Lajmet

​Qeveria lë anash nxënësit nga Lugina që jetojnë në Kosovë, nuk subvencionohen për tekstet

Published

on

Nxënësit shqiptarë nga Lugina e Preshevës që jetojnë në vendin tonë nuk po subvencionohen për tekste shkollore. Edhe pas fillimit të vitit të ri shkollor, ata nuk janë pajisur me libra e materiale të tjera. Në mungesë të dokumenteve të Kosovës, prindërit e tyre nuk mund të aplikojnë në platformën eKosova për subvencionim. E derisa kjo po konsiderohet padrejtësi nga njohës të sistemit të arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbes pa tekste mësimore.

Një prind nga Medvegja ka thënë se nuk ka mundësi që vet të blejë librat për dy fëmijët e tij Agimi, i cili flet në kushte anonimiteti tregon se dy fëmijët të cilët vijojnë mësimin në Prishtinë, ende nuk janë pajisur me libra. Ai tregon se ata kanë lindur në Kosovë, por ai vet është pajisur së fundmi me leje qëndrim.

“Ndihmë prej shtetit nuk kemi asgjë. As vjet, as sivjet nuk kanë investuar asgjë. Unë i kam dokumentet e Medvegjës, fëmijët janë të lindur këtu në Kosovë, edhe nuk ka asnjë gjasë se do t’i japin librat për fëmijë…Që dy vjet unë jam duke i paguar për fëmijët me parat e mia…Për këtë vit ende nuk kam arritur t’i sigurojë, ende nuk kam arritur të investojë (t’i blejë) librat….Shqetësuese është shumë, por nuk po ke ku qetësohesh”, deklaron ai.

Që nga fillimi kur është hapur mundësia për aplikim të subvencionimit të teksteve shkollore, ai tregon se kanë njoftuar ministrinë e drejtorinë e shkollës por nuk kanë marrë përgjigje.

“Shkojmë në ministri, ata na thonë shko diku tjetër, drejtoria e shkollës ka thënë që duhet me iu dhënë, ministria po thotë që nuk iu takojnë se nuk i kanë dokumentet e Kosovës. Mirëpo, fëmijët janë të lindur e të rritur në Kosovë”, shton ai.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë se praktika e subvencionimit të teksteve shkollore ka disa të meta.

“Praktika e subvencionimit pa dyshim që përkundër që qëllim mirë na ka dëshmuar edhe këtë vit që ka disa të meta brenda sistemit që shumë lehtë kthehen në padrejtësi për prindër dhe nxënës të cilët kanë qasje të kufizuar në platformë. E cila është kjo qasje e kufizuar, pa dyshim janë ata prindër që nuk janë shtetas të Kosovës dhe të cilët e-Kosova nuk i njeh dhe për rrjedhojë aplikimi i tyre bëhet i pamundur, sikurse që është edhe e kundërta kur plot prindër dhe nxënës që nuk janë rezidentë dhe jo anëtar të shkollave në Kosovë, mirëpo të njëjtit përfitojnë nga kjo skemë. Ajo çka është e domosdoshme është që platforma të filtrojë nxënësit në bazë të listave të shkollave të pranuara nga ana e institucioneve arsimore”, deklaron ai.

Ai thekson se ka raste të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, kur diaspora aplikon ani pse fëmijët nuk vijojnë mësimin në Kosovë.

“Për ata prindër dhe nxënës që janë pjesë të shkollës, apo që për arsye të rezidencës nuk janë të përfshirë në platformë pa dyshim që është padrejtësi, për të cilën kërkohet llogaridhënie pasi që nuk është ndonjë risi. Rikujtoj që aplikimi për subvencionim tash është në vitin e dytë dhe ka plot mësime të mira dhe probleme që janë ballafaquar nga viti paraprak që do të duhej të kishin zgjidhje, sikurse edhe kjo e fundit që padyshim ai komunitet i prindërve në këtë rast të banorëve me prejardhje nga Lugina e Preshevës një trajtim më të dinjitetshëm dhe të barabartë në subvencionim dhe jo vetëm…Në ekstremin tjetër ajo që na është dëshmuar janë aplikime nga banorët jo rezidentë të Kosovës, por që janë me nënshtetësi të Kosovës, platforma ia mundëson atë dhe ky fleksibilitet dhe kjo hapje e platformës karshi kujtdo që është prind dhe që ka nënshtetësi të Kosovës pa dyshim mund të keqpërdoret”, shton Qehaja.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbes pa tekste mësimore.

“Tekstet janë për fëmijët të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, por marrë parasysh se kemi numër të konsiderueshëm të fëmijëve sidomos këtu në shkollat në Prishtinë dhe Fushë Kosovës, të cilët janë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, edhe vitin e kaluar kemi gjetur një zgjidhje. Besoj që edhe këtë vit do të furnizohen edhe ata dhe për këtë kemi qenë në bashkëpunim me AShI-në në mënyrë që të adresohet aplikimi i këtyre kujdestarëve ligjor. Por, e rëndësishme është që asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste mësimore”, u shpreh ministrja Nagavci.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës për lehtësirat që po aplikohen për pajisje me dokumente të Kosovës nga banorët e Luginës së Preshevës, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajmet

Gjermani:Më shumë të rinj pa punë dhe pa arsimim profesional

Published

on

By

Në Gjermani po rritet përqindja e të rinjve që nuk arrijnë më të kalojnë me sukses nga shkolla në tregun e punës. Sipas një eksperteje, në këtë mënyrë Gjermania po humbet edhe fuqi punëtore të rëndësishme të kualifikuar.

Dhjetë për qind e të rinjve të moshës 20 deri në 24 vjeç në Gjermani nuk ishin as të punësuar dhe as në ndonjë program arsimi apo trajnimi gjatë vitit 2025. Këtë e bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden. Kjo përqindje është rritur vazhdimisht vitet e fundit. Në vitin 2022 ajo ishte ende 8,8 për qind.

Arsyet janë të ndryshme. Statisticienët iu referuan Raportit Kombëtar për Arsimin për vitin 2024, sipas të cilit 25 për qind e personave të prekur në Gjermani konsideroheshin si në kërkim pune. Megjithatë, dy të tretat e tyre nuk ishin fare të disponueshëm për tregun e punës. Arsyet më të shpeshta të përmendura ishin detyrimet për kujdes familjar dhe kufizimet shëndetësore.

“Perspektivë e pasigurt për të ardhmen”

Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Sociale (WSI), pjesë e Fondacionit Hans Böckler të afërt me sindikatat, e vlerësoi këtë zhvillim në Gjermani si “shqetësues”.

Për të rinjtë e prekur kjo nënkupton “një perspektivë të pasigurt për të ardhmen dhe me shumë gjasa një karrierë profesionale të vështirë dhe me pengesa”, tha drejtoresha shkencore e WSI-së, Bettina Kohlrausch.

“Për tregun gjerman të punës kjo do të thotë se humbasin specialistë të rëndësishëm dhe fuqi punëtore e kualifikuar.”

Kohlrausch theksoi se nevojiten urgjentisht më shumë oferta cilësore të formimit profesional dhe më shumë mbështetje për të rinjtë, në mënyrë që ata të mund të përfundojnë me sukses rrugën drejt një profesioni dhe më pas drejttregut të punës.

Sipas saj, një garanci e vërtetë për formimin profesional do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. “Megjithatë, për këtë qëllim rregulloret ekzistuese duhet të zgjerohen dhe të zhvillohen më tej.”

 

Përqindje relativisht e ulët e grupit “NEET”

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, përqindja e Gjermanisë mbetet ende e ulët. Mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian ishte 12,9 për qind për grupmoshën 20 deri në 24 vjeç.

Ky grup njihet ndërkombëtarisht si NEET (“Not in Employment, Education or Training”), që do të thotë persona që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin arsimim dhe as trajnime profesionale.

Përqindja më e ulët u regjistrua në Holandë me 5,6 për qind, pasuar nga Suedia me 7,3 për qind dhe Çekia me 7,6 për qind.

Përqindja më e lartë u shënua në Rumani me 22,8 për qind, Bullgari me 17,3 për qind dhe Francë me 16,2 për qind. Për Luksemburgun nuk kishte të dhëna aktuale.

Situatë e ndryshme mes qytetit dhe zonave rurale

Në Gjermani, gratë e reja preken pak më shpesh nga kjo dukuri sesa burrat e rinj. Ky dallim vihet re edhe në mesataren e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, një pamje jo e njëtrajtshme shfaqet kur krahasohen qytetet me zonat rurale. Në Gjermani, të rinjtë që jetojnë në qytete të mëdha janë më shpesh pa punë ose pa formim profesional sesa ata që jetojnë në zonat rurale. Në nivel të përgjithshëm të Bashkimit Evropian, situata është e kundërt: të rinjtë në zonat rurale preken më shumë nga ky fenomen sesa ata në qytete. /DW/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Insektet mund të fluturojnë deri në 3.25 km mbi nivelin e detit, të paktën. Bletët alpine janë gjetur duke jetuar deri në 3.25 km mbi nivelin e detit dhe madje mund të fluturojnë në kushte laboratorike që përsërisin dendësinë e ajrit dhe nivelet e oksigjenit në 9 km – kjo është pak më lart se Mali Everest.

 

  1. Ekziston një planet i bërë kryesisht nga diamanti. I quajtur 55 Cancri e, është rreth dyfishi i madhësisë së Tokës dhe rreth 40 vite dritë larg nesh brenda konstelacionit të Gaforres.

 

  1. Në det të thellë, meshkujt e peshkut angler nuk çiftëzohen thjesht – ata bashkohen. Meshkujt e vegjël kafshojnë një femër shumë më të madhe dhe gradualisht treten në trupin e saj, duke lënë pas pak më shumë se një qese të gjallë sperme që ajo mund ta përdorë sa herë që dëshiron të lëshojë vezë.

 

  1. Ekziston një gjendje në të cilën trupi juaj mund të prodhojë alkool. Sindroma e auto-birrës është një gjendje shumë e rrallë që ndodh kur disa baktere dhe maja në zorrë i zbërthejnë karbohidratet në etanol.

 

  1. Është e mundur që dy ëndërrimtarë të kthjellët të komunikojnë në mes të ëndrrës. Sinkronizimi nervor ndër-trunor është vërejtur midis njerëzve që të dy janë në gjumë.

Continue Reading

Lajmet

Sindikata e Re e KEK-ut paralajmëron protestë në tri divizione pas vdekjes së katër punëtorëve

Published

on

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka paralajmëruar protestë të punëtorëve në tri divizionet e KEK-ut, pas shqetësimeve për kushtet e punës, sigurinë dhe mungesën e pajisjeve mbrojtëse.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka bërë të ditur se protesta do të mbahet të mërkurën, më 26 gusht, nga ora 08:00, në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, Termocentralin “Kosova A” dhe Termocentralin “Kosova B”.

Sipas Jasharit, protesta synon të shprehë pakënaqësinë e punëtorëve lidhur me kushtet e vështira të punës dhe mungesën e pajisjeve mbrojtëse, si dhe të shprehë solidaritet me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.

Ai ka kërkuar më shumë kujdes për sigurinë e punëtorëve, duke thënë se ata duhet të përfundojnë orarin e punës dhe të kthehen shëndoshë e mirë te familjet e tyre.

Jashari ka ngritur shqetësime edhe për menaxhimin e mjeteve dhe automjeteve në dispozicion të KEK-ut. Sipas tij, ndërsa drejtues të caktuar kanë disa automjete në dispozicion, punëtorët përballen me mungesë të tyre për daljet në terren dhe në zona të prodhimit.

Sindikata ka paralajmëruar edhe një protestë simbolike para Drejtorisë së KEK-ut në Prishtinë, përpara protestës së madhe të 26 gushtit.

Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës, Nexhat Llumnica, ka ngritur shqetësime për presionin e stafit menaxhues ndaj punëtorëve. Sipas tij, në disa raste punëtorët nuk kanë guxim të refuzojnë detyrat në vende që i konsiderojnë të pasigurta, nga frika e procedurave disiplinore.

Protesta vjen pas vdekjes së katër punëtorëve gjatë kryerjes së detyrave të punës në KEK, nga shkurti deri në gusht të vitit 2026./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në Malishevë, dyshohet se burri vrau gruan

Published

on

By

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku mbeti e vdekur një grua shtatzënë. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se i dyshuari për aktin është vetë bashkëshorti i viktimës, i cili po ashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për autopsi.

Rasti nga organet e drejtësisë po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në koordinim me Policinë e Kosovës, bëri të ditur se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe grumbullimin e provave relevante. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara