Lajmet

As kërcënimet, as pushteti nuk mund ta ndalin misionin e gazetarisë

Published

on

Opinion- Musa Sabedini – Profesor në Media dhe Komunikim në UBT

Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së shprehjes, demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Po i përcjell me shqetësim të thellë rastet e sulmeve, kërcënimeve dhe përpjekjeve për intimidim ndaj gazetarëve Lirim Mehmetaj dhe Fidan Jupolli. Po aq i papranueshëm ishte edhe rasti i Jeton Sopit, i cili duhet të trajtohet me seriozitetin që kërkojnë parimet e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve. Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

Këto raste nuk duhen parë si incidente të izoluara apo si përplasje të zakonshme mes individëve. Ato ngrenë çështje thelbësore për gjendjen e lirisë së medias, kulturën demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës. Çdo kërcënim ndaj një gazetari për shkak të punës, raportimit apo qëndrimeve të tij përbën një cenim të parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet një shoqëri demokratike.

Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

E them këtë edhe nga përvoja ime personale. Kam kaluar vetë nëpër situata të vështira dhe kam përjetuar përpjekje që synonin të më vinin nën presion. Megjithatë, ato përvoja nuk më kanë zmbrapsur. Përkundrazi, më kanë bërë më të vendosur për ta mbrojtur të vërtetën, integritetin profesional dhe misionin publik të gazetarisë. Sepse gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por përgjegjësi ndaj publikut; nuk është instrument për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara, por mekanizëm për të kërkuar llogaridhënie, për të ekspozuar keqpërdorimet dhe për të mbrojtur interesin publik.

Prandaj, mesazhi im për gazetarët është i qartë: vazhdoni punën tuaj me guxim, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Mos lejoni që kërcënimet, presionet apo tentativat për shantazh t’ju largojnë nga misioni juaj. E keqja, korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit duhen trajtuar kudo që shfaqen, pavarësisht se kush qëndron pas tyre. Por kjo duhet bërë gjithmonë përmes fakteve, verifikimit dhe standardeve më të larta etike e profesionale.

Njëkohësisht, bartësit e pushtetit duhet ta kuptojnë se marrëdhënia me median nuk mund të ndërtohet mbi armiqësi, delegjitimim apo presion. Kritika mediale është pjesë e funksionimit të demokracisë, ndërsa llogaridhënia nuk është sulm ndaj institucioneve, por detyrim i tyre ndaj qytetarëve. Çdo përpjekje për ta frikësuar median e dobëson besimin publik dhe dëmton vetë cilësinë e qeverisjes. Në këtë kuptim, përplasja me median e pavarur është një rrugë pa zgjidhje për këdo që synon ta shmangë përgjegjësinë publike.

Kosova është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha për liri. Lufta dhe sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahja e NATO-s janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Liria e fituar duhet të mbrohet edhe përmes institucioneve funksionale, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore. Nuk mund të pretendojmë se kemi ndërtuar një shoqëri demokratike nëse gazetarët duhet të mendojnë për sigurinë e tyre përpara se të publikojnë një të vërtetë të pakëndshme.

Në këtë drejtim, shqetësim shtesë paraqet edhe raportimi i organizatave partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, i publikuar më 20 korrik, sipas të cilit liria e medias në Kosovë po përballet me përkeqësim, të lidhur me ndërhyrjet politike, sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimin e pavarësisë së institucioneve mediale. Këto vlerësime duhet të shërbejnë si thirrje për reflektim dhe veprim institucional, jo si arsye për t’i relativizuar problemet.

Kërkoj që çdo kërcënim dhe sulm ndaj gazetarëve të trajtohet seriozisht nga institucionet kompetente, të hetohet në mënyrë të paanshme dhe autorët, nëse u vërtetohet përgjegjësia, të përballen me pasojat ligjore. Mbrojtja e gazetarëve nuk është privilegj i një profesioni, por kusht për funksionimin e demokracisë dhe garantimin e së drejtës së publikut për t’u informuar.

Një shoqëri që i frikëson gazetarët rrezikon ta frikësojë edhe të vërtetën. Një pushtet që nuk e duron kritikën, e vë në pikëpyetje marrëdhënien e tij me llogaridhënien. Ndërsa një gazetari që refuzon të nënshtrohet i shërben jo një individi apo grupi, por interesit publik.

Liria e medias nuk mbrohet vetëm me deklarata. Ajo mbrohet me guxim profesional, solidaritet mes gazetarëve, përgjegjësi institucionale dhe zbatim të barabartë të ligjit.

Gazetaria duhet të mbetet e lirë, e pavarur dhe e patrembur. Sepse e vërteta nuk mund të vihet nën shantazh, ndërsa liria nuk mund të jetë peng i askujt.

 

Continue Reading

Lajmet

Dështojnë bisedimet për buxhetin: Kryeministri i Belgjikës De Wever ofron dorëheqjen

Published

on

By

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka ofruar dorëheqjen Mbretit Philippe pas dështimit të negociatave për buxhetin brenda koalicionit të tij pesëpartiak.

Nacionalisti konservator flamand, i cili mori detyrën në shkurt të vitit 2025 për të trajtuar borxhin e lartë të vendit, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partnerëve të qeverisë për buxhetin e vitit 2027.

Pallati Mbretëror konfirmoi dorëheqjen, ndërsa Mbreti Philippe e ka shtyrë vendimin për pranimin e saj duke shprehur keqardhje për mungesën e marrëveshjes. Monarku belgjik do të nisë konsultimet me krerët e grupeve parlamentare të martën, përpara se ta presë sërish De Weverin në takimin e së premtes. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet drejtori i Spitalit të Mitrovicës për dhunë në familje, gjykata e lë në arrest shtëpiak

Published

on

By

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është ndaluar nga policia nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. Me urdhër të prokurorit kujdestar ai u ndalua për 48 orë, ndërsa Prokuroria paraqiti kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe në vend të paraburgimit i ka caktuar Berishës masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Këtë masë do ta monitorojë Stacioni Policor në Vushtrri.

Sipas Gjykatës, arresti shtëpiak është i mjaftueshëm për të parandaluar përsëritjen e veprës dhe për të mbrojtur të dëmtuarën. Masa do të zbatohet në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, meqë palët nuk jetojnë më bashkë, duke shmangur kështu kontaktin mes tyre./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tahiri paralajmëron debat parlamentar për krizën energjetike në Kosovë

Published

on

By

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e energjisë, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një debat parlamentar lidhur me dështimet në këtë sektor.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri theksoi se situata aktuale është mjaft shqetësuese, pasi Kosova po blen energji me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që blloku B1 ndodhet jashtë funksionit. Ai nënvizoi se trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit strategjik dhe energjetik të vendit.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet këtë të enjte, në orën 12:00.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.

Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara