Botë

Qetësi në qytetet ukrainase në orët e para të armëpushimit të shpallur nga Kremlini

Published

on

Qytetet ukrainase duken të jenë të qeta mëngjesin e së enjtes, pasi ka hyrë në fuqi një armëpushim treditor i shpallur nga Rusia. Thuhet se nuk ka pasur asnjë sulm me dronë apo raketa mëngjesin e sotëm, pas disa netësh bombardimesh të pareshtura.

Megjithatë, Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se avionët rusë hodhën dy herë bomba të telekomanduara mbi rajonin Sumi në verilindje të vendit, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Sulmi i parë ndodhi pothuajse tri orë pasi hyri në fuqi armëpushimi, ndërsa i dyti brenda dy orësh. Nuk ka të dhëna për dëmet e shkaktuara.

Kryeqyteti Kiev është i qetë në orët e para të ditës, por nuk është e qartë nëse luftimet janë ndalur edhe në vijën e frontit.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalli armëpushimin 72-orësh për të përkuar me aktivitetet përkujtimore të 80-vjetorit të fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Ai po i mirëpret në Moskë presidentin kinez, Xi Jinping, dhe liderë të tjerë për festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, që përfshijnë edhe një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq.

Mes të ftuarve janë edhe kryeministri sllovak, Robert Fico, që ka kritikuar hapur mbështetjen e BE-së për Ukrainën, si dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili vizitoi Moskën pavarësisht trysnisë nga BE-ja se kjo vizitë mund të dëmtojë ambiciet e Serbisë për anëtarësim në bllok.

Kremlini njoftoi se Putin do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët më 9 maj.

Ukraina nuk e ka pranuar armëpushimin, duke theksuar se Putini e shpalli atë vetëm për ta krijuar një përshtypje se kërkon përfundimin e luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi në një fjalim më 7 maj se alarmet për sulme ajrore kishin rënë në të gjithë vendin pas një nate me sulme të rënda.

“Gjatë natës pati një tjetër sulm rus me raketa dhe dronë – sulme balistike dhe mbi 140 dronë kamikazë vetëm në një natë“, tha Zelensky. “Ishte zhurmë në Kiev dhe në qytete të tjera. Fatkeqësisht ka të plagosur dhe të vrarë.”

Ai theksoi se Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj propozimit për një armëpushim 30-ditor në këtë luftë, e cila nisi pasi Rusia e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Propozimi për armëpushim 30-ditor u bë nga Shtetet e Bashkuara në mars dhe u pranua nga Ukraina.

Rusia ka thënë se një marrëveshje e tillë mund të hyjë në fuqi vetëm nëse vendosen mekanizma për zbatimin e saj.

Të dyja vendet përballen me trysni nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund shpejt konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Putin ka shprehur gatishmërinë për paqe, por zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se “rusët po kërkojnë shumë”, ndërsa SHBA-ja po përpiqet të sjellë palët në tryezën e bisedimeve.

Vance shtoi se Ukraina nuk duhet të mbetet e fiksuar pas idesë së një armëpushimi 30-ditor, duke thënë se “dallimet janë të thella”, por ai është “mjaft optimist” për mundësinë e përfundimit të luftës./REL/

Lajmet

Rritet në pesë numri i viktimave nga shembja e ndërtesës në Stamboll, përfundojnë kërkim-shpëtimet

Published

on

By

Ka arritur në pesë numri i personave të vdekur nga shembja e tre kateve të një pallati shtatëkatësh në lagjen “Cevizli” të zonës Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, pasi nga rrënojat u nxorën edhe tre trupa të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prefekturës së Stambollit, katër persona ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa një i pestë vdiq në spital nga plagët e marra. Operacionet e kërkim-shpëtimit u përmbyllën zyrtarisht sot në orën 06:15 pas gjetjes së trupit të fundit, ndërsa në vendngjarje po vazhdon pastrimi i rrënojave.

Si masë paraprake sigurie, autoritetet kanë evakuuar 55 banorë nga tre ndërtesa fqinje, prej të cilëve 44 persona janë strehuar përkohësisht në hotele.

Ndërkohë, shkaqet e shembjes mbeten nën hetim të rreptë. Ekspertët kanë marrë mostra të betonishtes dhe armaturës metalike për analiza, ndërsa policia ka arrestuar arkitektin e ndërtesës dhe përgjegjësin e kantierit të ndërtimit. Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, konfirmoi përmbylljen e fazës së kërkimeve dhe u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave. /TRT/

Continue Reading

Aktualitet

Sulme me raketa në aeroportin e Riadit: Tre të vrarë, pezullohen fluturimet

Published

on

By

Të paktën tre qytetarë sauditë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e dy sulmeve në aeroportin ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në kryeqytetin saudit, Riad, ka njoftuar autoriteti i aviacionit civil të mbretërisë.

Sipas raportimeve, sulmi i parë kishte në shënjestër objektet e aeroportit, ndërsa i dyti goditi një aeroplan të linjës ajrore “Saudia”. Burime nga aeroporti bëjnë të ditur se mbetjet e raketave të kapura nga sistemi mbrojtës kanë rënë mbi njërin nga terminalet. Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të një avioni Airbus A320 duke u djegur në pistë, i cili sipas raportimeve të medieve ishte i parkuar dhe pa pasagjerë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve dhe situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, kompania ajrore “Lufthansa” ka njoftuar pezullimin e të gjitha fluturimeve drejt Riadit deri më 16 tetor.

Përgjegjësinë për sulmet dyshohet se e mbajnë kryengritësit Huthi të mbështetur nga Irani, të cilët së fundmi kanë paralajmëruar se objektet e naftës dhe infrastruktura strategjike në Arabinë Saudite mund të jenë shënjestra të ardhshme të goditjeve të tyre. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Në Gjermani vriten dy zyrtarë gjatë një kontrolli rutinë të armëve, arrestohet i dyshuari

Published

on

By

Policia gjermane ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes një burrë rreth të 60-ave, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje dy zyrtarë të qarkut gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit në Berngau të Bavarisë.

Sipas autoriteteve, viktimat janë dy nëpunës civilë të distriktit Neumarkt — një burrë 54-vjeçar dhe një grua 45-vjeçare. Megjithëse fillimisht u raportua se zyrtarja kishte mbetur e plagosur rëndë, policia më vonë konfirmoi se ajo ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.

Pas sulmit pasditen e së enjtes, i dyshuari u ngujua për orë të tëra brenda një ndërtese. Policia rrethoi zonën, udhëzoi banorët të qëndrojnin brenda shtëpive dhe angazhoi njësitë e forcave speciale. Pavarësisht thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, i dyshuari refuzoi dhe paralajmëroi rezistencë.

Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale ku u përdorën edhe eksplozivë, 60-vjeçari mbeti i plagosur lehtë në këmbë nga një plumb i policisë dhe më pas u vu në pranga. Ai ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa motivet e këtij krimi mbeten ende të panjohura. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

SHBA planifikon ekzekutimin publik me pushkatim të ish-ushtarakut Nidal Hasan: Vendimi nxit reagime të ashpra

Published

on

By

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka njoftuar se ekzekutimi i ish-majori të Ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve të paarmatosur në bazën Fort Hood në vitin 2009, është caktuar të kryhet më 3 dhjetor përmes skuadrës së pushkatimit.

Sipas zyrtarëve nga Departamenti i Mbrojtjes, ekzekutimi pritet të transmetohet drejtpërdrejt (livestream) për publikun, vendim ky që ka nxitur reagime të shumta juridike dhe etike. Nëse kjo realizohet, ky do të përbënte ekzekutimin e parë ushtarak me pushkatim në SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe transmetimin e parë të këtij lloji në historinë moderne të vendit.

Sekretari Hegseth mbrojti vendimin gjatë një interviste për mediat vieneze, duke deklaruar se Hasan “do të përballet me skuadrën e pushkatimit të përbërë nga ushtarët, ashtu siç i ka hije” dhe se publiku duhet të shohë pasojat e veprimeve të tilla të rënda. Vendimi për ekzekutim ka marrë edhe miratimin e Presidentit Donald Trump, i cili pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë ka shfuqizuar pezullimin e dënimeve me vdekje në nivel federal.

Vendimi ka nxitur reagime negative nga njohësit e së drejtës në SHBA. Ekspertët juridikë shprehen se transmetimi i drejtpërdrejtë është një hap i paqartë ligjërisht dhe më tepër një lëvizje për vëmendje mediatike se sa zbatim i drejtësisë.

Eugene R. Fidell, ligjërues në Shkollën Ligjore të Yale, e ka cilësuar idenë e transmetimit live si “diçka plotësisht nga Epoka e Mesme,” ndërsa avokati John Mills vuri në dukje se procesi i apelimit të Hasanit në gjykatat federale nuk ka përfunduar ende, gjë që mund ta pezullojë ekzekutimin.

Përveç pengesave ligjore, mbetet e paqartë se në cilën platformë do të mund të transmetohet ekzekutimi. Shumica e rrjeteve kryesore sociale si Meta (Facebook, Instagram) dhe TikTok e ndalojnë rreptësisht transmetimin e përmbajtjeve të tilla eksplicite, ndërsa platforma X aplikon kufizime të rrepta ndaj pamjeve të vdekjes.

Sipas të dhënave të Amnesty International, SHBA renditet ndër shtetet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë, krah Kinës, Iranit, Arabisë Saudite dhe Jemenit. Ekzekutimi i fundit ushtarak në SHBA ka ndodhur në vitin 1961 përmes varjes, ndërsa i fundit me skuadër pushkatimi daton në janar të vitit 1945.

/BBC/

Continue Reading

Të kërkuara