Lajmet

Raporti 24-Orësh i Policisë së Kosovës: Dhunë, armëmbajtje dhe raste të rënda në fokus

Published

on

Incidentet kriminale të raportuara nga Policia e Kosovës për datën 22 korrik përfshijnë një numër të konsiderueshëm të rasteve të dhunës, armëmbajtjes pa leje dhe veprave të rënda penale në disa rajone të vendit.

Një rast i rëndë i vrasjes në tentativë është raportuar në Fushë Kosovë, ku një mashkull kosovar është plagosur rëndë me thikë dhe po trajtohet në QKUK nën sigurimin e policisë. Autori i dyshuar është në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet.

“Një mashkull kosovar, ka pësuar lëndime të rënda pasi është goditur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima është transportuar në QKUK dhe vazhdon trajtimin mjekësor në sigurim nga policia ndërsa i dyshuari pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti është në kërkim të policisë. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime.” thuhet në njoftim.

Në Prishtinë, dy raste të dhunës në familje janë evidentuar. Në njërin rast, një person është arrestuar për dhunë ndaj prindërve të tij, ndërsa në rastin tjetër, një grua është sulmuar dhe kërcënuar nga bashkëshorti. Në të dy rastet, policia dhe prokuroria kanë marrë masa për mbrojtjen e viktimave dhe procedimin e të dyshuarve.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike, fizike dhe kishte kanosur prindërit e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.” njofton Policia.

“Është njoftuar policia se një femër është sulmuar dhe kërcënuar nga bashkëshorti i saj. Pas intervistimit të palëve viktimës i është ofruar urdhër mbrojtës dhe në konsultim me prokurorin rasti procedohet në procedurë të rregullt.” thuhet në njoftim.

Rastet e armëmbajtjes pa leje vazhdojnë të jenë problematike në mbarë vendin. Gjatë kontrolleve në Prishtinë, Obiliq, Lipjan, Podujevë dhe Pejë, janë konfiskuar armë të llojeve të ndryshme, fishekë dhe municion. Në disa raste armët janë përdorur gjatë ahengjeve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Po ashtu, janë raportuar raste ku personat kanë pasur leje për armë për qëllime sportive por jo për bartje, duke rezultuar në konfiskim të tyre dhe procedura ligjore përkatëse.

Në Gjakovë, është raportuar një rast dhunimi të ndodhur muaj më parë, ndërsa viktima ka vendosur ta raportojë më 22 korrik. Rasti ka kaluar për hetim të mëtejshëm nga prokuroria.

“Më 22.07.2025 viktima femër, ka raportuar se muaj me parë është dhunuar nga një person i panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime.” thuhet në njoftim.

Raste të dhunës ndaj zyrtarëve policorë janë raportuar në Viti, ku një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht zyrtarët e rendit.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Një zyrtar ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftim.

Ndërsa në Mitrovicën e Jugut, një person ka shtënë me armë pas një konflikti pronësor me familjarët e tij

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje pronësore me vëllezërit e tij, ka dëmtuar dyert e hyrjes dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të panjohur. Njësiti policor ka konfiskuar armën me një karikator të zbrazët. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftim

Në Gjilan, një person është lënduar lehtë gjatë një konflikti fizik mes tre meshkujve.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, për shkak se pas një mosmarrëveshje e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftim.

Në Viti është raportuar një rast grabitjeje me forcë në rrugën “Habib Sejdiu”, ku viktimës i është marrë një çantë me para dhe një telefon. I dyshuari është ende në kërkim.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, me forcë i ka grabitur çantën në të cilën kishte një telefon dhe disa para. I dyshuari është në kërkim. Rasti nën hetime.” thuhet në njoftim.

Një rast tragjik i vdekjes në vendin e punës është regjistruar në Skenderaj, ku një punëtor humbi jetën pasi humbi ndjenjat gjatë punës.

“Një mashkull kosovar, ka humbur ndjenjat derisa ishte duke punuar në një objekt dhe për një moment është shtrirë në dysheme. Është njoftuar ekipi mjekësor që kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se viktima ishte pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.” thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në Malishevë, është raportuar për vdekjen e një personi në QKUK si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur më 15 korrik.

“Raportohet se më 22.07.2025 në QKUK, ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar, i cili ishte duke u trajtuar pasi ishte goditur nga një veturë më 15.07.2025. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.” thuhet në njoftim.

Në Mitrovicë Veriore, dhuna në familje dhe sulmet fizike në gjendje të dehur vazhdojnë të mbeten shqetësuese.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas inicimit të rastit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.” thuhet në njoftim

Ndërkohë që në rajonin e Prizrenit është raportuar rasti i zhdukjes së një të reje, për të cilën hetimet janë në vazhdim.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se mbesa e tij ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime.” thuhet në njoftim.

Policia Kufitare raportoi gjithashtu një rast armëmbajtjeje pa leje në Bjeshkët e Milishevcit dhe një rast të kalimit ilegal të kufirit në Zubin Potok, ku dy persona u ndaluan duke hyrë nga Serbia në mënyrë të paligjshme.

“Është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë me dy karikatorë me 25 fishekë. Me vendim të prokurori, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.” njofton Policia e Kosovës.

“Janë ndaluar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit me veturë përmes rrugëve ilegale kanë kaluar kufirin nga Serbia në Republikën e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.” thuhet në njoftim./UBTNews

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara