Lajmet

Raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës

Published

on

Në raportin e fundit 24 orësh nga Policia e Kosovës, në disa qytete të Kosovës ka pasur incidente kriminale dhe shifra të larta të gjobave të shqiptuara në kundërvajtje.

AKSIDENTE TRAFIKU DHE GJOBA

Gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2284 tiketa trafiku, janë shkaktuar 85 aksidente me dëme materiale dhe 38 aksidente me të lënduar. Zyra e Informimit nga PK ka njoftuar se 31 persona janë arrestuar, kurse 14 janë dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-PRISHTINË

 SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Rr. Lasgush Pogradeci, Prishtinë 18.08.2025 – 00:02. Është raportuar për të shtëna me armë, në vendin e ngjarjes policia ka hasur katër persona dy femra dhe dy meshkuj kosovarë, por gjatë kontrollit të tyre nuk është gjetur asgjë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar pesë (5) gëzhoja, por arma nuk është gjetur. Të dyshuarit janë sjellë në stacion dhe me urdhër të prokurorit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

 POSEDIM & PËRDORIM I PAAUTORIZUAR I ARMËS 

Rr. Astrit Rrushi, Prishtinë 18.08.2025 – 19:07.  Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar e intervistuar disa dëshmitarë të cilët kanë deklaruar se pas një përleshje në mes dy të rinjve, ka pasur shkëmbim me armë zjarri në mes tyre dhe të njëjtit janë arratisur. Sipas informatave nga vendi i ngjarjes të lënduar nuk ka, por janë gjetur e konfiskuare dy gëzhoja të armës së zjarrit dhe një thikë. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

 HETIM MBI VDEKJEN

Obiliq 18.08.2025 – 06:15. Viktima mashkull kosovar, në një shtëpi ishte gjetur pa shenja jete, vdekjen e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të tij trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

DHUNIM

Prishtinë 12.08.2025 – 19:43. Viktima femër kosovare, ka raportuar se pa dëshirën e saj  është dhunuar nga i dashuri i saj me të cilin janë në lidhje dashurie. Është njoftuar prokurori dhe ai ka urdhëruar që të bëhen ekzaminimet e nevojshme në lidhje me viktimën. Rasti është duke u hetuar.

 AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET

Fsh. Llapushnik / Rr. Nacionale Prishtinë-Pejë 18.08.2025 – 20:50. Ka ndodhur aksident në trafik në të cilin kanë qenë të përfshira dy vetura udhëtarësh njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të huaja, me drejtues meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar dy viktimat dhë një ka pësuar lëndime. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i lënduari  është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

INCIDENTET KRIMINALE-GJILAN

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Rr. Fatmir Ratkoceri, Ferizaj 18.08.2025 – 02:27. Është raportuar për të shtëna me armë zjarri nga një veturë. Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë informatë se shoferi i një automjeti në lëvizje kishte shtënë me armë disa here. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dyshohet të armës me gaz. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar.

 Fsh. Llabjan, Novobërd 17.08.2025 – 13:10. Është raportuar se një fëmijë rreth 12 vjeç ka marrë veturën e babait dhe ka filluar ta ngasë atë në oborrin e shtëpisë. Motra e tij ka tentuar ta ndalojë, por ajo është goditur me veturë dhe ka pësuar lëndime trupore, e njëta është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

 ASGJËSIMI, DËMTIMI OSE HEQJA E PAJISJEVE MBROJTËSE DHE RREZIKIMI I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS

 Rr. Metush Krasniqi, Gjilan 18.08.2025 – 12:00. Viktima mashkull kosovar, punëtor i një kompanie deri sa kishte qenë duke punuar në një objekt te kompanisë kishte ardhur në kontakt fizik me rrymën dhe ishte alivanosur. Ndihma mjekësore i është dhënë në Qendrën Emergjente Gjilan dhe më pas është transferuar në QKUK-Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i kompanisë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-FERIZAJ

NGACMIM

Kaçanik 18.08.2025 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak të dyshimit se kishte hapur llogari në rrjetin social facebook duke keqpërdorur të dhënat e viktimës femër kosovare, si emrin, mbiemrin, fotografi etj. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuar është dërguar në mbajtjes.

MASHTRIM

Kaçanik 31.07.2025. Me datë 18.08.2025 është arrestuar i dyshuari shtetas i Shqipërisë, nën dyshimin se i njëjti ka mashtruar viktimën mashkull kosovar, të cilit sipas marrëveshjes kishte për t’ia kthyer me datën e cekur  dy makina të cilat ia kishte dhënë në shfrytëzim të dyshuarit, por i dyshuari nuk i kishte kthyer as pas kësaj date. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

SULM SEKSUAL

Ferizaj 18.08.2025 – 12:30. Në rast janë të përfshirë një femër e mitur dhe një i dyshuar i panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka sugjeruar të mirën të gjitha veprimet hetimore për identifikim e të dyshuarit dhe rastit në përgjithësi.

DHUNË NË FAMILJE

Ferizaj 18.08.2025 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti bashkë me nënën e tij, kanë ushtruar presion ndaj viktimës (gjyshit). Me vendim të prokurorit, e dyshuara pas intervistimit është liruar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-PRIZREN

KEQPËRDORIM I POZITËS APO AUTORITETIT ZYRTAR

Prizren 18.08.2025 – 14:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, teknik i pylltarisë në Agjensionin Pyjor të Kosovës, me dyshimin se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete, duke marrë para nga qytetarët e ndryshëm të rajonit të Prizrenit. Lidhur me rastin me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

POSEDIM & PËRDORIM I PAAUTORIZUAR I ARMËS

Fsh. Lubizhdë e Hasit, Prizren 18.08.2025 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri. Njësitet policore në vendin e ngjarjes te i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz, 7-fishekë dhe 4-gëzhoja. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

VJEDHJE E AUTOMJETIT

Fsh. Reshtan, Suharekë 18.08.2025 – 12:30. Ankuesi mashkull kosovar, ka lajmëruar se i është vjedhur automjeti me targa vendore. Sipas ankuesit vetura i është vjedhur nga persona të panjohur më datë 16.08.2025 rreth orës 04:00 nga oborri i shtëpisë. Rasti nën hetime.

PERSON I ZHDUKUR

Rr. Selajdin Berisha, Prizren 18.08.2025 – 17:00. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se vëllai i saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

INCIDENTET KRIMINALE-PEJË

HETIM I VDEKJES

Fsh. Cerkolez, Istog 18.08.2025 – 15:14. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, ishte gjetur pa shenja jete në automjetin e tij, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar.

DHUNË NË FAMILJE & ARMËMBAJTJE PA LEJE

Pejë 18.08.2025 – 00:30. Të përfshirë në rast kanë qenë një femër kosovare dhe bashkëshorti i saj. Policia nga i dyshuari mashkull kosovar, ka konfiskuar një armë me katër fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

DHUNË NË FAMILJE

Klinë 15.08.2025 – 22:00. Është raportuar se viktima femër kosovare me 18.08.2025, ka raportuar se në vazhdimësi ajo dhe fëmijët e saj janë duke përjetuar dhunë psikike dhe fyerje  nga bashkëshorti i saj. Pas intervistimit të palëve me urdhër të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

ARMËMBAJTJE PA LEJE

Klinë 18.08.2025 – 02:00. Është konfiskuar një armë pistoletë me një karikator dhe pesë fishekë e cila është gjetur në banesën e një femre kosovare për të cilën ajo ka deklaruar se nuk i përket asaj, por pasi që kishte hyrë në banesë  armën e kishte vërejtur në kuzhinë. Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar dhe vazhdon të hetohet.

ASGJËSIM APO DËMTIM I PASURISË

Junik, 17.08.2025, 15:10, Lidhur me rastin janë identifikuar dy fëmijë. Është njoftuar prokurori për të mitur dhe QPS.

PERSON I ZHDUKUR

Istog 17.08.2025 – 07:20Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vëllai i tij ka dalë nga shtëpia dhe ende nuk dihet gjë për vend-ndodhjen e tij. Rasti është duke u hetuar.

INCIDENTET KRIMINALE-GJAKOVË

DHUNË NË FAMILJE

Gjakovë 18.08.2025 – 09:00. Janë arrestuar dy të dyshuara femra kosovare, të cilat pas një mosmarrëveshje gjatë një konfliktit verbal kanë pasur edhe kontakt fizik me viktimën femër. Lidhur me rastin viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta ka refuzuar strehimin ne shtëpinë e sigurt dhe është kthyer në shtëpi tek nëna e saj. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt.

Gjakovë 18.08.2025 – 15:30. Është arrestuar e dyshuara për shkak se e kishte kanosur me viktimën mashkull kosovar, me të cilin kishte qenë duke bashkëjetuar. E dyshuara pas intervistimit me vendim të prokuronit është dërguar në mbajtje.

Gjakovë 18.08.2025 – 19:30.  Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti në gjendje të dehur ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

ARMËMBAJTJE PA LEJE

Rr. Ahmet Jashari, Malishevë 18.08.2025 – 07:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që më datë 17.08.2025 në një aheng familjar kishte shtënë me armë në ajër. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me gaz me karikator dhe dy fishekë. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

DHUNIM

Gjakovë 10.08.2025 – NN. Lidhur me rastin e lartcekur, më datë 18.08.2025 është arrestuar i dyshuarit mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Fsh. Damjan, Gjakovë 17.08.2025 – 01:32. Më 18.08.2025 janë identifikuar tre te dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët me datë 17.08.2025 në një aheng familjar kishin shtënë me armë zjarri. Nga të dyshuarit janë konfiskuar: një pistoletë me dy karikator dhe 120 fishekë, një leje e armës, një armë automatike AK 47 dhe një pistoletë. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË JUG

VDEKJE E DYSHIMTË

Fsh. Prekaz i Poshtëm,Skenderaj  18.08.2025 – 10:08. Pas pranimit të informatës nga njësiti policor është gjetur një person mashkull pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë autoambulanca dhe nga mjeku është konfirmuar se viktima ishte pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Rr. Mbretëresha Teutë, Mitrovicë Jug 18.08.2025 – 06:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në market një person i dyshuar fillimisht ka thyer xhamin me një mjet të fortë pastaj brenda ka hedhur një shishe mollotov me qëllim për ta djegur marketin. Nuk ka pasur persona në market, ndërsa një kalimtar i rastit ka lokalizuar zjarrin. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po heton rastin.

Rr. Mujë Krasniqi, Skenderaj 18.08.2025 – 14:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka lajmëruar se pasi ka ardhur nga mërgata ka vërejtur se në katin e parë të shtëpisë janë të dëmtuara roletat e plastikës në disa vende dhe sipas tij dyshohet nga predha e armës së gjuetisë pasi që në vendin e ngjarjes nga njësiti policor  janë gjetur dhe konfiskuar dy sfera te fishekut të armës së gjuetisë. Rasti nën hetime.

LËNDIM I RËNDË TRUPOR

Vushtrri, 20.05.2025, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Sektori për Krime të Rënda, lidhur me rastin e datës 20 maj 2025, që ka të bëjë me veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” më 18.08.2025, ka zbatuar urdhëresën e leshura nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega e Gjykatës në Vushtrri, ku është kryer kontrolli në një lokacion në Vushtrri, gjatë kontrollit si prova materiale janë sekuestruar dy telefona celular.

Pas kontrollit i dyshuari është shoqëruar në polici për intervistim, i njëjti në prezencën e avokatit të tij mbrojtës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të çështjes  është dërguar në mbajte për 48 orë.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË VERI

VDEKJE E DYSHIMTË

Rr. Mbreti Pjetër, Zveqan 18.08.2025 – 06:00. Është raportuar se një mashkull është gjetur pa shenja jete në rrethojat e shtëpisë së tij. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekësia ligjore të cilët me urdhër të prokurorit kanë marrë trupin e pa jetë dhe dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar.

INCIDENTET KRIMINALE-DEPARTAMENTI I POLICISË KUFITARE

TREGTI E NDALUAR

Fsh. Shkozë, Prizren 18.08.2025 – 15:50. Njësiti policor  ka ndaluar një automjet me targa vendore të cilin kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit është  konstatuar se në automjet i dyshuari kishte tekstil të llojeve të ndryshme për të cilin mall nuk posedonte ndonjë dokument. Me urdhër të prokurorit  rasti procedohet në procedurë të rregullt, ndërsa inspektorët mbetet që të dalin ne vendin e ngjarjes për regjistrimin dhe vlerën e mallit.

POSEDIM I PAAUTORIZUAR I NARKOTIKËVE

Maja e Zezë, Pejë 18.08.2025 – 21:30. Njësitet policore gjatë patrullimit kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar, i cili ishte duke drejtuar veturën dhe tek i njëjti gjatë kontrollit në një çantë kanë gjetur dhe konfiskuar rreth 2-gramë substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

ARMËMBAJTJE PA LEJE

Fsh. Vermicë, Prizren 17.08.2025 – 20:30. Lidhur me rastin me 18.08.2025 gjatë  kontrollit në automjetin e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri të llojeve të ndryshme, rreth 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe pjesë tjetra të armëve. I dyshuari mashkull kosovar, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

 

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Aktualitet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Vendi

Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Published

on

By

Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së

Published

on

By

Misioni i Fakultetit të TurizmitUBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.

Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.

UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.

Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.

Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.

Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Të kërkuara