Lajmet

Pse refuzimi është sekreti i suksesit?

Nga Antonia Hoyle.

Published

on

Nga Antonia Hoyle

Letra ishte e sjellshme, por e drejtpërdrejtë. Kompania e marrëdhënieve më publikun (PR), ku kisha aplikuar për një vend pune më falënderoi për kohën që kisha shpenzuar, por më tha se nuk kisha fituar. Vendin e punës do të zinte dikush tjetër. Sigurisht, ajo nuk ishte hera e parë që më refuzonin, dhe sigurisht që as e fundit.

Më kanë braktisur miqtë, dhe më kanë injoruar aq shumë herë kompanitë sa nuk mund t’i mbajë mend të gjitha. Por kujt nuk i ka ndodhur kjo cilitdo qoftë edhe njëherë në jetë? As më i suksesshmi midis nesh nuk është i imunizuar nga kjo dukuri, siç e pranoi edhe JanRankin, 62 vjeç, që ka shitur më shumë se 20 milionë libra.

“Mua më kanë refuzuar dikur të gjitha llojet e projekteve. Refuzimet janë të papritura. Dhe ata nuk kërkojnë fare ndjesë!”– tha ai muajin e kaluar për emisionin “Write–Off” në podcast-in e Françeska Still.

Të tjerë njerëz të suksesshëm, që e kanë provuar shijen e refuzimit përfshijnë Uollt Diznej, i pushuar nga puna si reporter i gazetës “Kansas City Star” në vitin1919 për mungesë imagjinate dhe idesh, apo Stiven Spillberg, që u refuzua tre herë nga Shkolla e Teatrit, Filmit dhe Televizionit e Universitetit të Kalifornisë Jugore.

J.K. Roulling u shkarkua nga detyra e sekretares, përpara se dorëshkrimi i saj i librit tashmë të famshëm “Harry Potter” të refuzohej nga 12 botues. Njerëzit kanë evoluar për të qenë të ndjeshëm ndaj refuzimit, thotë Mark R. Liri, profesor i psikologjisë dhe neuroshkencës në Universitetin Djuk.

“Kur paraardhësit tanë parahistorikë jetonin në grupime të vogla nomade në fushat e Afrikës, refuzimi nga klani i tyre, ishte në fakt si një dënim me vdekje. Ndërkohë sot, refuzimi nuk është më një çështje për jetë a vdekjeje. Dhe në një epokë të mediave sociale, kërkimi i pafundmë për një vend pune, është diçka e pashmangshme”– thekson ai.

Ndërkohë psikoterapisti Dipti Tait thotë se “refuzimi shkakton një refleks të menjëhershëm të vetë-dyshimit”“Qoftë nga një punë apo një marrëdhënie, ai mund të na nxitë të fillojmë të vëmë në dyshim aftësitë tona, duke u dominuar nga ndjenjat e braktisjes dhe të mos qenit mjaftueshëm të aftë”, thotë Tait.

Për më tepër refuzimi dhemb. Studimet që kanë matur aktivitetit të trurit përmes skanimeve MRI, kanë zbuluar se të njëjtat rajone të trurit aktivizohen tek njerëzit që kanë përjetuar refuzim, ashtu si tek njerëzit që përjetojnë dhimbje fizike. Një studim i vitit 2010 nga Universiteti i Kentakit në SHBA, tregoi se pas marrjes së ilaçeve kundër dhimbjeve, skanimet e trurit të njerëzve që kishin përjetuar refuzim, treguan më pak sinjalizime të dhimbjes nervore, dhe ata raportuan se ndjeheshin më mirë.

Por nga ana tjetër do të bënim mirë të kujtonim se sado i pakëndshëm, refuzimi mund të jetë një forcë që mund të nxisë gjëra pozitive. “Ne nuk mund ta ndalojmë refleksin e menjëhershëm (negativ), por mund ta kthejmë atë në një refleks pozitiv” thotë Tait.

Në një marrëdhënie, të qenit i refuzuar tregon se ne kemi guxuar të dashurojmë. Siç e thotë një shprehje “më mirë të kesh qenë i dashuruar dhe ta kesh humbur atë, se të mos kesh dashuruar fare”.

Ndërkohë në aspektin e punës, kjo do të thotë se po ndjekim qëllimet tona, dhe me kushtin që ato të jenë objektivat e duhura, sa më shumë herë të zhgënjehemi, aq më shumë ka të ngjarë që në fund t’ arrijmë ato. Siç tha në një rast ish-basketbollisti i famshëm amerikan MajkëllXhordan: “Në karrierën time kam dështuar në mbi 9.000 gjuajtje… Kam dështuar vazhdimisht në jetën time. Dhe kjo është arsyeja pse kam sukses!”.

Ndërkohë refuzimi mund të shndërrohet në një motivim për të sfiduar të gjithë dyshuesit ndaj aftësive tuaja. Në vitin 2014, pasi hulumtoi mbi 1.800 sugjerime që u dorëzuan përmes e–mailit në internet të një kompanie gjatë 12 viteve, dr. Dirk Deishman i Shkollës së Menaxhimit në Roterdam, Holandë, zbuloi se ata, idetë e të cilëve ishin refuzuar, kishin më shumë gjasa të ktheheshin me një ide të re sesa të tjerët, idetë e të cilëve ishin miratuarmenjëherë.

“Refuzimi mund ta nxisë pjesën rebele të trurit tuaj ta provojë veten dhe të përpiqet akoma më shumë” thotë Tait. Diçka e tillë duket se i ka ndodhur edhe sulmuesit të Totenhem dhe kapitenit të Anglisë, Herri Kejn – por edhe babait të tij – pasi lojtari u përjashtua nga akademia e Arsenalit kur ishte vetëm 8-vjeç.

“Kur je fëmijë, refuzimi është diçka shumë e rëndë” deklaroi Kejn në tetor 2022 në kuadër tëDitën Botërore të Shëndetit Mendor. “Lajmin e keq ma dha babai im. Nuk isha aq i rritur sa të kuptoja plotësisht ndjenjën e refuzimit, ndërsa im atë nuk shfaqi para meje asnjë shenjë zhgënjimi. Ai thjesht më hodhi dorën mbi sup dhe më tha: Shkojmë sërish në fushë dhe punojmë akoma më shumë. Të shohim se ku do të na çojë! Dhe kështu bëmë” kujton ai.

Sigurisht, ka raste kur personi që e pëson refuzimin, mund të ndodhet në një pikë kthese qëndonëse e zemëron, është një mundësi për rritje. Drejtuesja e revistës së famshme të modës “Vogue” , Ana Uintur ka thënë se shkarkimi nga posti i saj si redaktore e re e modës në revistën tjetër “Harper’s Bazaar” ishte thelbësor për suksesin e saj të mëvonshëm.

“Unë rekomandoj që të gjithë të pushoheni të paktën njëherë nga puna. Është një përvojë e shkëlqyer që të mëson shumë” thotë ajo. Ndërsa ish-kreu i Apple, Stiv Xhobs , i shkarkuar nga kompania e tij në vitin 1985, përpara se të rikthehej në vitin 1997, tha se “shkarkimi nga Apple ishte gjëja më e mirë që mund të më kishte ndodhur ndonjëherë”.

“Rëndesa e të qenit i suksesshëm u zëvendësua nga lehtësia e të qenit sërish një fillestar…Ajo më dha mundësi të hyja në një nga periudhat e mia më krijuese” theksoi ai.

Tait thotë se refuzimi “të jep kohë për të reflektuar, dhe mund të sigurojë perspektiva dhe njohuri, duke ju treguar një rrugë alternative, të cilat mund të mos i kishit menduar më parë’.

Duke “lëpirë plagët e mia” pasi u refuzova nga punë në kompani e PR menjëherë pas diplomimit në universitetit, kuptova se një karrierë në marrëdhëniet me publikun nuk ishte për mua. Ndaj u bëra gazetare, një profesion që më përshtatet më mirë.

Në atë kohë, refuzimi më dhembi, por me kalimin e kohës kam filluar të jem tejet mirënjohëse për atë që ndodhi. Sado e dhimbshme që është, ndoshta Sër Jan Rankin kishte të drejtë kur e përshkroi refuzimin si “të mirë për shpirtin, sepse të mban me këmbë në tokë”. / The Spectator – Bota.al

Lajmet

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Published

on

By

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti para takimit me Abdixhikun: Shkoj me vullnet të mirë dhe gatishmëri për marrëveshje

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me synim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti.

Kurti tha se takimi me Abdixhikun do të mbahet në formatin “1+1”, ndërsa ai do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha ai.

Ai theksoi se takimi me LDK-në synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.

“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai.

Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.

“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha ai. /EkonomiaOnline/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest hapi edicionin e 16-të, “Kujtesa” në qendër të festivalit

Published

on

Edicioni i 16-të i Etno Fest ka nisur mbrëmjen e së dielës me një program të pasur artistik, duke e vendosur në qendër temën “Kujtesa”, si një ftesë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe identitetin kolektiv.

Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, dashamirës të artit dhe vizitorë të shumtë, ndërsa festivali u çel me fjalën përshëndetëse të drejtorit, Fadil Hysaj, i cili falënderoi artistët, partnerët dhe publikun për mbështetjen ndër vite. Të pranishëm në hapje ishin edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Programi nisi me një ekspozitë shumëdimensionale që bashkoi skulpturën, pikturën, fotografinë, mozaikun, muralin dhe instalacionet artistike. Punimet e artistëve trajtuan kujtesën, identitetin dhe përvojat historike, duke sjellë para publikut një rrëfim të pasur përmes artit pamor.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimin pianistik të Lule Elezit, ndërsa një nga momentet kulmore ishte performanca antropologjike “MYSAFIRI”, me tekst dhe regji të Fadil Hysajt, muzikë nga Memli Kelmendi dhe interpretim nga aktorët Shpëtim Selmani, Sheqerie Buçaj dhe Shpejtim Kastrati. Shfaqja u pasurua me elemente të traditës shqiptare, përfshirë tingujt e lahutës, tepsisë dhe simbolikën e nuses ilire.

Atmosfera artistike vijoi me interpretimin e kavallistit Vendim Kapaj, i cili solli kolonën zanore të filmit The Odyssey, si dhe me performancën e mysafirëve nga Italia, Soloists of GOB (Ocarina Duo & Piano), të cilët interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe melodi tradicionale italiane.

Nata e parë e festivalit u mbyll me koncertin e Edona Reshitajt dhe bendit të saj në “Etno Nejë”, duke përmbyllur një mbrëmje të mbushur me muzikë, art dhe reflektim mbi rëndësinë e kujtesës si pjesë e identitetit kulturor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë hetimet për krimet e luftës në Zubin Potok: Tre të arrestuar dhe gërmime në disa lokacione

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit zyrtar, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kontrolluar disa lokacione të ndryshme. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë ende. Përveç këtyre, hetimet aktualisht po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë.

Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe prokurorja përgjegjëse, e cila ka mbikëqyrur drejtpërdrejt veprimet hetimore së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë.

Organet e ndjekjes bëjnë të ditur se për shkak të ruajtjes së procesit nuk mund të ndajnë detaje të tjera për momentin. “Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet në komunikaten e Prokurorisë Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara