Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka organizuar të martën tryezën me temën aktuale: “Lajmet e rrejshme dhe verifikimi i fakteve në mediat online”. Pjesëmarrës në panel ishin: Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së, znj. Arlinda Osmanaj nga Misioni i OSBE në Kosovë, znj. Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e grupit “KOHA”, si dhe z. Goran Avramoviq, kryeredaktor në Radio KIM. Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe studentët e Departamentit të Mediave dhe Komunikimit në UBT, të monitoruar nga zyrtarja e UBT-së, Albina Zeneli, ku patën mundësinë të diskutojnë për rolin e rëndësishëm që portalet kanë në informimin e publikut.
Mona Ademi, studente e vitit të dytë, parashtroi një pyetje që është aktuale për momentin: “Kur do të ndalen abuzimet me titujt provokativë dhe pamjet e vrazhda nëpër portale në lidhje me Reality Show?”
Edhe studentja Jeta Smaka, në lidhje me temën e tryezës së sotme, shprehu gjithashtu interesim për të kuptuar më tepër rreth rasteve të fundit që Këshilli ka trajtuar si problematika kyçe.
Takimi filloi me disa detaje kryesore, ku drejtori Mushkolaj foli për rolin e Këshillit në raport me luftën e madhe që po bëhet kundër lajmeve të rrejshme (‘Fake News’).
“Ne si Këshill përpiqemi ta kryejmë punën tonë brenda kushteve dhe kornizës sonë. Janë rreth 50 portale anëtare në KMShK dhe kemi arritur të marrim vendime, gjithmonë sipas nesh meritore, duke adresuar çështje të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me lajmet jo të plota. Të gjitha vendimet janë marrë bazuar në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili është si Kushtetutë e mediave të shkruara dhe online në vend”, tha mes tjerash Mushkolaj.
Ai ka theksuar që, pavarësisht ndryshimeve teknologjike, lajmi mbetet lajm dhe se në raportimet mbesin rregullat bazike që mësohen në shkollën e gazetarisë.
Po ashtu, kryeredaktorja e grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ndau me të pranishmit një përvojë personale nga viti i kaluar.
“Mua më ka intervistuar një vajzë e një organizate para një viti dhe më tha se kur keni filluar të bëni verifikimin e fakteve, i thashë që 16 vjet unë për vete, por atëherë nuk ka pasur emër kjo nismë,” tha Rexhepi, e cila shtoi se kjo gjë tani është bërë më sfiduese, sepse opinioni po bëhet më pak i edukuar dhe i painformuar.
“Tash komunikimi është më i madh dhe më i lehtë, por me të po rritet edhe keqpërdorimi. Kjo temë lidhet me teknologjinë, sepse njerëzit po qasen në informacion më shpejt, po mendojnë më shpejt dhe po veprojnë shpejt, nuk kanë durim,” përfundoi ajo.
Përndryshe, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara. Misioni i tij mbështetet në bindjet e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
KMShK është themeluar me ndihmën e OSBE-së në Kosovë në shtator të vitit 2005, ndërsa Zyra e KMShK-së aktivitetin e rregullt e ka filluar në dhjetor të vitit 2005. Fjala e lirë, e drejta e qytetarëve për t’u informuar plotësisht dhe me kohë, si dhe respektimi në tërësi i kodit etik të gazetarisë, janë baza mbi të cilën vepron KMShK. Qëllimi i KMShK-së është ta mbrojë qytetarin nga shkrimet e pavërteta, si dhe ta mbrojë gazetarin nga ankesat e pambështetura. /UBTNews/
Sot Kryesia e Kuvendit do të mbajë mbledhje në të cilën prite të caktojë rendin e ditës për seancën e radhës plenare.
Mbledhja e Kryesisë do të mbahet në orën 11:00.
Rendi i ditës i mbledhjes së Kryesisë:
Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:
Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
Deklarimet jashtë rendit të ditës;
Pyetjet parlamentare;
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës;
Protestat mbarëkombëtare në Francë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kushteve në arsim janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme, duke çuar në arrestimin e më shumë se 2.400 personave në të gjithë vendin.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Presidenti Emmanuel Macron shprehu zemërimin dhe turpin për trazirat, ndërsa fajësoi grupet e së majtës ekstreme dhe elementët kriminelë për nxitjen e kaosit. Macron u zotua se përgjegjësit për plaçkitjet dhe sulmet ndaj institucioneve do të përballen me pasojat ligjore, duke udhëzuar prefektët të marrin masa strikte për mbrojtjen e ndërtesave publike dhe bizneseve, përfshirë edhe ndalimin e protestave kur kjo të jetë e nevojshme.
Dëmet materiale nga përplasjet llogariten të jenë të konsiderueshme. Në qytetin Limoges, goditja e stilit historik e bashkisë u shkatërrua pothuajse tërësisht pasi protestuesit i vunë zjarrin. Incidentet nuk munguan as në Marsejë e Lion, ku u sulmuan stacione policie dhe zyra publike, ndërsa në Paris u arrestuan më shumë se 850 persona pasi zona përreth Sheshit të Republikës u kthye në fushëbetejë me xhama të thyer e rrugë të dëmtuara. Gjithashtu, policia e Parisit njoftoi se një person ndërroi jetë nga një sulm në zemër gjatë trazirave.
Sipas autoriteteve, në marshime morën pjesë rreth 550.000 persona, ndërsa organizatorët e vlerësojnë pjesëmarrjen në 800.000. Ngjarjet kanë nxitur edhe reagime të ashpra politike në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku opozita ka kritikuar reagimin e qeverisë, ndërsa liderët e qyteteve kryesore kanë kërkuar takime urgjente me kryeministrin për menaxhimin e situatës. /BBC/
Protesta e mbajtur të dielën në Tiranë ka zgjatur rreth 10 orë dhe është shoqëruar me akte të rënda dhune, ku autoritetet e rendit kanë shoqëruar dhe arrestuar qindra studentë protestues. Përgjatë përplasjeve të ashpra, protestuesit i dhanë flakën Komisariatit Nr. 3, ngjarje ku mbetën të lënduar 10 efektivë policie.
Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, gjatë orëve të mbrëmjes një eskavator ka ndërhyrë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të hequr gurët dhe pllakat e trotuarit, të cilat u përdorën masivisht nga protestuesit për të qëlluar në drejtim të forcave të rendit.
Gjithashtu, policia reagoi lidhur me incidentin e regjistruar pranë selisë së Partisë Demokratike. Sipas versionit zyrtar të uniformave blu, një grup personash të maskuar u futën në ambientet e jashtme të godinës për t’iu shmangur ndjekjes policore, nga ku vazhduan sulmet ndaj efektivëve. /Euronews/
Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.
Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.
“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.
Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.
Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.
Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.
Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.
“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.
Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.