Lajmet

Pues: Qeveria t’u lejojë viktimave të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim

Ajo ka bërë të ditur se do të dorëzojnë një parashtrim për mënyrën se si synojnë të llogaritet dëmshpërblimi.

Published

on

Mbrojtësja e viktimave në gjykimin ndaj Salih Mustafës, avokatja Anni Pues ka folur para trupit gjykues për mundësinë e zhdëmtimit të viktimave në rast se në fund të procesit do të ketë vendim për shpallje fajësie.

Ajo ka bërë të ditur se do të dorëzojnë një parashtrim për mënyrën se si synojnë të llogaritet dëmshpërblimi. Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Pues ka thënë se presin që qeveria t’u lejojë viktimave të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim.

Ajo ka thënë se do të kërkojnë nga trupi gjykues të caktojë një ekspert për llogaritjen e dëmit material.

Ndërsa dëmi jo material sipas saj nuk është i lehtë për t’u llogaritur.

“Dëmi jo material nuk është i lehtë për tu llogaritur, të gjitha viktimat e drejtpërdrejta kanë përjetuar torturë ose trajtim çnjerëzor duke u lënë atyre lëndime të përhershme fizike dhe mendore, gjithashtu ndalimi arbitrar ka lënë shenjat e veta mendore. Ne mendojmë se ky dëm jo material duhet vlerësuar në baza të drejta. Ne do ti kërkojmë trupit gjykues të bëjë një vlerësim në baza të drejta, duke mbajtur parasysh deklaratat e vet viktimave, raportin e ekspertit mjekësor si edhe standardet që burojnë nga jurisprudenca ndërkombëtare dhe kombëtare”, ka thënë avokatja e viktimave.

Ajo ka thënë se viktimat duhet të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim.

“Theksojmë këtu se disa pika mbetën të hapura siç është për shembull zbatueshmërinë e legjislacionit të cituar në një situatë përpara se të ekzistonte Republika e Kosovës, pra përpara se të ekzistonte kjo si subjekt. Po kështu nuk kanë marrë zgjidhje plotësisht probleme të tjera si nevoja për vijimësi të anonimitetit, pra kjo është një çështje që po ashtu nuk është trajtuar plotësisht. Siç e kam thënë më parë do të ofrojmë mendimet tona të mëtejmë në këtë pikë në momentin e duhur, por ajo çfarë duam të pranojmë dhe të vlerësojmë se ne këtë aspekt përpjekjet e turpit gjykues anë qenë për lëvdata. Ne shpresojmë që qeveria të mund të heq çdo ambiguitet, çdo dyshim dhe të sigurojë një qasje konstruktive që do t’u lejojë viktimave që të mund të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim”, ka thënë ajo.

Pues ka folur edhe dëshmitë që janë dëgjuar në seanca private çka sipas saj është brengosëse meqë publiku nuk ka arritur të dëgjojë historinë e viktimave.

“Lufta dhe përpjekja e Kosovës ka marrë shumë jetë, për viktimat pjesëmarrëse këtu është e rëndësishme të theksohet se ata janë pjesë e kësaj të shkuare, të tashmes dhe gjithashtu të ardhmes së Kosovës. Ajo që ata duan është të njihet ajo çfarë ka ndodhur, të kuptohet ajo si dhe të jenë në gjendje të thyejnë heshtjen. Unë kam folur për këtë gjë gjatë e gjerë në deklaratën time hyrëse, për arsye se, e ritheksoj këtë element këtu, është se e kuptoj se perspektiva e viktimave në përgjithësi i fshihet publikut për shkak të nevojës për mbrojtje. Ata që na kanë përcjellë rregullisht e njohin shumë mirë tashmë shenjën seancë private në ekran. Pas kësaj shenjë në seancë private fshihen histori dhimbje ,humbje dhe traume dhe e kemi me merak që këto të jenë informacione të ditura publikisht”, ka thënë ajo.

Mbrojtësja e viktimave është deklaruar para se trupi gjykues të fillojë të dëgjojë një viktimë.

Ajo ka kërkuar që viktima të dëgjohet në seancë të mbyllur për shkak se ka informacione që mund të cenojnë masat mbrojtëse.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Continue Reading

Lajmet

DW: Gjermani: Gjithnjë e më shumë njerëz ndryshojnë punë

Published

on

Një numër gjithnjë e në rritje punonjësish në Gjermani e ndryshojnë vendin e punës brenda një viti. Janë kryesisht meshkujt në punë me paga të ulëta ata që kërkojnë më shpesh një punë të re.

Përqindja e punonjësve që kanë ndryshuar vendin e  punës brenda një viti u rrit me 13 pikë përqindjeje midis viteve 2013 dhe 2024. Kjo del sipas një studimi të ri të Institutit për Kërkime të Punësimit (IAB), të publikuar sot në Nuremberg.

Sipas studimit, në vitin 2013 vetëm 12 për qind e grave dhe 13 për qind e burrave punonin në një profesion të ndryshëm nga viti i mëparshëm. Që atëherë, numri i njerëzve që kanë ndryshuar profesion është rritur ndjeshëm: në vitin 2024, lëvizshmëria profesionale te meshkujt ishte 16 për qind më e lartë se në vitin 2013, ndërsa te femrat ishte 10 për qind më i lartë.

Meshkujt ndërrojnë punë më shpesh, veçanërisht kur pagat janë të ulëta

Rritja e lëvizshmërisë në karrierë vërehet në të gjitha nivelet e pagave, megjithatë ishte më e theksuar tek meshkujt sesa tek femrat, vëren IAB. Meshkujt në profesionet me paga të ulëta e të mesme, veçanërisht, ishin më të gatshëm të ndryshonin karrierë. Megjithatë, mobiliteti u ul kur niveli i pagës u rrit.

Femrat ndryshonin profesionin më shpesh se meshkujt, veçanërisht në grupin e pagave të mesme. Sipas autorëve të studimit, një arsye e mundshme për këtë është se, në këtë nivel pagash, femrat priren të kalojnë në punë me kohë të pjesshme më shpesh pas lindjes së një fëmije. Në profesionet me paga të ulëta të mesme ose të larta, mobiliteti i tyre profesional ishte dukshëm më i ulët.

Klima ekonomike ndikon në tregun e punës

Studimi gjithashtu tregon se mobiliteti profesional është i lidhur ngushtë me situatën ekonomike: ‘U vërejt një rritje në vitet kur kërkesa për punë u rrit veçanërisht ndjeshëm për shkak të klimës ekonomike,’ thuhet në të. Në të njëjtën kohë, numri i ndryshimeve të vendit të punës ishte më i ulët gjatë periudhave të vështirësive ekonomike. “Kjo sugjeron se punonjësit shfrytëzojnë mundësitë në profesione të reja kur shumë nga këto vende pune të reja krijohen si rezultat i rritjes së punësimit,” shkruajnë autorët.

Kështu, pandemia COVID-19 ngadalësoi përkohësisht rritjen e mobilitetit të karrierës. Ai arriti kulmin në vitin 2023, përpara se të fillonte sërish të binte në vitin 2024. “Ndryshimi strukturor ndryshon kërkesën për punë. Ata që kalojnë në një profesion që ka shumë kërkesë në atë kohë zakonisht si rezultat janë në gjendje të përmirësojnë perspektivat e tyre të fitimit,” tha Mara Buhmann, hulumtuese në IAB.

aud (ag, tgsch)

Continue Reading

Lajmet

DW: Optimizëm i matur-Klima e biznesit në Gjermani përmirësohet

Published

on

Klima e biznesit në Gjermani është përmirësuar më tej. Indeksi ifo i klimës së biznesit është barometri kryesor i ekonomisë gjermane. Ai u rrit në të gjitha sektorët, pavarësisht situatës së paqartë në Lindjen e Mesme.

Optimizmi në drejtimet e ndërmarrjeve gjermane po forcohet përsëri. Instituti ifo i Mynihut mblodhi të dhëna nga rreth 9.000 drejtues biznesesh. Sipas tij, indeksi i klimës së biznesit u rrit në korrik në 86.6 pikë. Kjo është rritja e tretë radhazi.

Ekonomistët e anketuar nga agjencia Reuters prisnin vetëm 86.0 pikë. Në qershor, barometri kishte shënuar 85.7 pikë.

Analistët paralajmërojnë megjithatë që rritja aktuale të mos mbiinterpretohet: “Rritja e dukshme e klimës së biznesit ifo ka vlerë të kufizuar informuese, sepse shumica e ndërmarrjeve iu përgjigjën pyetësorit përpara rritjes së fortë të çmimit të naftës gjatë dy javëve të fundit,” thekson Jörg Krämer, ekonomisti kryesor i Commerzbank. Në shumë sektorë në Gjermani rrezikohen humbje masive vendesh pune.

Lufta me Iranin vazhdon të rëndojë mbi optimizmin

Në Lindjen e Mesme,  lufta mes SHBA-së dhe Iranit   u rindez përkohësisht. Kjo i rriti çmimet e naftës. Fuçia e naftës referuese Brent arriti përsëri mbi 100 dollarë.

Ngushtica e Hormuzit është jetike për zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Aty, transporti i naftës, gazit dhe lëndëve të para ende nuk ka arritur nivelet e para luftës me Iranin. Një hapje e qëndrueshme e kësaj rruge detare konsiderohet impuls i rëndësishëm për ekonominë gjermane. Prej muajsh, ajo po vuan nën peshën e çmimeve të larta të energjisë.

Në të njëjtën linjë është edhe Alexander Krüger, ekonomisti kryesor i Bethmann Hal: “Optimizmi i ndërmarrjeve mund të përmirësohet vetëm kur çmimet e energjisë të bien ndjeshëm. Deri atëherë, klima do të vazhdojë ndoshta të ecë me valë-valë.” Kështu, edhe vlerësimi për situatën aktuale rezulton më i dobëvlen veçanërisht për industrinë përpunuese dhe sektorin e shërbimeve.

Me optimizëm drejt së ardhmes

Pritshmëritë për të ardhmen janë dukshëm më pozitive. Treguesi u mbështet kryesisht nga përmirësimi i pritshmërive të ndërmarrjeve. Klima u përmirësua në të gjitha sektorët: në industri, te ofruesit e shërbimeve, në tregti dhe në ndërtim.

Në korrik u ndje veçanërisht optimizëm në drejtimet e ndërmarrjeve industriale gjermane. “Bizneset raportojnë kërkesë të përmirësuar,” tha Klaus Wohlrabe, drejtues i anketave të Institutit ifo. Kjo vlen për sektorët e mëdhenj si prodhuesit e automobilave dhe të makinerive. Nuk vlen, megjithatë, për industrinë kimike. Aty pesimizmi u rrit, “ndoshta i shtyrë nga rritja e çmimeve të naftës,” theksoi Wohlrabe.

Prirje e lehtë drejt rritjes

Rritja e çmimeve të naftës po ngre edhe pritshmëritë për çmimet. Kjo vlen për ekonominë gjermane në përgjithësi. “Shumë ndërmarrje kanë kaluar në rritje çmimesh,” theksoi eksperti Wohlrabe. “Gjithashtu, pasiguria është rritur përsëri, në të gjitha sektorët.”

“Por rritja tregon të paktën potencialin e rimëkëmbjes, nëse SHBA-ja dhe Irani arrijnë një marrëveshje dhe Ngushtica e Hormuzit hapet përgjithmonë,” thekson Krämer, ekonomisti kryesor i Commerzbank. Në mënyrë të ngjashme i interpreton të dhënat edhe Wohlrabe: “Ekonomia gjermane është gati të marrë vrull,” thotë drejtuesi i anketave të Institutit ifo. “Për ekonominë në tërësi, po vihet re një prirje e lehtë rritëse.”

aud (tgsch, ag)

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen pesë vetura në Vushtrri, dyshohet për falsifikim dokumentesh gjatë importit nga Koreja e Jugut

Published

on

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, ka realizuar kontrolle në disa lokacione në Vushtrri, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh gjatë importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të falsifikuara gjatë procedurave për importimin e automjeteve nga Koreja e Jugut.

Hetimet kanë zbuluar dyshimet se në librezat koreane të automjeteve është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që veturat të paraqiteshin si më të reja dhe të plotësonin kushtet ligjore për import në Kosovë.

Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë përdorur gjatë zhdoganimit të pesë automjeteve, për të cilat janë lëshuar deklarata doganore me të dhëna të pasakta.

Prokuroria ka bërë të ditur se pesë veturat janë sekuestruar, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Doganën dhe Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pesë trupa foshnjesh u gjetën në kuti në shtëpinë e një çifti në Francë

Published

on

Trupat e pesë foshnjave u gjetën në shtëpinë e një çifti në Orange të Francës, shkruan Le Parisien.

Një burim pranë hetimit deklaroi se policia zbuloi mbetjet e të porsalindurve në shtëpinë e një çifti, gruaja e të cilit kishte lindur një foshnjë të shëndetshme të hënën. Hetuesit gjetën trupat në kuti kartoni.

Sipas një burimi pranë hetimit që foli për Le Parisien, kjo grua, e lindur në vitin 1994, lindi fëmijën e saj të tretë të hënën në mbrëmje, pas një rasti të tretë të mohimit të shtatzënisë.

Burri i saj, i cili mungonte kur ajo shkoi në spital pasi kishte pasur dhimbje barku, tha ajo, vendosi të kontrollonte disa kuti në shtëpinë e tyre pas një grindjeje për atë që kishte brenda.

Ishte atje që ai thuhet se zbuloi një trup në dekompozim. Një kontroll u krye në shtëpinë e çiftit.

Burri më pas e çoi çantën në spital, i cili e raportoi incidentin tek autoritetet sipas Nenit 40. Policia gjyqësore e Avignonit u njoftua dhe kontrolloi shtëpinë e çiftit.

Hetuesit zbuluan ato që dukeshin si fetuse në qese plastike të vendosura brenda kutive. Çifti, i përshkruar si pa histori të njohur problemesh, tashmë ka dy fëmijë, të moshës tetë dhe dymbëdhjetë vjeç. Burri punon ndërsa gruaja e tij është shtëpiake.

Zyra e prokurorit të Carpentras nuk i është përgjigjur ende kërkesave tona për koment. Gruaja mbetet në spital dhe nuk është marrë në paraburgim./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara