Shëndet

Qumësht dhe mjaltë – Kombinimi që ju duhet për flokë të plotë

Mjalti është një antioksidant shumë i fuqishëm dhe funksionon si një zbutës natyral për flokët.

Published

on

Flokët që këputën, maja apo rrënjë të ashpra nuk janë kurrë një eksperiencë e këndshme. Prandaj shtohen gjithnjë e më shumë mënyrat se si t’i trajtoni flokët tuaj.

Trajtimet për flokët nuk janë kurrë të tepërt e sidomos kur janë me bazë natyrale.

Disa nga ushqimet që përdorni çdo ditë në kuzhinë mund t’ju vijnë në ndihmë të madhe në luftën kundër këputjes së flokë.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org do të gjeni të shpjeguar se si të bëni lehtë maskën rigjeneruese për flokët tuaj.

Mjafton pak qumësht dhe pak mjaltë që rezultati t’ju bëjë të ktheheni vazhdimisht tek ky trajtim.

Vlerat që dhurojnë

Mjalti është një antioksidant shumë i fuqishëm dhe funksionon si një zbutës natyral për flokët.

Përveçse forcon rrënjët, ka aftësi të hidratojë majat dhe të largojë majat dyshe.

Tek flokët mund ta përdorni edhe si një mënyrë të mirë të mbajtjes larg të papastërtive apo baktereve.

Qumështi nga ana tjetër i ushqen flokët tuaj nga rrënja, pasi është një burim shumë i madh proteinash e një sërë vitaminash.

Nëse e fusni qumështin në traditën tuaj të kujdesit për flokët do të shikoni, me kalimin e kohës ata do të trashen dhe do të fitojnë shkëlqim.

Bashkimi i të dy këtyre përbërësve është zgjedhja perfekte për këdo që dëshiron flokë të plotë e plot shkëlqim.

Si ta përgatisni?

Për të përgatitur këtë trajtim shumë lehtë në shtëpi mjafton të merrni të dy përbërësit.

  • 250 ml qumësht
  • 1 lugë gjelle mjaltë

Në një enë të thellë përzieni të dy përbërësit e më pas lagni duart me pak nga lëngu i formuar.

Vendoseni me kujdes në zonën më problematike të flokëve tuaj ose në të gjithë gjatësinë.

Pasi të keni lyer çdo pjesë të dëshiruar, lidhini flokët me kujdes dhe lëreni trajtimin të thahet dhe veprojë për 15 minuta.

Më pas kur të ndjeni që është gati, shpëlani kokën me shampo dhe zbutës si zakonisht.

Këtë trajtim këshillohet ta aplikoni të paktën një herë në javë për të parë rezultate s amë të mira./AgroWeb.org

Shëndet

Kur kanceri i mëlçisë përhapet në kocka

Published

on

Kur kanceri i mëlçisë metastazon në kocka, zakonisht ndodhet në stadin e katërt (IV).

Ky stad shoqërohet me dhimbje të forta kockore, rrezik të lartë për fraktura dhe komplikime si hiperkalcemia (rritje e kalciumit në gjak) dhe kompresioni i palcës kurrizore.

Dhimbja është e vazhdueshme dhe vështirë kontrollohet edhe me ilaçe.

Sipas klinikave si Cleveland Clinic dhe Mayo Clinic, metastazat kockore mund të shkaktojnë lodhje, të përziera, konfuzion, dhe dobësi ose mpirje në gjymtyrë. Kanceri i mëlçisë shpesh zbulohet në faza të vona, sidomos te pacientët me hepatit kronik, cirozë, diabet apo mbipeshë.

Studimet tregojnë se 3% deri në 20% e pacientëve me karcinomë hepatike zhvillojnë metastaza në kocka, kryesisht në shtyllën kurrizore.

Dhimbja është simptoma më e shpeshtë dhe më e rëndë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së pacientit.

Trajtimi në këto raste është paliativ, pra synon lehtësimin e dhimbjes dhe përmirësimin e jetës.

Përveç ilaçeve dhe radioterapisë, sot përdoren edhe teknika moderne si ablacioni me radiofrekuencë dhe embolizimi selektiv, që ndihmojnë në kontrollimin e metastazave dhe reduktimin e dhimbjes. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

A e dini kur është koha më e mirë për ta ngrënë një mollë?

Published

on

Mollët janë të pasura me fibra dhe antioksidantë, duke kontribuar në shëndetin e tretjes dhe organizmit në përgjithësi.

Por a ndryshojnë përfitimet e tyre sipas kohës së ngrënies? Ekspertët e ushqyerjes tregojnë se kur efekti i një molle është më i madh.

Mëngjesi: Një fillim i mirë i ditës

Një mollë është një zgjedhje ideale për mëngjes, jep ndjesi ngopjeje dhe është e ulët në kalori. Dr. Jacqueline Vernarelli thekson se mollët kanë një indeks të ulët glicemik dhe përmbajnë acid klorogjenik, i cili ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak pas vakteve.

“Mollët janë të pasura me fibra, vitamina dhe antioksidantë që mbështesin shëndetin e zemrës, tretjen dhe sistemin imunitar. Ato përmbajnë gjithashtu përbërës anti-inflamatorë si vitamina C dhe kuercetina,” shpjegon Vernarelli. Dietologia Lauren Manaker shton se një mollë mund të stimulojë butësisht tretjen në mëngjes.

Para një vakti: Kontrolli i oreksit

Ngrënia e një molle një ose dy orë para një vakti mund të ndihmojë në kontrollin e peshës trupore. Mollët nxisin ndjesinë e ngopjes dhe mund të ulin marrjen e kalorive gjatë vakteve. Morgan Walker sqaron se fibra e mollës ngadalëson përthithjen e karbohidrateve e ruan nivelet e sheqerit në gjak. Një mollë mesatare përmban 4–5 gramë fibra, konsumi i rregullt lidhet me rrezik më të ulët për sëmundjet e zemrës dhe diabetin tip 2.

Para stërvitjes: Burim natyral energjie

Një mollë mund të jetë snack i mirë para ushtrimeve, dy deri tre orë më parë, ose disa feta menjëherë para stërvitjes. Ashley Koff shpjegon se sheqernat natyralë në mollë japin energji të shpejtë, ndërsa fibra ndihmon në ruajtjen e sheqerit në gjak të qëndrueshëm. Megjithatë, ata që janë të ndjeshëm ndaj fibrave duhet të shmangin ngrënien e një molle menjëherë para ushtrimeve intensive, vëren Manaker.

Me një vakt ose në mbrëmje: Alternativë e shëndetshme ndaj ëmbëlsirave

Mollët mund të shtohen në mëngjes, drekë ose darkë. Dr. Anne VanBeber rekomandon t’i kombinoni me bollgur, të përfshihen në kekë të vegjël ose të shërbehen si pjesë e një darke të lehtë. Për ata që dëshirojnë diçka të ëmbël pas darkës, një mollë është një alternativë e shëndetshme ndaj ëmbëlsirave, mund të kombinohet me gjalpë arrash ose të spërkatet me kanellë për shije dhe ngopje shtesë.

Koha më e mirë për të ngrënë një mollë

“Koha më e mirë është kur ka më shumë gjasa ta hani atë,” thotë Manaker. Disa njerëz e preferojnë në mëngjes, të tjerët para ushtrimeve ose si snack gjatë ditës. Në thelb, mollët janë të shëndetshme dhe të dobishme në çdo moment. /A.Z/UBT News/

 

 

Continue Reading

Shëndet

E përdorni çdo ditë, por furça e dhëmbëve mund të jetë plot mikrobe

Published

on

Ekspertët zbulojnë se si një nga mjetet më të përdorura çdo ditë mund të strehojë miliona mikrobe.

Furça e dhëmbëve është një nga sendet më të domosdoshme të higjienës personale, por njëkohësisht edhe një nga më të ndoturat.

Ajo mund të strehojë miliona baktere, kërpudha e viruse, përfshirë ato që lidhen me infeksionet në gojë, gripin, herpesin, madje bakteret e jashtëqitjes, raporton BBC. Një furçë, një “ekosistem i vogël”: fijet që lagen e thahen çdo ditë krijojnë kushte ideale për rritjen e mikrobeve.

“Mikrobet në furçat e dhëmbëve vijnë nga tre burime kryesore – nga goja jonë, nga lëkura dhe nga mjedisi ku mbahet furça,” – shpjegon Marc-Kevin Zinn, mikrobiolog në Universitetin Rhine-Waal në Gjermani.

Madje, edhe furçat e reja mund të jenë të kontaminuara. Një studim në Brazil tregoi se gjysma e 40 furçave të reja të blera në dyqane përmbanin tashmë baktere të ndryshme.

Mikrobet e zakonshme dhe ato të rrezikshme

Shumica e mikrobeve në furçë janë të padëmshme dhe vijnë natyrshëm nga goja, si Streptococcus mitis apo Actinomyces, që ndihmojnë në mbrojtjen kundër kariesit. Sipas Vinicius Pedrazzi, profesor i stomatologjisë në Universitetin e Sao Paulos, në to mund të fshihen edhe baktere më të rrezikshme si Streptococci dhe Staphylococci, që shkaktojnë prishje të dhëmbëve dhe sëmundje të mishrave.

Studiuesit kanë zbuluar baktere të traktit tretës, si Escherichia coli dhe Pseudomonas aeruginosa, dhe kërpudhën Candida, e njohur për shkaktimin e mykut oral.

“Pluhuri” i tualetit – burimi më i papritur i ndotjes

Një nga burimet më të neveritshme të kontaminimit është vetë tualeti. Sa herë që tërhiqet uji, krijohet një re mikroskopike pikash uji dhe fekalesh që mund të përhapet deri në 1.5 metra larg. Këto pika mund të përmbajnë viruse si gripi, COVID-19 që bien mbi furçën nëse ajo mbahet afër tualetit.

Një studim në një universitet amerikan gjeti se 60% e furçave të studentëve që ndanin banjo ishin të ndotura me baktere që gjenden në feces. Erica Hartmann, profesoreshë në Universitetin Northwestern (SHBA), thekson se rreziku real është më i ulët nga sa mendohet.

“Shumica e njerëzve nuk sëmuren nga furça” – shpjegon ajo, duke shtuar se shumë baktere të zorrëve nuk mbijetojnë gjatë në ajër. Viruse si herpesi, mund të qëndrojnë aktive në furçë 48 orë, ndaj nuk duhet ndarë furça me të tjerët e as lejuar që furçat të prekin njëra-tjetrën.

Sa i madh është rreziku?

Sipas Zinn, rreziku është i vogël për shumicën e njerëzve, por më i lartë për ata me imunitet të dobësuar. Disa studime kanë zbuluar se disa baktere në furça mbartin gjene rezistente ndaj antibiotikëve, duke i bërë infeksionet më të vështira për t’u trajtuar.

Furçat antibakteriale, megjithëse të reklamuar si zgjidhje higjienike, nuk kanë treguar efikasitet të madh. Disa madje mund të nxisin zhvillimin e baktereve rezistente.

Ekspertët këshillojnë mënyra më të thjeshta e efektive:

Mbajeni furçën në pozicion vertikal, të thajë në ajër dhe pa mbulesë plastike.

Mos e mbani në kuti të mbyllur, pasi lagështia favorizon mikrobet.

Ndërroni furçën çdo 3 muaj ose pas çdo sëmundjeje.

Si ta pastroni siç duhet furçën?

Shpëlarje me ujë shumë të nxehtë;

Zhytje për 5–10 minuta në ujë antiseptik për gojën;

Përdorim të solucioneve që përmbajnë 0.12% klorheksidinë ose 0.05% cetilpiridinium klorid, që janë më efektivët sipas profesor Pedrazzi.

Shkencëtarët po zhvillojnë koncepte të reja si furça dhe pasta probiotike, të cilat synojnë të nxisin rritjen e “baktereve të mira” në gojë.

P.sh bakteret Streptococcus salivarius dhe Limosilactobacillus reuteri ndihmojnë në luftimin e atyre që shkaktojnë karies dhe inflamacion të mishrave.

“Konceptet si fijet bioaktive ose shtresat probiotike mund të ofrojnë mënyra të reja për të ruajtur ekuilibrin mikrobial – por ende kemi shumë për të mësuar,” – përfundon Zinn. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Shëndet

Si të zgjidhni mandarinat më të ëmbla dhe më të lëngshme?

Published

on

Mandarinat janë një nga frutat më të dashura të stinës së ftohtë – të shijshme, aromatike dhe plot vitaminë C.

Jo çdo mandarinë që duket bukur është e ëmbël dhe e lëngshme. Për të mos gabuar në zgjedhje, kushtoni vëmendje detajeve të thjeshta.

1. Ngjyra e lëvores tregon pjekurinë

Ngjyra është treguesi i parë i cilësisë. Mandarinat me lëvozhgë portokalli të errët dhe uniforme zakonisht janë më të pjekura dhe më të ëmbla. Nëse fruti ka nuanca të gjelbra, kjo mund të nënkuptojë se nuk është plotësisht i pjekur ose është më pak lëngshëm.

2. Pesha tregon sasinë e lëngut

Një mandarinë cilësore duhet të ndihet pak më e rëndë se sa duket. Kjo do të thotë se përmban shumë lëng. Ndërsa frutat më të lehta zakonisht kanë më pak tul dhe më shumë fibra të thata.

3. Tekstura e lëvores zbulon freskinë

Lëvozhga duhet të jetë e lëmuar dhe me shkëlqim, shenjë që fruti është i freskët dhe plot lëng. Nëse ajo duket e ashpër, e rrudhosur ose e thatë, mandarina mund të jetë e tejpjekur ose e tharë.

Një lëvozhgë që ndahet lehtë nga fruti tregon se brendësia është e butë dhe e lëngshme. Por kini kujdes nga mandarinat me lëvozhgë shumë të hollë e ngjitëse, sepse shpesh janë më pak të lëngshme.

4. Aroma – testi më i mirë natyral

Një aromë e fortë, e ëmbël dhe karakteristike është shenjë e sigurt që mandarina është e pjekur dhe e shijshme. Frutat pa aromë nuk kanë arritur pjekurinë e plotë dhe mund të jenë më të athëta.

5. Forma dhe shtresa e bardhë e brendshme

Edhe forma ka rëndësi: mandarinat pak të sheshta ose ovale zakonisht janë më të mbushura me tul, ndërsa ato shumë të rrumbullakëta shpesh janë më të thata.

Nëse nën lëkurë ka shtresë të bardhë të hollë dhe të butë (albedo), kjo është shenjë e mirë – fruti është lëngshëm. Ndërsa një shtresë e trashë dhe fibroze mund të tregojë të kundërtën. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara