Lajmet

Pse përpjekjet individuale për të përmirësuar përqendrimin nuk funksionojnë plotësisht?

Çfarë po ndodhë me ne?

Published

on

“Më quani mbretëreshë të dramave, por ndjej se përqendrimi im i dobësuar po më bën të humb kontrollin mbi jetën time”, tha Mina për Deutsche Welle, një studente 21-vjeçare e financave në Barcelonë.

Ajo do që të shkëlqejë në programim sepse kjo do t’i ndihmonte ta gjente një punë që paguhet mirë, por çdo ditë po e ka më të vështirë që të fokusohet thellë në materialet e shkollës.

Sa herë që ajo përpiqet të ushtrojë në kodim, e kaplon një ndjenjë mërzie dhe shqetësimi dhe e dekoncentron atë. Pastaj ajo merr telefonin, kontrollon rrjetet sociale, i shkruan dikujt apo luan me lojëra.

“Nuk ka të bëjë vetëm me produktivitet. E kam të vështirë gjithashtu të përfundoj leximin e romaneve dhe librave që më pëlqejnë ose rreth hobive që kërkojnë njëfarë niveli energjie mendore”, tha Mina, e cila refuzoi ta tregojë mbiemrin e saj nga frika se mos punëdhënësit e saj të ardhshëm do të kërkojnë për të në rrjete sociale.

Me probleme tilla po përballen edhe përdoruesit e tjerë të rrjeteve sociale. Pyetjet sikurse “Si të fokusohem?” dhe “Pse s’po mund të koncentrohem?” janë më të kërkuarat në Google.

Përmes librave, artikujve, podkasteve të panumërta, etj, janë përpjekur t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, kryesisht duke prezantuar metoda dhe këshilla që supozohet se do t’i ndihmojnë individët të forcojnë fokusin e tyre dhe të lundrojnë në jetën e tyre përmes asaj që titujt e quajnë sot ‘botë e shpërqendruar’. Por sa është serioze çështja e koncentrimit? A ia dalim që përmes metodave të tilla ta zgjidhim këtë problem të përhapur gjerësisht?

Çfarë po ndodhë me ne?

Me gjasë nuk ka asnjë studim që mund të ketë matur ndryshimet në aftësitë e përqendrimit te njerëzit gjatë dy brezave. Disa dokumente kërkimore sugjerojnë se vëmendja e punonjësve të zyrës dhe studentëve ka rënë. Por disa studimet tjera argumentojnë se kjo varet nga një sërë faktorësh si; detyrat, rrjedha e punës, dhe faktorët mjedisorë sikurse ndriçimi i klasës apo zyrës.

Studimet tjera theksojnë efektet e dëshme të rritjes së përdorimit të rrjeteve sociale dhe kohës së gjatë para ekranit në aftësitë tona njohëse, si te koncentrimi.

Të krijuara për të stimuluar vazhdimisht trurin, algoritmet e mediave sociale synojnë t’i lidhin njerëzit me përmbajtje të shkurtra për orë të tëra, duke e bërë të vështirë ruajtjen e koncentrimit të thellë në detyra më pak argëtuese.

Megjithatë, jo të gjithë pajtohen se mospërqendrimi dhe koha e gjatë para ekranit janë domosdoshmërisht shenja të këqija.

“Është e vërtetë se në krahasim me të kaluarën, njerëzit tani po u kushtojnë vëmendje gjërave që janë shumë më të vogla dhe nuk zgjasin shumë; gjëra të tilla si tweet-et kundrejt librave”, tha për DW Thomas Hills, profesor i psikologjisë në Universitetin e Warwick.

“Por kjo mund të nënkuptojë se ne kemi dalë me mënyra më të shkurtra dhe më të shpejta për të dërguar informacionin”, shtoi ai tutje.

“Ne jemi të mbuluar vazhdimisht nga copëza informacioni këto ditë, të cilat konkurrojnë ashpër për të tërhequr vëmendjen tonë”, tha Hills.

“Por ne duhet të përshtatemi me to dhe të formojmë jetën tonë sipas tyre”, shtoi ai.

“Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është t’ua mësojmë njerëzve aftësitë e nevojshme të menaxhojnë kohën dhe të mbrojnë shëndetin e tyre mendor”, deklaroi më tej Hills.

“Nuk është faji juaj”

Por sipas Johann Har, autor i librit më të shitur “Stolen Focus”, problemi është më kompleks. Problemet me përqëndrim janë më të thella sesa kurrë, i tha ai DW-së, duke shtuar se kultura dhe shoqëria po i kontribuojnë kësaj.

Ne jemi të rrethuar nga forca të mëdha që degradojnë aftësinë tonë për t’u përqendruar, shpjegon Hari në librin e tij. Krahasuar me rreth njëqind vjet më parë, ne flemë më pak se dikur, bëjmë gjumë jocilësor për shkak të ekspozimit tonë të vazhdueshëm ndaj dritave të shndritshme të ekranit. Ka rritje të ankthit kronik, veçanërisht te personat në situata të pasigurta financiare, i cili ka rezultuar se dëmton përqendrimin.

Dietat e këqija, zakonet e pashëndetshme të të ngrënit, për të mos përmendur ndotjen, kanë gjithashtu efekte të qëndrueshme, dëmtuese në funksionimin e trurit.

Ndër fajtorët më të rëndësishëm janë kompanitë e mëdha të teknologjisë, modeli i biznesit i të cilave mbështetet në maksimizimin e kohës që njerëzit shpenzojnë në platformat e mediave sociale.

“Nëse e shihni këtë si një problem individual, ju jeni të bllokuar”, tha Hari. “Ne duhet të ndalemi së fajësuari veten dhe me forcat tona duhet t’i ndalojmë ata që vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

Pa veprim kolektiv, zgjidhjet personale do të kenë ndikime të kufizuara dhe në shumë raste të përkohshme, sipas Harit.

Një nga këshillat e vazhdueshme është të largoheni nga ekrani, por fatkeqësisht ata që punojnë me pajisje kompjuterike e kanë të vështirë këtë.

Përqendrimi i dobët është shfaqur në qendër të lëvizjeve dhe nismave të shumta deri më tani. Qendra për Teknologjinë Humane (CHT), një organizatë jofitimprurëse, synon të ndalojë algoritmet e teknologjisë që të na shpërqendrojnë vazhdimisht dhe t’i detyrojë ato të respektojnë vëmendjen e përdoruesve.

Që nga viti 2013, CHT ka bërë fushatë për ndryshime të vogla të tilla si heqja e veçorive si njoftimet, si dhe lobimi për rregulla më strikte mbi përdorimin e teknologjisë, për të reduktuar kohën që njerëzit e kalojnë me pajisjet e tyre./UBTNews/

Përktheu dhe përshtati UBTNews

lajme

Juventusi i hapur për shitjen e Edon Zhegrovës në janar, vendoset çmimi i tij

Published

on

By

Juventusi mund të ndahet me Edon Zhegrovën gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi drejtuesit e klubit italian janë të gatshëm t’i shqyrtojnë ofertat që mund të vijnë për sulmuesin e Kosovës.

Sipas të përditshmes italiane “Corriere dello Sport”, “Zonja e Vjetër” synon të krijojë hapësirë financiare për afrime të reja dhe shitjen e Zhegrovës e sheh si një mundësi të mirë për ta arritur këtë.

Ndonëse ditë më parë e lëvdoi për paraqitjen ndaj Venezias, trajneri Luciano Spalletti thuhet se nuk do ta pengonte largimin e lojtarit, sidomos pas rikthimit nga lëndimet të Francisco Conceicaos dhe Nico Gonzalezit, që e rritin ndjeshëm konkurrencën në krahët e sulmit.

Kjo situatë e vështirëson pozitën e futbollistit nga Prishtina në ekipin torinez, duke e bërë të mundur largimin e tij pas një viti e gjysmë qëndrimi në klub. Kartoni i Zhegrovës aktualisht vlerësohet rreth 10 milionë euro, ndërsa së fundmi emri i tij është lidhur me klube si Al Ittihad dhe Como. /E.A/

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohen katër të dyshuar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë ndaluar katër persona të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Dy prej të ndaluarve, me inicialet N. S. dhe D. S. (sipas raportimeve në media, njëra prej tyre është vjehrra e të ndjerës dhe tjetri ish-kunati i saj), dyshohen për veprën penale “ndihma në kryerjen e vrasjes së rëndë”, ndërsa dy të tjerët, M. P. dhe G. B., dyshohen për “dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Në komunikatë bëhet e ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që, sipas organeve të drejtësisë, mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e të ndaluarve në veprat penale për të cilat dyshohen.

Po ashtu, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. /E.A/

Continue Reading

lajme

FSK-ja hap dyert për qytetarët më 27 nëntor për “Ditën e Forcës”

Published

on

By

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të shënojë të premten, më 27 nëntor, aktivitetin tradicional “Dita e Forcës”, me ç’rast do t’i hapë dyert e kazermave të saj për të gjithë qytetarët.

Përmes një njoftimi zyrtar, FSK-ja bëri të ditur se vizitat do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 13:30, duke u dhënë mundësi vizitorëve të njihen nga afër me personelin, pajisjet dhe kapacitetet ushtarake të vendit.

Qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë kazermat në tetë lokacione: Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin, Prishtinë dhe Prizren. Ndërkaq, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë do të jenë të pranishëm edhe udhëheqësit e lartë shtetërorë.

Në fund të njoftimit, FSK-ja ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen këtij organizimi për të shënuar së bashku Ditën e Ushtrisë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Një segment i Unazës së Arbërisë në Prishtinë emërtohet në nderim të diplomatit amerikan Frank Wisner

Published

on

Një segment i Unazës së Arbërisë në Prishtinë është emërtuar në nderim të diplomatit amerikan Frank Wisner, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin e tij në Kosovë.

Në ceremoninë e emërtimit ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e familjes, Sabina Wisner, e cila falënderoi institucionet për këtë nderim, duke theksuar lidhjen e veçantë që Frank Wisner kishte me Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Është një nder që jam këtu dhe ju falënderoj për këtë nderim. Ai e adhuronte punën në këtë rajon dhe ka bërë shumë miq këtu. Ai kishte një lidhje të veçantë me vendin dhe me të gjithë ju”, tha ajo.

Sabina Wisner u shpreh e pikëlluar që Frank Wisner nuk është më gjallë për ta ndarë këtë moment me familjen dhe të pranishmit.

“Jam vetëm e pikëlluar që ai nuk është më me ne për ta ndarë këtë moment. Nga viti 2005 deri në vitin 2009, ai ka punuar me shumë pasion dhe përkushtim në këtë projekt. Andaj, ju falënderoj shumë për këtë nderim”, shtoi ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se për familjen Wisner ishte përgatitur edhe një dhuratë simbolike, si dhe një pankartë që mund ta merrnin me vete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe David Wisner, djali i Frank Wisnerit, i cili po ashtu shërben si diplomat amerikan.

Frank G. Wisner ishte diplomat i karrierës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin diplomatik që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Më 19 dhjetor 2005, sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, e emëroi Wisnerin përfaqësues të posaçëm të SHBA-së për bisedimet rreth statusit të Kosovës.

Në këtë detyrë, ai përfaqësoi qëndrimin amerikan në procesin negociator të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, duke qenë pjesë e përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës.

Frank Wisner ndërroi jetë më 24 shkurt 2025, në moshën 86-vjeçare./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara