Lajmet

Radhë të gjata dhe fluturime të humbura: BE-ja paralajmëron lehtësime në kufij gjatë verës

Published

on

Edmir V. nga Beogradi e vizitoi Finlandën në prill. Ai ndërroi fluturim në Stokholm dhe thotë se, për shkak të sistemit të ri evropian të hyrje-daljeve, për pak sa nuk e humbi fluturimin e radhës, edhe pse kishte tri orë kohë ndërmjet dy fluturimeve.

“Qëndron në radhë dhe pret, pret, pret… Oficeri kufitar fillon me pyetje për udhëtimet e mëparshme, përfshirë arsyet pse kam vizituar një apo një shtet tjetër evropian. Pyetjet ishin deri diku edhe të pakëndshme. Megjithatë, kaosi i vërtetë nisi kur ndodhi diçka me pajisjen, e cila papritur pushoi së funksionuari. Pastaj të gjithë udhëtarët u transferuan në të njëjtën radhë pritjeje”, tregon Edmiri në një bisedë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Ngjashëm ka kaluar edhe Bojani nga Podgorica. Ai kishte arritur në aeroportin belg Charleroi dhe u përball me një radhë të gjatë njerëzish që prisnin të kalonin përmes sistemit.

Por, atë e shpëtoi fakti që po udhëtonte me një foshnje, ndaj kishte përparësi në kalim. Por, as kjo nuk do të thoshte se kaloi pa pritur, pasi numri i atyre që kishin “përparësi” ishte i madh.

Të tjerët, të cilët nuk udhëtonin me foshnja, thotë ai, u desh që të prisnin me orë të tëra.

Një grup kolegësh nga Kosova udhëtuan me makinë drejt Greqisë në fund të majit. Ata zgjodhën qëllimisht ditët e punës për hyrje dhe dalje nga vendi, me qëllim që të shmangnin pritjet e mundshme gjatë fundjavës. Ata kishin parë deklaratat e zyrtarëve evropianë se procedura zgjat shumë pak.

Megjithatë, thonë ata, procedura zgjati shumë më tepër nga sa kishin pritur.

Sipas personave me të cilët bisedoi REL-i, disa udhëtarë u detyruan t’u përgjigjeshin pyetjeve të policëve kufitarë për arsyet e udhëtimeve të mëparshme ose, për shembull, për mungesën e vulave në pasaportë që do të dëshmonin se kishin dalë nga Zona Shengen.

Të tjerë hasën në probleme teknike me skanimin e gjurmëve të gishtërinjve ose me fotografimin e fytyrës. Ata thonë se për çdo automjet priti të paktën 20 minuta.

Hana nga Beogradi në qershor arriti me aeroplan në Bergamo të Italisë. Pas mbërritjes, ajo u rreshtua në kolonën për udhëtarët që nuk janë shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ajo priti rreth 45 minuta para se të kalonte kontrollin kufitar dhe procedurën e skanimit.

Pas kësaj, ajo udhëtoi me tren nga Italia në Zvicër. Kur ua dorëzoi pasaportën zyrtarëve kufitarë zviceranë, të dhënat e saj tashmë ishin të regjistruara në sistem. Në ekran u shfaq edhe fotografia e bërë gjatë kontrollit kufitar në Itali, duke treguar se informacionet ishin tashmë të qasshme për autoritetet kompetente.

Këta janë vetëm disa shembuj të përvojave të shtetasve të të ashtuquajturave vende të treta (shtete që nuk janë anëtare të BE-së), të cilët kalojnë nëpër procedurat e Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES).

Sistemi u fut në përdorim në tetor të vitit të kaluar, teksa u bë plotësisht operacional më 10 prill të këtij viti.

Çfarë përfshijnë rregullat e reja?

Bëhet fjalë për një sistem të automatizuar që zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave të udhëtarëve që hyjnë në zonën Shengen.

Sistemi zbatohet për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike, pavarësisht nëse për hyrje në BE u nevojitet vizë apo jo. Ai regjistron të dhëna biometrike, gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës, si dhe të dhëna personale dhe datat e udhëtimit, me qëllim përmirësimin e sigurisë së kufijve, zbulimin e personave që tejkalojnë kohën e lejuar të qëndrimit dhe parandalimin e keqpërdorimit të identitetit.

Që nga fillimi i zbatimit të këtij sistemi, është krijuar kaos në aeroportet evropiane. Rrjetet sociale janë mbushur me dëshmi për radhë të gjata pritjeje që ndonjëherë kanë rezultuar edhe me humbjen e fluturimeve.

Nga shërbimet kompetente evropiane thonë se EES tashmë po tregon rezultate pozitive. Nga ana tjetër, udhëtarët do të duhet të përshtaten, pasi kjo do të jetë tani pjesë përbërëse e udhëtimit.

Ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës pritet që në vitet e ardhshme ta lehtësojnë procesin. Megjithatë, viti i parë ka shumë gjasa të jetë i vështirë, ndërsa sezoni i verës do të përbëjë një sfidë të veçantë.

Video nga arkivi: Rregullat për udhëtime në BE

 

Në prill, 600 fluturime të humbura në Bruksel

Vetëm gjatë festave për Pashkë, rreth 600 persona humbën fluturimin në aeroportin e Brukselit. Për këtë arsye, ky aeroport tani këshillon udhëtarëve të mos e respektojnë rregullin e shkuarjes në aeroporte dy orë më herët.

“Vërejtëm se vendosja e EES-it ka çuar në zgjatjen e kohës së pritjes në dy deri në tre orë. Po bashkëpunojmë me Policinë Federale, e cila është përgjegjëse për kontrollet dhe procesin, dhe po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të menaxhuar sa më mirë radhët”, thuhet në përgjigjen për REL-in nga aeroporti Zaventem, që është aeroporti kryesor në Belgjikë.

Situata është edhe më e vështirë në pikat kufitare tokësore. Nga policia greke për REL deklarojnë se komplikimet janë normale gjatë futjes së një sistemi të ri.

“Si në çdo kalim të madh drejt procedurave të reja të kontrollit kufitar, zbatimi i sistemit mund të ketë fillimisht ndikim në kohën e përpunimit në disa pika kufitare, veçanërisht gjatë periudhave me trafik të shtuar udhëtarësh. Kjo lidhet kryesisht me kërkesat shtesë për verifikim dhe regjistrim biometrik që duhet të kryhen për shtetasit e vendeve të treta gjatë hyrjeve dhe daljeve. Këto procedura janë pjesë përbërëse e sistemit dhe nuk mund të shmangen”, thanë nga Policia greke në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

A do të jetë më e lehtë gjatë sezonit veror?

Me afrimin e sezonit veror, disa shtete evropiane po shqyrtojnë mundësinë e një qasjeje më fleksibile sa i përket përpunimit të të dhënave.

Kroacia dhe Greqia, për shkak të afërsisë gjeografike, mbeten destinacionet më tërheqëse për pushimet verore të qytetarëve të rajonit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë konfirmojnë se gjatë kulmit të sezonit lejohet një shkallë e caktuar fleksibiliteti. Kjo mund të përfshijë përjashtime të përkohshme nga marrja e të dhënave biometrike, me skanimin e detyrueshëm të dokumentit të udhëtimit dhe regjistrimin e kohës së hyrjes në një shtet anëtar të BE-së.

“Ky model mund të zbatohet në një periudhë të kufizuar kohore, maksimumi deri në gjashtë orë në rrethana të jashtëzakonshme që sjellin një trafik aq të dendur sa që koha e pritjes në pikën kufitare bëhet tepër e gjatë. Kjo konkretisht nënkupton krijimin e një dosjeje EES pa marrjen e të dhënave biometrike”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Brendshme e Kroacisë.

Pala kroate pret se do të ketë radhë gjatë sezonit veror, por thekson se ato kanë ekzistuar edhe para futjes në përdorim të këtij sistemi.

“Përdorimi i sistemit EES mund të shkaktojë ngadalësim të përkohshëm të trafikut gjatë ngarkesave të pikut në pikat kufitare rrugore, duke qenë se personi duhet të dalë nga automjeti për t’u regjistruar në aspektin biometrik në sistem. Kjo lehtësohet përmes përdorimit të lexuesve manualë të EES-it, ku biometria merret në korsitë e hyrje-daljes para se personi të arrijë në kabinën e kontrollit”, thanë nga Ministria e Brendshme e Kroacisë.

Ata shtojnë se në aeroporte, përveç sistemeve statike, përdoren edhe lexues mobilë EES, kioska dhe e-porta (e-gates) kur është e mundur.

Ndërkaq, nga Policia greke konfirmojnë se gjatë kulmit të sezonit të verës do të përpiqen të jenë më fleksibil për të lehtësuar kalimin e kufijve.

“Greqia e përdor në mënyrë të përgjegjshme mundësinë e pezullimit të pjesshëm të parashikuar nga korniza përkatëse të BE-së, me qëllim përputhshmërinë e plotë me rregullat, por edhe ofrimin e shërbimit sa më të mirë të mundshëm për udhëtarët”, thanë për REL-in nga Policia e Greqisë.

Një mundësi të tillë e parashikon edhe Komisioni Evropian, institucioni që e ka vendosur sistemin EES.

“Pezullimi i mbledhjes së të dhënave biometrike është i mundur në disa pika kufitare dhe për një periudhë të kufizuar kohore në raste rrethanash të jashtëzakonshme që çojnë në kohë tepër të gjata pritjeje. Kjo mundësi ekziston deri në shtator, duke mbuluar kulmin e sezonit turistik veror”, thanë nga Komisioni Evropian në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

A janë zgjidhje e-kioskat?

Në aeroportin e Brukselit mendojnë se përdorimi i kioskave të regjistrimit dhe portave elektronike për disa shtetas të vendeve të treta është pjesë kyç e zgjidhjes për uljen e kohës së pritjes, por theksojnë se zbatimi i tyre ende nuk ka filluar.

“Kjo tashmë është miratuar nga ministrat kompetentë belgë dhe zbatimi i shpejtë është thelbësor për uljen efikase të kohës së pritjes për qytetarët jashtë BE-së”, thuhet në përgjigjen nga aeroporti i Brukselit.

Kufijtë e brendshëm të Zonës Shengen janë në kompetencë të shteteve anëtare. Prandaj, çdo shtet i rregullon individualisht mënyrën se si qytetarët kalojnë kufijtë.

Nga KE-ja konfirmojnë se zbatimi digjital i sistemit EES duhet ta lehtësojë procesin.

“Rrjedhshmëria e kufijve duhet të sigurohet nga shtetet anëtare përmes sigurimit të numrit të duhur të policëve kufitarë dhe zgjidhjeve të automatizuara, siç janë kioskat vetëshërbyese dhe e-portat [e-gates]”, thonë nga KE-ja, duke shtuar se kjo është veçanërisht e rëndësishme në pikat kufitare me qarkullim të madh.

Nga Policia greke konfirmojnë se po punojnë në mënyrë intensive dhe po investojnë në përmirësimin e infrastrukturës që duhet të lehtësojë procesin e hyrjes dhe daljes nga Zona Shengen.

“Autoritetet kompetente ndjekin vazhdimisht zhvillimet operative dhe, kur është e nevojshme, përshtatin planifikimin dhe shpërndarjen e burimeve për t’iu përgjigjur rritjes sezonale të trafikut dhe për t’i minimizuar sa më shumë shqetësimet për udhëtarët”, thuhet në përgjigjen e Policisë greke.

Sukses apo dështim? KE-ja mburret me rezultatet e sistemit EES

Komisioni Evropian këmbëngul se bëhet fjalë për një sistem shumë të suksesshëm, qëllimi kryesor i të cilit është mbrojtja e kufijve evropianë.

“Zona Shengen është destinacioni më i vizituar në botë, me 40 për qind të të gjitha udhëtimeve ndërkombëtare që kalojnë kufijtë e saj të jashtëm. Në shumicën e shteteve anëtare, përpunimi i regjistrimeve të para zgjat mesatarisht pak më shumë se një minutë”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Megjithatë, në bisedat me më shumë se dhjetë qytetarë nga Ballkani Perëndimor që gjatë periudhës së fundit kanë kaluar përmes sistemit EES, REL nuk gjeti asnjë bashkëbisedues që konfirmoi se e ka përfunduar të gjithë procedurën brenda një minute.

Zyrtarët e Komisionit Evropian theksojnë se, kur të dhënat e udhëtarëve janë tashmë të regjistruara në sistem, hyrjet dhe daljet e radhës duhet të jenë më të shkurtra dhe më efikase.

Megjithatë, edhe pse sistemi EES po paraqet vështirësi për udhëtarët, në muajt e parë ai tashmë ka treguar rezultate për të cilat është vendosur në funksion.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, që nga tetori 2025 janë regjistruar gati 80 milionë hyrje dhe dalje, 35.000 refuzime hyrjeje, ndërsa rreth 900 persona janë identifikuar si kërcënim për sigurinë e Bashkimit Evropian. /REL/ /E.A/

Continue Reading

Vendi

Asambleja e Përgjithshme e EOQ-së mbahet në UBT, në fokus Kongresi i 67-të në Kosovë

Published

on

By

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ) është mbajtur në UBT, në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e 67-të të kësaj organizate, i cili mbahet në Kosovë më 21–23 tetor 2026. Ky organizim merr rëndësi të veçantë pasi përkon me 70-vjetorin e themelimit të EOQ-së dhe 20-vjetorin e organizatës “Quality Kosova”, duke e vendosur Kosovën në qendër të një ngjarjeje me rëndësi ndërkombëtare në fushën e cilësisë.

Gjatë Asamblesë, përfaqësuesit e organizatave kombëtare anëtare diskutuan për përgatitjet dhe koordinimin e kongresit, i cili do të mbledhë ekspertë, akademikë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Takimi shërbeu gjithashtu për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e cilësisë.

Kongresi i 67-të i EOQ-së do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, nën temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”. Diskutimet do të përqendrohen në rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe transformimin digjital, me theks të veçantë në ndikimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e besimit e të vlerave njerëzore.

Për EOQ-në, ky vit shënon 70 vjet nga themelimi i saj në vitin 1956. Gjatë këtyre dekadave, organizata ka kontribuar në avancimin e standardeve, zhvillimin e kulturës së cilësisë dhe ndërtimin e një rrjeti ndërkombëtar të ekspertëve dhe organizatave profesionale.

Në të njëjtën kohë, 20-vjetori i “Quality Kosova” shënon dy dekada angazhim në promovimin e cilësisë në Kosovë dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin evropian të kësaj fushe. Organizimi i kongresit në vend përbën një mundësi për të rritur dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe për të prezantuar kapacitetet e saj në cilësi, inovacion dhe zhvillim institucional.

Continue Reading

Aktualitet

REL: “Askush nuk guxon të thotë jo”: Votuesit nga Kosova flasin për presionet para zgjedhjeve në Serbi

Published

on

By

Shkurtimisht

  • Në prag të zgjedhjeve në Serbi, punonjësve të institucioneve që funksionojnë nën autoritetin e Beogradit në Kosovë u bëhet presion të votojnë për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), sipas dëshmive të katër burimeve të Radios Evropa e Lirë.
  • Ata flasin në kushte anonimiteti, duke thënë se druhen se do ta humbasin vendin e punës nëse nuk votojnë për SNS-në.
  • Sipas tyre, në presionet ndaj votuesve përfshihen edhe zyrtarë të Listës Serbe, partisë që qeveris në të dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e pushtetit në Beograd.
  • As Lista Serbe, as Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigjën këtyre akuzave deri në publikimin e këtij artikulli.

“Votoj në zgjedhjet në Serbi nën presion [për Partinë Përparimtare Serbe], jo me vullnetin tim të lirë”.

Kështu e nis rrëfimin e saj një qytetare nga Kosova, e punësuar në një institucion arsimor në një zonë të banuar me serbë.

Identiteti i saj, si dhe vendi ku jeton dhe punon, janë të njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë (REL).

Ajo pranoi të flasë për presionet ndaj votuesve nga Kosova në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor, me kusht që të mbetet anonime, pasi druhet se mund ta humbasë vendin e punës.

Rrëfimin e saj e konfirmojnë, në mënyrë të pavarur, edhe tri burime të tjera me të cilat bisedoi REL-i.

Në mesin e 6.45 milionë qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve të Serbisë, më shumë se 115 mijë kanë adresa në Kosovë.

Ata do të mund të votojnë në 60 vendvotime në katër komuna pranë kufirit me Kosovën: Vranjë, Rashkë, Tutin dhe Kurshumli.

Në këto zgjedhje marrin pjesë kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb, i cili mbështetet te Qeveria në Beograd.

Në zonat e banuara me serbë në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë institucione arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë, ndërsa institucionet e tjera të këtij sistemi janë zhvendosur në qytete pranë kufirit, në territorin e Serbisë.

Ato financohen nga buxheti shtetëror i Serbisë.

Kështu, shteti serb mbetet punëdhënësi më i madh në zonat e banuara me serbë në Kosovë, me më shumë se 30 mijë të punësuar.

E pyetur se çfarë rrezikon nëse nuk u bindet kërkesave, bashkëbiseduesja e REL-it thotë se vendi i punës dhe jetesa e saj do të viheshin në rrezik nëse nuk voton për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), përkatësisht për listën e saj “Serbia e Bashkuar”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, SNS-ja nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me pretendimet se u bën presion qytetarëve për të votuar për të. Në të kaluarën, ajo i ka hedhur poshtë akuza të ngjashme.

Presionet ndaj votuesve janë të dënueshme me ligj.

Kodi Penal i Serbisë parashikon dënim nga tre muaj deri në tre vjet burgim për ata që ndikojnë në votim përmes “forcës ose kërcënimit”.

Për ata që ofrojnë “shpërblim, dhuratë ose çfarëdo përfitimi tjetër” në këmbim të votës, parashikohet gjobë ose dënim deri në tre vjet burgim.

Zgjedhjet në Serbi mbahen në një atmosferë tensionesh të larta dhe polarizimi të thellë shoqëror. SNS-ja, e udhëhequr nga presidenti i deridjeshëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon ta ruajë pushtetin pas protestave masive antiqeveritare.

Rivalja e saj kryesore është Lista Studentore, e lindur nga vala e protestave kundër korrupsionit.

“Urdhër nga drejtori”

Sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare ndërkombëtare, sundimi 14-vjeçar i partisë së Vuçiqit është karakterizuar nga kontrolli i fortë mbi aparatin shtetëror dhe dobësimi i demokracisë.

Ndërkohë që Vuçiqi refuzonte ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe negocionte me Prishtinën zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve, me mbështetjen e SNS-së në Kosovë u formua Lista Serbe. Kjo parti, e cila konsiderohet satelit i SNS-së, është në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Shumë zyrtarë të Listës Serbe drejtojnë edhe institucione të financuara nga Serbia.

“Të punësuarit marrin ‘urdhër’ nga drejtorët e tyre [se për kë duhet të votojnë] dhe askush nuk guxon të thotë jo, sepse dihet se çfarë pason në të kundërtën”, thotë bashkëbiseduesja e REL-it.

Sipas saj, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme: në zgjedhjet në Kosovë votojnë për Listën Serbe, ndërsa në ato në Serbi për SNS-në.

As Lista Serbe nuk iu përgjigj këtyre pretendimeve deri në publikimin e artikullit.

Bashkëbiseduesja e REL-it thotë se nuk ka marrë para për të votuar dhe as nuk i janë ofruar. Ajo thekson se nuk është anëtare as e Listës Serbe, as e SNS-së. Megjithatë, udhëzimet për votimin e 25 tetorit, sipas saj, tashmë kanë nisur të mbërrijnë. Në vendvotime do të shkojë në mënyrë të organizuar, së bashku me kolegët dhe banorë të tjerë të komunës ku jeton në Kosovë. Transportin drejt vendvotimeve në Serbi, thotë ajo, e organizon Lista Serbe.

Udhëtimi i organizuar për të votuar ka qenë praktikë edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Kjo praktikë nisi më 2022, pasi autoritetet në Kosovë refuzuan të lejonin hapjen e vendvotimeve në zonat e banuara me shumicë serbe për zgjedhjet e organizuara nga Beogradi. Që atëherë, në ditët e zgjedhjeve, autobusët nga Kosova niseshin drejt vendvotimeve në Serbi që në orët e hershme të paradites, çdo një orë. Kolonave të autobusëve dhe veturave u prinin përfaqësues të Listës Serbe. Mes udhëtarëve ishin edhe qindra të punësuar në institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Institucionet e tjera, si organet komunale dhe degët e postës, u mbyllën nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të hapave për shtrirjen e autoritetit të saj në këto zona.

Prishtina zyrtare i cilësoi këto institucione të paligjshme, ndërsa komuniteti serb i përshkruan mbylljet si formë represioni.

Pas mbylljes në Kosovë, këto institucione vazhdojnë të funksionojnë në qytete pranë kufirit, në Serbi. Atje shkojnë edhe punonjësit e tyre për t’i marrë pagat.

“Vota të sigurta për SNS-në”

Një tjetër bashkëbiseduese e REL-it thotë se, gjatë shtatorit, në selinë e një institucioni pranë një vendkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, mori një formular të SNS-së për mbledhjen e “votave të sigurta” në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas saj, aktivistët e kësaj partie i kërkuan të siguronte emrat, adresat dhe numrat e telefonit të 30 qytetarëve, për të cilët do të garantonte se do ta votonin listën e Vuçiqit më 25 tetor.

Edhe kjo bashkëbiseduese punon në një institucion të financuar nga Beogradi, me kontratë me afat të caktuar.

Ajo flet në kushte anonimiteti nga frika se mund ta humbë vendin e punës. Është e bindur se kontrata nuk do t’i vazhdohej nëse do t’i publikohej identiteti.

Për përvoja të ngjashme flasin edhe dy bashkëbisedues të tjerë që folën në kushte anonimiteti, të cilët i thanë REL-it se janë regjistruar në listën e “votave të sigurta” të SNS-së.

“I dhashë të dhënat e mia për këtë qëllim [për ‘votat e sigurta’], sepse personin që m’i kërkoi e kam të afërt dhe kjo e ndihmon ta mbajë vendin e punës”, thotë njëri prej tyre.

Sipas raporteve të vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve, kjo praktikë është e përhapur gjerësisht në prag të votimit të 25 tetorit.

Organizata joqeveritare CRTA thotë se ka regjistruar pretendime për presione të drejtpërdrejta politike në vendin e punës në të paktën 16 qytete dhe komuna të Serbisë.

“Presionet përfshinin kërkesa për nënshkrime në mbështetje, mbledhje të ‘votave të sigurta’ dhe pjesëmarrje në fushatë, si dhe kërcënime me pasoja në punësim për shkak të bindjeve politike ose refuzimit të detyrave partiake”, thuhet në raportin për fushatën gjatë shtatorit.

Sipas CRTA-s, të gjitha rastet lidhen me SNS-në dhe listën “Serbia e Bashkuar”.

Për presionet ndaj votuesve paralajmëron vazhdimisht edhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila vëzhgon zgjedhjet.

Në raportin paraprak për zgjedhjet e 25 tetorit, ODIHR-i thekson se nuk janë zbatuar rekomandimet e tij nga zgjedhjet e mëparshme për parandalimin e frikësimit dhe presioneve ndaj votuesve.

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv, i përshkruan presionet ndaj votuesve nga Kosova për të mbështetur pushtetin në Serbi si “model të rrënjosur”.

“Pothuajse në çdo cikël zgjedhor shohim të njëjtën pamje: organizimin e punonjësve të institucioneve publike, shkuarjen në grup për të votuar, transportin e organizuar dhe drejtorët që luajnë rol shumë aktiv në mobilizimin e punonjësve”, thotë Saviq.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi, pjesëmarrja e votuesve nga Kosova nuk kaloi 25 për qind. Megjithatë, shumica dërrmuese e atyre që votuan mbështetën koalicionin qeverisës.

Nga 23.878 votues që morën pjesë, më shumë se 19 mijë, apo rreth 80 për qind, votuan për të.

Edhe për këto zgjedhje parlamentare, Lista Serbe u ka bërë thirrje publike votuesve nga Kosova që ta mbështesin SNS-në.

Në anën tjetër, rivalen kryesore të SNS-së, Listën Studentore, e kanë mbështetur disa organizata joqeveritare, lëvizje dhe parti opozitare të komunitetit serb në Kosovë.

Mes kandidatëve të Listës Studentore janë edhe katër profesorë të Universitetit të Prishtinës, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Transport të organizuar drejt vendvotimeve në Serbi u ka ofruar mbështetësve të tij edhe ministri në Qeverinë e Albin Kurtit, Nenad Rashiq, i cili ka mbështetur lëvizjen studentore.

Si është votuar deri më tani?

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia organizoi në zonat e banuara me serbë në Kosovë u mbajtën më 21 qershor 2020.

Ato u zhvilluan sipas praktikës së mëparshme, me misionin e OSBE-së në Kosovë që mblidhte votat.

Fletëvotimet më pas numëroheshin në Serbi, në Rashkë dhe Vranjë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i dha fund praktikës së hapjes së vendvotimeve në këto zona më 2022. Atëherë, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë kundër mbajtjes në Kosovë të votimeve të organizuara nga Serbia.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje disa herë Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për t’u mundësuar qytetarëve të votojnë në zgjedhjet e Serbisë.

Megjithatë, për mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës, Prishtina kërkon një kërkesë të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar, pa ndërmjetësimin e OSBE-së.

Serbia e ka refuzuar këtë, duke pretenduar se një hap i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Botë

REL: Bashkëpunimi Serbi-Iran në fushën e IA-së mund të nxisë reagimin e SHBA-së

Published

on

By

Teksa në Senatin amerikan diskutohet një nismë për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve serbë për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin, Beogradi zyrtar po thellon lidhjet me Teheranin në fushën e inteligjencës artificiale (IA) dhe të teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Në shkurt të vitit 2025, Serbia dhe Irani nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë. Që atëherë, dy vendet janë pajtuar për krijimin e një komiteti të përbashkët për zbatimin e tij, ndërsa dy ministra të Qeverisë së Serbisë janë takuar me homologët iranianë për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit.

Shtetet e Bashkuara janë në luftë me Iranin që nga 28 shkurti, teksa Teherani zyrtar është gjithashtu nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE), anëtarësimin në të cilin e synon Serbia.

Një nismë dypartiake për miratimin e një ligji për Serbinë është paraqitur së fundi në Senatin amerikan. Nisma propozon edhe vendosjen e sanksioneve për vizat dhe atyre financiare ndaj zyrtarëve serbë.

“Serbia dhe Irani kanë thelluar lidhjet teknologjike dhe politike, pavarësisht sanksioneve të gjera që SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë vendosur Iranit”, thuhet, ndër të tjera, në tekstin e paraqitur nga senatori republikan Chuck Grassley dhe kolegu i tij demokrat, Richard Blumenthal.

Megjithatë, në Serbi operojnë kompani të mëdha amerikane në fushën e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Në fillim të tetorit, Beogradi zyrtar nënshkroi në Kombet e Bashkuara Deklaratën e Përbashkët për Partneritetin për Mundësitë në Fushën e Inteligjencës Artificiale, duke iu bashkuar partneritetit të udhëhequr nga SHBA-ja.

“Nuk e di se çfarë mund t’i ofrojë Irani Serbisë në aspektin teknologjik përmes këtij bashkëpunimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) eksperti i inteligjencës artificiale, Aleksandar Linc Gjorgjeviq.

Për çfarë bisedoi ministri serb në Teheran?

Në fund të shkurtit të vitit 2025, Serbinë e vizitoi ministri iranian i Telekomunikacionit, Seyed Sattar Hashemi.

Gjatë kësaj vizite, ai nënshkroi me ministrin e atëhershëm të Informacionit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Dejan Ristiq, Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK).

Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, dokumenti përfshin teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, sigurinë e informacionit, tregtinë elektronike, qeverisjen elektronike dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ristiq theksoi veçanërisht rëndësinë e veprimit të përbashkët të kompanive të të dyja vendeve në tregjet e treta.

Pala iraniane e paraqiti bashkëpunimin me synime edhe më ambicioze: përmendi teknologjinë 5G, infrastrukturën digjitale, sigurinë kibernetike, qeverisjen elektronike, transferimin e të dhënave, ndërmarrjet e reja teknologjike, laboratorët e përbashkët kërkimorë dhe shkëmbimin e ekspertëve.

Pak më shumë se një vit më vonë, ministri aktual i Informacionit dhe Telekomunikacionit i Serbisë, Boris Bratina, u takua me homologun e tij iranian, Hashemi, në Teheran. Ata ranë dakord për formimin e një komiteti të përbashkët për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive.

Takimi u mbajt në fillim të korrikut, gjatë vizitës së ministrit serb në Teheran, që nxiti polemika në Perëndim. Atje, ai përfaqësoi qeverinë e vendit të tij në funeralin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i vrarë në sulmet me raketa amerikane.

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë iraniane, Hashemi propozoi shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, përfshirë qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

“Irani është i gatshëm të ndajë me Serbinë përvojën e tij në prodhimin e pajisjeve të veta harduerike, zhvillimin e qendrave të të dhënave dhe të infrastrukturës në ‘cloud’, si dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e inteligjencës artificiale”, tha Hashemi.

Si një nga detyrat më të rëndësishme, ministri iranian përmendi “krijimin e një korridori për transmetimin e të dhënave ndërmjet Iranit dhe rajonit të Ballkanit”.

Deklarata të ngjashme dha edhe homologu i tij serb, Boris Bratina. Ai theksoi se “realizimi i projekteve që lidhen me rrjetet optike, inteligjencën artificiale, mësimin elektronik dhe industrinë e video-lojërave bën pjesë në fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”.

Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse është shënuar ndonjë përparim i mëtejshëm në bashkëpunimin me Iranin dhe çfarë do të përfshinte konkretisht ky bashkëpunim.

“Akrobaci diplomatike”

Aleksandar Linc Gjorgjeviq, ekspert i teknologjisë dhe drejtor i konferencës “Data Science Conference”, nuk pret hapa konkretë në bashkëpunimin serbo-iranian.

“Ne kemi një konflikt të hapur ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, shumica e kompanive që zhvillojnë inteligjencën artificiale në Serbi janë amerikane ose punojnë për tregun amerikan. Pyetja është se si mund të bashkëpunoni në një kontekst të tillë me një vend që është nën sanksione ndërkombëtare”, thotë Linc Gjorgjeviq.

Sipas të dhënave të Dhomës Amerikane të Tregtisë, në fushën e inteligjencës artificiale në Serbi operojnë gjigantët amerikanë të teknologjisë IBM, Microsoft dhe Oracle.

Në mars të vitit 2026, Zyra për Teknologjinë e Informacionit dhe Qeverisjen Elektronike pranë Qeverisë së Serbisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale me përfaqësues të kompanisë IBM.

Sipas Aleksandar Linc Gjorgjeviqit, përfshirja e Iranit në sistemin e informacionit dhe komunikimit të Serbisë mund të shihet si rrezik për kompanitë amerikane.

“Ato, me të drejtë të plotë, mund ta shohin një hap të tillë si sinjal negativ. Nëse bashkëpunimi me Iranin fillon të zbatohet në praktikë, jam i sigurt se administrata amerikane do të reagojë me pasoja të caktuara, duke pasur parasysh se Uashingtoni e ka ngritur çështjen e inteligjencës artificiale në nivelin më të lartë të mundshëm”, vlerëson Linc Gjorgjeviq.

Bashkëpunimin e Serbisë me Iranin në këtë fushë, bashkëbiseduesi i REL-it e sheh si një “akrobaci diplomatike” të Beogradit zyrtar, në përpjekje për të ruajtur marrëdhënie të mira në disa fronte njëkohësisht.

“Më duket se në Serbi askush nuk merret me çështjet në nivel strategjik, por gjërat bëhen në mënyrë ad hoc”, shton ai.

Çfarë kapacitetesh kanë Serbia dhe Irani në fushën e inteligjencës artificiale?

Për shkak të izolimit ndërkombëtar dhe qasjes së kufizuar në teknologjinë perëndimore, Irani prej vitesh është i detyruar të zhvillojë kapacitetet e veta vendore.

Një analizë e kompanisë amerikane “Recorded Future”, e cila merret me sigurinë kibernetike, thotë se Teherani po përpiqet të ndërtojë një ekosistem vendor të inteligjencës artificiale dhe kapacitete kërkimore, por pikërisht izolimi ekonomik ia kufizon qasjen në teknologji dhe kapital njerëzor.

Në nëntor të vitit 2021, udhëheqësi i atëhershëm suprem i Iranit, Ali Khamenei, e quajti inteligjencën artificiale “një çështje të rëndësishme që lidhet me të ardhmen”, e cila do të “luajë rol në qeverisjen e ardhshme të botës”. Ai i bëri thirrje Iranit që të bëhej një nga dhjetë vendet kryesore në fushën e inteligjencës artificiale.

Pas kësaj, Irani nisi hartimin e një udhërrëfyesi kombëtar për inteligjencën artificiale, në kuadër të të cilit u analizuan “dokumentet strategjike” të 23 vendeve në këtë fushë. U hartua gjithashtu një plan për realizimin e synimit të Khameneit deri në vitin 2032.

Objektivat e përcaktuara në këtë dokument parashikonin që “80 për qind e kërkimeve të orientoheshin drejt përmbushjes së nevojave të vendit, inteligjenca artificiale të zbatohej në 45 për qind të sektorëve industrialë, në këtë fushë të investoheshin tetë miliardë dollarë dhe pjesa e inteligjencës artificiale në Prodhimin e Brendshëm Bruto të arrinte në 12 për qind”, thuhet në raportin e kompanisë “Recorded Future”.

Serbia aktualisht nuk ka një ligj që rregullon fushën e inteligjencës artificiale. Në fuqi është Strategjia për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale për periudhën 2025-2030, si dhe Udhëzimet Etike për Zhvillimin dhe Përdorimin e IA-së, të cilat nuk janë ligjërisht të detyrueshme.

Aleksandar Linc Gjorgjeviq thotë se Serbia ka kapacitete të mira teknologjike në fushën e inteligjencës artificiale.

“Serbia renditet veçanërisht mirë sa i përket kompetencave të inxhinierëve”, thotë ai.

Në fund të vitit 2021, në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në Kragujevc, në Serbinë qendrore, nisi punën Platforma Kombëtare për Inteligjencën Artificiale.

Sipas burimeve zyrtare, kjo platformë është një superkompjuter i gjeneratës së fundit, me performancë të lartë, i aftë të përpunojë sasi të mëdha të dhënash brenda një kohe të shkurtër.

Me kë bashkëpunojnë Serbia dhe Irani në fushën e TIK-ut?

Përveç Iranit, Beogradi zyrtar ka nënshkruar gjatë periudhës së fundit marrëveshje dypalëshe në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, telekomunikacionit, sigurisë së informacionit ose inteligjencës artificiale me rreth dhjetë vende të tjera.

Mes tyre janë Kina, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli, Egjipti, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Burundi dhe Angola.

Që nga viti 2019, Serbia e ka intensifikuar bashkëpunimin me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale. Në vitin 2026, përfaqësuesit e dy vendeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë, si dhe një marrëveshje për themelimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunim në Fushën e Inteligjencës Artificiale.

Për këtë arsye, Beogradi zyrtar është vënë në shënjestër të kritikave nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Komisioni Evropian, i cili në një përgjigje të mëhershme për REL-in rikujtoi se Serbia është zotuar të harmonizohet me rregulloret e Brukselit, përfshirë kuadrin evropian për rregullimin e inteligjencës artificiale dhe Aktin e miratuar të BE-së për inteligjencën artificiale.

Nga ana tjetër, sipas dokumenteve që janë të qasshme publikisht, Ministria iraniane e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit ka marrëveshje bashkëpunimi që përfshijnë shprehimisht inteligjencën artificiale me Serbinë, Irakun dhe Rusinë.

Përveç kësaj, Irani ka edhe marrëveshje bashkëpunimi teknologjik me Kinën, ndërsa burimet zyrtare iraniane e përmendin inteligjencën artificiale si një nga fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare

Published

on

By

UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Stomatologjike, e cila do të mbledhë studiues, stomatologë, teknikë dentarë dhe profesionistë vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, inovacionet teknologjike dhe sfidat bashkëkohore në fushën e shëndetit oral.

Nën temën “Artificial Intelligence and Digital Dentistry: Smart Solutions for Better Clinical Outcomes – Redefining Diagnosis, Treatment Planning, and Clinical Excellence”, konferenca do të fokusohet në rolin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në diagnostikim, planifikimin e trajtimeve dhe avancimin e praktikës klinike.

Programi përfshin fusha të ndryshme të stomatologjisë, si ortodoncia, implantologjia, protetika, endodoncia, stomatologjia pediatrike dhe shëndeti publik oral. Koordinatorja e Konferencës së Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Asst. Dr. Miranda Sejdiu Abazi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje në avancimin e njohurive shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës.

“Përmes konferencës shkencore për stomatologji dhe teknikë dentare, synojmë të krijojmë një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave klinike, duke lidhur zhvillimet më të reja teknologjike me sfidat konkrete të praktikës ditore. Pjesëmarrja e studiuesve dhe profesionistëve vendorë e ndërkombëtarë krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, zhvillim profesional dhe promovim të trajtimeve të sigurta, të individualizuara dhe të bazuara në evidencë shkencore”, u shpreh ajo

Një element i rëndësishëm i këtij edicioni është akreditimi i konferencës nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë 15 pikë kredituese për pjesëmarrje pasive dhe 20 pikë për pjesëmarrje aktive, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e shëndetësisë. Konferenca do të përfshijë gjithashtu prezantime të hulumtimeve nga Kosova dhe vende të tjera, ndërsa ligjëruese kryesore do të jetë dekania e Fakultetit të Stomatologjisë në Tiranë, Prof. Dr. Edit Xhajanka.

Pjesëmarrja e ekspertëve ndërkombëtarë nga vende si Rumania, Gjermania dhe Austria do të mundësojë shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me qasjet bashkëkohore në stomatologji. Përmes organizimit të Konferencës Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke kontribuar në avancimin e praktikave profesionale dhe në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për shëndetin oral.

Continue Reading

Të kërkuara