Lajmet

​QKRMT: Kosova nuk ka institucion të veçantë për paraburgimin e personave me çrregullime mendore

Published

on

Kosova nuk ka institucion të veçantë për paraburgimin e personave me çrregullime mendore. Institucioni më i ngarkuar është Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, për shkak të afërsisë me Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kështu thuhet në raportin për vitin 2023 të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Në bazë të monitorimit të kësaj organizate thuhet se gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të numrit të rasteve të lëndimeve e vetëlëndimeve.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti përmendi rastin e parë të kompensimit të dhunimit seksual në burgun e Dubravës në vitin 2014.

“Këtë vit kemi dëshmuar një rast historik të suksesit, ku gjykata për herë të parë e bën përgjegjës institucionet shtetëror për shkeljen e të drejtave të të burgosurve. E kam fjalën për një viktimë, fatkeqësisht të vitit 2014, i cili kishte përjetuar dhunë seksuale brenda burgut të Dubravës dhe që nga ai vit e kemi mbështetur dhe përfaqësuar në procese gjyqësore, por njëkohësisht rasti si i tillë natyrisht që ka qenë traumatizues dhe përveç që është përcjellur në procedura gjyqësore, i është nënshtruar rehabilitimit në organizatë dhe intervenimeve shëndetësore varësisht nga nevoja që i ka paraqitur rasti në fjalë. Në shtator të vitit 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar pjesërisht kërkesë-padinë e viktimës dhe e detyron Ministrinë e Drejtësisë të jep kompensimin për dëme. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi Ministria e Drejtësisë e kompenson viktimën, ashtu siç është e paraparë me aktgjykim. Ky është rasti i parë i këtij lloji, ku Gjykata e bën përgjegjës institucionin shtetëror për shkeljen e të drejtave të të burgosurve”, deklaroi Rushiti.

Ky raport i monitorimit, Rushiti shtoi se shërben për gjenerimin e veprimeve konkreteve nga institucionet vendimmarrëse.

Në prezantimin e këtij raporti, Fatmire Haliti nga QKRMT, tha se kanë zhvilluar 19 vizita monitoruese.

“Ne si vend nuk kemi institucione të veçanta për paraburgimin e personave me çrregullime mendore, kështu që ata janë të shpërndarë në të gjitha qendrat e paraburgimit duke i vendosur në situata ndoshta sfiduese vet institucionet korrektuese për trajtimin e këtyre kategorive. Si institucion më i ngarkuar me persona me çrregullime mendore është Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, për shkak të afërsisë që ka edhe me Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila është gjykata që e trajton më së shumti raste edhe po ashtu gjendet në afërsi të Institutit të Forenzikës së Kosovës…Në bazë të të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë përveç monitorimit që e kemi marrë nga monitorimi i institucioneve korrektuese, shihet që numri i përdoruesve (të substancave narkotike) është në rritje. Përqindja nga 14 që ishte në vitet e kaluara tashmë ka kaluar 16 për qind”, u shpreh ajo.

Rritje ka pasur edhe të numrit të lëndimeve dhe vetëlëndimeve të të burgosurve në qendrat korrektuese.

“Vërehet që ka tendencë në rritje të rasteve të lëndimeve dhe vetëlëndimeve. Nëse marrim në mënyrë periodike nga viti në vit, prej vitit 2022 në vitin 2023 ka pasur një rritje prej 40 rasteve më tepër, 341 raste janë evidentuar në rastin 2022 të lëndimeve, ndërsa në vitin 2023 kanë qenë 381 raste të lëndimeve. Për këto raste gjatë vizitave monitoruese kur i kemi pyetur të burgosurit na kanë raportuar për mënyra të ndryshme të lëndimeve të cilat ndodhin qoftë përmes konflikteve në mes të burgosurve apo gjatë lëndimeve aksidentale në punë apo shëtitore apo edhe gjatë sportit. E po ashtu ka pasur edhe raste të tilla që janë raportuar që kanë qenë nga përdorimi i forcës fizike prej stafit korrektues. Edhe numri i vetëlëndimeve ka shënuar një rritje, ku nga 125 vetëlëndime që kanë qenë të evidentuara zyrtarisht në vitin 2022, në vitin 2023, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve raporton që numri ka qenë 189….Kemi pasur një vetëvrasje në vitin 2023”, tha Haliti teksa shtoi se numri i tentim vetëvrasjeve kanë qenë 24 raste.

Lidhur me trajtimin e personave të privuar nga liria, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se është e rregulluar në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë penale dhe të drejtave të njeriut. Ai tha se po punojnë për krijimin e kushteve ligjore që personat e burgosur të trajtohen me dinjitet.

“Kemi punuar në tri ligje bazë për menaxhimin e institucioneve korrektuese, përkatësisht në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Ligjin për Shërbimin Korrektues dhe Ligjin për Shërbimin Sprovues. Këto ligje i kemi bërë të mundur që të dënuarve të ju njihen disa të drejta shtesë, përkatësisht të ju kthehen disa nga të drejtat që ju ishin hequr me ndryshimet ligjore të bëra nga qeveritë e kaluara…Kemi shtuar aktivitetet për luftimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe për raste të kontrabandës kemi suspenduar zyrtarë korrektues dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë. Kemi bashkëpunuar me organizata”, deklaroi ai.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani theksoi se ka rritje substanciale të buxhetit të Kosovës.

“Ka rritje substanciale të buxhetit nga ajo që nuk ka qenë as afër një milion euro buxheti, sot kemi buxhetin prej tetë milionë euro. Kemi kërkuar mbështetje në pajisje teknologjike më të avancuara, po ashtu edhe në pajisje të sigurisë të cilat do të na mundësonin avancimin tutje edhe përafrimin e standardeve ndërkombëtare….Si asnjëherë më parë vitin e kaluar kemi hapur konkurse, ku janë punësuar dhe janë në proces të punësimit afër 200 oficerë korrektues. Për herë të parë është hapur konkursi vetëm për gra ku janë punësuar 50 gra në institucionet tona korrektuese”, theksoi ai.

Në raportin e QKRMT-të për të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese thuhet se të burgosurit e intervistuar u shprehën kryesisht të kënaqur me ushqimin që ju shërbehet. Po ashtu, theksohet se tri vaktet e ushqimit shërbehen nëpër salla të përbashkëta.

Vendi

Pranim-dorëzimi i raporteve për vrasjen e Arlinda Zekajt përplas anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.

Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.

Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.

Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/

Continue Reading

Vendi

LDK reagon ndaj Presidencës: Largimi i fotos së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë është i papranueshëm

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në hapësirat e Presidencës.

Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja theksoi se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Sipas kësaj partie, trajtimi i simboleve të tilla historike si thjesht elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe cënon vazhdimësinë institucionale.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova të vendosur nga ish-Presidentja Osmani si dhe të Deklaratës së Pavarësisë të vendosur nga ish-Presidenti Sejdiu në vendet e tyre zyrtare të nderit. /E.A/

Continue Reading

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara