Lajmet

Pse Frida Kahlo vazhdon të na frymëzojë edhe 7 dekada pas vdekjes së saj

Nga Jonathan Wright.

Published

on

Nga Jonathan Wright

Sot të gjithë e ndeshim diku vështrimin e Frida Kahlos. E kudondodhur në posterat, printimet, kopertinat e librave, gotat apo bluzat, imazhi i saj është më i njohur sot se sa ishte gjatë jetës së saj të shkurtër. Ndonjëherë ajo shfaqet më tipare mashkullore, dhe ndonjëherë femërore dhe delikate.

Megjithatë ekziston gjithmonë ndjenja e një gruaje që e kuroi me kujdes imazhin e saj publik. Nuk është çudi që Kahlo përshtatet kaq lehtë në ikonografinë e botës së shekullit XXI që ka shpikur idenë e influencuesit, duke e personifikuar jo pak, pasi ky version i Kahlospërfaqëson një përzierje midis bohemizmit, heroinës tragjike dhe të jetuarit sa më mirë.

Nga ana tjetër ajo na tregon shumë Frida Kahlo-n historike, një artiste me talent të rrallë e cila u rrit në mesin e trazirave të Revolucionit Meksikan, duroi dhimbjet kronike dhe shëndetin e brishtë gjatë gjithë jetës së saj në vazhdën e martesës me artistin e famshëm meksikan, Diego Rivera, dhe nën shoqërinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX-të?

Historia e saj nis në vitin 1907 në Kojoakan, asokohe një fshat i vogël në periferi të Meksiko Siti, kur Kahlo lindi si e treta nga 4 vajzat e emigrantit gjerman Guilermo Kahlo (1871–1941) dhe Matilda Gonzalez (1874-1932), vajza e një babai indigjen dhe një nëne me origjinë spanjolle.

Guilermo ishte një fotograf i talentuar dhe i suksesshëm, edhe pse shpërthimi i Revolucionit Meksikan në vitin 1910 kjo ndikoi negativisht në punën e tij, pasi ai mbështetej tek porositë që merrte nga qeveria e përmbysur. Ndërsa marrëdhënia e Fridës me nënën e saj konservatore ishte shpeshherë e tensionuar, ajo ishte e afërt me të atin, sidomos pasi Kahlo u sëmur nga poliomieliti kur ishte 6-vjeçe.

Ajo sëmundje e la me këmbën e djathtë më të dobët dhe më të shkurtër. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht edhe dashurinë e saj për fustanet e gjata tradicionale, sepse ato e mbulonin defektin e saj fizik. Sipas biografisë së historianit të artit Hajden Herrera, përvoja e vetë Guilermos me sulmet epileptike, ndihmoi babë e bijë të krijonin një lidhje shumë të ngushtë bazuar në përvojën e përbashkët të sëmundjes.

Guilermo i mësoi vajzës së tij fotografinë dhe pikturën. Më vonë ajo do të shkruante në ditarin e saj mbi “butësinë” e tij dhe “mirëkuptimin për të gjitha problemet e mia”. Në vitin 1922, Kahlo hyri në shkollën prestigjioze “Escuela Nacional Preparatoria” (Shkolla Përgatitore Kombëtare), një nga vetëm 35 vajzat mes 2000 studentëve.

Autoritetet e shkollës përqafuan ‘indigenismo’-n, një qasje antikoloniale ndaj identitetit meksikan që luajti një rol të veçantë krijimin e një imazhi të veçantë publik nga Kahlo. Ajo filloi të pretendonte se kishte lindur në vitin 1910, se ishte “një bijë e revolucionit”.

Së bashku me shokët dhe shoqet e saj krijuan një grup të vogël të quajtur “Los Cachuchas” për shkak të kapeleve të larta që mbanin. Ato ishin rebele dhe të angazhuara politikisht dhe intelektualisht. Frida Kahlo mendonte të bëhej mjeke, derisa një aksident i tmerrshëm ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Më 17 shtator 1925, Kahlo dhe dashuria e saj e parë, Alehandro Arias, udhëheqësi jozyrtar i “Los Cachuchas”, po udhëtonin në një autobus kur ai u përplas nga një tramvaj. Disa pasagjerë vdiqën. Kahlo u ngjesh pas një parmaku prej hekuri, duke pësuar çarjes të legeni. Po ashtu iu shpua barku dhe mitra, pati disa kocka të thyera dhe shtypje të këmbës së saj të djathtë.

Mjekët dyshonin nëse ajo do të arrinte të mbijetonte. Pas rikuperimit të saj fillestar, ajo u diagnostikua se kishte 3 rruaza të zhvendosura në shtyllën kurrizore, ndaj duhej të vishte një korse prej gipsi dhe të kalonte edhe 3 muaj të tjerë shtrirë në shtrat. Marrëdhënia e saj me Ariasin, të cilën prindërit e tij nuk e miratuan, do të përfundonte pasi ai u dërgua në një turne në Evropë.

Kur po i nënshtrohej një rikuperimi të dytë të gjatë – beteja e saj me poliomielitin e kishte izoluar për 9 muaj – Kahlo nisi ta merrte seriozisht artin. Nëna e saj i dha asaj një kavalet të projektuar posaçërisht në mënyrë që Frida të mund të pikturonte në shtrat. Më vonë ajo shkroi: “Unë pikturoj veten shpesh, sepse jam subjekti që njoh më mirë”.

Në fundin e vitit 1927, megjithëse do të jetonte me dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së saj dhe do t’i nënshtrohej shumë operacioneve, Kahlo ishte mjaftueshëm mirë për t`u rikthyer tek përditshmëria. Miqtë e saj, tani në universitet, ishin përfshirë në politikën studentore.

Kahlo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane (PCM), anëtarët e së cilës përfshinin figura të tilla radikale si fotografja italo-amerikane Tina Modoti (1896-1942). Në një nga mbrëmjet argëtuese të organizuara nga Modoti, Kahlo u njoh me Diego Riverën (1886-1957), një artist i njohur tashmë.

Ajo i kërkoi Riverës të shikonte veprat e saj të artit dhe të gjykonte nëse ajo kishte ndonjë talent. “Vepra e saj rrezatonte një energji të pazakontë shprehëse, një përcaktim të saktë të karakterit. Shumë shpejt, ajo u bë gjëja më e rëndësishme në jetën time”- do të shkruante më vonë Diego.

Të dy u martuan në gushtin e vitit 1929. Matilda nuk ishte dakord që Kahlo të martohej me një bohem radikal, 20 vjet më i madh se vajza e saj, një burrë, jeta personale e të cilit ishte shumë e ndërlikuar. Ndërkohë Guilermo, i vetëdijshëm për pasurinë e Riveras dhe nevojën e së bijës për për trajtime mjekësore të kushtueshme në vitet në vijim, kishte një pikëpamje të kundërt.

Ata e quajtën çiftin me nofkën “elefanti” dhe “pëllumbi”, i tillë ishte ndryshimi në fizikun e tyre. Lajmi mbi martesën e tyre bëri bujë edhe në media ndërkombëtare. Në vitet që pasuan, Rivera nënshkroi kontrata shumë fitimprurëse për realizimin e muraleve të paguara nga industrialistët dhe financierët si Ford dhe Rokfeler.

Gjatë viteve 1930 dhe deri në vdekjen e saj në 1954, ajo e mbështeti këtë ide me një seri kanavacash, shpeshherë çuditërisht të vogla kur i shihni në ndonjë galeri, por që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ajo hapi një ekspozitë në vitin 1938 në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa i shiti tablonë “The Frame” Muzeut të Luvrit në vitin 1939.

Vepra e saj u ndikua shumë nga arti popullor meksikan, i pasur me simbolika, si para–kolumbiane ashtu edhe të krishtera. Shpesh ai ishte thellësisht politik dhe përballej me çështjet rreth gjinisë, klasës dhe racës. Marrëdhënia e saj e stuhishme me Riverën, e ndërprerë nga divorci në vitin 1939, vazhdoi sërish. Çifti u pajtua dhe u martua përsëri, edhe pse asnjëri nuk e mësoi kurrë aftësinë e besnikërisë.

Gjatë rrjedhës së marrëdhënies së tyre, Kahlo kishte lidhje me burra dhe gra, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosta Rika, Chavela Vargas. Në prill 1953, Kahlo organizoi ekspozitën e saj të parë personale në Meksikë në Galería Arte Contemporaneo.

Pakkush priste që ajo të merrte pjesë personalisht. Por, duke injoruar këshillat e mjekëve, ajo mbërriti në ceremoninë hapjes së ekspozitës me një ambulancë përpara se të çohej me barelë në shtratin e saj me katër postera, të cilin ajo e kishte rregulluar që ta zhvendoste nga shtëpia e saj në galeri. Vdiq më 13 korrik 1954 në moshën 47-vjeçare. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte embolia pulmonare, edhe pse disa besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. / “History Extra” – Bota.al

Lajmet

Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e misionit të NATO-s, gjeneralmajorin Özkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon.

Gjatë këtij takimi, komandanti Ulutaş e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Fokusi kryesor i bisedës ishte stabiliteti i sigurisë në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha globale, të cilat mund të sjellin sfida të reja.

Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e vazhdueshëm me misionin e NATO-s dhe falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në krye të KFOR-it.

Kurti dhe  Ulutas rikonfirmuan përkushtimin për të mbajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në qytetin e Prizrenit, që ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi u vërtetua se të dyshuarit kishin ushtruar presion të vazhdueshëm mbi një viktimë.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet E.K. dhe A.K., e kishin detyruar viktimën në vazhdimësi që të paguante shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë.

Presioni kishte arritur deri në atë pikë sa të dyshuarit po tentonin t’ia merrnin viktimës pronat e tij në Prizren – një shtëpi dhe dy lokale afariste – vlera e të cilave vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro.

Arrestimi i dy personave u bë në flagrancë, pikërisht në momentin kur ata po e detyronin viktimën të rregullonte dokumentacionin e nevojshëm për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe lokaleve në emër të tyre. Pas arrestimit, me urdhëresë të gjykatës, Policia ka bastisur vendbanimet e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të shërbejnë për procedurën penale.

Prokurori i Shtetit në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë të zhvatjes dhe krimit ekonomik.

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

Published

on

By

Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.

Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.

Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.

Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.

“Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.

Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.

Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.

Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.

Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.

Bashkimi Evropian, në një përgjigje më herët për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.

Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.

Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.

Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”.  /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë alarmin të mërkurën para ligjvënësve në Strasburg, duke bërë të ditur se përshkallëzimi i luftës në Iran ka goditur rëndë ekonominë e bllokut.

Sipas saj, tronditja e tregjeve ka bërë që çmimet e gazit të rriten me 50% dhe ato të naftës me 27%.

“Nëse e përktheni këtë në euro, 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë në importe të lëndëve djegëse fosile”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar me prerje se “ky është çmimi i varësisë sonë”.

Gjatë fjalimit të saj, ajo vuri në dukje se për dallim nga tregjet e jashtme, çmimi i energjisë së rinovueshme dhe asaj bërthamore evropiane ka mbetur i qëndrueshëm, duke dëshmuar rëndësinë e pavarësisë energjetike.

Presidentja e KE-së ishte e prerë në qëndrimin e saj kundër thirrjeve për t’u rikthyer te burimet ruse të energjisë si zgjidhje për krizën aktuale, duke e cilësuar këtë si një rrezik për sigurinë e bllokut.

“Ky do të ishte një gabim strategjik. Do të na bënte më të varur, më të prekshëm dhe më të dobët”, ka thënë ajo, duke hedhur poshtë çdo mundësi që BE-ja të thyejë sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus.

Von der Leyen e përfundoi fjalimin duke insistuar se Evropa duhet t’i rezistojë çdo tundimi për t’u kthyer pas, pasi rruga e vetme drejt stabilitetit është forcimi i burimeve të veta dhe largimi i plotë nga lëndët djegëse fosile të importuara nga zonat e konfliktit.

Continue Reading

Të kërkuara