Lajmet

​Zeqiri: PK tregoi profesionalizëm, duhet të jetë prioritet për qeverinë

Zeqiri thekson se si rezultat i kryerjes së punës në mënyrë profesionale, janë shmangur pasoja tjera më të mëdha.

Published

on

Policia e Kosovës ka arritur që dje (e diel) në mënyrë profesionale të kryejë detyrën e vet, kur u përball me terroristët serbë në veri të vendit. Kështu thotë kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, derisa shton se humbja e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra në Banjskë të Zveçanit tregon se zyrtarët policorë nuk e kursejnë as jetën e vet.

Derisa konsideron se dje vendi u përball me agresion nga grupe kriminale të dirigjuara nga Beogradi, Zeqiri thekson se si rezultat i kryerjes së punës në mënyrë profesionale, janë shmangur pasoja tjera më të mëdha.

“Rasti që ka ndodhur… në pjesën veriore të vendit është një rast i organizuar kriminal nga grupe kriminale që ne dyshojmë çdo herë që ato janë të dirigjuara nga politika e Beogradit. Unë mund ta them shumë lirshëm që është një agresion ndaj shtetit të Kosovës e që dihet që ataku me ata që atakojnë, kushdo që e sulmon Republikën e Kosovës, janë Policia e Kosovës sepse vetëm ne kemi autorizime ligjore dhe kushtetuese për ta mbrojtur rendin, qetësinë dhe integritetin e këtij vendi, prandaj zyrtari policor, tani më i ndjeri është vrarë në mbrojtje të integritetit të Republikës së Kosovës, njëjtë edhe plagosja e zyrtarit tjetër policor. Kjo ka mundur të jetë edhe më tragjike, prandaj mund të them shumë lirshëm që Policia e Kosovës ka një strukturë mjaft profesionale dhe me përvojë për ta mbrojtur në çdo cep Republikën e Kosovës”, thotë Zeqiri.

Zeqiri thotë se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të ketë prioritet Policinë, kur kjo e fundit po tregon gjithnjë profesionalizimin e saj.

“Definitivisht Policia e Kosovës duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës duke treguar gjithë këtë profesionalizëm, gjithë këtë mund, gjithë aktivitet e gatishmëri duke mos kursyer as jetën e vet. Definitivisht, unë mendoj se jemi shtylla numër një në Republikën e Kosovës dhe vërtet duhet të trajtohemi të tillë, prandaj për Policinë e Kosovës vetëm mund të themi fjalë të mira dhe lëvdata, por duhet gjithsesi të orientohet edhe Qeveria nga Policia e Kosovës dhe t’i plotësojë të gjitha ato kushte edhe ato çfarë mungojnë. Policia e Kosovës e ka dëshmuar veten që duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës”, vijon Zeqiri.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë se qeveria duhet të bëjë shumë edhe për familjen e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra dje nga terroristët serbë.

“Për çdo zyrtar policor që humb jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ashtu sikur për rastin e sotëm, ne kemi të rregulluar disa procedura, do të thotë ka përkujdesje nga vetë institucioni i Policisë së Kosovës dhe nga qeveria. Se çfarë do të bëjë qeveria nuk e di, ndërsa ne e kemi të rregulluar që i jepet një shpërblim për mundin dhe familja e tij, bashkëshortja dhe fëmijët të marrin 80 përqind të pagës bruto, kështu është vepruar edhe më herët dhe kështu do të veprohet edhe në vazhdimësi… Qeveria duhet të bëjë shumë për këtë rast, një përkujdesje e vazhdueshme unë besoj që do të ndodh”, thotë ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.

Lajmet

Erdogan uron Shiroka-Pulën: Turqia mbetet partnere e Kosovës

Published

on

By

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar një letër urimi presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e marrjes së detyrës shtetërore. Në emër të popullit turk dhe në emrin e tij personal, Erdogan shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve do të konsolidohen edhe më tej.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidentes, bëhet e ditur se kreu i shtetit turk ka theksuar besimin e tij të plotë se bashkëpunimi shumëdimensional do të vazhdojë të zhvillohet edhe në periudhën e ardhshme.

Erdogan nënvizoi se ky partneritet do të vijojë të japë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal gjatë mandatit të presidentes Shiroka-Pula.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Konjufca takon homologun estonez në Varshavë: Diskutohet integrimi evropian dhe siguria në Ballkanin Perëndimor

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në kuadër të Forumit të Sigurisë që po heldet në Varshavë.

Në qendër të bisedimeve ishte perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës dhe lidhja e saj e ngushtë me sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Konjufca theksoi se kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus dëshmojnë se paqja kërkon angazhim të vazhdueshëm, ndërsa integrimi evropian i Kosovës shërben në forcimin e sigurisë së vetë Evropës.

Gjatë takimit, Konjufca vlerësoi rolin e Estonisë në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike, si dhe shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme dhe vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kërkohet angazhim i diplomacisë parlamentare për ish-krerët e UÇK-së dhe mbikëqyrje e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme u kërkua rritja e angazhimit përmes diplomacisë parlamentare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, theksoi se çështja e të akuzuarve dhe të dënuarve në shkallë të parë në Hagë duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të planit të punës, duke shfrytëzuar grupet e miqësisë për mbrojtje diplomatike, ligjore dhe lobuese.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi përcaktimin e mbikëqyrjes ligjore si obligim parlamentar për këtë sesion. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, nënvizoi nevojën për një mekanizëm mbikëqyrës ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse sa i përket procesit të dialogut me Serbinë dhe zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një strategjie të përbashkët që tejkalon bindjet partiake në interes të vendit. Në këtë mbledhje, e cila ishte e para pas konstituimit të komisionit më 13 shtator, u miratua edhe Projektligji për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore. /Kosova Press/

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara