Lajmet

Punëtorët e sigurimit në QKUK nga sot hyjnë në grevë

Published

on

Punëtorët e sigurimit në QKUK nga sot do të hyjnë në grevë, pas dështimit të zgjidhjes së çështjes së ndërprerjes së kontratave për rreth 300 punëtorë të sigurimit.

Kjo u bë e ditur dje nga Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, pas takimit që pati të enjten me drejtorin e QKUK-së, Osman Hajdari.

“Ne kemi shterrur të gjitha mundësitë dhe kemi dhënë aspektin e dialogut si prioritet. Po shihet që nga dita e parë që ky problem mund të zgjidhet brenda dy ore, maksimumi brenda tri ditëve. Sot jemi prapë në fazën zero, sepse secili shijon që të gjuajë topin te pala tjetër. Nuk na ka mbetur asgjë tjetër, paralajmërimin për grevë e kemi dhënë edhe zyrtarisht. Po edhe të na kishin thënë që pasnesër do të ktheheni në punë, ne nuk do të tërhiqeshim dhe greva fillon nesër nga ora 10:00”, tha Azemi.

Ai vlerësoi se zvarritja e procesit vjen për shkak të keqpërdorimeve nga palë të ndryshme dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje.

“Për shkak të keqpërdorimeve që janë bërë nga palët që ne nuk e dimë, Komisionet Ekonomike kanë hyrë dhe janë duke u marrë sot me këtë proces dhe sigurisht ata do të vijnë në një përfundim. Edhe nga ta sot kemi kërkuar: a jeni të gatshëm të shpjegoni se kur mund të përfundojë ky proces? E kam thënë se po të jetë dëshira dhe vullneti ky proces mund të përfundojë brenda tri dite. Ata kanë kërkuar që ne së paku deri të martën të tërhiqemi nga greva, por kërkesë e punëtorëve është që të hyhet në grevë nga nesër. Do të jemi në grevë dhe sigurisht se opinioni do ta shohë se deri ku kemi shkuar,” u shpreh ai.

Sipas Azemit, përgjegjësia po bartet në mënyrë të papërgjegjshme nga një institucion te tjetri, ndërkohë që punëtorët mbesin pa kontrata.

“Kemi biseduar me KRPP-në, ku thonë se nuk është topi te ne, OSHPE-ja ka thënë nuk është topi te ne, është thënë se është te drejtori i QKUK-së. Ky po thotë tani nuk është problem imi dhe është bartur te SHSKUK-ja. SHSKUK po të kishte vullnetin e mirë, mos me pas bindje për cilën kompani të votojë, mund ta zgjidhë problemin që të hënën të fillojë punën”, tha ai.

Edhe përfaqësues të tjerë të punëtorëve shprehën mbështetjen për grevën, duke theksuar se nuk do të ndalen pa marrë një zgjidhje të qartë.

Kryetari i Shoqatës së Sigurimit të QKUK-së, Hakif Syla, tha se punëtorët janë të vendosur të mos ndalen deri në një zgjidhje konkrete dhe të garantuar.

“Edhe ne jemi të pajtimit që me të gjithë punëtorët, të mbajmë grevë, derisa të na kthehet një dokument pozitiv që punëtorët të fillojnë punën”, tha ai.

Ndërsa, Xhemajl Bajrami, njëri nga punëtorët e sigurimirt në QKUK, tha se nga kjo situatë janë prekur 300 punëtorë.

“Prej që na kanë privatizuar këtu marrin rroga gati 300 veta. Punëtorë janë afërsisht 280 deri në 300, se këtu ka edhe bartës që në emër të punëtorëve të sigurisë që punojnë janë bartës të emergjencës”, tha ai.

Punëtorët e sigurimit në QKUK javët e kaluara kanë mbajtur edhe protesta, duke kërkuar garanci nga drejtoria e SHSKUK-së për kushte më të mira pune dhe rikthimin e menaxhimit të tyre nën QKUK.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara