Lajmet

Pse duhet të shkoni në një intervistë pune edhe nëse nuk dëshironi?

Published

on

Kur jeni duke kërkuar punë, është shumë normale të mbushni aplikacione dhe të dërgoni CV-në për më shumë se një pozitë pune. Në disa prej tyre, mund edhe të mos keni shumë pritshmëri. Mirëpo, çka ndodhë nëse në njërën nga intervistat ku jeni ftuar, nuk keni interes dhe dëshirë të shkoni?Ju mund të mendoni që do ta humbni kohën tuaj dhe të njerëzve të tjerë duke diskutuar një rol që nuk ju intereson. Por në realitet, ka shumë arsye pse duhet të merrni pjesë në një intervistë pune, edhe nëse nuk keni ndërmend të merrni punën. Njëra ndër to është se asnjëherë nuk e dini se çka ka prapa.Ne ju sjellim disa arsye se pse rekomandohet të merrni pjesë në të gjitha intervistat e punës, pavarësisht dëshirës.

Përvoja ju ndihmon
Ndonëse intervistat e punës janë shpeshherë shumë stresuese, ato janë eksperiencë në vete dhe mund t’ju ndihmojnë të fitoni më shumë besim. Edhe nëse jeni ftuar për t’u intervistuar për një rol të cilin nuk e keni interes më, duke u takuar me panele të ndryshme rekrutimi, ju fitoni përvojë, përvetësoni më shumë aftësi dhe të gjitha këto mund t’i përdorni në të ardhmen. Kjo ua mundëson të tregoheni të suksesshëm në intervista të tjera, si dhe të merrni vendin e punës të cilin e doni.

Zgjerimi i rrjetit mund t’ju ndihmojë në karrierën tuaj
Një tjetër arsye se pse duhet të merrni pjesë në intervista të ndryshme të punës, është sepse ju shndërroheni në një kandidat të fortë për t’u intervistuar. Ju nuk do ta keni problem të flisni me njerëz të rinj, të krijoni kontakte dhe të zgjeroni rrethin tuaj. E gjithë kjo, mund t’ju ndihmojë shumë në karrierën tuaj në të ardhmen. Secila intervistë në të cilën merrni pjesë, ju jep mundësinë të takoni persona të rinj dhe të krijoni lidhje të reja. Një gjë e tillë, mund t’ju sjellë edhe mundësi të reja të karrierës.

Ndoshta mund t’ju pëlqejë puna
Mund të ndodhë që pozita e punës apo përshkrimi i punës nuk ju janë dukur sikur ndeshen me kualifikimet e juaja por ju gjithsesi keni aplikuar sepse keni qenë vazhdimisht në kërkim të një pune. Mirëpo, është pikërisht pozita e punës që nuk e dëshironi për të cilën ju kanë ftuar në intervistë. Pasi të merrni pjesë në intervistë, mund ta kuptoni se është pikërisht ai vendi ideal i punës për ju dhe puna është më tërheqëse se sa e mendonit. Jo më kot thuhet që libri nuk duhet të gjykohet nga kopertina, prandaj merrni pjesë në secilën intervistë që ju ftojnë. Puna që në fillim mund t’ju duket e mërzitshme, mund të jetë në fakt puna që do ta konsideroni seriozisht.

Kompania e njëjtë mund t’ju ofrojë rol tjetër në të ardhmen
E ardhmja mund të sjellë plot mundësi të reja. Një punë më e mirë mund të ofrohet nga e njëjta kompani në të ardhmen. Nëse shkoni në intervistë për punë por jeni të bindur që nuk e dëshironi atë vend pune, ka shumë gjasa që do të largoheni nga intervista duke u ndjerë në të njëjtën mënyrë. Mirëpo, nëse arrini të lini një përshtypje të mirë tek njerëzit me të cilët bisedoni në atë kompani, do të rrisni gjasat që të njëjtit t’ju kontaktojnë herën tjetër kur të hapet një mundësi më e mirë. 

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti takohet me zyrtarët francezë, diskutojnë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024” nga organizata France Sport Expertise.

Në takim është diskutuar për përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke përfshirë bashkërendimin institucional dhe infrastrukturën e nevojshme.

Kurti ka thënë se nga përfaqësuesit francezë kanë marrë këshilla lidhur me veprimet që duhet të kenë përparësi në këtë proces, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin e projekteve.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përcaktimit të afateve, ndarjes së përgjegjësive, kostove dhe burimeve të financimit.

Kurti ka rikujtuar se në fund të muajit korrik është nënshkruar marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, si dhe Deklarata e Synimit për themelimin e Komitetit të Përbashkët për këto lojëra.

Sipas tij, këto marrëveshje e bëjnë Francën një partnere të rëndësishme në organizimin e “Prishtina 2030”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara