Lajmet

Pse nuk duhet ta shmangni pauzën e drekës?

Shumë njerëz e shohin atë kohë si një mënyrë për tu përkushtuar më shumë në projektet ku janë të angazhuar.

Published

on

Nëse keni ngrënë ndonjëherë në tavolinën tuaj të punës ose keni anashkaluar pauzën e drekës për të kryer më shumë punë, nuk jeni i vetmi që e bëni këtë. Ka edhe shumë punëtorë që veprojnë njësoj.

Shumë njerëz e shohin atë kohë si një mënyrë për tu përkushtuar më shumë në projektet ku janë të angazhuar. Të tjerë ndihen nën presion nga kolegët ose mbikëqyrësi i tyre.

Por shmangja e pauzës a ja vlen në plan afatgjatë? Hulumtimet dëshmojnë se përgjigja për këtë pyetje është “JO”. Përkundrazi, pushimet e rregullta të drekës përmirësojnë performancën në punë dhe mund t’ju bëjnë të ndiheni më të lumtur, më të shëndetshëm dhe më kreativ. AkademiPune ju përcjell tetë arsyet e bazuara në dëshmi se pse duhet të bëni një pushim dreke çdo ditë.

1.Rrit produktivitetin

Njerëzit nuk janë makina. Ne kemi një sasi të kufizuar të energjisë mendore dhe të fokusit çdo ditë. Sigurisht, ju gjithmonë mund të pini një filxhan kafeje që ju ndihmon që të jeni më të por përsëri do të arrini në një pikë ku produktiviteti juaj fillon të bjerë. Kjo është arsyeja pse pushimet veçanërisht gjatë drekës janë shumë të rëndësishme.

Pushimet e drekës ju lejojnë të shkëputeni nga stresi dhe të rimbusheni. Ata gjithashtu ju japin një nxitje energjie që ju ndihmon të përballoni pjesën tjetër të ditës. Ndërkohë, stresi i vazhdueshëm ju kursen energjinë dhe ju bën më pak produktivë. Duke ofruar një mundësi për t’u socializuar, pushimet e drekës gjithashtu mund ta bëjnë më të lehtë shoqërimin mes kolegëve, gjë që çon në përmirësimin e performancës së punës. Për shembull, zjarrfikësit që hanin së bashku gjatë pushimeve të drekës ishin më bashkëpunues dhe performuan më mirë si ekip.

2.Përmirëson shëndetin mendor

Ndarja e kohës për të ngrënë drekën larg nga tavolina juaj nuk është e dobishme vetëm për produktivitetin. Gjithashtu është shumë pozitive edhe për shëndetin mendor.

Për më tepër, kur nuk çliroheni nga stresi i lidhur me punën kjo mund të ndikoj në uljen e stabilitetit tuaj emocional, gjë që mund të çojë në sfida në vendin e punës. Kur jeni të stresuar ose keni vështirësi, mund të keni më shumë gjasa të reagoni ashpër ndaj një komenti të padëmshëm nga kolegu juaj ose të humbni durimin me bashkëshortin dhe fëmijët tuaj kur të ktheheni në shtëpi nga puna. Një pushim dreke është mënyra për të hequr qafe stresin e punës, i cili është çelësi për të mbajtur një gjendje të mirë të shëndetit mendor për të qenë më energjik dhe më pozitiv.

3.Ndihmon në kujdesin për veten

Kur përkushtoheni për vetë-kujdes duhet pasur gjithmonë parasysh që pauza e drekës ka shumë rëndësi. Të largoheni nga tavolina e punës për të shijuar drekën është një akt i kujdesit për veten që mund të shtrihet në fusha të tjera të jetës suaj. Me këtë po tregoni se gjendja juaj mendore dhe emocionale ka rëndësi. Duke vepruar kështu, ju po e vendosni shëndetin tuaj mbi punën tuaj. Për shembull, një studim i infermierëve të kujdesit paliativ zbuloi se marrja e pushimeve të rregullta të vakteve ishte një strategji efektive për përmirësimin e qëndrueshmërisë, promovimin e shëndetit mendor dhe rritjen e mirëqenies së përgjithshme. Kjo ju ndihmon që të jeni më të fokusuar edhe kur jeni jashtë punës dhe ju ndihmon që të merrni vendimet e duhura për shëndetin tuaj. Kur ktheheni nga puna të rraskapitur nga lodhja më nuk mund të shijoni asgjë.

4.Rrit kreativitetin

Kur nuk po përpiqeni në mënyrë aktive të zgjidhni problemet në punë, mendja juaj e pavetëdijshme fillon të kërkojë zgjidhje. Jeni përpjekur ndonjëherë të mendoni për emrin e një miku të vjetër, të hequr dorë dhe më pas disa orë ose ditë më vonë, ai papritmas ju ka dalë në kokë? Kreativiteti funksionon në mënyrë të ngjashme. Marrja e pauzës së drekës lejon mendjen tuaj të kërkojë zgjidhje, njohuri ose ide të reja. Pushimi i drekës gjithashtu mund të rivendosë energjinë tuaj dhe fokusin që ju nevojitet për të krijuar ide unike ose për t’iu qasur punës suaj nga një kënd tjetër.

5.Parandalon konsumimin në punë

Kjo ndjenjë e konsumimit nga puna është shumë e zakonshme, ajo manifestohet me humbjen e motivimit, mungesën e energjisë dhe ankthin për punën. Zakonisht vjen pas një periudhe intensive të punës së vazhdueshme pa pushim dhe rikuperim të mjaftueshëm.

Pushimet e rregullta të drekës mund të jenë një faktor. Një sondazh i punëtorëve të Amerikës së Veriut zbuloi se ata që bënin një pushim të përditshëm të drekës ishin më të kënaqur me punën e tyre dhe më shumë gjasa të vazhdonin të punonin në të njëjtën kompani. Kur qëndroni në tryezën tuaj për drekë, kolegët ose mbikëqyrësi juaj mund të mendojnë se është në rregull t’ju drejtohen për çështje që lidhen me punën. Fatkeqësisht, kjo mund të rezultojë që të merrni më shumë punë sesa keni menduar, duke shkaktuar stres dhe lodhje. Duke bërë një pushim dhe duke shijuar drekën tuaj, mund t’i ktheheni punës tuaj me më shumë entuziazëm dhe energji.

“Nëse mundeni, kaloni disa minuta të pushimit tuaj jashtë,” thotë Tara Tomaino, një dietologe dhe drejtoreshë ushqimore në The Park.

“Të kaloni pak kohë jashtë zyrës gjatë ditës së punës mund të ndihmojë në uljen e niveleve të stresit. Një verandë, oborr mund të jetë një vend i mrekullueshëm për të ngrënë drekë nëse punoni nga shtëpia.

Nëse dëshironi të rrisni edhe më tej reduktimin e stresit, Tamaino sugjeron të shtoni pak lëvizje në pushimin tuaj të drekës. Sipas saj, një shëtitje e shkurtër jashtë para ose pas ngrënies së drekës mund të zvogëlojë nivelet e kortizolit.

6.Ndihmon në një orar më të rregullt të ngrënies

Kur e shmangni kohën e pauzës ju krijoni një çrregullim të orarit të ngrënies. Në fakt, një studim zbuloi se studentët që kishin pushime më të shkurtra të drekës kishin më shumë gjasa të hanin ushqime të pashëndetshme.

“Është e rëndësishme të bëni një pushim dreke me qëllimin e vetëm për të ngrënë gjatë ditës. Shumë njerëz punojnë gjatë drekës së tyre ose harrojnë të hanë. Kapërcimi i vakteve, veçanërisht dreka mund ta bëjë edhe më të vështirë kalimin e atyre orëve të punës pasdite. Ushqimi i siguron trupit tonë dhe më e rëndësishmja—trurit tonë—energjinë që i nevojitet për të menduar në mënyrë kritike dhe të kryeni detyrat”, ka thënë ajo.

7.Ju ndihmon të ndiheni më të pushueshëm

Ashtu si trupi edhe truri ka nevojë për pushim. Prandaj, pushimi i duhur është vendimtar për të bërë më të mirën tuaj në punë. Në fakt, studiuesit zbuluan se punëtorët në Finlandë, të cilët bënin pushime për drekë që përfshinin shkëputjen nga puna, kishin nivele më të larta energjie dhe motivim më të madh për punën e tyre. Ju keni nevojë për atë pushim gjatë ditës ku mund të largoheni nga puna dhe të rikuperoheni. Pa këtë, ju po e shpenzoni vazhdimisht energjinë tuaj pa e rimbushur atë.

8.Zvogëlon dhimbjen e shpinës

Siç rezulton, qëndrimi i vazhdueshëm në një tavolinë gjatë gjithë ditës nuk është i mirë për shpinën tuaj. Pushimet e rregullta ku ngriheni nga tavolina juaj mund të ndihmojnë në reduktimin e dhimbjeve të shpinës dhe parandalimin e lodhjes.

Sipas Akademisë Amerikane të Kirurgëve Ortopedikë, marrja e një pushimi nga qëndrimi ulur për t’u ngritur dhe për t’u shtrirë është një nga çelësat për të parandaluar dhimbjen e shpinës dhe për të mbajtur shpinë të shëndetshme. Një pushim dreke ofron mundësinë e përkryer për ta bërë këtë./AkademiPune

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara