Lajmet

Qerkini: Serbia po luan me fatin e të pagjeturve, partitë s’po bëjnë asgjë

Published

on

Përfaqësuesi i shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, u shpreh pesimist rreth zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi sipas tij Serbia po bën lojë me këtë çështje.

“Unë para thashë dhe prapë po them, është një lloj loje të cilën është zor të ia lexosh Serbisë. Ata ose grupi punues i përbashkët me tonët, u gjinden pas pesë vitesh me imazhe satelitore në Kizhivak, dhe çka ka ndodh, është mbulua me disa najlon edhe po i ruan Serbia, kjo është jashtë gjitha normave për familjarët, i ka çua i ka shti 4m në dhe, kanë hasur në pesë apo gjashtë dhe e kanë lanë për shkak kohës, në rregull, por kush po i ruan Daçiqi edhe Vuçiqi, a janë këta normal që nuk kanë kërkuar me qenë prezentë një përfaqësues ndërkombëtar apo përfaqësues dhe i Kosovës. Unë besoj që nëse kanë qenë dhe kanë premtuar 20 tash nuk kanë me i gjet as gjashtë, edhe gjashtë pos këtyre pesëve ma shumë nuk gjejnë sepse i kanë fshehur, do të thotë gërmimet e tashme janë lojë ku tash përmendet edhe në vendet e tjera”, tha Qerkini në një intervistë për Ekonomia Online.

Ai tutje u shpreh i pakënaqur me punën që është bërë nga partitë politike për personat e pagjetur.

“Si është fati i të pagjeturve, është i mjerueshëm, dhe e the një fjalë që është e ndjeshme për krejt njerëzimin e Kosovës, unë po them edhe më larg mirëpo me fol është lehtë por me punua për ta pak po punohet. Nuk jemi të kënaqur as nuk mundemi me qenë të kënaqur kur janë edhe 1634 persona ende të pagjetur dhe në një mënyrë vetëm tash që kanë nevojë për vota i thonë janë rregullua gjërat e kemi me i rregullua gjërat, është një marrëveshje në Bruksel, është një marrëveshje në Washington, bëhet kjo e ajo premtime që ta merr mendja që me të vërtetë do të punojnë, mirëpo të gjitha kur t’i përmbledhim tash sot qysh është gjendja është e mjerueshme”, tha ai.

“Nuk them që nuk kanë punuar, por kanë punuar pa një agjendë të rregullt e cila është dashur të bëhet. 21 vite kaluan, nuk e kanë vendos një agjendë të rregullt, ajo agjendë po na kushton neve. Neve familjarëve po na duket se janë ka na bëjnë një lojë bash qysh po e donë edhe Serbia”, shprehet tutje Qerkini.

Lidhur me pritshmërinë e tyre në të ardhmen, ai tha që shumë pak presin për zbardhjen e fatit të personave të pagjeturve.

“Dorën në zemër me thanë çka na presim e tregova edhe njëherë që shumë pak presim, çka duhet me bë ose si duhet të bëhet, ose si duhet të kenë një kusht. Na kemi propozuar shumë herë bile disa konkluzione, gjatë takimit me familjarë, ku ata kërkojnë që më mos të ulen me bisedua pa i pasë imazhet satelitore, mos të luajnë si po luan Serbia, Kizhevak punohet pesë vjet e në fund me thanë na sjellën një fotografi Ambasada Amerikane dhe i gjetëm, është lojë ajo me mijëra tona me gërmua edhe njerëzit e gjallë janë, nuk i tregojnë serbët, ka thënë Daçiqi nuk guxoni me tregu, athu çka? çka presim na, na presim që vizioni qeveritar ose grupi dialogues ose pa marrë parasysh çfarë politike të caktohet, çfarë ekspertë të caktohen të ulen të bisedojnë për të pagjeturit, dhe të kenë të qartë se kriminelët nuk tregojnë vendin e ngjarjes ose ku i kanë lënë, por i tregojnë imazhet satelitore apo fotografitë të cilat i kanë bërë. Se na jem shtet i vogël, është përcjellë masakra prej qiellit dhe neve duhet të i kemi njerëz të cilët thonë që ne me u ulë për të pagjeturit, por nuk ulemi pa na tregu fotografitë se ku ndodhen. Nëse kërkojnë deri sot vetëm Serbia me tregu ku i kanë fshehur, këtë lë ti gjuajë në bërllok se nuk ka fjalë qysh të them më të keqe se me i besua atij personi që e ka marrë e ka dërguar 500 km larg, e me ardhë që ku  e kam fshehur, kjo është përrallë. Për mua duhet të jenë këmbëngulës para krejt botës tu thuhet ndërkombëtarëve ju mundeni me na dhanë imazhet satelitore aty ku janë, tash a i ka NATO,a i kanë shtetet e QUINTI-it, unë nuk e di mirëpo me pasë i kanë”, u shpreh tutje ai.

Sa i përket çështjes së dialogut, Qerkini tha që nuk ka ndodhur kurrë të ketë diçka konkrete, dhe propozon që të mos bisedohet për gjëra të kota, por pa pasur imazhet satelitore dhe e vërteta të del mos të bisedohet.

“Neve na u ka thënë që është një marrëveshje që do bëhet bisedë me ekspertë të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, do të jetë në rend të parë çështja e të pagjeturve. Nuk ka thanë që tash por kanë thënë gjithmonë sa herë që janë taku, nuk ka ndodh kurrë të jetë pika e parë, nuk ka ndodhur kurrë të ketë diçka konkrete. Na propozojmë dhe themi, ju lutemi mos folni gjëra të kota por tregoni të vërtetën dhe thoni se ndërkombëtarët pa ndërmjetësues të ndërkombëtarëve as në Bruksel e as në Beograd nuk po munden me shku, dhe atyre ndërmjetësuesve duhet me ju thanë që duhet me i thanë që ne nuk ulemi pa i pasur ato imazhe, pa pasur argumentet të cilat pranohen se janë shku me mijëra njerëz jashtë Kosovës në Serbi e me i pasë fotografitë. Nuk e di pse ata ulen edhe bisedojnë gjëra të kota, unë  e di kam marrë pjesë në grupe punuese dritë i pastë shpirti Pajazit Nushi, i thosha deri kur, deri sa të jesh gjallë me këta njerëz kështu ke me i pasë po nëse nuk donë bashkësia ndërkombëtare me i thanë Serbisë, këqyre ku e ke lanë, qysh i tha në Kizhevak, kjo ka me zgjat edhe 200 vjet, nuk kanë me i zbulua”, deklaroi ai.

Ndërsa, Qerkini u tregua mosbesues ndaj premtimeve të partive politike. Siç thotë ai, premtimet e subjekteve politike janë vetëm për fushatë.

“Unë besoj se këtë fushatë, deri sa kryhet fushata dhe të ulen në karrige i kemi tana të mirat, i kemi premtimet e mira dhe jo vetëm kjo fushatë por të gjitha fushatat kanë qenë kësisoj e tash shumë më shumë se po mendojnë me ardh partitë e reja në funksion edhe shumë na premtojnë por si neve na duket, ne nuk përzihemi në politikë, po e kanë punën politike që nuk kanë me realizua kurrë ashtu siç e flasin, por vetëm me ardh tek vendi dhe tek një post në Republikën e Kosovës”, përfundoi ai.

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.

Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.

Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Published

on

By

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze

Published

on

By

Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe bashkëpunimit në rajon, pasi Serbia konfirmoi blerjen e raketave kineze CM‑400AKG me aftësi sulmuese.

Në një përgjigje për portalin malazez, Vijesti, zyra e Millatoviqit deklaroi se Mali i Zi ka besim dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në rajon, duke theksuar se këto janë parakushte të rëndësishme për “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Sipas deklaratës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 “e ka forcuar sigurinë” e këtij vendi dhe një gjë e tillë mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina, CM‑400AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që i posedon ato.

Ky veprim ndezi alarmin në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se me këtë blerje, Serbia shpërfaqi tendencat hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se nuk e kupton “përse Serbia furnizohet me armë sulmuese”, duke përmendur edhe shqetësimet për prishjen e mundshme të sigurisë rajonale.

Vuçiq tha se Serbia “nuk po përgatitej për sulm”, por pretendoi se vendet fqinje, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë duke krijuar një aleancë ushtarake, të cilën Beogradi e sheh si kërcënim.

Tri vendet i hodhën poshtë këto pretendime.

Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet, tha se rruga e saj evropiane kërkon “zgjedhje të qarta strategjike”, përfshirë shmangien e varësive që nuk janë në përputhje me integrimin evropian.

NATO-ja, partnere e së cilës është Serbia, nuk reagoi ende. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

5-vjeçari në trajtim intensiv për plagë të rënda nga keqtrajtimi i prindërve

Published

on

By

Dy prindër nga Komuna e Lipjanit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nën dyshimin se keqtrajtuan fëmijën e tyre  5-vjeçar, i cili është në gjendje trëndë shëndetësore dhe ka plagë të rënda në dy shputat e këmbëve dhe ndryshime të theksuara gangrenoze.

5-vjeçari aktualisht është duke marr trajtim mjekësor në repartin e Kujdesit Intenziv Pediatrik në Klinikën e Pediatrisë pasi gjendja e tij shëndetësore është e  rëndë dhe dyshohet për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet në përgjigjen e QKUK raporton KosovaPress.

Tutje nga QKUK bëjnë të ditur se pas konsultave mjekësore me pediatrinë dhe kirurgun plastik është rekomanduar që 5-vjeçari të hospitalizohet urgjentë në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.

Për shkak të dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, QKUK ka njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndërsa, tashmë 5-vjeçari i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratike, dhe ka marrë edhe trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

Sipas QKUK-së fëmija ndodhet në Kujdesin Intenziv Pediatrik pa përkujdesje prindërore apo kujdestar ligjor.

Siç thonë nga Qendra Klinike Universitare për të miturin po kujdesin stafi shëndetësor dhe punonjësi social.

“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin.Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale. Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, thuhet në përgjigjen e QKUK për KosovaPress.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për KosovaPress kanë bërë të ditur se tashmë me vendim të prokuroritdy prindërit e të miturit janë ndaluar për 48 orë ndërsa, brenda afatit ligjor do të bëhet edhe kërkesa për caktim të masës së paraburgimit.

Prindërit e 5-vjeçarit dyshohen për veprën penale veprën penale “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona në kohë zgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale ‘Shkelja e detyrimeve familjare’ sipas nenit 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ sipas nenit 186 të KPRK-së. Në këtë drejtim, Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të ofrojmë detaje lidhur me këtë sepse mund të dëmtohet integritetit dhe mbarëvajtja e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës ky rast është cilësuar si “shkelje e detyrimit familjar”. “Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

 

Continue Reading

Të kërkuara