Aktualitet

Qyteti kinez del nga izolimi njëmujor

Izolimi në qytetin verior Xi’an, që është një qendër e madhe industriale, u hoq një ditë pas rifillimit të fluturimeve komerciale nga ky qytet.

Published

on

Kina më 24 janar ka hequr izolimin njëmujor në qytetin Xi’an, që ka 13 milionë banorë, dhe ka urdhëruar testimin e 2 milionë qytetarëve në Pekin. Këto masa po ndërmerren më pak se dy javë para se të nisin Lojërat Olimpike Dimërore, që do të mbahen në kryeqytetin kinez.

Izolimi në qytetin verior Xi’an, që është një qendër e madhe industriale, u hoq një ditë pas rifillimit të fluturimeve komerciale nga ky qytet.

Në Pekin, ku më 4 shkurt do të nisin Lojërat Olimpike Dimërore, rreth 2 milionë banorë të qarkut Fengtai janë urdhëruar që t’iu nënshtrohen testeve, pasi janë regjistruar një sërë rastesh me koronavirus.

Autoritetet u thanë qytetarëve në disa pjesë të Pekinit, që konsiderohen me rrezik të lartë të infektimit, që të mos largohen nga qyteti, pasi në qarkun Fengtai u regjistruar 25 raste me sëmundjen COVID-19, ndërkaq 14 të tjera u regjistruan në qarqe të tjera.

Olimpiada do të mbahet nën rregulla të ashpra kundër pandemisë, teksa atletëve po iu kërkohet që të vaksinohen ose t’i nënshtrohen izolimit pas arritjes në Kinë.

Ndërkaq, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rajonin e Evropës tha se varianti Omicron i koronavirusit e ka vendosur pandeminë në një fazë të re, duke e bërë “të besueshme” që ky variant mund t’i japë fund pandemisë në kontinent.

Epidemiologu kryesor amerikan, Anthony Fauci ka shprehur optimizëm të ngjashëm, duke i thënë transmetuesit amerikan ABC, se rastet me COVID-19 po bien ndjeshëm në pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe “gjërat po duken mirë”.

Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se pasi të ulen rastet nga vala e Omicronit që ka përfshirë mbarë Evropën “do të ketë disa javë apo muaj të imunitetit global, qoftë falë vaksinimit ose sepse njerëzit kanë imunitet” për shkak të infeksionit. Ai tha se edhe ndryshimi i stinës do të jetë gjithashtu një faktor.

Por, Kluge tha se është ende herët për të përcaktuar nëse COVID-19 mund të cilësohet si endemi dhe paralajmëroi se variante të reja të virusit mund të dalin.

“Endemia nënkupton… se është e mundshme të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Ky virus na ka befasuar më shumë se një herë, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Kluge.

Continue Reading

lajme

Sot mbahet seanca e mbyllur ndaj Jeton Sylajt për rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë mban sot shqyrtimin fillestar në çështjen penale ndaj Jeton Sylajt, i akuzuar për kanosjen e bashkëshortes së tij të ndjerë, Arlinda Zekaj.

Seanca gjyqësore, e cila nis në orën 11:00, do të zhvillohet pa praninë e publikut dhe mediave, në bazë të vendimit të marrë nga gjykata më 10 nëntor, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Përjashtimi i publikut ka për qëllim mbrojtjen e jetës private dhe familjare të palëve të përfshira në procedurë, me fokus të veçantë te mbrojtja e privatësisë dhe interesit të fëmijës së mitur. Gjatë kësaj seance pritet të shqyrtohen deklarimet e palëve, raportet psikologjike, bashkëbisedimet me fëmijën si dhe video-incizimet që janë pjesë e shkresave të lëndës. /E.A/

Continue Reading

Live

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara