Partia Socialdemokrate ka vendosur letra ngjitëse me logon e KEDS-it në veturat zyrtare të Qeverisë së Kosovës. Sipas anëtarëve të kësaj partie Qeveria po e rrit buxhetin dhe është vënë në shërbim të kompanisë KESCO.
Nol Nushi nga PSD ka thënë se me financat që po i ndahen kësaj kompanie po i bëhet padrejtësi buxhetit publik.
“Ne sot po duam të ripotencojmë këtë padrejtësi që po i bëhet buxhetit publik dhe një tentativë tjetër për rritje të çmimit të energjisë, paramendoni të shtunën në vikend në ora nëntë e gjysmë të natës Qeveria mblidhet me urgjencë online dhe me një proces tepër jotransparent i ndanë ekstra 15 milionë euro për KEDS-in”, ka thënë Nushi.
Ai thënë në këtë periudhë me krizë energjetike vetëm KEDS po i vazhdon përfitimet ndërsa qytetarët po humbin.
“Tashmë kjo qeveri është totalisht në shërbim të Korporatës së Distribucionit të Energjisë-KEDS-it, dhe sot këto vetura të qeverisë dhe punëtorëve të kësaj qeverie nuk janë më vetura të qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve mirëpo këto muaj të dimrit kanë qenë totalisht vetura dhe zyrë në shërbim të KEDS-it. Për ne është e papranueshme qysh një qeveri e tërë vihet në kontrollin e një kompanie private dhe shantazhohet totalisht nga ajo”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se janë në pritje të vendimit të ZRrE-së lidhur me çmimin e energjisë elektrike derisa ka shtuar se komentet më të mira për këtë çështje i kanë dhënë qytetarët përmes protestës së 29 janarit.
“Ne po i presim vendimet e ZRrE-së, mirëpo shenjat janë ogurzeza sepse një vendim i tillë të merret në gjysmë të natës, pa kurrfarë transparence, vetëm tregon çfarë vendimi do të bie edhe ZRRE-ja tash e tutje”, ka shtuar Nushi pas aksionit në oborrin e Qeverisë.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, sot gjatë ditës në një konferencë për media deklaroi se tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të ZRrE-së.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.
Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/
Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.
Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.
Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.
Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.
Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.
Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.
Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.