Aktualitet

Raporti i Antimafias italiane tregon lidhjen e bandave kriminale shqiptare me “Ndraghetën”

Sipas raportit, shqiptarët mund të lëvizin sasi të mëdha kokaine dhe heroine nga Amerika Latine drejt BE-së.

Published

on

Shqiptarët janë në gjendje të lëvizin sasi të mëdha kokaine dhe heroine nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ky sipas një përfundimi të një raporti të antimafias italiane. Lapsi.al sjell më poshtë pjesë nga raporti i dorëzuar në senatin italian për vitin 2021.

Aty theksohet se grupe kriminale shqiptare, përdorin lidhjet me banda të tjera kryesisht në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Austri, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Amerikën Qendrore dhe Jugore, por edhe në Shqipëri.

Në raportin me rreth 500 faqe, antimafia italiane ka zbërthyer veprimtarinë kriminale të bandave shqiptare të drogës. Aty thuhet se shqiptarët kanë arritur ta gjejnë gjuhën e bashkëpunimit të ngushtë me mafian italiane. Në menaxhimin dhe trafikun e drogës janë të përfshira edhe bandat kriminale shqiptare. Nga deti kalojnë ngarkesave të mëdha të marijuanës, vend prodhues i të cilave është Shqipëria.

Raporti vë theksin se lidhjet zakonisht bazohen në raporte familjare ose origjinës, për shkak se u bëhet më e lehtë duke qenë se përdorin të njëjtat kode të komunikimit si edhe një sjellje të njëjtë. Krimi shqiptar është aktiv edhe në trafikun e armëve, të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit, pasi në disa raste veprojnë në marrëveshje funksionale me fraksione të tjera kriminale.

PJESË NGA RAPORTI I ANTIMAFIAS ITALIANE

Krimi shqiptar

Prania e krimit shqiptar është evidentuar në një pjesë të madhe të territorit italian. Ai po shprehet nëpërmjet niveleve të ndryshme të funksionimit. Ndonjëherë ai vepron në grupe të vogla në disa raste multietnik për kryerjen e krimeve kundër pronës. Në raste të tjera u konstatua prania e organizatave kriminale të strukturuara dhe të qëndrueshme.

“Modus operandi” (mënyra e veprimit) i këtyre grupeve është e ngjashme me atë të “mafias tipike”. Lidhjet zakonisht bazohen tek ato familjare. Në çdo rast ka grumbullim të bashkatdhetarëve. Ata janë në gjendje të ndajnë të njëjtat kode sjelljeje. Krimi shqiptar është kryesisht aktiv në trafikun e drogës dhe armëve. Gjendet edhe në trafikun e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin e prostitucionit.

Në disa raste vepron në marrëveshje funksionale me fraksione të tjera të grupeve të tjera kriminale. Shoqatat me konotacion transnacional përdorin lidhjet me bandat kriminale të përbëra kryesisht nga bashkatdhetarë që veprojnë kryesisht në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Austri, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, si dhe në Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe në Shqipëri.

Ky kapacitet për projeksion ndërkombëtar, i forcuar nga gatishmëria për të ofruar drogë me çmime konkurruese ka çuar në fillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes krimit shqiptar dhe organizatave mafioze italiane. Marrëdhëniet lehtësohen dhe forcohen nga mungesa e konfliktit për dominim mbi territorin. Normalisht shqiptarët kujdesen për furnizimin e drogës. Më pas ajo u shitet organizatave që menaxhojnë e dyqanet.

Një element tjetër që rezulton nga provat hetimore tregon se si, pavarësisht nga niveli i strukturimit, organizatat e brendshme shqiptare konfirmohen në trafikun e drogës si ndërmjetësit kryesorë ndërkombëtarë. Kjo për besueshmërinë dhe suksesin e tyre të padiskutueshëm në këtë sektor. Nën këtë profil ata janë në gjendje të lëvizin sasi të mëdha kokaine dhe heroine.

Kjo përmes bashkëpunimit të bashkatdhetarëve të pranishëm kryesisht në vendin amë, si dhe në Amerikën Latine dhe vende të tjera evropiane. Në menaxhimin e dërgesave janë të përfshira edhe bandat kriminale shqiptare. Nga deti vijnë ngarkesa të mëdha të marijuanës, vend prodhues i të cilës është Shqipëria. Si prodhues dhe bashkëpunues të besueshëm ata janë të lidhur me “Ndrangheta”, mafian puliane. Lidhje kanë edhe grupet nga Campania dhe Sicilia apo me matrica të tjera kriminale. ©Përshtati në shqip LAPSI.al

Opinione

3 Maji nuk është ceremoni, por provë: Gazetaria mes përgjegjësisë ndaj publikut dhe tundimit të pushtetit

Published

on

By

Shkruan: Musa Sabedini

3 Maji – Dita Botërore e Lirisë së Medias, nuk duhet të reduktohet në një shënim simbolik kalendarik, por të shërbejë si moment reflektimi profesional dhe etik për rolin thelbësor të gazetarisë në shoqëritë demokratike. 

Kjo ditë rikujton se liria e medias është e pandashme nga përgjegjësia për saktësi, paanësi dhe integritet, duke kërkuar nga gazetarët një angazhim të vazhdueshëm për profesionalizim dhe respektim të standardeve më të larta të raportimit. 

Gazetaria, si shërbim ndaj interesit publik, mbetet një mekanizëm i domosdoshëm për llogaridhënie dhe transparencë, sidomos përballë tendencave që cenojnë vlerat demokratike. Në këtë kontekst, një urim i veçantë u takon të gjithë gazetarëve që qëndrojnë në vijën e parë të mbrojtjes së vërtetës, shpesh përballë presioneve dhe rreziqeve. 

Sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes; përkundrazi, ata duhet të mbrohen dhe të mbështeten në misionin e tyre për të nxjerrë në dritë të vërtetat dhe për të kontribuar në një shoqëri më të drejtë e më të informuar.

Nuk zgjidhet problemi duke etiketuar apo përjashtuar, por duke ngritur standardin profesional që i detyron të gjithë të reflektojnë. 

Këshilla ime për çdo gazetar është e thjeshtë dhe e panegociueshme, besnikëria juaj duhet të jetë ndaj publikut dhe së vërtetës, jo ndaj pushtetit. Gazetaria humb kuptimin në momentin që zëvendëson rolin mbikëqyrës me rolin mbrojtës të institucioneve. Solidariteti profesional nuk është luks, por detyrim, mbrojtja e kolegëve kur cenohen është mbrojtje e vetë lirisë së medias. 

Prandaj, çdo gazetar duhet të rikthehet te parimet themelore: pavarësi editoriale, integritet, verifikim faktesh dhe guxim për të kërkuar llogari.

Vetëm kështu mund të ndërtohet një kulturë mediatike që nuk i shërben pushtetit, por qytetarit.

Continue Reading

Lajmet

Gjermania: Tërheqja e trupave amerikane ishte e parashikueshme, NATO kërkon sqarime

Published

on

By

Gjermania e ka cilësuar si të “parashikueshëm” vendimin e Donald Trump për të tërhequr rreth 5.000 trupa amerikane nga territori i saj, ndërsa NATO ka kërkuar sqarime shtesë nga Washingtoni lidhur me këtë veprim.

Në një deklaratë për agjencinë DPA, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, theksoi se prania e forcave amerikane në Evropë – veçanërisht në Gjermani – mbetet në interes të ndërsjellë si për Berlinin ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, bëri të ditur se aleanca është duke punuar me SHBA-në për të kuptuar më mirë detajet e vendimit.

I pyetur për këtë çështje, Trump deklaroi se reduktimi i trupave do të jetë edhe më i thellë se sa 5.000, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Vendimi i Washingtonit vjen pas kritikave të Trump ndaj kancelarit gjerman, Friedrich Merz, lidhur me deklaratat e tij për rolin e SHBA-së në raport me Iranin.

Aktualisht, SHBA-ja ka mbi 36.000 trupa të stacionuara në Gjermani – prania më e madhe në Evropë – krahasuar me rreth 12.000 në Itali dhe 10.000 në Mbretërinë e Bashkuar. Trump ka sugjeruar gjithashtu mundësinë e tërheqjes së trupave edhe nga këto vende.

Ky veprim është pjesë e një strategjie më të gjerë për të zhvendosur fokusin ushtarak amerikan nga Evropa drejt rajonit Indo-Paqësor. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet brenda aleancës 32-anëtare të NATO-s se një reduktim i tillë mund të ndikojë në forcën dhe kohezionin e saj.

Continue Reading

Vendi

Dekani i Shkencave të Sportit në UBT, Agron Thaqi, pjesë e konferencës shkencore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

Published

on

By

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Sportit në UBT, Assoc. Prof. Dr. Agron Thaqi, po merr pjesë në konferencën shkencore të organizuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi një takim me rektoren e universitetit, ku u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në të ardhmen, me fokus në projekte të përbashkëta, shkëmbime akademike dhe organizimin e aktiviteteve shkencore.

Me këtë rast, u bë edhe një ftesë zyrtare për pjesëmarrje në konferencën vjetore të UBT-së, ndërsa u theksua bashkëpunimi ekzistues në kuadër të projektit ndërkombëtar SHAPE, ku të dy institucionet janë partnere.

Ky angazhim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike dhe avancimit të arsimit të lartë në nivel rajonal.

Continue Reading

Lajmet

Koalicionet parazgjedhore: afati deri më 7 maj

Published

on

By

Partitë politike në Kosovë duhet të deklarohen deri më 7 maj nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe nëse do të hyjnë në koalicione parazgjedhore.

Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 2 maj ka nisur edhe periudha për aplikimin për certifikimin e partive të reja, si dhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Afati për regjistrimin e partive të reja përfundon më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve mund të bëhet deri më 12 maj.

Deri tani, nuk ka indikacione se partitë e mëdha politike do të formojnë koalicione para zgjedhjeve. Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 28 dhjetor, nga subjektet kryesore shqiptare vetëm Lëvizja Vetëvendosje kishte garuar në koalicion me parti më të vogla, përfshirë Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.

Një ditë më parë, KQZ-ja miratoi si planin e aktiviteteve ashtu edhe buxhetin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, i cili arrin në 10 milionë e 887 mijë euro.

Sipas këtij plani, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke filluar më 28 maj dhe duke përfunduar më 7 qershor në orën 07:00, kur edhe hapen vendvotimet.

Vendimi për kufizimin e shpenzimeve të fushatës pritet të merret më 5 maj, ndërsa më 16 maj do të hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.

Procesi i votimit përmes postës do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor. Një ditë para zgjedhjeve do të organizohet edhe votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Ndërkohë, periudha për regjistrimin e votuesve nga diaspora është caktuar nga 6 deri më 17 maj.

Më 21 maj, KQZ-ja do të bëjë certifikimin e listës së votuesve, si për ata brenda vendit ashtu edhe për votuesit jashtë Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara