Lajmet

Qeveria sllovene e dërgon në Parlament propozimin për njohjen e shtetit palestinez

Published

on

Qeveria e Sllovenisë e ka mbështetur të enjten një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe i ka kërkuar Parlamentit ta bëjë të njëjtën gjë.

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se Qeveria e tij ia ka dërguar Parlamentit propozimin për njohjen e shtetit palestinez.

Parlamenti slloven mund të mblidhet javën e ardhshme dhe ta hedhë në votim propozimin e Qeverisë.

Nevojitet pajtimi i Parlamentit që vendimi i Qeverisë të jetë i efektshëm. Partia liberale në pushtet e Golobit e ka shumicën në Parlamentin me 90 ulëse dhe votimi rreth njohjes së shtetit palestinez pritet të jetë formalitet.

Vendimi i Qeverisë sllovene vjen vetëm dy ditë pasi Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohën shtetin palestinez. Qëndrimet e tyre u dënuan ashpër nga Izraeli.

Sllovenia do të bëhej vendi i 10-të i Bashkimit Evropian që e njeh zyrtarisht shtetin palestinez. Norvegjia nuk është pjesë e bllokut 27-anëtarësh, por ajo zakonisht i përshtat politikat e jashtme me ato të bllokut.

Sllovenia e nisi procesin e njohjes së shtetit palestinez në fillim të majit, por tha se do të priste derisa të përmirësohej gjendja në luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

Golob tha këtë javë se po e përshpejton procesin pas sulmeve të fundit të Izraelit në Rafah, si pasojë e të cilave më shumë se 1 milion palestinezë kanë ikur atje.

Më shumë se 140 shtete e njohin shtetin palestinez – më shumë se dy e treta e Kombeve të Bashkuara.

Vendimi për njohjen e shtetit palestinez ka nxitur fërkime në marrëdhëniet e BE-së me Izraelin. Spanja dhe Irlanda po bëjnë trysni që BE-ja të ndërmarrë masa kundër Izraelit, për shkak të sulmeve të tij të vazhdueshme në jug të Gazës.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së./REL

Vendi

Etno Fest: Dita e gjashtë sjell traditën e Istogut, artin e familjes Grubi dhe teatrin e Shkodrës në Kukaj

Published

on

By

Nata e gjashtë e festivalit “Etno Fest” në fshatin Kukaj u karakterizua nga një gërshtim i traditës autoktone, muzikës klasike dhe artit skenik, duke mbledhur artistë e dashamirës të kulturës nga treva të ndryshme.

Sipari i mbrëmjes u hap me performancën e Etno Ansamblit “Vullkani i Istogut”, i cili solli në skenë këngë, valle dhe motive tradicionale të trevës së Istogut.

Programi vazhdoi me një koncert artistik të interpretuar nga Blerim Grubi, Nita Grubi dhe Arjana Kuriu Grubi, të cilët sollën një frymë me finesë muzikore për pranishmit.

Ngjarja qendrore e mbrëmjes ishte shfaqja teatrore “Pesë fytyrat e heshtjes”, me regji të Ilir Bokshit, e realizuar nga trupa e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Shfaqja trajtoi tema komplekse njerëzore, me fokus te dhuna familjare dhe përjetimet e pathëna.

Aktivitetet e ditës së gjashtë u përmbyllën në orët e vona me “Etno Nejën”, ku grupi “Melodia e Vjetër” interpretoi pjesë nga repertori i traditës muzikore e shpirtërore. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Zjarr në fshatin Malasen të Cërrikut: Dëmtohen 250 rrënjë ullinj, ndërhyjnë zjarrfikësit  

Published

on

By

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së dielës një sipërfaqe toke në fshatin Malasen të Bashkisë Cërrik, në Shqipëri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e flakëve janë djegur rreth 2 hektarë tokë dhe afërsisht 250 rrënjë ullinj. Zjarri rrezikoi seriozisht disa banesa pranë zonës, si dhe depozitën kryesore të ujit që furnizon qytetin e Cërrikut.

Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit u angazhuan tre mjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), të cilët bënë të mundur shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Sipas të dhënave të para hetimore nga Policia e Shtetit në Shqipëri, dyshohet se shkak për shpërthimin e zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike në linjën e energjisë, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Euronews/

Continue Reading

Vendi

Deputeti ukrainas kritikon deklaratën e Zelenskyt në Beograd: Gabim diplomatik, ukrainasit e mbështesin pavarësinë e Kosovës

Published

on

By

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, njëherësh iniciues i Projektligjit për njohjen e Kosovës në Parlamentin e Ukrainës, e ka quajtur “gabim diplomatik” deklaratën e presidentit Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Goncharenko publikoi deklaratën e Zelenskyt së bashku me fotografinë ku shihet heqja e sloganit “Free Ukraine” nga Hoteli Grand në Prishtinë.

“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, ka shkruar Goncharenko. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell dhe temperatura deri në 35 gradë

Published

on

By

Sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë në të gjithë territorin e vendit.

Sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik, temperaturat minimale gjatë ditës do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 17°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten nga 30 deri në 35°C.

Sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut dhe verilindjes me një shpejtësi prej 1 deri në 4 metra për sekondë, ndërsa në zona të caktuara priten edhe hove më të fuqishme me intensitet më të lartë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara