Lajmet

Qyteti ku njerëzit jetojnë nën tokë

Bëhet fjalë për Coober Pedy.

Published

on

Një qytet i jashtëzakonshëm, ku gjithçka ndodhet nën tokë, nga kishat te kampingjet. Ndërsa bota gjithnjë e më shumë po vuan pasojat e ngrohjes globale, a mund të jetë ky qytet një shembull se e ardhmja jonë mund të jetë nëntokë?      

Në rrugën e gjatë drejt Australisë qendrore, të shoqëron një peizazh krejtësisht i shkretë që ngjason me një hapësirë të pafundme. Por, papritur, shfaqen disa ndërtime misterioze që ngjasojnë me piramida rëre. Këto janë shenjat e para të Coober Pedy, një qytet i minierave të opalit, me një popullsi prej rreth 2500 banorësh që jetojnë nëntokë.

Në këtë cep të botës, 60% e popullsisë jeton në shtëpi të ndërtuara në shkëmbinj ranor. Në disa lagje, shenjat e vetme se aty ka jetë janë boshtet e ventilimit që ngjiten nga nëntoka lart. Në dimër, kjo mënyrë jetese mund të duket e çuditshme. Por në një ditë vere, Coober Pedy merr kuptim. Temperaturat janë aq ekstreme saqë zogjtë bien nga qielli dhe pajisjet elektronike duhet të ruhen në frigoriferë.

Coober Pedy nuk është vendbanimi i parë në botë, madje as më i madhi, nëntokësor. Njerëzit janë tërhequr nga nëntoka për të përballuar klimat sfiduese për mijëra vjet. Shembulli më i famshëm është Kapadokia në Turqi. Rajoni ndodhet në një pllajë të thatë dhe është i famshëm për gjeologjinë mahnitëse, me një peizazh majash të skalitura shkëmbore. Ashtu si në Coober Pedy, jeta nëntokësore i ndihmoi banorët e rajonit të përballen me klimën kontinentale, e cila luhatet midis verës së nxehtë, të thatë dhe dimrit të ftohtë e me dëborë

Një zgjidhje efektive

Rruga për në Coober Pedy është krejt normale, plot restorante, bare, supermarkete e pika karburanti.  Coober Pedy është komplet e kundërta… çdo gjë mbi sipërfaqe është e shkretë. Mirëpo sa më shumë të hysh nëpër tunelet nëntokësore aq më shumë ndihet jeta e vrullshme e banorëve të këtij vendbanimi. Ndërtesat nëntokësore duhet të jenë të paktën katër metra të thella, për të parandaluar shembjen e çative të tyre dhe nën këtë sasi shkëmbinjsh, është gjithmonë një temperaturë e butë 23 gradë celsius. Ndërsa banorët mbi tokë duhet të durojnë verën e nxehtë, shtëpitë nëntokësore ruajnë një temperaturë perfekte gjatë gjithë dimrit. 

Përveç rehatisë, një avantazh tjetër i jetesës nëntokësore janë paratë. Coober Pedy gjeneron të gjithë energjinë e tij elektrike – 70% e së cilës mundësohet nga era dhe dielli. Gjatë një ankandi të fundit, një shtëpi mesatare me tri dhoma gjumi u shit për rreth 26.000 dollarë. Megjithëse shumë nga këto prona janë jashtëzakonisht bazike ose kanë nevojë për rinovim, ka një hendek të madh midis çmimit të këtyre shtëpive dhe atyre në qytetin më të afërt, Adelaide, ku çmimi mesatar i shtëpisë është 457.000 dollarë.

Çuditërisht, stili i jetesës nëntokësore mund të sigurojë gjithashtu njëfarë mbrojtjeje kundër tërmeteve. “Ne kemi përjetuar dy tërmete që kur unë kam jetuar këtu dhe asgjë nuk ndodhi”, thotë një nga banorët. Gjithashtu, një avantazh tjetër i këtij qyteti është se në të mund të kryesh punime shumë thjesht. Shkëmbinjtë janë të butë dhe mund të gërvishten madje edhe me thonj. Ju mund të ndërtoni dhoma dhe hapësira të tjera në çdo formë që ju pëlqen, pa materiale shtesë. Shumë vendas jetojnë në banesa luksoze me pishina nëntokësore, dhoma lojërash dhe banja të gjera. Një vendas e ka përshkruar madje shtëpinë e tij nëntokësore si “si një kështjellë”.  

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara