Kulturë

Pyetja që duhet t’ia bëni vetes, çdo ditë

E gjitha fillon me një vendim.

Published

on

Çdo mëngjes, kur na është dhënë privilegji që të zgjohemi dhe të fillojmë një ditë të re, na është dhënë gjithashtu mundësia që të rritemi si individë. Një nga pyetjet më të rëndësishme që duhet të pyesni çdo ditë është: “Si mund të rritem sot?”

Kjo pyetje e veçantë është e fuqishme sepse kur fillon ditën duke pyetur veten se cilat janë mënyrat që mund të rriteni, mendja juaj do të funksionojë në gjetjen e përgjigjeve.

Në shumicën e kohës, unë vazhdimisht përqendrohesha më shumë në punën time sesa tek vetja.

Mërzitesha shumë sepse po shpenzoja shumë kohë duke punuar në detyra, projekte dhe gjëra të tjera, ndërkohë që nuk po përqendrohesha në një rritje më të mirë të vetes time.

Jim Rohn ka thënë: “Punoni më shumë për veten sesa për punën tuaj. Nëse punoni shumë për punën tuaj, ju mund të jetoni mirë. Nëse punoni shumë për veten ju mund të bëni pasuri”.

Gjatë viteve, kam zbuluar se kjo thënie përmban shumë të vërteta.

Dita që fillova ta pyes veten: “Si mund të rritem sot?” ishte dita që jeta dhe biznesi im ndryshuan për mirë. Çdo mëngjes, unë fillova të shkruaj në një bllok shënimesh gjërat për të cilat unë do të përqendrohesha atë ditë sa i përket rritjes time personale. Një ditë mund të jetë për të mësuar një aftësi të re ose për të praktikuar diçka që ndjeja se më mungonte. Në çfarëdolloj rasti, unë sigurohesha që do të bëhesha më mirë dhe do të rritesha si profesionalisht ashtu dhe në jetën personale.

Rritja nuk është e detyrueshme

Ne të gjithë rritemi në moshë, por rritja si individ është fakultative. Kjo është një zgjedhje që ju dhe vetëm ju mund ta bëni. Çdo përvojë, mendim, marrëdhënie dhe takim në jetë na jep mundësinë të rritemi, qoftë në mënyrë negative apo pozitive.

Kur ju vendosni të rriteni çdo ditë, filloni të kuptoni bukurinë dhe gëzimin e vërtetë që jeta na ofron. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të dish se po rritesh gjithnjë e më shumë nga personi që ke qenë më parë. Meqenëse rritja në moshë është e detyrueshme, kjo e lë shumicën e popullsisë të marrë rrugën e lehtë dhe të mos përqendrohet në rritjen ditore.

Arsyeja pse shumica nuk angazhohen në rritjen e përditshme është për shkak se kërkon që ju të lëvizni jashtë zonës tuaj të rehatisë. Ju nuk mund të rriteni gjatë kohës që jeni të kënaqur. Mësoni një aftësi të re, duke rafinuar një të vjetër, duke ndryshuar procesin e mendimeve tuaja, duke lexuar më shumë ose duke u zgjuar më herët se normalisht në mënyrë që ju të lëvizni përtej zonës tuaj të rehatisë.

E gjitha fillon me një vendim

Të bëheni më të mirët dhe të rriteni çdo ditë nuk ndodh rastësisht. Fillon me një vendim të fortë dhe të guximshëm. Ashtu si çdo gjë në jetë, ne jemi të detyruar të marrim vendime. Merrni kohë tani për të marrë vendimet që do t’iu rritin si individ çdo ditë, disi, në një farë mënyre.

Krijo programin tënd të rritjes ditore. Çfarëdo që vepron më mirë për ju, bëjeni atë. Për sa kohë që merrni një vendim që do të çojë në rritjen qoftë dhe shumë të pakët, në njëfarë mënyre kjo është e gjitha ajo që ka rëndësi. Ju ia keni borxh vetes për të korrur përfitimet e plota që jeta ka për të ofruar.

Në fund të fundit, ne mund t’i rritim bizneset tona pasi ne të rritim veten.

Continue Reading

Kulturë

Pierce Brosnan: Callum Turner i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë James Bondi i ardhshëm

Published

on

By

Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.

Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.

“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.

Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.

Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Shkrimtarë dhe gazetarë shqiptaro-amerikanë vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në Washington

Published

on

Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.

Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.

Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.

Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.

Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.

Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Published

on

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara