Lajmet

Prokurori special thotë se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në të cilat dyshohet se ka armatim

Aksioni ende po vazhdon.

Published

on

Prokuroi special i rastit në veri, Naim Abazi ka thënë se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se kanë armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast.

Prokurori Abazi po ashtu për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se aksioni është ende në procedurë dhe se po merren edhe disa veprime shtesë.

“Jemi në atë drejtim, tu punu hala në atë drejtim, për me mujt me identifiku edhe persona tjerë që janë të përshirë në këtë aktivitet kriminal”, ka thënë Abazi.

Gjithashtu Abazi bëri të ditur se janë sekuestruar edhe disa kamera në lokacionin e manastirit lidhur me këtë ngjarje.

“Jemi tu i identifiku edhe kamerat dhe lokacionet e ndryshme po ashtu kemi sekuestruat disa kamera, dëshmitaret jemi tu identifiku janë plotë veprime tjera që ndoshta s’mundem me t’i lisitu për shkak të hetimeve që janë tu u ba”, tha tutje prokurori Abazi.

Në vijim, Abazi ka deklaruar se nga Prokuroria Speciale do të parashtrohen edhe kërkesa për paraburgime.

“Po patjetër, po, po do të ketë veprime dhe do të ketë kërkesa që do të adresohen edhe përmes gjykatës edhe veprime tjera”, ka thënë prokurori Abazi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas PSRK-së, të ndaluarit dyshohen për disa vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar PSRK-ja.

Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua./BetimipërDrejtësi

Lajmet

Islam Selmani i artë, medalja e 7-të për Kosovën

Published

on

By

Islam Selmani ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke fituar medaljen e artë dhe duke i sjellë Kosovës medaljen e shtatë në këto Lojëra.

Karateisti kosovar triumfoi në finale dhe u shpall kampion, duke shkruar një faqe të rëndësishme për karatenë e Kosovës.

Kjo është medalja e parë e artë për Kosovën në karate në “Taranto 2026” dhe medalja e shtatë e delegacionit kosovar.

Një paraqitje fantastike e Islam Selmanit, i cili tashmë është kampion i Lojërave Mesdhetare.

D.L

Continue Reading

Lajmet

“Ku-Fest” nis edicionin e tretë në Kumanovë, sjell teatrin shqiptar dhe artistë nga rajoni

Published

on

Edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrit “Ku-Fest” ka nisur në Kumanovë, duke sjellë në skenë një program të pasur artistik dhe teatrin shqiptar.

Pas ceremonisë së hapjes, publiku ka ndjekur shfaqjen “Rinoqerontët” të Eugène Ionesco-s, me regji të Vasil Vasilev dhe në interpretim të Teatrit Shqiptar – Shkup. Shfaqja ka shënuar hapjen zyrtare të programit teatror të festivalit.

Mbrëmja ka vijuar me muzikë live nga “Nezafete Shala dhe Melodia e Vjetër”, duke krijuar atmosferë festive për të pranishmit.

Programi i “Ku-Fest” vazhdon sonte, më 1 shtator, me shfaqjen “Vetmi në perëndim” të Martin McDonagh, në produksion të S.H.E. Kulturës – Abdulla Krashnica dhe Teatrit të Qytetit – Preshevë, me regji të Afeida Boriqit.

Festivali synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për teatrot dhe artistët e rajonit, përmes shfaqjeve dhe aktiviteteve që promovojnë kulturën, artin dhe bashkëpunimin ndërkufitar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis vitin e ri shkollor UBT International Smart Schools

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan është shënuar zyrtarisht fillimi i vitit të ri shkollor 2026/27 për UBT International Smart Schools. Në ceremoninë morën pjesë nxënës, prindër, themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe stafi arsimor, duke konfirmua përkushtimi për një arsim modern të mbështetur në akreditimin e marrë nga Cambridge International Education.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, nënvisualizoi vizionin e UBT International Smart Schools për formimin e krijuesve të së ardhmes.

“UBT International Smart Schools bazohen në një vizion të qartë: vendosjen e nxënësit në qendër dhe lidhjen e dijes me praktikën, teknologjinë e inovacionin. Akreditimi nga Cambridge është sa njohje ndërkombëtare, aq edhe përgjegjësi për të ruajtur cilësinë. Në këtë epokë të inteligjencës artificiale e robotikës, synimi ynë është që nxënësit të mos jenë thjesht përdorues të teknologjisë, por krijuesit e së ardhmes”, u shpreh Hajrizi.

Përmes qasjes në infrastrukturën e UBT Smart City, nxënësit do të kenë në dispozicion laboratorë të avancuar me fokus të veçantë te inteligjenca artificiale, programimi, robotika dhe teknologjitë digjitale. Po ashtu, rëndësi do t’i kushtohet zhvillimit fizik përmes fuqizimit të Akademisë dhe Klubit Sportiv të shkollës.

Zëvendësdrejtoresha Shqipe Agushi u shpreh se objektivi kryesor mbetet zbulimi dhe zhvillimi i talentit të secilit nxënës përmes mjediseve inovative. Me këtë model arsimor multidisiplinar, UBT International Smart Schools hyn në vitin e ri shkollor me synimin e qartë për të përgatitur gjeneratat e reja me aftësitë e nevojshme për tregun global.

Continue Reading

Lajmet

Çeku viziton SBAShK-un me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor

Published

on

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me zëvendësministrin në detyrë, Përparim Kryeziu, ka vizituar SBAShK-un me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027.

Ata janë pritur nga kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri.

Gjatë takimit është diskutuar për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, rolin e mësimdhënësve, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit arsimor, si dhe për synimin e përbashkët për rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Ministri Çeku ka uruar një vit të mbarë shkollor për mësimdhënësit dhe nxënësit, ndërsa ka falënderuar përfaqësuesit e SBAShK-ut për mikpritjen dhe bashkëpunimin.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar vizitën e zyrtarëve të MASh-it dhe ka shprehur mbështetjen e sindikatës për Strategjinë e Arsimit 2035+, të cilën e ka cilësuar si dokument të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit gjatë dekadës së ardhshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara