policia Ushtarake e FSK-së trajnohet nga instruktorët kroatë për kontrollin e turmave

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ngritur kapacitetet e saj operacionale përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Policinë Ushtarake të Kroacisë. Përmes një njoftimi zyrtar, ministri theksoi se FSK po vazhdon me sukses avancimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të specializuara me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë javës së kaluar, në bashkëpunim me instruktorët kroatë, është realizuar për herë të parë Kursi për Intervenime dhe Kontrollim të Turmave. Ky trajnim ka integruar module të specializuara për intervenime të shpejta, kontroll të turmave, si dhe luftime në hapësira të mbyllura (CQB).

Sipas ministrit Maqedonci, gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëtarët e Policisë Ushtarake kanë zhvilluar aftësi të avancuara taktike dhe operacionale, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe gatishmëri të lartë. Ky aktivitet vlerësohet si një tjetër dëshmi e transformimit të vazhdueshëm të Policisë Ushtarake në një njësi moderne, të përgatitur plotësisht për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë.

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës zhvilloi vizitë kulturore në Medellin

Published

on

Gjatë qëndrimit në Medellín, Baleti Kombëtar i Kosovës zhvilloi një vizitë kulturore në Museo de Antioquia dhe në Palacio de la Cultura Rafael Uribe Uribe, të organizuar nga Secretaría de Cultura Ciudadana de Medellín.

Vizita kishte për qëllim njohjen më të afërt me historinë, artin dhe trashëgiminë kulturore të Kolumbisë dhe rajonit të Antioquia-s.

Kjo përvojë kulturore u përmbyll me një prezantim të veçantë të valleve tradicionale kolumbiane nga Ballet Folclórico Bochica nga Medellín, i dedikuar për ekipin e Baletit Kombëtar të Kosovës, duke krijuar një atmosferë miqësie dhe shkëmbimi kulturor mes artistëve.

Pas kësaj vizite, ekipi vazhdoi qëndrimin në Comuna 13, një nga zonat më simbolike të Medellín-it, e njohur për transformimin social, artin urban dhe historinë e veçantë të qytetit.

Continue Reading

Lajmet

“Ballet2000” i kushton artikull Baletit Kombëtar të Kosovës

Published

on

“Ballet2000”, një nga revistat më prestigjioze ndërkombëtare në botën e baletit dhe artit koreografik, ka publikuar një artikull kushtuar Baletit Kombëtar të Kosovës dhe produksionit “Carmina Burana”, me koreografi nga Toni Candeloro.

Në artikull është prezantuar edhe turneu i Baletit Kombëtar të Kosovës në El Salvador dhe Kolumbi, duke vënë në pah aktivitetin ndërkombëtar të institucionit dhe promovimin e artit e kulturës së Kosovës para publikut të Amerikës Qendrore dhe Latine.

Përmes këtij publikimi, revista ka evidentuar angazhimin artistik dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Baletit Kombëtar të Kosovës në skenën ndërkombëtare të vallëzimit dhe baletit bashkëkohor.

Nga institucioni u shprehën mirënjohës për vlerësimin dhe hapësirën e dhënë në një revistë me prestigj të lartë ndërkombëtar në fushën e baletit dhe artit koreografik.

Continue Reading

Lajmet

Filharmonia e Kosovës performoi gjatë vikendit për herë të parë në Korçë

Published

on

Gjatë vikendit, në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës shënoi një moment të veçantë, duke u prezantuar për herë të parë para publikut korçar.

Nën dirigjimin e Baki Jasharit, orkestra solli një mbrëmje artistike të nivelit të lartë me një program të pasur që ndërthurte kryevepra të repertorit botëror dhe krijimtari shqiptare nga Verdi, Saint-Saëns, Fahri Beqiri, Rexho Mulliqi, Valton Beqiri, Hajrullah Syla dhe Gridi Kraja.

Në skenë shkëlqeu edhe violinistja e njohur shqiptare, Sihana Badivuku, interpretimi virtuoz i së cilës i dha koncertit një dimension të veçantë artistik.

Filharmonia e Kosovës falënderoi Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Kosovës, Bashkinë Korçë, Këshillin e Qarkut Korçë dhe Qendrën e Kulturës dhe Inovacionit Korçë për mbështetjen në realizimin e këtij koncerti.

Continue Reading

Të kërkuara