Lajmet

​Rama i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, propozon Ogerta Manastirliun për drejtimin e Bashkisë

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialisteka, Edi Rama njoftoi sot mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, duke propozuar emrin e Ogerta Manastirliut për kryetare të Bashkisë së kryeqytetit.

Ogerta Manastirliu e cila deri në këto momente ka mbajtur detyrën e Ministres së Arsimit, sipas Kryeministrit Rama është personi i duhur për të qenë në krye të Bashkisë së kryeqytetit.

Teksa Bashkia e Tiranës prej 7 muajsh drejtohet nga kryetarja e komanduar Anuela Ristani, pas arrestimit të kryebashkiakut Erjon Veliaj, kryeministri u kërkoi anëtarëve socialiste të këshillit bashkiak që të ndërmarrin mekanizmat e duhur ligjor për të shkarkuar nga detyra kryebashkiukun dhe në këtë mënyrë për t’i hapur rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri.

“Vijmë te emergjenca e Tiranës. Pas 7 muajsh Tirana nuk ka asnjë kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës, asnjë kryetar bashkie të denja nga drejtësia për detyrën. Sot kemi një kryetar të zgjedhur 3 herë dhe që i është mohuar e drejta e gjykimit në liri. Tirana ka punë të mëdha e të panumërta, s’i heq meritë kryetares në detyrë përse ka bërë në këto 7 muaj, por sot ne duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë. Anëtarët tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmin ligjor të kryebashkiaku të zgjedhur, pavarësisht se kuadri ligjor lë për të dëshiruar kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë se është i penguar nga paraburgosja. Nuk është propozim që po e bëj me zemër të lehtë.”, deklaroi Rama, shkruan RTSH.

Prej 7 muajsh Bashkia e Tiranës drejtohet nga Anduela Ristani, e komanduar në detyrë pak ditë pas arrestimit më 8 shkurt të kryebashkiakut Erion Veliaj./D.B/KP

Lajmet

Donika Emini kritikon interpretimin e këngës nacionaliste serbe në forumin e BE-së në Bruksel

Published

on

Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka kritikuar interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar të papranueshme përzgjedhjen e një kënge që përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Gjatë fjalimit të mbajtur më 16 nëntor, Emini tha se ngjarja e kishte detyruar ta ndryshonte tërësisht fjalimin e përgatitur. Ajo e nisi paraqitjen duke cituar disa vargje të këngës, të interpretuar një natë më parë.

“Popull serb, thërrit fort. Kosovë, nuk do të të dorëzojmë. Ti gjithmonë ke qenë e jona. Kështu ka qenë që nga kohët e lashta”, citoi Emini, duke theksuar se teksti përmban pretendime të drejtpërdrejta territoriale ndaj Kosovës.

Ajo ngriti pikëpyetje nëse institucionet evropiane i kuptojnë kompleksitetet politike dhe ndjeshmëritë historike të Ballkanit Perëndimor.

“Pas asaj që ndodhi mbrëmë, vërtet pyes veten nëse ata i kuptojnë kompleksitetet e rajonit, edhe pse po flasim për një Komision Evropian që është mjaft afër këtij rajoni”, deklaroi ajo.

Emini tregoi se kishte vendosur të merrte pjesë në forum pasi kishte vërejtur mungesën e përfaqësuesve nga Kosova në listën e folësve. Megjithatë, ajo theksoi se prania e saj si përfaqësuese e shoqërisë civile nuk mund ta zëvendësonte përfaqësimin institucional të vendit.

Ajo tha se nuk do të befasohej nëse një këngë e tillë do të interpretohej në tubime nacionaliste apo në një tubim të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq, por u shpreh e befasuar që ajo u dëgjua në një aktivitet të Komisionit Evropian.

“U befasova shumë kur e dëgjova në Komisionin Evropian, një projekt paqeje, një projekt që po e udhëheq rajonin drejt demokracisë”, u shpreh Emini.

Ekspertja sqaroi se kundërshtimi i saj nuk kishte të bënte me gjuhën apo muzikën serbe, duke theksuar se do ta mirëpriste interpretimin e këngëve shqipe dhe serbe që promovojnë bashkëjetesën dhe tejkalimin e ndarjeve.

Në përfundim të fjalimit, Emini i bëri thirrje Bashkimit Evropian të mos riprodhojë narrativa nacionaliste dhe revizioniste që, sipas saj, kanë penguar procesin e pajtimit në Ballkan.

“A mundeni të paktën të mos i riprodhoni narrativat revizioniste dhe propagandistike të një regjimi që e përçau rajonin dhe që e bëri pajtimin kaq të vështirë deri më sot?”, pyeti ajo.

Fjalimi u mbajt në kuadër të forumit “Përmes pajtimit drejt zgjerimit të Bashkimit Evropian”, më 16 nëntor, një ditë pas interpretimit të këngës në mbrëmjen hapëse të aktivitetit në Bruksel./A.K/

Continue Reading

lajme

Studentët e Masterit në Agrokulturë me Mjedis nisin hulumtimin eksperimental për kultivimin e sallatës së gjelbër pa tokë

Published

on

By

Studentët e programit Master në Agrokulturë me Mjedis, Sihana Bokshi dhe Shpëtim Salihu, nën udhëheqjen e profesorit Ismet Babaj, kanë dizajnuar metodikën e hulumtimit dhe kanë nisur punën eksperimentale për kultivimin e sallatës së gjelbër (Lactuca sativa L.) në sistemin e kultivimit pa tokë.

Qëllimi i këtij eksperimenti është vlerësimi i efekteve të sistemit të prodhimit dhe furnizimit me azot në formë të nitratit mbi statusin ushqyes të bimëve, akumulimin e nitrateve dhe nitriteve, prodhimin e biomasës, si dhe morfologjinë e sistemit rrënjor.

Në kuadër të hulumtimit po testohen tre trajtime me tretësira ushqyese në dy sisteme të hapura të prodhimit pa tokë, përmes vazove me vëllim prej 1 litri: njëri sistem përdor vermikulitin si substrat rritës, ndërsa tjetri përdor cocopeat (torfë kokosi).

Puna kërkimore do të përmbyllet me analiza kimike dhe matje të parametrave të rritjes së bimëve. Të dhënat dhe rezultatet e përfituara do t’u shërbejnë studentëve për përgatitjen e punimeve të tyre të diplomës, si dhe për publikime në revista shkencore, duke dëshmuar gërshetimin e suksesshëm të teorisë me praktikën shkencore.

Continue Reading

lajme

Rama kritikon interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe në Bruksel

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar interpretimin e melodisë së një kënge nacionaliste serbe në koncertin e organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel. Ai e bëri këtë në fillim të një debati në “Forumin e Zgjerimit“, duke thënë se kjo çështje nuk mund të mbetet pa u përmendur.

“Nuk mund të heshtet ajo që ndodhi mbrëmë me muzikën e interpretuar në një mbrëmje në prag të këtij forumi. Nuk e di a ishte e qëllimshme apo injorancë, por ishte një këngë nacionaliste këtu, në mbrëmjen e këtij eventi. Për ta shtuar ironinë, u bë nën logon ‘Meloditë e Unitetit’”, tha Edi Rama.

“Asnjëherë nuk mund të lëmë anash diçka që na kthen nga e kaluara. E kam thënë për vite se sa e rëndësishme është Serbia për rajonin tonë, sa e rëndësishme është ta mbajmë Serbinë në anën tonë. Por dua të sigurohem që ajo që them të mos shkojë kundër kësaj bindjeje. Por, në të njëjtën kohë, mendoj se nuk duhet të tolerojmë hapësirë që betejat e mesjetës të bëhen motivim për ndasitë e sotme”, ka thënë Rama.

“Sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën, aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për të gjithë”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë. /KOHA/

Continue Reading

Vendi

Ndalohet një zyrtar i Gjykatës së Prishtinës, dyshohet për keqpërdorim detyre

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Policinë e Kosovës, ka ndaluar sot për 48 orë personin me inicialet A.B., udhëheqës i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë pas hetimeve disamujore, nën dyshimin se A.B. ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ai dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë, ka krijuar dosje fiktive duke vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një kontrate të falsifikuar të shitblerjes.

Përmes këtyre veprimeve, shtetasit të Serbisë me inicialet M.B. — i cili aktualisht ndodhet në arrati — i është mundësuar regjistrimi i kundërligjshëm i një banese me sipërfaqe prej 55.89 m² në Zonën Kadastrale në Matiçan, pranë Zyrës Kadastrale në Prishtinë.

Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara