Lajmet

Qendra Rinore në Shtime po rinovohet

Published

on

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka njoftuar fillimin e projektit të rikonstruksionit të Qendrës Rinore, një prej objekteve monumentale të komunës, e njohur si “Shtëpia e Përshpirtshme”. Ky projekt ambicioz po realizohet me një investim prej mbi 600 mijë euro nga Ministria e Kulturës, dhe synon të kthejë këtë qendër në një hapësirë moderne dhe funksionale për rininë dhe kulturën lokale.

Punimet e rikonstruksionit tashmë janë në fazën fillestare, dhe sipas kryetarit Aliu, do të përfshijnë një rikonstruksion rrënjësor që do të krijojë ambiente të reja bashkëkohore për rininë. Qendra Rinore do të ofrojë hapësira të përshtatshme dhe të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve edukative, kulturore dhe sociale për të rinjtë, organizatat joqeveritare dhe klubet sportive në komunë.

“Gëzohem që sot, së bashku me bashkëpunëtorë dhe të rinj të talentuar, mund të vizitoj punimet në fazën fillestare të Qendrës Rinore. Ky projekt do të sigurojë zyra moderne për OJQ-të dhe klubet sportive, duke nxitur përfshirjen e qytetarëve në aktivitete sociale dhe sportive,” u shpreh kryetari Aliu.

Projekti është shfaqur si një shenjë e përkushtimit të qeverisë lokale për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për të siguruar ambiente të reja që nxisin ndjenjën e bashkësisë dhe solidaritetit në Shtime. Aliu përfundoi duke theksuar vazhdimin e investimeve për të rinjtë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e komunitetit të tyre./UBTNews/

Aktualitet

Ali Ahmeti nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës

Published

on

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pranuar titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.

Përmes rrjeteve sociale, Ahmeti tha se ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin e përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.

“Sot pata nderin e veçantë të pranoj titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin tonë të përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti u shpreh mirënjohës për këtë nderim duke thënë se ky çmim nuk i përket vetëm atij por të gjithë atyre që kanë ndarë të njëjtën rrugë, sakrificë dhe përpjekje.

“Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ju, për çdo sakrificë, çdo përpjekje dhe çdo hap që kemi bërë së bashku në këtë rrugë të gjatë.Jam mirënjohës për këtë nderim dhe i vendosur që të vazhdojmë punën për çështjen kombëtare dhe për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, shkruan ai.

“Doctor Honoris Causa” është një titull nderi i lartë akademik që një universitet i jep një individi për arritje të jashtëzakonshme në një fushë të caktuar, për të nderuar kontributin ose ndikimin e madh të një personi./S.K/KP/

 

Continue Reading

Aktualitet

​Komercialja dënon me rreth 550 mijë euro kompaninë “Sigal” për dëmin e pa siguruar

Published

on

Gjykata Komerciale e Kosovës ka obliguar kompaninë e sigurimeve “Sigal” që të paguajë 548 mijë euro, pavarësisht se kjo kompani kishte ofruar zero euro për disa dëme materiale që mund të vinin nga procese natyrore sikurse rrëshqitja e dheut.

Gjykata Komerciale ka urdhëruar “Sigal Uniqa Group Austria” të paguajë dëmshpërblim ndaj “Eurokos Holding”, edhe pse në policën e sigurimit ishte shënuar qartë se rrëshqitja e dheut dhe fatkeqësi të ngjashme nuk mbuloheshin financiarisht.

“Pranohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit Eurokos Holding, e datës 20 janar 2022, ndaj të paditurës Shoqëria e Sigurimit SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, me seli në Prishtinë. Obligohet e paditura që paditësit t’i paguajë shumën prej 548 mijë e 168 euro me kamatë ligjore, prej ditës së padisë, deri në pagesën përfundimtare, si dhe shpenzimet procedurale në shumën prej 3 mijë e 500 euro”, thuhet në vendim.

Rasti lidhet me dëmet e shkaktuara gjatë ndërtimit të hidrocentralit “Lepenc 3”, ku ndodhi rrëshqitje dheu që solli dëme të konsiderueshme materiale.

“Eurokos Holding” dhe “Hidroenergji” kërkuan kompensim nga kompania e sigurimeve, duke pretenduar se policat e lidhura garantonin mbulim për këto rreziqe.

Dokumenti i policës së sigurimit përfshinte një listë të gjerë rreziqesh si zjarri, përmbytjet, tërmetet, madje edhe rrëshqitjet e dheut. Megjithatë, pranë këtij të fundit dhe disa rreziqeve të tjera ishte vendosur shuma zero euro mbulim, një formulim kontraktual që në praktikën e sigurimeve do të thotë se ato rreziqe nuk mbulohen.

Gjykata Komerciale vendosi të aprovojë pjesërisht kërkesën e “Eurokos Holding”, duke e detyruar siguruesin të paguajë mbi gjysmë milion euro për dëmet materiale të provuara./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

Rrënohen ndërtimet pa leje në Valbonë, Rama: Ndaleni këtë sport në hapësirat publike

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se operacioni kundër antiligjit në ndërtim shtrihet edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës, teksa edhe ndau pamje nga heqja e ndërtimeve pa leje në luginën e Alpeve.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtës së Territorit (IKMT) njoftoi se shembi objektin 3 katësh me nënçati, me konstruksion betonarme dhe muraturë tulle, i ndërtuar në kundërshtim me ligjin.

Rama shtoi se duhet të ndalen të gjithë ata që e vazhdojnë këtë sport të ulët, në hapësirat publike të qytetit, në bregdet a në male.

“Është e kotë, vetëm do të humbni lekë e kohë dhe pas vendimeve më të fundit të qeverisë, do të përballeni me pasoja të rënda”, theksoi më tej kreu i qeverisë.

Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.

Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra./S.K/KP/

 

Continue Reading

Botë

​Oktoberfest në Gjermani mbyllet përkohësisht për shkak të kërcënimit me bombë

Published

on

Autoritetet gjermane kanë mbyllur përkohësisht Oktoberfest në Munih për shkak të kërcënimit me bombë në një letër të shkruar nga një i dyshuar i akuzuar për vënien e zjarrit në një shtëpi, njoftoi policia lokale.

I dyshuari akuzohet për vënien e zjarrit në një ndërtesë në një mosmarrëveshje familjare ku mbeti i vdekur njëperson vdiq në atë incident.

Policia e Munihut tha në X se terreni i Oktoberfest, Theresienwiese, është kontrolluar plotësisht dhe nuk është gjetur asnjë rrezik, prandaj edhe Oktoberfest rifilloi pas orës 17:30.

Kryebashkiaku i Munihut, Dieter Reiter, tha se mbyllja e festivalit pasoi një autor që kërcënonte Oktoberfestin.

Oktoberfest, i njohur si “Wiesn”, mbahet nga 20 shtatori deri më 5 tetor dhe është festivali më i madh i birrës dhe muzikës folklorike në botë./S.K/KP/DW/

Continue Reading

Të kërkuara