Lajmet

​Qeveria lë anash nxënësit nga Lugina që jetojnë në Kosovë, nuk subvencionohen për tekstet

Published

on

Nxënësit shqiptarë nga Lugina e Preshevës që jetojnë në vendin tonë nuk po subvencionohen për tekste shkollore. Edhe pas fillimit të vitit të ri shkollor, ata nuk janë pajisur me libra e materiale të tjera. Në mungesë të dokumenteve të Kosovës, prindërit e tyre nuk mund të aplikojnë në platformën eKosova për subvencionim. E derisa kjo po konsiderohet padrejtësi nga njohës të sistemit të arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbes pa tekste mësimore.

Një prind nga Medvegja ka thënë se nuk ka mundësi që vet të blejë librat për dy fëmijët e tij Agimi, i cili flet në kushte anonimiteti tregon se dy fëmijët të cilët vijojnë mësimin në Prishtinë, ende nuk janë pajisur me libra. Ai tregon se ata kanë lindur në Kosovë, por ai vet është pajisur së fundmi me leje qëndrim.

“Ndihmë prej shtetit nuk kemi asgjë. As vjet, as sivjet nuk kanë investuar asgjë. Unë i kam dokumentet e Medvegjës, fëmijët janë të lindur këtu në Kosovë, edhe nuk ka asnjë gjasë se do t’i japin librat për fëmijë…Që dy vjet unë jam duke i paguar për fëmijët me parat e mia…Për këtë vit ende nuk kam arritur t’i sigurojë, ende nuk kam arritur të investojë (t’i blejë) librat….Shqetësuese është shumë, por nuk po ke ku qetësohesh”, deklaron ai.

Që nga fillimi kur është hapur mundësia për aplikim të subvencionimit të teksteve shkollore, ai tregon se kanë njoftuar ministrinë e drejtorinë e shkollës por nuk kanë marrë përgjigje.

“Shkojmë në ministri, ata na thonë shko diku tjetër, drejtoria e shkollës ka thënë që duhet me iu dhënë, ministria po thotë që nuk iu takojnë se nuk i kanë dokumentet e Kosovës. Mirëpo, fëmijët janë të lindur e të rritur në Kosovë”, shton ai.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë se praktika e subvencionimit të teksteve shkollore ka disa të meta.

“Praktika e subvencionimit pa dyshim që përkundër që qëllim mirë na ka dëshmuar edhe këtë vit që ka disa të meta brenda sistemit që shumë lehtë kthehen në padrejtësi për prindër dhe nxënës të cilët kanë qasje të kufizuar në platformë. E cila është kjo qasje e kufizuar, pa dyshim janë ata prindër që nuk janë shtetas të Kosovës dhe të cilët e-Kosova nuk i njeh dhe për rrjedhojë aplikimi i tyre bëhet i pamundur, sikurse që është edhe e kundërta kur plot prindër dhe nxënës që nuk janë rezidentë dhe jo anëtar të shkollave në Kosovë, mirëpo të njëjtit përfitojnë nga kjo skemë. Ajo çka është e domosdoshme është që platforma të filtrojë nxënësit në bazë të listave të shkollave të pranuara nga ana e institucioneve arsimore”, deklaron ai.

Ai thekson se ka raste të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, kur diaspora aplikon ani pse fëmijët nuk vijojnë mësimin në Kosovë.

“Për ata prindër dhe nxënës që janë pjesë të shkollës, apo që për arsye të rezidencës nuk janë të përfshirë në platformë pa dyshim që është padrejtësi, për të cilën kërkohet llogaridhënie pasi që nuk është ndonjë risi. Rikujtoj që aplikimi për subvencionim tash është në vitin e dytë dhe ka plot mësime të mira dhe probleme që janë ballafaquar nga viti paraprak që do të duhej të kishin zgjidhje, sikurse edhe kjo e fundit që padyshim ai komunitet i prindërve në këtë rast të banorëve me prejardhje nga Lugina e Preshevës një trajtim më të dinjitetshëm dhe të barabartë në subvencionim dhe jo vetëm…Në ekstremin tjetër ajo që na është dëshmuar janë aplikime nga banorët jo rezidentë të Kosovës, por që janë me nënshtetësi të Kosovës, platforma ia mundëson atë dhe ky fleksibilitet dhe kjo hapje e platformës karshi kujtdo që është prind dhe që ka nënshtetësi të Kosovës pa dyshim mund të keqpërdoret”, shton Qehaja.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zotohet se asnjë nxënës nuk do të mbes pa tekste mësimore.

“Tekstet janë për fëmijët të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, por marrë parasysh se kemi numër të konsiderueshëm të fëmijëve sidomos këtu në shkollat në Prishtinë dhe Fushë Kosovës, të cilët janë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, edhe vitin e kaluar kemi gjetur një zgjidhje. Besoj që edhe këtë vit do të furnizohen edhe ata dhe për këtë kemi qenë në bashkëpunim me AShI-në në mënyrë që të adresohet aplikimi i këtyre kujdestarëve ligjor. Por, e rëndësishme është që asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste mësimore”, u shpreh ministrja Nagavci.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës për lehtësirat që po aplikohen për pajisje me dokumente të Kosovës nga banorët e Luginës së Preshevës, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

lajme

FIFA flet pas triumfit të Kosovës: Një hap larg Kupës së Botës

Published

on

By

Fitorja spektakolare e Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3 nuk ka kaluar pa u vënë re as në skenën ndërkombëtare, teksa edhe vetë FIFA ka reaguar pas ndeshjes, duke e cilësuar Kombëtaren e Kosovës vetëm një hap larg kualifikimit për Kupën e Botës.
Në një postim zyrtar, FIFA theksoi se “është vetëm edhe një hap për Kosovën drejt Botërorit”, duke e shoqëruar mesazhin me imazhe nga festa e lojtarëve pas një ndeshjeje dramatike.

Kosova arriti këtë fitore pas një përballjeje të vështirë, ku Sllovakia e nisi më mirë dhe mori epërsinë, duke e vendosur në presion ekipin kosovar. Megjithatë, “Dardanët” reaguan me karakter, duke barazuar dhe më pas duke përmbysur rezultatin në pjesën e dytë me një lojë të organizuar dhe efikase në sulm. Edhe pse vendasit tentuan të rikthehen në fund dhe e bënë rezultatin të ngushtë, Kosova arriti ta menaxhojë avantazhin dhe të sigurojë një fitore shumë të rëndësishme.

Ky triumf jo vetëm që i mban gjallë shpresat për kualifikim, por e vendos Kosovën shumë pranë një arritjeje historike në arenën ndërkombëtare. Tashmë, gjithë vëmendja është te sfida e radhës ndaj Turqisë, një ndeshje që mund të vulosë fatin e Kosovës dhe ta dërgojë drejt Botërorit, aty ku do të ishte një moment historik për futbollin kosovar.

Continue Reading

Aktualitet

Kosova përmbys Sllovakinë në një dramë të çmendur, tani gjithçka vendoset ndaj Turqisë

Published

on

By

Kosova ka marrë një fitore të madhe dhe plot emocion ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3, në një ndeshje ku “Dardanët” treguan karakter dhe kthyen gjithçka në favorin e tyre pas një nisjeje të vështirë.

Vendasit e filluan më mirë takimin dhe kaluan të parët në epërsi, duke goditur herët dhe duke marrë kontrollin e lojës, ndërsa para pushimit arritën ta rikthejnë avantazhin edhe një herë pas barazimit të Kosovës.

Megjithatë, pjesa e dytë foli krejtësisht për Kosovën. Ekipi reagoi fuqishëm, barazoi shpejt rezultatin dhe më pas mori kontrollin e ndeshjes duke realizuar dy gola të tjerë që e çuan drejt një epërsie të rëndësishme. Kur u duk se gjithçka po mbyllej qetë, Sllovakia ngushtoi rezultatin në fund dhe rihapi dramën, por Kosova arriti ta ruajë avantazhin dhe të dalë me një fitore të madhe.

Ky triumf i jep një shtysë të fortë Kosovës në garën për kualifikim, ndërsa tani vëmendja kalon te sfida e radhës ndaj Turqisë, një përballje që pritet të jetë vendimtare për ëndrrën e “Dardanëve” drejt Botërorit.

Continue Reading

Vendi

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren

Published

on

By

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një burri rreth 70-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, saktësisht pranë banesave të ish-TMK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ndodhur rreth 2-3 orë para mbërritjes së ekipeve në vendngjarje.

“Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së. Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftimin policor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione mbi identitetin e viktimës të lajmërohen në stacionin më të afërt ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane

Published

on

By

Izraeli thotë se ka vrarë shefin e marinës së Iranit, i cili mbikëqyrte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.

Alireza Tangsiri u emërua komandant i Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 2018, ndërsa më parë kishte shërbyer si zëvendëskomandant i kësaj marine që nga viti 2010.

Një llogari në rrjetin social X, që i atribuohet atij, ka qenë aktive që nga 10 marsi i këtij viti, me mediat iraniane që citonin postimet e tij. Në këto postime, ai kishte shkruar disa herë për Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “asnjë anije e lidhur me agresorët kundër Iranit nuk ka të drejtë të kalojë”.

Tangsiri njihej si një komandant i ashpër, i cili në të kaluarën kishte bërë deklarata të shumta kundër SHBA-së dhe Izraelit. Në vitin 2019, ai kishte kërcënuar se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit nëse pengoheshin eksportet e naftës së Iranit. Tangsiri u sanksionua nga Thesari i SHBA-së bashkë me komandantë të tjerë të IRGC-së në vitin 2019, pasi Irani rrëzoi një dron vëzhgues amerikan pranë ngushticës./BBC/

Continue Reading

Të kërkuara