Ushqimet e përpunuara që mund të dëmtojnë më shumë shëndetin e trurit, sipas një studimi të ri, janë mishi i përpunuar dhe pijet e gazuara me sheqer.
Një ekip studiuesish nga Universiteti Virginia Tech ka zbuluar se personat që konsumojnë rregullisht këto produkte kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar probleme njohëse, përfshirë çrregullime që lidhen me demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit, raporton Science Alert.
Studimi u mbështet në të dhënat e Universitetit të Michiganit për Shëndetin dhe Pensionimin, ku u analizuan 4,750 amerikanë mbi 55 vjeç, të ndjekur për një periudhë shtatëvjeçare (2014–2020). Çdo dy vjet, pjesëmarrësit i’u nënshtruan testeve të kujtesës dhe aftësive njohëse, duke përfshirë kujtimin e menjëhershëm, kujtimin e vonuar, llogaritje të thjeshta dhe ushtrime për përqendrim.
Rezultatet treguan se 1,363 persona zhvilluan probleme me kujtesën. Ata që konsumonin një racion mishi të përpunuar në ditë kishin 17% më shumë rrezik për çrregullime njohëse, ata që pinin çdo ditë pije të ëmbëlsuara – si kola, çaj i ftohtë me sheqer apo lëngje frutash industriale – kishin 6% më shumë rrezik.
Megjithatë, studimi nuk gjeti një lidhje të fortë mes konsumit të përgjithshëm të ushqimeve ultra të përpunuara dhe rritjes së rrezikut për probleme njohëse, përveç mishrave të përpunuar dhe pijeve me sheqer. Ushqime të tjera si gatimet e gatshme, ëmbëlsirat, snack-et e kripura apo produktet e bulmetit dhe drithërave nuk rezultuan me ndikim të njëjtë negativ.
Autorët theksojnë se shmangia e këtyre dy kategorive kryesore mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të trurit.
“Ka gjëra që mund t’i ndryshoni. Sekreti është moderimi dhe balanca në zgjedhjet ushqimore,” – deklaroi profesoresha Brenda Davy, autore e studimit.
Ndikimi i ushqimeve të përpunuara është më i madh sesa mendojnë shumica e njerëzve. Vetëm më 2020, 65% e ushqimeve dhe 38% e pijeve të blera nga familjet amerikane përbëheshin nga produkte të përpunuara me ngjyrues, aromatizues e përbërës artificialë që mungojnë në ushqimin e përgatitur në shtëpi.
Një tjetër autor i studimit, Ben Katz nga Virginia Tech, sugjeroi se edukimi ushqimor mund të jetë pjesë e zgjidhjes: “Nuk mjafton të ndjekësh një dietë. E rëndësishme është t’u japësh njerëzve aftësitë për të gatuar sipas asaj diete,” – u shpreh ai. /A.Z/UBT News/