Lajmet

Pse francezët po protestojnë kundër reformës së pensioneve?

Ata dolën për të protestuar ndaj reformës së pensioneve që e propozoi Qeveria.

Published

on

Protesta e së enjtes pasdite mund të jetë ogurzi për presidentin francez, Emmanuel Macron. Rreth 80 mijë njerëz u mblodhën në Paris dhe mbi një milion në të gjithë Francën, më shumë se në çdo protestë tjetër franceze qe mbi një dekadë. Ata dolën për të protestuar ndaj reformës së pensioneve që e propozoi Qeveria, të cilën as disa ekonomistë nuk e miratojnë.

Protestuesit në rrugën që çon nga Place de la Republique në Place de la Bastille në Parisin verilindor mbanin pankarta, në të cilat shkruante “Unë e dua pensionin tim” dhe “Kjo [reformë] nuk është e pashmangshme, ajo nuk krijon drejtësi sociale”.

35-vjeçari Frank Lopes Costa ishte një nga protestuesit.

“Kjo nuk është protestë vetëm për pensionet. Planet po vënë një pikëpyetje në zemrën e sistemit tonë shoqëror”, tha mësuesi për DW.

“Me të vërtetë është periudhë e vështirë edhe për shkak të rritjes së çmimeve. Shoqëria jonë po bëhet gjithnjë e më e orientuar drejt tregut, por ne nuk e duam këtë”, shtoi ai.

Sondazhet tregojnë se 70% e francezëve janë kundër propozimit për reformim të sistemit të pensioneve.

Demografia e keqe e Francës

Megjithatë nga qeveria thonë se reforma është e domosdoshme për të shpëtuar sistemin francez të pagesës, ku punëtorët paguajnë pensionet nëpërmjet taksave të tyre.

“Raporti i punëtorëve ndaj pensionistëve është në rënie dhe kjo po kërcënon sistemin tonë. Me këtë projekt, ne do të garantojmë të ardhmen e modelit tonë të pensionit”, tha kryeministrja Elisabeth Borne para Senatit gjatë mesit të muajit janar.

Për dallim nga vendet e tjera evropiane, sistemi i pensioneve të Francës nuk përfshin asnjë element të financuar nga kapitali. Sistemi i pensioneve përfshin degët e përgjithshme për punonjësit privatë dhe nëpunësit publikë dhe 27 të ashtuquajturat skema të veçanta pensioni për shembull për balerinët ose oficerët e policisë që përfitojnë nga një pension më i hershëm.

Qeveria franceze aktualisht synon të rrisë moshën e përgjithshme minimale të sistemit të pensioneve nga aktualisht 62 në 64 vjeç deri në vitin 2030. Dhe nga viti 2027 e tutje, njerëzit duhet të punojnë për 43 vjet, në vend të 42 sa është aktualisht, për të marrë një pension të plotë.

Ekonomistët të pavendosur rreth pasojave

Prandaj, disa ekonomistë, përfshirë Jean-Marc Daniel, mendojnë se mosha e pensionit duhet të rritet.

“Në vitin 1950, katër punëtorë financonin një pensionist. Në vitin 2000, ky raport ishte dy me një. Në vitin 2040, jo më shumë se 1.3 punëtorë do të financonin një pension. Pesha financiare mbi ta do të bëhet e padurueshme”, shpjegoi profesori i ekonomisë.

Philippe Crevel, ekonomist dhe kreu i institutit kërkimor që ndodhet në Paris, Cercle de l’Epargne, është dakord.

“Kjo reformë është e nevojshme sepse ne duhet të fusim më shumë njerëz në fuqinë punëtore për të nxitur rritjen ekonomike”, shpjegoi ai për DW. “Norma e punësimit mes të moshuarve është relativisht e ulët në Francë në krahasim me vendet e tjera, rritja e pensionit minimal do ta rriste atë normë”.

Ka edhe ekonomistë francezë që e kundërshtojnë. Në mënyrë paradoksale, ata po i bazojnë argumentet e tyre në të njëjtin raport që qeveria ka paraqitur për të justifikuar reformën e saj.

Michael Zemmour, ekonomist në Universitetin e Sorbonës Paris 1, beson se qeveria ka motive të fshehta.

“Sistemi ynë i pensioneve është mjaft i shëndetshëm, pasi reformat e mëparshme tashmë kanë rritur moshën aktuale të pensionit”, tha ai për DW. “Qeveria dëshiron vetëm të balancojë buxhetin e saj, gjithashtu të kompensojë ndikimin e zbritjeve të taksave për kompanitë. Ato, pak nga pak, po çmontojnë modelin tonë social”.

Henri Sterdyniak, ekonomist në institutin e majtë në Paris, Observatoire Francais des Conjonctures Economiques, shton se planet do të godasin veçanërisht rëndë klasën punëtore.

“Njerëzit me diplomë universitare duhet të punojnë përtej moshës minimale të pensionit në çdo rast për të marrë pension të plotë, pasi kanë filluar punën më vonë”, tha ai për DW. “Por ata që janë më pak të kualifikuar dhe kanë hyrë në tregun e punës shumë herët do të ndikohen, pasi ata do të kishin grumbulluar tashmë numrin e viteve të punës që nevojiten për një pension të plotë deri në moshën 62-vjeçare”.

Një marrëdhënie e veçantë me punën

Duke pasur parasysh mosmarrëveshjet midis ekonomistëve, nuk është për t’u habitur që mbështetja për reformën është e ngadaltë, thotë Daniele Linhart, një sociologe e specializuar në marrëdhëniet e punës dhe drejtore në institucionin kërkimor publik CNRS.

“Ekspertët në media na vërshojnë me shembuj dhe analiza të vështira për t’u kuptuar”, tha ajo për DW. “Njerëzit e kanë kuptuar se opinionet e tyre varen nga ideologjia në të cilën besojnë. Vërtet varet nga pyetja se në çfarë lloj shoqërie duam të jetojmë – një shoqëri e sunduar nga racionaliteti i orientuar nga tregu ose një që fokusohet në reduktimin e pabarazive”.

Për më tepër, sociologia thotë se francezët janë veçanërisht të prekshëm kur bëhet fjalë për çdo gjë që lidhet me punën – për arsye historike.

“Ne kemi një marrëdhënie shumë specifike me punën që daton që nga Revolucioni Francez, i cili mishëroi faktin se kur je në gjendje të shesësh kapacitetin tënd për të punuar, je një qytetar i lirë”, tha ajo.

“Puna është bërë një simbol, edhe në kontekstin e luftës së klasave, dhe njerëzit kanë luftuar për të drejtën për të dalë në pension në një moshë të caktuar”, shtoi Linhart.

Dhe mesa duket ata nuk janë të gatshëm të heqin dorë lehtë nga kjo e drejtë. Ditët e ardhshme të grevave tashmë janë planifikuar./UBTNews/

lajme

Operacioni “Heshtja”: Goditet grupi kriminal i kokainës në Prishtinë, arrestohen 6 persona dhe sekuestrohen mbi 300 mijë euro drogë e asete

Published

on

By

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka goditur një grup të organizuar kriminal që dyshohet për trafikim dhe shpërndarje të kokainës. Operacioni i gjerë policor, i koduar “Heshtja”, është realizuar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, pas një hetimi të gjatë të zhvilluar përmes masave të veçanta hetimore.

Sipas Policisë, hetimet kanë zbardhur funksionimin e këtij grupi me strukturë të organizuar dhe nivele të qarta hierarkike, duke nisur nga personat e dyshuar në nivel drejtues e deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë. Gjatë aksionit antidrogë – të asistuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, patrullat policore të kryeqytetit, Njësia e Forenzikës dhe Njësia K9 – janë bastisur disa lokacione, me ç’rast janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Në cilësi të provave materiale, gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar: Rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të dyshuara të marihuanës, një substancë e panjohur dhe tableta të dyshuara të ekstazisë; Rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme (euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë); Gjashtë vetura të markave luksoze dhe të ndryshme, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan; Ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, si dhe stoli të çmuara; Një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve; Telefona mobilë, pajisje elektronike, të komunikimit dhe të vëzhgimit, si dhe dokumente e shënime të ndryshme.

Bazuar në çmimin e tregut të rrugës, vetëm sasia e kokainës së sekuestruar vlerësohet rreth 111 mijë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë. Policia e Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe goditjen e grupeve kriminale në të gjitha nivelet, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Rita Ora bëhet pjesë e filmit të ri fantastiko-shkencor “The Signalers”

Published

on

By

Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të jetë pjesë e kastit të filmit të ri fantastiko-shkencor dhe thrillerit aventuresk “The Signalers”. Sipas revistës Variety, ajo do të ndajë ekranin me aktorin Tom Hopper, i njohur për rolet në serialet “The Umbrella Academy” dhe “The Terminal List”, si dhe me aktoren e re Mila Harris, e cila po shënon ngritje në Hollywood përmes projekteve “No Exit” dhe “Mary”.

Në kastin e këtij projekti janë përfshirë gjithashtu Missi Pyle (“Galaxy Quest”) dhe Nolan North (“Uncharted”), ndërsa në role mbështetëse do të paraqiten edhe Paulina Alvarez, David Silverman dhe Wolfgang Fiegl. Filmi, i cili është projekt i kompanisë Gramercy Park Media, tashmë ka nisur xhirimet. Skenarin e ka shkruar Cate Carson, e cila ka një të kaluar si detektive dhe specialiste e inteligjencës ushtarake, ndërsa regjinë e mban Gille Klabin, i njohur për filmin “The Wave”.

Ngjarja e filmit përqendrohet te një kontrollor i trafikut ajror (Tom Hopper), i cili punon në një zonë të izoluar, dhe mbesa e tij (Mila Harris), me të cilën ka një marrëdhënie të shkëputur. Jeta e tyre merr një kthesë të pazakontë kur zbulojnë një sinjal të pashpjegueshëm në thellësi të një zone të egër në Kanada, i cili shkakton fenomene të çuditshme e të rrezikshme dhe i shtyn të nisin një udhëtim për të zbuluar origjinën e tij.

Gjatë kërkimeve, ata hasin në një grup shkencëtarësh hulumtues, rolet e të cilëve luhen nga Rita Ora dhe Missi Pyle, që po ashtu janë në gjurmët e këtij fenomeni. Megjithatë, përpjekjet e tyre i çojnë pa dashje drejt zbulimit të një force të jashtëtokësore të varrosur prej kohësh, e cila nis të zgjohet rreth tyre. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Marta Kos shpreh keqardhje për këngën nacionaliste serbe në Bruksel, fajëson muzikantët

Published

on

By

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhjen për lëshimin e muzikës së këngës nacionaliste serbe gjatë koncertit të organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel, duke ua lënë fajin muzikantëve për përzgjedhjen e melodisë.

Kos ka theksuar se kjo këngë nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian dhe se institucionet evropiane janë të vetëdijshme për sakrificat e njerëzve në atë rajon në të kaluarën.

“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, ka deklaruar Kos.

Duke folur më tej për nevojën e pajtimit rajonal pa e harruar të kaluarën, komisionerja shtoi se synohet ndërtimi i një Evrope ku dallimet nuk e pengojnë zhvillimin.

“Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, lidhur me vërejtjen e KOHËS se pse për të dytën herë me radhë askush nga Kosova nuk është ftuar në këtë ngjarje të rëndësishme, Kos e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se “ky konstatim nuk është i vërtetë” dhe ka përmendur se si pjesëmarrëse është ftuar Donika Emini nga shoqëria civile. /KOHA/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria e Kosovës ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe. Në mbledhjen e mbajtur të hënën, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky vendim vjen si kundërmasë ndaj Serbisë, e cila prej gjashtë vjetësh po bllokon linjat ndërkufitare për tregtim.

Ndalimi përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes transitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta.

“Së pari do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen nëse nuk ka reflektim”, ka theksuar Kurti.

Për t’u përballur me vështirësitë e krijuara si pasojë e veprimeve të Serbisë, ai ka bërë të ditur se do të obligohet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, ndërsa do të vendosen edhe masa emergjente në sektorin e energjisë, të cilat përfshijnë obligimin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” për ta shitur energjinë e shërbimit publik.

Sipas kryeministrit, në muajin dhjetor bëhen gjashtë vjet prej kur Kosova ka fituar pavarësinë energjetike, dhe që nga ajo kohë Serbia po bllokon alokimin komercial dhe tregtimin në linjat ndërkufitare me Kosovën, duke shkaktuar dëme financiare dhe duke rrezikuar furnizimin me energji.

“Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, por ajo pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë transit nga Serbia”, është shprehur Kurti. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara