Lajmet

Qytetarët ankohen për ndryshimin e linjave të autobusëve, Komuna: Riorganizimi i linjave është i përshtatshëm

Sipas qytetarëve po shkaktohet tollovi në kryeqytet, dhe po u duhet të presin autobusin rreth një orë.

Published

on

Qytetarët shprehen të mllefosur me ndryshimin e rrjedhës së qarkullimit të autobusëve e cila ka ndodhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për mbylljen e rrugës për kalimin e veturave nga Katedralja në drejtim të Hotel Grand-it. Rrugë kjo që do të shërbejë në përgatitjet për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Sipas tyre po shkaktohet tollovi në kryeqytet, dhe po u duhet të presin autobusin rreth një orë, derisa kërkuan nga komuna të shtojë autobusë.

Qytetari, Sadik Gjukolli këtë vendim e vlerëson problematik. Sipas tij me këtë vendim qytetarët janë të detyruar të presin rreth gjysmë ore një autobus. Derisa kërkoi nga komuna ta zgjerojë rrugën.

“Tollovi është bërë, veç për me dalë te një rrugë po bëjmë gjysmë ore, kjo është kiamet… Komuna duhet të shtojë autobusë, por duhet edhe ta zgjerojnë rrugën pasi nuk ka rrugë…Problem po është me prit kur është ftohtë, mirëpo jemi pensionistë dhe nuk vonohemi për punë”, tha Gjukolli.

Sara Maqedonci, nxënëse në kryeqytet, po ashtu ka kërkuar nga komuna ta shtojë numrin e linjave të autobusëve.

“Në stacion po na bjen me prit shumë dhe po ka mungesë të autobusëve shumë, kështu kam lutje që të ndreqet ky problem… dhe të shtohen edhe linja tjera të reja të autobusëve… Pasi po më duhet me prit rreth një orë për autobus dhe po ka shumë tollovi rrugës”, tha ajo.

Agim Subi, qytetar është shprehur i shqetësuar me vendimin për ndryshimin e linjave të autobusëve. Sipas tij duhet të presë rreth një orë për autobus.

“Po janë shumë problem duke prit nga një orë… Po vanohen, por s’po kemi çfarë të bëjmë”, tha Subi.

Në lidhje me këtë, drejtori i shërbimeve publike, Ilirik Musliu tha se arsyja e mbylljes është për disa intervenime në infrastrukturë me qëllim që të përshtatet për projektin e festave të fundvitit.

Musliu tha se në momentin që është mbyllur rruga “Xhorxh Bush”, është paraparë që do të ketë ngarkesë, por sipas tij riorganizimi i linjave është i përshtatshëm sa i përket kësaj mbyllje.

“Qëllimi i mbylljes ka të bëjë me projektin e festave të fundvitit. Është e mbyllur deri me datën 8 janar, aktiviteti mendohet të fillojë prej datës 12 dhjetor, pra ideja pse është mbyll dy javë më herët ka të bëjë me intervenimin dhe përgatitjen e asaj zone për festimin e festave të fundvitit. Me 8 janar prapë do të kthehemi në gjendje siç ka qenë… Në momentin që është mbyll rruga “Xhorxh Bush”, është paraparë që do të ketë ngarkesë në rrugën “Bill Clinton” dhe “Tirana”, për arsyeje se me automatizëm bëhet bartja e ngarkesave, veturave. Ne e kemi bërë riorganizimin e linjave, në momentin kur e kemi bllokuar rrugën dhe kemi dalë në njoftim për bllokim, gjithashtu edhe trafiku urban ka dalë me njoftim për riorganizimin e linjave i cili është bërë, andaj numri i autobusëve dhe riorganizimi i linjave besoj se është i përshtatshëm, më i miri i mundshëm sa i përket kësaj mbyllje”, tha Musliu.

Sa i përket kërkesave të qytetarëve për shtimin e linjave të autobusëve, Musliu tha se problemi me linjat e trafikut urban dhe transportit publik në përgjithësi do të zgjidhet më së largu në janar të vitit 2024.

Ai tha se me 10 dhjetor do të nënshkruajnë kontratë në Londër, në zyrën kryesore të BERZH-it prej 10 milionë euro, me të cilën tha se parashohin të blejnë flotën e re prej 30 autobusëve, shtatë prej tyre do të jenë elektrik.

“Me 15 dhjetor do të nënshkruajmë në Londër, në zyrën kryesore të BERZH-it kredinë e re prej 10 milionë euro me të cilën parashohim të blejmë flotën e re prej 30 autobusë, rreth shtatë prej tyre kanë me qenë elektrik, të cilët mendohen në të ardhmen të shfrytëzohen në unazën qendrore. Siç e parasheh plani i mobilitetit duhet të jenë 161 autobusë, dhe 81 veçse po plotësohen në trafikun urban, 80 të tjerë do të jenë në sektorin privat, do të bëhen kontratat me sektorin privat në formatin e njëjtë sikur trafiku urban me pagesë për kilometër. Brenda kësaj kredie është një linjë në të cilën ata do të na mbështesin me konsulentë. Këtë rast do të bëhet riorganizimi i të gjitha linjave por edhe shtimi i linjave të reja, për arsyeje se në zonat rurale kemi mungesë të linjave dhe është një kërkese e kamotshme e qytetarëve. Andaj, mendojmë se transportit publik konkretisht në janar, 2024 të japim zgjidhje të përhershme në kryeqytet”, shtoi Musliu.

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.

Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.

Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Të kërkuara