Lajmet

Pse nuk mund t’i mbajmë mend kujtimet e hershme të fëmijërisë?

Ne priremi të kujtojmë shumë pak nga jeta jonë para moshës 7-vjeçare.

Published

on

Shumë prej nesh nuk kanë kujtime nga vitet e para të jetës. Në fakt, ne priremi të kujtojmë shumë pak nga jeta jonë para moshës 7-vjeçare.

Dhe shpesh është e paqartë nëse ato janë të vërteta apo thjesht kujtime të bazuara në foto ose histori që na janë treguar nga të tjerët.

Ky fenomen, njihet nga psikologët si “amnezia e fëmijërisë”, por ata ende nuk e kuptojnë se si ajo funksionon.

AgroWeb.org duke u mbështetur në të dhëna të ndryshme, ju njeh më poshtë me disa studime interesante, të cilat përpiqen t’i japin një shpjegim kësaj pyetjeje.

Çfarë tregojnë studimet rreth kujtesës tek foshnjat dhe fëmijët?

Në pamje të parë, duket se arsyeja pse nuk kemi kujtime nga periudha kur jemi foshnje, është sepse kujtesa nuk është zhvilluar plotësisht.

Por foshnjat që në moshën gjashtë muajshe mund të formojnë kujtime afatshkurtra që zgjasin për disa minuta dhe kujtime afatgjata që zgjasin javë ose muaj.

Në një studim, fëmijët gjashtë muajsh që mësuan se si të shtypnin një levë për të drejtuar një tren lodrash, mbajtën mend se si ta kryenin këtë veprim edhe pas tre javësh nga hera e fundit që luajtën me të.

Nga ana tjetër, fëmijët në parashkollorë, janë të aftë të kujtojnë edhe ngjarjet që kanë ndodhur disa vite më parë.

Sigurisht, aftësita e të mbajturit mend në këto mosha nuk është e ngjashme me të rriturit, sepse ato vazhdojnë të piqen deri në adoleshencë.

Në fakt, proçesi i zhvillimit  është paraqitur një shpjegim për amnezinë e fëmijërisë, dhe është një nga teoritë më të besueshme që ekziston deri më sot.

Këto procese themelore përfshijnë disa rajone të trurit dhe përfshijnë formimin, ruajtjen dhe më pas procesin e të mbajturit mend.

Hipokampusi, i cili mendohet se është përgjegjës për formimin e kujtimeve, vazhdon të zhvillohet deri në moshën shtatë vjeç.

Fëmijët dhe adoleshentët kanë kujtime më të hershme se sa të rriturit. Kjo sugjeron që problemi mund të lidhet me formimin e kujtimeve sesa me ruajtjen e tyre.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është gjuha. Nga mosha një deri në gjashtë vjeç, fëmijët mësojnë të flasin.

Është e vërtetë se deri në një farë mase, aftësia e një fëmije për të treguar një ngjarje në kohën e shkuar, parashikon se sa mirë ata do e kujtojnë atë muaj apo vite më vonë.

Një grup studiuesish, kreu këtë studim duke intervistuar fëmijët e vegjël, që u sollën në spital për dëmtimet e zakonshme që ndodhin në fëmijëri.

Fëmijët mbi 26 muaj, të cilët mund të shpreheshin me fjalë rreth ngjarjes që përjetuan, e kujtuan atë edhe për shumë vite të tjera.

Ndërsa ata nën 26 muaj, të cilët nuk mund të flisnin, nuk mundën ta kujtonin plotësisht ose fare.

Kjo sugjeron që kujtimet mund të humbasin nëse nuk përkthehen në gjuhë.

Efektet sociale dhe kulturore

Sidoqoftë, shumica e kërkimeve mbi rolin e gjuhës përqendrohen në një formë të veçantë tek të shprehurit. Që quhet ndryshe forma narrative dhe në funksionin e saj shoqëror.

Kur prindërit në prani të fëmijëve të vegjël kujtojnë ngjarjet e kaluara, ata u mësojnë atyre aftësinë narrative.

Çfarë lloj ngjarjesh janë të rëndësishme për t’u mbajtur mend dhe si të strukturojnë të folurit rreth tyre, në një mënyrë që të tjerët mund ta kuptojnë.

Ndryshe nga rrëfimi i thjeshtë i informacionit për qëllime faktike, kujtimi sillet rreth funksionit shoqëror të ndarjes së përvojave me të tjerët.

Në këtë mënyrë, historitë familjare ruajnë aksesueshmërinë e kujtesës me kalimin e kohës, dhe gjithashtu zhvillojnë mënyrën e tregimit, duke përfshirë kronologjinë e ngjarjeve, temën dhe shkallën e emocioneve. .

Edhe pse ka ende gjëra që nuk i kuptojmë në lidhje me amnezinë e fëmijërisë, studiuesit po bëjnë përparim në këtë fushë.

Ata po kryejnë më shumë studime ku individët ndiqen që nga fëmijëria.

Gjithashtu, ndërsa neuroshkenca përparon, padyshim që do të ketë më shumë studime që lidhin zhvillimin e trurit me zhvillimin e kujtesës.

Megjithatë është e rëndësishme të dini se edhe nëse nuk mund të kujtoni qartësisht ngjarje të veçanta nga rinia juaj, akumulimi i tyre lë gjurmë që ndikojnë në sjelljen tonë.

Pra edhe pse mund të mos i kujtojmë vitet e para të jetës, ato luajnë një rol të fuqishën në formimin tonë si qënie njerëzore./AgroWeb.org

Lajmet

Pinchotti dhe Marquez në UBT: Kosova frymëzoi karrierat tona në ushtrinë amerikane

Published

on

By

Në kuadër të forumit akademik për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbajtur në Kampusin Inovativ të UBT-së, dy krerët e organizatave të njohura amerikane për veteranët dhe familjet ushtarake, Besa Tafilaj Pinchotti dhe Mario Marquez, ndanë lidhjet e tyre personale me Kosovën dhe ndikimin që ky vend pati në rrugëtimet e tyre profesionale.

Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake në SHBA (NMFA), Besa Tafilaj Pinchotti, tregoi se si përvojat e saj fëmijërore në Kosovë dhe përjetimi i luftës nga distanca e shtynë drejt angazhimit për ushtrinë amerikane. Ajo potencoi rëndësinë e mjedisit akademik për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe.

“Nuk mund të mendoj asnjë vend më të mirë për të festuar 250-vjetorin e Amerikës se sa Kosova, sepse nuk njoh askënd që e do Amerikën më shumë se populli i saj. Njerëzit më të mirë për të zgjidhur problemet janë ata që janë më afër tyre, prandaj është kaq e rëndësishme të jemi në këtë mjedis akademik me këto mendje të shkëlqyera, sepse ju jeni njerëzit që do ta çoni këtë marrëdhënie përpara,” u shpreh Tafilaj Pinchotti.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv për Çështjet Qeveritare në “The American Legion”, organizata më e madhe e veteranëve në SHBA, Mario Marquez, evokoi kujtimet e tij nga viti 2002, periudhë kur kishte shërbyer në kuadër të misionit ushtarak në Kosovë. Ai përshkroi përvojat nga terreni dhe bashkëpunimin me banorët vendas për rindërtimin e infrastrukturës së ujësjellësit nëpër zona rurale, duke e cilësuar qëndrueshmërinë e popullit kosovar si frymëzim.

“Trashëgimia e Kosovës jeton dhe ka jetuar brenda meje gjatë gjithë jetës sime që nga viti 2002, që ishte hera e fundit që isha këtu. Ajo që njësiti ynë bëri së bashku me ata fshatarë është përkufizimi i një partneriteti të vërtetë, ku kapaciteti teknik takoi vullnetin e pandalshëm njerëzor; ne nuk u solli atyre vetëm ujin e rrjedhshëm për herë të parë, por ndërtuam një linjë jete së bashku,” deklaroi Marquez.

Të dy panelistët nënvizuan se vlerat e përbashkëta dhe partneriteti i ngushtë mes dy kombeve mbeten shtylla të fuqishme, mbi të cilat po edukohen edhe gjeneratat e reja në institucionet si UBT.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Edward P. Joseph në UBT: Roli i NATO-s është thelbësor për stabilitetin në Kosovë, por ka pengesa të jashtme

Published

on

By

Në Kampusin Inovativ të UBT-së ku u mbajt forumi akadaemik me temën “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”. Në këtë ngjarje, me një fjalim u paraqit profesori në Universitetin “Johns Hopkins” SAIS dhe eksperti i politikës së jashtme amerikane, Edward P. Joseph, i cili u fokusua në sigurinë rajonale, rrugëtimin historik të Kosovës dhe sfidat aktuale gjeopolitike.

Profesor Joseph, i cili ka një përvojë të gjatë me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ndau me audiencën kujtimet e tij nga viti 1999, periudhë kur shërbente si menaxher i kampit të refugjatëve kosovarë në Fort Dix të SHBA-së. Përmes një fotografie të asaj kohe, ai pasqyroi transformimin që ka pësuar vendi që nga periudha e luftës.

“Konfuci ka thënë se një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Kjo fotografi këtu është e vitit 1999. Ata janë refugjatët kosovarë. Kjo është shkrepur në Fort Dix, ku unë shërbeja si menaxher i atij kampi refugjatësh. Ishte një periudhë vërtet e jashtëzakonshme intensive dhe jashtëzakonisht e vështirë për fëmijët dhe prindërit e tyre, shumë prej të cilëve, natyrisht, kishin ende të afërm këtu në Kosovë. Prandaj, dikush si unë ka një vlerësim dhe mirëkuptim shumë të thellë për gjithçka që ka kaluar Kosova,” u shpreh Joseph.

Në pjesën e fjalimit që ndërlidhej me sigurinë rajonale dhe arkitekturën e mbrojtjes, profesori amerikan vuri në dukje rëndësinë e aleancës veri-atlantike në rajon, si dhe sfidat diplomatike që lidhen me integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Profesor Joseph vuri në dukje se roli i NATO-s ka qenë vendimtar jo vetëm për sigurimin e lirisë së Kosovës, por mbetet shtyllë thelbësore edhe për stabilitetin afatgjatë të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ai sqaroi se procesi i integrimit dhe anëtarësimit të vendit në organizatat kryesore ndërkombëtare po bllokohet nga pengesa të jashtme politike dhe diplomatike në arenën globale.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Profesor Edward P. Joseph vlerësoi progresin në fushën e arsimit të lartë dhe infrastrukturën akademike të krijuar nga UBT.

“Dua të falënderoj Rektorin Hajrizi për nderin që më bëri duke më pritur në këtë objekt, dhe dua t’ju përgëzoj për këtë universitet të jashtëzakonshëm që keni ngritur. Mendoj se të gjithë këtu duhet t’u japim atyre një duartrokitje të ngrohtë,” përfundoi Joseph. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti në Bondsteel: Roli i SHBA-së dhe KFOR-it mbetet i pazëvendësueshëm për paqen dhe sigurinë

Published

on

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e pranimit të Komandës së Grupit për Mbështetje Rajonale në Ballkan të Ushtrisë Amerikane nga koloneli Kurt A. Rorvik, e mbajtur në Kampin Bondsteel në Ferizaj.

Sipas njoftimit, Grupi për Mbështetje Rajonale në Ballkan vepron në kuadër të Ushtrisë Amerikane për Evropën, duke ofruar mbikëqyrje teknike, ekspertizë dhe mbështetje për Komandën Rajonale – Lindje të KFOR-it në Kampin Bondsteel.

Në njoftim theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe misioni i KFOR-it kanë një rol kyç në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe KFOR-it në përgjithësi ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin për media./A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Në Kosovë janë konfirmuar 47 raste me fruth, Prishtina dhe Ferizaj me më së shumti raste

Published

on

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 29 qershor 2026 në vend janë konfirmuar gjithsej 47 raste me fruth.

Sipas të dhënave të Institutit, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 14 raste, e ndjekur nga Ferizaj me 12 raste. Ndërkohë, në Kaçanik janë raportuar 6 raste, në Fushë-Kosovë 3 raste, ndërsa në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq nga 2 raste secila. Me nga një rast janë evidentuar komunat Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

IKShPK u bën thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqitet sa më parë në institucionin më të afërt shëndetësor.

Instituti thekson se, duke pasur parasysh përhapjen e lehtë të fruthit dhe rrezikun e komplikimeve, prindërit dhe kujdestarët duhet të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara