Kulturë

Pse ia vlen të luftosh për të lexuar një libër në vend që të kënaqesh me rrjete sociale?

Published

on

Titulli “Mediat sociale, kalbja e trurit dhe vdekja e ngadaltë e leximit”, e zgjedhur nga kritikja e librit dhe autorja Mia Levitin për artikullin e ri në “Financial Times”, përshkruan “betejën” që të gjithë ne kemi jetuar vitet e fundit, edhe ata prej nesh që më parë e deklaronim veten “krimb të librave”, pasi tani po luftojmë për të lënë mënjanë celularët dhe të shijojmë leximin e një libri.

Ajo argumenton se edhe studentët e Letërsisë kanë ndaluar së lexuari libra sot, ose të paktën i lexojnë më rrallë se në të kaluarën. citon një sondazh të fundit (Reading Agency), sipas të cilit përqindja e të rriturve që lexojnë në Britani është përgjysmuar, nga 58% më 2015, por ky është një fenomen universal. Joshja e mediave sociale është e fortë edhe ndaj atyre që e duan librin.

Gara “libra kundër mediave sociale” është padyshim e pabarabartë. Jo vetëm që mediat sociale janë krijuar për të shkaktuar shpërthime të përsëritura të dopaminës, hormonit të lumturisë në tru dhe në disa raste është krijuar një varësi, siç shpjegon neuroshkencëtarja Maryanne Wolf.

Të lexuarit është aftësi e fituar, që e kultivojmë përmes të mësuarit.

Leximi i një libri është i mundimshëm, siç e kemi kuptuar nga përvoja, por ia vlen. Ata që lexojnë rregullisht raportojnë nivele më të larta të mirëqenies dhe kënaqësisë nga jeta, gjumë të mirë, përqendrim e kreativitet.

Nuk kemi nevojë as të kemi kohë të lirë në dispozicion për të përfituar nga efekti i dobishëm i leximit: një studim tregoi se gjashtë minuta në ditë janë të mjaftueshme për të reduktuar stresin me dy të tretat.

Mund të bashkohemi me klubet e leximit të cilat do të na motivojnë të përfundojmë librin në kohë për të diskutuar në takimin e tyre të ardhshëm e të na sjellin në kontakt me njerëz me interesa të përbashkëta.

Nëse nuk mund të imagjinojmë një ditë të vetme të jetës sonë pa internet, le ta shohim leximin sikur po zhytemi në këtë botë, analoge, pa njoftime dhe reklama të vazhdueshme të na ndërpresin vëmendjen, teksa ne vazhdojmë udhëtimin drejt lumturisë të pashqetësuar. /UBT News/

Lajmet

Peja Outdoor Festival rikthehet me mbi 40 aktivitete në natyrë

Published

on

Peja do të jetë qendër e aktiviteteve outdoor nga 11 deri më 14 qershor, me organizimin e edicionit të tretë të “Peja Outdoor Festival”, festivalit të parë në Kosovë të dedikuar turizmit aktiv, rekreacionit dhe mirëqenies në natyrë.

Gjatë katër ditëve të festivalit, në Pejë dhe Rugovë do të zhvillohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore, përfshirë ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, punëtori tradicionale dhe programe për fëmijë e të rinj.

Organizatorët theksojnë se festivali synon promovimin e Pejës dhe Rugovës si destinacione të turizmit aktiv, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë natyrën, kulturën lokale dhe aktivitetin fizik në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është gara “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor dhe pritet të mbledhë rreth 300 garues nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës në kategoritë 10 dhe 23 kilometra.

Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor, nga ora 20:30, te Mulliri i Haxhi Zekës në Pejë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Muzeu “Eksodi ’99” hap dyert në Prishtinë, sjell 48 rrëfime nga dëbimi masiv i shqiptarëve të Kosovës

Published

on

Muzeu “Eksodi ’99” do të hapet të mërkurën, më 10 qershor, në ora 19:30, në ambientet e Stacionit të Trenave në Prishtinë.

I themeluar nga “Reporting House”, muzeu vjen si një kujtesë e përhershme për përjetimet e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës gjatë periudhës mars-qershor 1999, kur shqiptarët u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre përgjatë linjës hekurudhore Prishtinë–Han i Elezit.

Ekspozita paraqet 48 rrëfime të personave që përjetuan eksodin e luftës, të treguara 27 vjet më vonë. Historitë janë të ndara në katër tema kryesore: dëbimi, jeta në kampet e refugjatëve, qëndrimi te familjet mikpritëse dhe kthimi në Kosovë pas luftës.

Sipas organizatorëve, muzeu synon të ruajë kujtesën kolektive të një prej periudhave më të dhimbshme në historinë e vendit. Gjatë pranverës së vitit 1999, mijëra familje u detyruan të largoheshin nga Kosova me trena të mbushur plot, ndërsa shumë prej tyre u privuan edhe nga dokumentet personale në kuadër të fushatës së dëbimit masiv.

Në ekspozitë përfshihen edhe rrëfime të personave që nuk u larguan nga vendi, që u fshehën gjatë luftës, iu bashkuan rezistencës së armatosur ose përjetuan ngjarje tragjike, si rasti i politikanit Fehmi Agani, i cili u nxor nga treni dhe më pas u vra.

Producentja e muzeut është gazetarja Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN Kosova, ndërsa ekspozita muzeore është kuruar nga Gazmend Ejupi.

Përmes këtyre dëshmive, Muzeu “Eksodi ’99” synon të kujtojë vuajtjet, mbijetesën dhe kthimin e qytetarëve të Kosovës, duke dokumentuar një kapitull të rëndësishëm të historisë së vendit që nuk duhet të harrohet. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pianistja kosovare Lule Elezi performon në festivalin prestigjioz në Poloni

Published

on

Pianistja e njohur kosovare, Lule Elezi, është prezantuar me sukses para publikut polak në kuadër të festivalit “Supraska Wiosna Chopinowska”, që u mbajt në qytetin Supraśl të Polonisë.

Përmes një koncerti recital, Elezi interpretoi para një audience të gjerë, duke sjellë një mbrëmje të veçantë artistike në një nga ngjarjet kulturore të njohura të këtij rajoni.

Pianistja ka bërë të ditur se performanca në Supraśl ishte një përvojë e veçantë, duke e cilësuar si një mbrëmje që krijoi një lidhje të fortë emocionale mes saj dhe publikut.

“Në një qytet ku natyra, spiritualiteti dhe arti bashkëjetojnë në harmoni të plotë, pata kënaqësinë të mbaj koncert recital në kuadër të festivalit ‘Supraska Wiosna Chopinowska’. Kjo mbrëmje u bë urë e padukshme mes emocioneve të mia dhe ndjeshmërisë së publikut”, ka shkruar Elezi.

Ajo ka falënderuar organizatorët e festivalit, institucionet kulturore vendore dhe publikun për mikpritjen dhe mbështetjen, duke e cilësuar koncertin si një përvojë të paharrueshme.

Paraqitja e saj në Poloni është një tjetër sukses në karrierën ndërkombëtare të pianistes kosovare, e cila vazhdon të përfaqësojë Kosovën në skena dhe festivale të rëndësishme muzikore në Evropë. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Drini Poetik” mbledh poetë nga vendi dhe bota

Published

on

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë organizojnë edicionin e radhës të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Drini Poetik”.

Festivali mbahet sot dhe nesër në Prishtinë, Prizren dhe Kukës, duke mbledhur poetë, shkrimtarë dhe krijues letrarë nga hapësira të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare.

Në Prishtinë, festivali nis me ceremoninë e hapjes, sesione letrare dhe promovime veprash, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë më 10 qershor në Prizren dhe Kukës. Atje do të zhvillohen takime kulturore, vizita në monumente historike dhe manifestimi tradicional poetik “Valët e Drinit”, ku do të shpallen edhe çmimet letrare të festivalit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara