Aktualitet

Qytetarët e BE-së stres dhe panik për marrjen e lejeqëndrimit në BM

Published

on

Më shumë se 100 000 persona janë në pritje për më shumë se tre muaj që kërkesat e tyre për të ashtuquajturin Program Lejeqëndrimi për qytetarët e BE-së të shqyrtohen, sipas shifrave zyrtare të marra nga një OJQ.

”Rreth 102 000 shtetas të BE-së dhe anëtarët e familjeve të tyre, përfshirë 23 900 fëmijë, kishin kërkesa që rrinin në pritje për t’u shqyrtuar prej një kohë prej më shumë se tre muaj, saktësisht që nga 7 maji”, tha OJQ-ja IPPR.

Aplikimet për 13 000 persona, përfshirë 650 fëmijë, janë në pritje që prej të paktën gjashtë muaj, ndërsa për 8 000 të tjerë, përfshirë 285 fëmijë, që prej të paktën një viti.

Por, sipas SkyNews, ka edhe raste të tilla ai ai i një qytetareje gjermane, e cila jeton prej 40 vitesh në Britaninë e Madhe, dhe akoma nuk ka marrë lejeqëndrimin pasi pasaporta e saj ka skaduar.

”Jam në gjendje stresi dhe paniku pikërisht për këtë”, deklaroi ajo për SkyNews.

”Ka një stuhi aplikimesh përpara afatit të fundit që është data 30 qershor që ka çuar në një numër të madh të kërkesave për lejeqëndrim”, tha IPPR-ja.

Qeveria britanike është zotuar se kushdo që aplikon brenda afatit do të ketë të drejtat e tij, në varësi të vendimit dhe të çdo apelimi.

Zakonisht duhen rreth pesë ditë pune që të përpunohen aplikacionet e plota, por mund të zgjasë më shumë se një muaj nëse nevojiten më shumë informacione dhe Ministria e Brendshme britanike nuk është zotuar të kompletojë të gjitha aplikacionet deri më 30 qershor.

Kushdo që mund të tregojë ”arsye të besueshme” për humbjen e afatit mund të aplikojë, por nëse ata nuk aplikojnë deri më 30 qershor dhe nuk kanë leje tjetër të vlefshme për të qëndruar, ata do të konsiderohen të paligjshëm në BM.

Aplikantët e vonuar mund të përballen me muaj pritjeje që kërkesat e tyre të përpunohen ndërsa nuk janë në gjendje të fillojnë një punë të re, të lidhin një marrëveshje të re qiraje, të marrin një patentë shoferi ose të bëjnë një kërkesë të re përfitimesh sociale.

IPPR po bën thirrje që aplikantët e EUSS të cilët janë duke pritur për aprovimin e aplikimit të tyre, përfshirë aplikantët e vonë, të kenë të drejtat e tyre të mbrojtura plotësisht.

Marley Morris, drejtor i asociuar i IPPR, deklaroi se “ndërsa afati i fundit për Programin e Lejeqëndrimit shkon drejt mbylljes, ekziston rreziku që shumë qytetarë të BE-së të mbeten pa status”.

”Kjo mund të ketë pasoja katastrofike për të drejtën e tyre për të shërbimet e punës, qirasë dhe aksesit”, theksoi ai.

“Ne i mirëpresim përpjekjet e qeverisë për të futur modifikimet e reja të minutës së fundit, por fatkeqësisht ka ende boshllëqe serioze. Qeveria duhet të veprojë tani për të mbrojtur të drejtat e njerëzve që bëjnë aplikime të vonuara, të trajtojë rrezikun e diskriminimit nga punëdhënësit dhe pronarët dhe të mbështesë ata me statusin e paracaktuar për t’u transferuar lehtësisht në statusin e tyre”, tha Morris./

Continue Reading

Aktualitet

Profesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Dr. Naser Rugova, ka publikuar artikullin shkencor me titull “The Role of Healthcare System Digitalization in Transition Countries: The Case of Kosovo” në revistën The Kosovo Dispatch, një platformë akademike me ISSN të regjistruar në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, duke e pozicionuar këtë punim në një nivel të lartë ndërkombëtar të referencimit shkencor.

Artikulli analizon në mënyrë të thelluar rolin e digjitalizimit të sistemit shëndetësor në vendet në tranzicion, me fokus të veçantë në Kosovë, duke argumentuar se transformimi digjital nuk është thjesht proces teknologjik, por reformë e thellë institucionale, kulturore dhe qeverisëse.

Në studim theksohet se ndonëse digjitalizimi shihet si mjet kyç për përmirësimin e efikasitetit, cilësisë, barazisë dhe transparencës në shëndetësi, në Kosovë ky proces mbetet i fragmentuar, i varur nga donatorët dhe i dobët nga ana institucionale. Sipas autorit, pengesat kryesore nuk janë teknologjike, por burojnë nga mungesa e pronësisë institucionale, mungesa e interoperabilitetit mes sistemeve, trajnimi i pamjaftueshëm i stafit shëndetësor dhe rezistenca kulturore ndaj transparencës dhe llogaridhënies.

Studimi është realizuar përmes analizës cilësore të politikave publike dhe shqyrtimit të literaturës ndërkombëtare, duke u mbështetur në raporte dhe të dhëna nga institucione si Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), OECD, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian, si dhe në literaturën bashkëkohore mbi qeverisjen digjitale.

Dr. Rugova vëren se në Kosovë ekzistojnë iniciativa si Sistemi Informativ Shëndetësor (HIS), regjistrat elektronikë të pacientëve dhe raportimi digjital, por ato funksionojnë të shkëputura dhe pa integrim të plotë mes niveleve të kujdesit shëndetësor – primar, sekondar dhe terciar. Kjo pengon vazhdimësinë e trajtimit, planifikimin strategjik dhe përdorimin e të dhënave për politika shëndetësore të bazuara në prova.

Një dimension i rëndësishëm i punimit është lidhja midis digjitalizimit dhe qeverisjes së mirë. Sipas studimit, sistemet digjitale rrisin transparencën, reduktojnë hapësirat për keqpërdorime dhe favorizime, dhe forcojnë sundimin e rregullave përkundrejt praktikave informale. Pikërisht për këtë arsye, rezistenca ndaj digjitalizimit shpesh është institucionale dhe politike, pasi nënkupton zhvendosje të pushtetit nga individët te sistemet.

Duke u bazuar në përvoja ndërkombëtare, përfshirë modelin e suksesshëm të Estonisë, studimi argumenton se digjitalizimi efektiv kërkon vizion shtetëror, investim të vazhdueshëm në kapitalin njerëzor dhe ndërtimin e besimit publik.

Në përfundim, profesori Rugova rekomandon që Kosova të ndërtojë një qasje të integruar ndaj digjitalizimit të shëndetësisë, duke forcuar qeverisjen digjitale, pronësinë institucionale, trajnimin e stafit dhe përdorimin e të dhënave për politika publike. Pa këto elemente, nismat digjitale rrezikojnë të mbeten sipërfaqësore dhe të paqëndrueshme.

Artikulli është bashkautorësi me Dr. Apollon A. Rexhaj, mjek dhe studiues, ndërsa Dr. Naser Rugova mban titullin Profesor i Menaxhimit Shëndetësor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë.

Ky publikim përforcon rolin e UBT-së si institucion lider në prodhimin e dijes shkencore me ndikim në politikat publike dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë në Kosovë, veçanërisht në shëndetësi dhe qeverisje digjitale.

Continue Reading

Aktualitet

Doli nga shtypi libri i profesorit Musa Sabedini, “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”

Published

on

By

Profesori, gazetari, publicisti dhe studiuesi i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, Musa Sabedini, ka botuar librin e tij të katërt universitar, të titulluar “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve profesionistë, si dhe gazetarëve dhe profesionistëve të sinqertë, të përkushtuar dhe të guximshëm në të gjitha kohërat e vështira.

Duke qenë për një kohë të gjatë pjesë e gazetarisë hulumtuese dhe hulumtues i shumë temave që kanë pasur peshë në Kosovën e pasluftës, autori ka thënë se ky libër, që mban një titull profesional “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, erdhi si përmbyllje dhe kurorë e një përvoje mbi 35-vjeçare në fushën e gazetarisë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese.

Profesori, gazetari dhe studiuesi i palodhur në fushën e medias ka thënë se nuk ishte e lehtë ta finalizonte këtë projekt jetësor, por as e pamundur.

“Pas dekadash pune në terren, pas fitimit të katër çmimeve kombëtare për gazetari hulumtuese, ndjeva përgjegjësinë që kjo përvojë të mos mbetej vetëm kujtim personal, por të shndërrohej në një udhërrëfyes praktik dhe frymëzues për brezat e rinj të gazetarëve, për ata që duan të sfidojnë realitetin, të kërkojnë të vërtetën dhe të mbrojnë interesin publik, edhe në rrethana të ndërlikuara e shpeshherë të rrezikshme. Ky libër është rezultat i përkushtimit tim ndaj misionit të gazetarisë hulumtuese, ndaj profesionit që nuk njeh kompromis me të pavërtetën. Kam dashur që përmes tij të përcjell një mesazh të qartë për studentët, kolegët, studiuesit, redaktorët dhe pronarët e mediave se gazetaria hulumtuese është themeli i demokracisë dhe zëri i ndërgjegjes publike”, ka shkruar Sabedini në parathënien e librit.

Profesori, autor i katër librave universitarë, të gjithë me tematikë nga fusha e medias, ka theksuar se ky libër është ndër të parët në hapësirën shqiptare që trajton me pedantëri dhe përkushtim shkencor e praktik rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke bashkuar përvojën e terrenit me reflektimin akademik.

“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”, ka nënvizuar, pos tjerash, profesor Sabedini.

Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, ka thënë se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet e gazetarisë po lëkunden ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë.

“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur; është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke i hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka shkruar se në një libër voluminoz, autori Sabedini me të drejtë e ka ndarë materien në tri pjesë.

“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka vlerësuar profesori Zejnullahu.

Libri, sipas tij, do t’u shërbejë studentëve të gazetarisë si një burim shumë i mirë për të mësuar bazat e gazetarisë hulumtuese, sidomos në një kohë sfiduese për gjithë gazetarinë, të ndikuar nga ndryshimet e imponuara nga përparimet tepër të shpejta teknologjike.

“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.

Ndryshe, në parathënien e librit është dhënë edhe struktura e tij, e cila përbëhet nga tre kapituj kryesorë, secili me tematikë dhe thellësi të veçantë.

Kapitulli i parë trajton përkufizimet, misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese. Ai përfshin reflektime mbi etikën, moralin, neutralitetin dhe pavarësinë e gazetarit hetues, si dhe analizon raste konkrete të aferave më të njohura ndërkombëtare dhe vendore, duke nxjerrë mësime për qasjen profesionale dhe njerëzore që kërkon ky profesion.

Kapitulli i dytë fokusohet në epokën digjitale dhe ndikimin e saj në gazetarinë hulumtuese. Diskutohet transformimi i profesionit në epokën e teknologjisë, kufijtë e rinj të raportimit, roli i insajderëve, sfidat etike dhe rreziqet që paraqet mungesa e mbrojtjes ligjore për gazetarët.

Kapitulli i tretë ndalet te teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat online, roli i multimedias, inteligjencës artificiale dhe mediave sociale në ndërtimin e gazetarisë bashkëkohore. Ai analizon gjithashtu aspektet ligjore dhe etike të përdorimit të kamerave të fshehta dhe raportimit digjital, duke sjellë një panoramë të plotë të evolucionit të gazetarisë hulumtuese në kohën moderne.

Profesori Sabedini ka theksuar në parathënie se e veçanta dhe më e rëndësishmja e librit mbeten 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet, të hartuara me zemër, duke e ditur se sa i vështirë mund të jetë një hulumtim fillestar për një gazetar të ri, por edhe sa të vlefshme janë ato për gazetarët me përvojë, redaktorët përgjegjës dhe profesorët universitarë.

“Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemën profesionale të një gazetari hulumtues, por edhe dimensionet etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues. Ato synojnë të shërbejnë si një ‘udhërrëfyes etik dhe praktik’ për çdo gazetar hulumtues, veçanërisht për studentët e gazetarisë në të gjitha nivelet e studimit. Këto pyetje dhe këshilla janë personale, origjinale dhe burimore. Ato burojnë nga koncepti im profesional dhe nga rruga e gjatë, me shumë sfida dhe sakrifica, që kam kaluar si gazetar hulumtues në Kosovë dhe më gjerë”, ka potencuar Sabedini.

Ai ka falënderuar Rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe profesional.

Sipas Sabedinit, ky libër është më shumë se një botim profesional; është një rrëfim i përvojës, pasionit dhe përkushtimit ndaj gazetarisë si mision jetësor.

“Libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë dhe përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, e cila sjell rreziqe sa delikate e sfiduese, aq edhe të shpejta dhe dobiprurëse për botën bashkëkohore. Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që ajo sjell”, ka vlerësuar ai.

Ndryshe, Musa Sabedini, si gazetar hulumtues dhe profesor universitar, është autor i mbi 14 punimeve shkencore, të mbrojtura dhe prezantuara ndër vite në konferenca ndërkombëtare të UBT-së.

Ai ka të botuara punime studimore në revista amerikane dhe në SCOPUS, ndërsa që nga viti 2011 është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT, ku ligjëron katër lëndë kryesore mbi gazetarinë dhe etikën mediatike.

Profesori Sabedini është tash e 14 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa po aq vite drejton edhe një portal online.

Për kontributin e tij profesional, profesori Musa Sabedini është vlerësuar me katër çmime në kategorinë e gazetarisë hulumtuese në Kosovë, në vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008, nga juri të ndryshme profesionale.

Libri ka 718 faqe, ndërsa botues është UBT.

Continue Reading

Aktualitet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Gjeomonumentet e Republikës së Kosovës publikohen në ProGEO

Published

on

By

Profesori nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, në bashkëpunim me Fadil Bajraktari, Cand. PhD, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, kanë publikuar artikullin shkencor me titull “New geomonuments, Republic of Kosovo” në ProGEO News, revistë dhe platformë zyrtare e International Association for the Conservation of Geological Heritage (ProGEO).

Ky publikim paraqet një kontribut të rëndësishëm shkencor dhe institucional në fushën e trashëgimisë gjeologjike, duke prezantuar monumente të reja gjeologjike (geomomumente) në Republikën e Kosovës, si dhe duke theksuar vlerat e tyre shkencore, edukative, turistike dhe mjedisore.

Artikulli synon të rrisë ndërgjegjësimin kombëtar dhe ndërkombëtar për pasurinë gjeologjike të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj në kuadër të mbrojtjes së natyrës.

ProGEO është një organizatë ndërkombëtare prestigjioze që bashkon ekspertë të gjeoshkencave, menaxherë të trashëgimisë natyrore, studiues, edukatorë dhe profesionistë të turizmit, me misionin për të promovuar dhe mbrojtur trashëgiminë gjeologjike dhe gjeodiversitetin në mbarë botën.

Organizata është e afiluar me International Union of Geological Sciences (IUGS) dhe është anëtare e International Union for Conservation of Nature (IUCN), duke luajtur një rol kyç në politikat globale të konservimit të natyrës.

Përmes këtij publikimi, autorët theksojnë nevojën për një qasje të integruar në mbrojtjen e natyrës, ku trashëgimia gjeologjike trajtohet në mënyrë të barabartë me biodiversitetin, si dhe rëndësinë e përfshirjes së institucioneve shtetërore, akademike dhe publikut në ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.

Për më shumë detaje rreth artikullit dhe aktiviteteve të ProGEO-s, vizitoni faqen zyrtare të organizatës: ProGEO

Continue Reading

Të kërkuara