Alketa Zejnullahu, studente në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT
Ngjarja më e madhe e futbollit në botë konsiderohet Kupa e Botës, e cila zhvillohet çdo katër vjet, e këtë vit aktualisht është duke u mbajtur në Katar. Kjo ngjarje sportive filloi në vitin 1930 dhe sivjet po zhvillohet edicioni i 22-të.
Brazili ka më së shumti tituj të Kupës së Botës – pesë (1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002), më pas vjen Gjermania – katër (1954, 1974, 1990 dhe 2014), vijon Italia me po aq tituj (1934, 1938, 1982 dhe 2006). Urugai ka dy të tillë (1930, 1950), bashkë me Francën (1998, 2018) dhe Argjentinën (1978, 1986), Anglia ka një (1966), njëjtë sikur Spanja (2010).
Teksa po i afrohemi finales së madhe të 18 dhjetorit në të cilën do të përballen Argjentina dhe Franca, më poshtë i kemi disa nga yjet e futbollit për të cilët potencialisht ky mund të jetë Botërori i fundit.
Lionel Messi, tanimë 35-vjeçar, debutoi me shtetin e Argjentinës në Kupën e Botës të vitit 2006. Pa llogaritur finalen e këtij viti, ai ka zhvilluar 25 ndeshje me fanellën argjentinase në këtë kompeticion dhe ka shënuar gjithsej 11 gola. Messi ka një karrierë shumë të pasur, pasi që ka fituar shtatë herë Topin e Artë (Ballon d’Or), më së shumti në histori të këtij çmimi. Aktualisht Messi është lojtar i Paris Saint-Germanit, ekip në të cilin u transferua në vitin 2021 nga ekipi i tij i parë, FC Barcelona, aty ku filloi karrierën si 17-vjeçar.
37-vjeçari Cristiano Ronaldo zhvilloi botërorin e vitit 2006, të parin në karrerën e tij. Ai është paraqitur 20 herë me fanellën e Portugalisë dhe ka shënuar tetë gola në kampionate botërore. Bashkë me Messin, llogariten si dy më të mirët e dekadave të fundit në histori të futbollit. Ronaldo ka fituar pesë Topa të Artë. Karriera e tij ka filluar në Sporting Clube de Portugal për të vazhduar më pas te Manchester United si 18-vjeçar. Real Madridi dhe Juventusi ishin dy ekipet tjera që Ronaldo mbrojti fanellat e tyre për t’u rikthyer përsëri në Manchester United vitin e kaluar. Tash do të ndërrojë sërish ekip.
Neymar është një 30-vjeçar që mbron ngjyrat e Brazilit. Në Botërorin e vitit 2014 e bëri debutimin e tij. Gjithsej në kampionate botërore ka zhvilluar 13 ndeshje dhe ka shënuar tetë gola. Ai para fillimit të këtij botërori ka deklaruar se ndoshta nuk do të ketë forcën psikologjike të vazhdojë karrerën futbollistike. Aktualisht është lojtar i PSG-së.
Botërori i vitit 2018 ishte i pari për polakun 34-vjeçar, Robert Lewandowski. Ai i ka zhvilluar shtatë ndeshje në këtë garë dhe ka shënuar dy gola. Lewandowski tani është lojtar i FC Barcelonës.
Luis Suarez, 35-vjeçar, është një nga sulmuesit më të mirë në futbollin modern dhe është golashënuesi më i mirë i Uruguait dekadave të fundit. Botërori i vitit 2010 ishte i pari për të. Ai zhvilloi 16 ndeshje në këtë garë dhe shënoi shtatë gola. Tani është lojtar i Club Nacional.
Edinson Cavani në Kampionatin Botëror debutoi në të njëjtin vit me Suarezin. Për Uruguain në këtë garë zhvilloi 17 ndeshje dhe shënoi pesë gola. 35-vjeçari luan për Valencian.
Fituesi i Topit të Artë në vitin 2018, Luka Modric ka zhvilluar 18 ndeshje në Kampionat Botëror dhe ka shënuar dy gola. Kroati e shijoi botërorin e parë në vitin 2006. 37-vjeçari është një titullar i padiskutueshëm në klubin e Real Madridit, pjesë e të cilit është që nga viti 2012.
Portieri i Gjermanisë, Manuel Neuer, filloi ta mbrojë portën gjermane në kampionate botërore të vitit 2010. Ai zhvilloi 19 ndeshje në kuadër të Botërorit dhe e fitoi atë të vitit 2014. 36-vjeçari është pjesë e klubit Gjerman, Bayern Munich.
Lojtari tjetër gjerman, Thomas Muller po ashtu botërorin e parë e zhvilloi në atë të vitit 2010, dhe e fitoi atë të vitit 2014. 33-vjeçari realizoi dhjetë gola në 18 ndeshje të kampionateve botërore. Sulmuesi udhëheq si kapiten ekipin e Bayern Munich.
Dani Alves është kapiteni më i vjetër në histori të Brazilit në Kupën e Botës. Ai debutoi në këtë garë 12 vjet më parë dhe zhvilloi 11 ndeshje, por nuk shënoi asnjë gol. 39-vjeçari luan për ekipin Club Universidad Nacional.
38-vjeçari, Thiago Silva është kapiteni i dytë më i vjetër në botëror në kuadër të Brazilit. Viti 2010 ishte fillimi i tij në këtë kometicion për t’i zhvilluar 15 ndeshje e shënuar dy gola. Aktualisht është pjesë e klubit anglez, Chelsea.
Belgu Eden Hazard po ashtu e filloi rrugëtimin e botërorit në vitin 2010. 31-vjeçari mbajti fanellën e Belgjikës në Kampionate botërore në gjithsej 14 ndeshje dhe shënoi tri gola. Hazard mbron ngjyrat e Real Madridit.
Portieri francez, Hugo Lloris është ndër lojtarët që debutoi në kampionatin botëror të vitit 2010. Ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2018. Gjithsej e mbrojti portën franceze 19 herë ne KB. Që nga viti 2012, 35-vjeçari mban fanellën e Tottenham Hotspur.
2014 është viti i debutimit të Olivier Giroud në KB. Në 17 ndeshjet e zhvilluara të këtij kampionati 36-vjeçari shënoi pesë gola dhe e fitoi Kupën e Botës në vitin 2018. Giroud është pjesë e ekipit italian, AC Milan.
Spanjolli që e mbajti shiritin e kapitenit në këtë botëror, Sergio Busquets debutoi në Kampionatin Botëror të vitit 2010, në të cilin edhe u shpall kampion. Në 17 ndeshjet e zhvilluara të këtij kompeticioni ai nuk e shënoi asnjë gol. Nga viti 2008 është pjesë e ekipit katalonas, FC Barcelona, tanimë 34-vjeçari është edhe kapiten i saj.
Botërori i 2010-ës është edhe viti i debutimit të argjentinasit Angel Di Maria. 34-vjeçari u paraqit në17 ndeshje të kësaj gare dhe i shënoi dy gola. Nga vera e këtij vitit është pjesë e Juventusit.
Portugezi Pepe i shtohet listës së fillimit të Botërorit në 2010. 39-vjeçari shënoi dy gola në 12 ndeshjet e zhvilluara të kësaj gare. Pepe është pjesë e ekipit të Portos.
Futbolli ndër vite ka treguar që është sporti më i bukur dhe më i paparashikuar në botë e disa prej tyre edhe mund të paraqiten përsëri në botërorin e vitit 2026, por gjasat janë të vogla.
Bashkë me ta përfundon një epokë e futbollistëve që për disa ishin edhe arsyeja që filluan të shikonin futboll. Por me yjet e rinj që morën pjesë në këtë botëror si Mbappe, Pedri, Gavi, Belingham, e shumë të tjerë do të fillojë një epokë e re e sportit më të shikuar në botë./UBTNews/
Gjyqtari kosovar Genc Nuza është deleguar nga UEFA për të drejtuar ndeshjen ndërmjet Twentes dhe Thunit, në kuadër të fazës së ligës në UEFA Conference League.
Takimi do të zhvillohet më 15 tetor, në Enschede të Holandës, ndërsa Nuza do të jetë gjyqtari kryesor i kësaj përballjeje.
Atij do t’i asistojnë Granit Hyseni dhe Fatmir Sekiraqa, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Mentor Ajeti. Rolin e ndihmësit të gjyqtarit në VAR (AVAR) do ta ketë Alban Shala.
Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit e Kosovës, e cila e ka vlerësuar këtë delegim si një tjetër sukses për gjyqtarët kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Sipas FFK-së, angazhimi i Nuzës dhe ekipit të tij në garat evropiane dëshmon profesionalizmin dhe përparimin e gjyqtarëve të Kosovës në futbollin ndërkombëtar.
Klubi spanjoll Getafe ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin me përvojë, Dani Carvajal, i cili ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2027.
Ish-kapiteni i Real Madridit i bashkohet skuadrës së re pas një karriere të suksesshme me klubin madrilen, ku regjistroi 451 paraqitje, 14 gola dhe 66 asistime.
Gjatë periudhës së tij te Real Madridi, Carvajal fitoi gjithsej 27 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve dhe katër të La Ligës.
Sipas raportimeve, transferimi ishte vonuar për shkak të mosmarrëveshjeve financiare, pasi oferta fillestare prej 400 mijë eurosh ishte konsideruar e ulët në krahasim me pagën e tij të mëparshme te Real Madridi, që arrinte deri në 10 milionë euro në vit.
Me këtë transferim, Getafe synon të përforcojë repartin defensiv dhe të përfitojë nga përvoja e madhe e mbrojtësit spanjoll.
Barcelona do të përballet sonte me Galatasarayn në Stamboll, në kuadër të raundit të dytë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, nata para ndeshjes nuk ka qenë e qetë për skuadrën katalunase, pasi tifozët vendas kanë organizuar një spektakël me fishekzjarrë pranë hotelit ku po qëndronin futbollistët e Barcelonës.
Një numër i madh tifozësh të Galatasarayt u mblodhën gjatë natës para hotelit, duke ndezur fishekzjarrë dhe mjete të tjera piroteknike pas orës 02:00, me synimin për t’ua prishur gjumin lojtarëve kundërshtarë.
Atmosfera e zjarrtë në Stamboll është e njohur për skuadrat evropiane, ndërsa tifozët turq shpesh krijojnë presion të madh ndaj kundërshtarëve.
Mbetet të shihet nëse kjo situatë do të ndikojë në paraqitjen e Barcelonës, në përballjen që pritet të zhvillohet sonte nga ora 21:00, në stadiumin “Rams Park”.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra synon përmbysjen e rezultatit ndaj Austrisë, në ndeshjen kthyese të raundit të parë të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2027.
“Dardanet” do të zbresin në fushë të martën në Vjenë, nga ora 18:00, pas humbjes 2:1 në përballjen e parë të zhvilluar në Prishtinë.
Përzgjedhësja Sanije Krasniqi është shprehur optimiste para kësaj sfide, duke theksuar se skuadra është e kompletuar, e përgatitur dhe e motivuar për të arritur rezultat pozitiv.
“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Besojmë se vajzat do ta japin maksimumin nga ajo që bashkërisht e kemi ndërtuar për këtë ndeshje”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka vlerësuar cilësinë e përfaqësueses austriake, duke pranuar se Kosovën e pret një përballje e vështirë, veçanërisht në fushën kundërshtare.
Për dallim nga ndeshja e parë, ku munguan disa futbolliste për shkak të problemeve shëndetësore, këtë herë Kosova do të ketë në dispozicion skuadrën e kompletuar.
Edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar atmosferën pozitive dhe motivimin e lartë brenda ekipit, ndërsa përgatitjet e fundit janë përqendruar në aspektin taktik.
Kjo është pjesëmarrja e parë historike e Kosovës në plejofin kualifikues për një Kampionat Botëror. Fituesja e duelit Kosovë–Austri do të përballet në raundin tjetër me fituesen e çiftit Zvicër–Izrael.