Lajmet

Pse vazhdojnë të jenë kaq të rrepta rregullat e Kinës për Covid-19?

Strategjia zero-Covid vazhdon të jetë në fuqi, pavarësisht se është zbuluar vaksina kundër virusit.

Published

on

Në shpërthimin e pandemisë COVID-19, Kina vendosi masat e saj “zero-COVID” që ishin të ashpra, por jo jashtë përputhjes me atë që po bënin shumë vende të tjera në mënyrë që të frenonin virusin.

Ndërsa shumica e kombeve të tjera i panë rregulloret e shëndetit dhe sigurisë si të përkohshme derisa vaksinat të ishin gjerësisht të disponueshme, Kina ka vazhduar me strategjinë e saj.

Të lodhur nga politika që ka mbyllur miliona njerëz në shtëpitë e tyre në një përpjekje për të izoluar çdo infeksion, protestat kanë shpërthyer në mbarë Kinën ditët e fundit, transmeton UBT News.

Megjithëse disa kufizime antivirus janë lehtësuar në disa vende, strategjia zero-Covid vazhdon të jetë e zbatueshme.

Këtu janë disa nga ligjet:

*Teste dhe karantinë për të gjithë pasagjerët

Udhëtarët në hyrje duhet të bëjnë një test PCR përpara se të fluturojnë dhe të karantinohen në një hotel për pesë ditë dhe në shtëpi për tre ditë pas mbërritjes. Kjo mund të duket e rreptë, por përpara rregulloreve të përditësuara në fillim të këtij muaji, udhëtarët duhej të bënin dy teste PCR përpara se të fluturonin dhe të karantinoheshin për shtatë ditë në hotel dhe tre ditë në shtëpi. Më herët periudha e karantinës ishte 14 ditë.

*Izolimi

Udhëtarët në fluturimet e brendshme, trenat ose autobusët që janë në kontakt të ngushtë me dikë me COVID-19 duhet të karantinohen për pesë ditë në vendet e caktuara, plus tre ditë në shtëpi. Para ndryshimeve të nëntorit, koha e karantinës ishte më e gjatë dhe kontaktet e ngushta të personit që kishte kontakt me dikë të infektuar me COVID gjithashtu duhej të izoloheshin.

“Kodi i Gjelbër”

Brenda Kinës, individët duhet të tregojnë “kodin e gjelbër” të tyre personal – duke treguar se janë negativë ndaj COVID– kur hyjnë në vende publike si qendrat tregtare dhe restorante, ose kur përdorin transport publik. Të gjithë duhet të regjistrohen me letrat e tyre të identifikimit dhe më pas kodi shfaqet përmes një aplikacioni smartphone. Të qëndrosh “gjelbër” do të thotë të mos kontraktosh COVID-19, të mos jesh në kontakt të ngushtë me dikë me virusin dhe të mos vizitosh zona që konsiderohen si rrezik.

Kush shkon në mbyllje?

Kina ka reaguar shpejt dhe me vendosmëri ndaj çdo zbulimi të COVID-19 dhe ka bllokuar qyteza ose qytete të tëra. Për momentin, zona qendrore urbane e Chongqing, me rreth 10.3 milion njerëz, është në izolim.

Vendimi se çfarë të mbyllet varet nga shkalla e shpërthimit, ndërsa mbylljet më të vogla të ndërtesave, zonave komplekse ose rrethet e qyteteve janë të zakonshme. Të gjitha njësitë e ndërtesave të apartamenteve mbyllen nëse një banor i vetëm zbulohet se ka COVID dhe njerëzit nuk lejohen të largohen për të paktën pesë ditë.

Kufizime të tjera

Kina ka në fuqi shumë rregullore të tjera që do të ishin të njohura për shumicën që nga muajt e parë të pandemisë. Distancimi social inkurajohet dhe njerëzit duhet të mbajnë maska ​​në ambiente publike. Në zonat ku besohet se ekziston rreziku i transmetimit të COVID, ka kufizime në tubime të mëdha, restorantet mbyllen për ngrënie në ambiente të mbyllura dhe kërkohen masa të forta dezinfektimi në ambientet publike./AP/UBTNews/

Vendi

Katër raste të dhunë në familje brenda një dite

Published

on

By

Policia e Kosovës në raportin e saj njëditor njofton se janë regjistruar katër raste të dhunës në familje. Rastet e raportuara janë shënuar në Gjakovë, Vitomericë dhe dy në Fushë Kosovës.

Në Fushë Kosovë janë arrestuar dy persona për dy raste të ndara për veprën e njëjtë penale- dhunë në familje.

Në rastin e parë arrestimi i të dyshuarit erdhi pas një mosmarrëveshje e cila përfundoi në sulm ndaj viktimës grua.

Sipas raportit, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në rastin e dytë, i dyshuari është arrestuar pasi ofendoi dhe sulmoi viktimën grua.

Gjithashtu, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Edhe në Gjakovë është arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale- dhunë në familje ndaj viktimës grua.

Lidhur me rastin i dyshuari nën përcjellje të policisë  është dërguar për trajtim mjekësor dhe në konsultim me prokurorin kujdestar i është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërsa, në Vitomericë është arrestuar një grua shtetase e Shqipërisë e cila dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqik dhe fizike ndaj viktimës burrë.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Vendi

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, publikon punim shkencor në revistën ndërkombëtare “SpeleoMedit Magazine”

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, ka publikuar një punim shkencor në revistën ndërkombëtare “Underground Vision – SpeleoMedit Magazine”, një platformë e njohur që trajton kërkimin, eksplorimin dhe kulturën e botës nëntokësore.

Punimi me titull “Getting to Know the ‘Vërmicë’ Spring, Republic of Kosovo” paraqet një studim të detajuar mbi burimin “Vërmicë” në Kosovë, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë të rëndësisë së burimeve ujore në nivel global dhe lokal. Përmes këtij publikimi, profesori Çadraku sjell në vëmendje rolin jetik që kanë burimet natyrore të ujit për ekosistemet, zhvillimin e qëndrueshëm dhe jetën e përditshme të njerëzve.

Në punimin e tij, ai thekson se burimet ujore përfaqësojnë një nga asetet më të rëndësishme natyrore, duke qenë pika fillestare e rrjedhave sipërfaqësore dhe një komponent thelbësor për biodiversitetin dhe zhvillimin njerëzor. Në një kohë kur mungesa e ujit po shndërrohet në një sfidë globale, studime të tilla marrin rëndësi të veçantë për menaxhimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të resurseve ujore.

Sipas të dhënave të paraqitura në studim, në territorin e Kosovës janë identifikuar mbi 7,200 burime ujore, ndërsa rreth 32% e ujit të pijshëm sigurohet nga burimet. Megjithatë, theksohet se ende ekziston nevoja për hulumtime  të detajuar dhe për krijimin një baze të dhënash (databazë) të plotë, duke qenë se një pjesë e madhe e burimeve të ujit  ende nuk janë  mjaftueshëm të dokumentuara.

Punimi i profesorit Çadraku kontribuon në këtë drejtim, duke ofruar të dhëna dhe analiza konkrete për burimin “Vërmicë”, si dhe duke ngritur vetëdijen për rëndësinë e mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave në Kosovë.

Ky publikim përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike për UBT-në, duke dëshmuar angazhimin e stafit akademik në kërkimin shkencor dhe në adresimin e çështjeve me rëndësi strategjike për shoqërinë dhe mjedisin.

UBT vazhdon të mbështesë fuqishëm kërkimin shkencor dhe publikimet ndërkombëtare, duke kontribuar në avancimin e dijes dhe në promovimin e ekspertizës akademike nga Kosova në arenën globale.

Continue Reading

Vendi

Ferizaj: Kapet kamioni me shtatë migrantë, arrestohet shoferi

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës ka ndaluar një rast të kontrabandimit me migrantë në fshatin Babush të Ferizajt.

Sipas raportit, rreth orës 01:30, gjatë një kontrolli rutinë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një kamion të drejtuar nga një burrë, ku pas verifikimit të detajuar të rimorkios, janë zbuluar shtatë persona, të gjithë burra shtetas të huaj, të cilët po transportoheshin në mënyrë të paligjshme.

I dyshuari është shoqëruar menjëherë në stacionin policor për procedura të mëtejshme intervistimi.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me vendim të të cilit vozitësi i kamionit është liruar për t’u mbrojtur në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, shtatë shtetasit e huaj, të cilët cilësohen si viktima të këtij rasti, janë trajtuar sipas normave ligjore dhe janë akomoduar në Qendrën e Pritjes për Migrantë, ku do t’u nënshtrohen proceseve të mëtejshme të verifikimit dhe trajtimit nga autoritetet kompetente.

Continue Reading

Lajmet

UBT pjesë e konferencës së AWESK mbi rolin e grave në sektorin e energjisë

Published

on

By

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT, Prof. Dr. Armend Ymeri, ka marrë pjesë si panelist në konferencën e organizuar nga Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AWESK), me temë: “Gratë që Formësojnë Tranzicionin Energjetik të Kosovës: Nga Vizioni në Lidership dhe Transformim Sektori”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për sektorin energjetik në vend, Prof. Dr. Ymeri prezantoi perspektivën e UBT-së lidhur me përfshirjen dhe fuqizimin e vajzave në studimet e Inxhinierisë së Energjisë, duke theksuar se vitet e fundit është vërejtur një trend pozitiv i rritjes së interesimit të vajzave për këtë fushë, si në nivelin bachelor (BSc), ashtu edhe në master (MSc).

Ai theksoi se UBT beson fuqishëm se ndryshimi fillon nga edukimi, duke ndërtuar programe studimi të përshtatura me zhvillimet më të fundit në sektorin energjetik. Në këtë drejtim, kurrikulat në Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë janë të bazuara në realitetin e ri energjetik dhe përfshijnë fusha kyçe si prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme (era, dielli, uji, biomasa), tranzicioni energjetik, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, si dhe digjitalizimi, inteligjenca artificiale, rrjetat e mençura dhe mikrogridet.

Sipas tij, kjo qasje i bën studimet më gjithëpërfshirëse dhe më tërheqëse për një diversitet më të madh studentësh, duke krijuar mundësi reale për përfshirjen e vajzave në këtë sektor strategjik.

Prof. Dr. Ymeri gjithashtu theksoi rëndësinë e metodave bashkëkohore të mësimdhënies që aplikohen në UBT, duke kaluar nga modeli tradicional “lecture-based” në qasje të bazuara në zgjidhjen e problemeve. Përmes metodave si active learning dhe project-based learning, studentet angazhohen më shumë në punë ekipore dhe projekte praktike, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besimit të tyre në aftësitë teknike.

Një element tjetër i rëndësishëm është mentorimi i strukturuar, ku çdo studente në lëndët praktike përfiton nga mbështetja e dyfishtë, nga një mentor akademik dhe një mentor nga industria. Kjo qasje ndihmon në lidhjen e drejtpërdrejtë të studimeve me tregun e punës dhe zhvillimin profesional.

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe profesionale, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë organizon konferenca të rregullta si IC EEE, akademi verore dhe evente të tjera, ku përmes ligjëratave tematike u jepet hapësirë grave eksperte dhe alumneve të suksesshme për të ndarë përvojat e tyre me studentët.

Gjithashtu, UBT ka ndërtuar partneritete të forta me institucione dhe kompani të rëndësishme të sektorit energjetik si KEK, KOSTT, KEDS, ZRrE, si dhe kompani të energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me organizata si AWESK. Këto marrëveshje mundësojnë zhvillimin e praktikave profesionale të strukturuara dhe krijojnë mundësi konkrete punësimi për studentet, veçanërisht në role teknike.

Në përmbyllje të diskutimit, Prof. Dr. Ymeri theksoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë rikonfirmon angazhimin e institucionit për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe në fuqizimin e rolit të grave në këtë fushë kyçe për të ardhmen e vendit.

Continue Reading

Të kërkuara