Lajmet nga UBT

Profesori ndërkombëtar nga Paraguai, Juan Pane, zhvilloi dy ligjërata tematike me studentët e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT

Published

on

Profesori i njohur në fushën e Open Data dhe Shef i Inovacionit në Qendrën për Zhvillim të Qëndrueshëm në Paraguai, Juan Pane, vizitoi Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, ku pati mundësinë të takonte stafin akademik dhe studentët, si dhe të kontribuonte me dy ligjërata të veçanta për studentët.

Gjatë takimeve me studentët e vitit të dytë të Shkencave Kompjuterike, Profesori Pane ndau përvojat e tij mbi zhvillimin dhe aplikimet e të dhënave të hapura, duke theksuar rëndësinë e këtyre të dhënave në nxitjen e transparencës dhe inovacionit në epokën digjitale.

Ai foli për sfidat dhe përfitimet që sjell kjo fushë në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve publike dhe ndihmesën në vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Vizita e Profesor Pane shënon një hap të rëndësishëm për UBT-në në angazhimin për të sjellë njohuri ndërkombëtare dhe përvoja nga ekspertë globalë direkt te studentët.

lajme

Profesoresha e UBT-së, Jeta Kiseri – Kubati dhe Alumni i Stomatologjisë, Diona Panxhaj, publikojnë studim shkencor me universitete nga Meksika dhe Maqedonia e Veriut

Published

on

By

Një tjetër sukses në fushën e kërkimit shkencor vjen nga UBT, përmes një bashkëpunimi ndërkombëtar mes Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Fakultetit të Stomatologjisë të National Autonomous University of Mexico (UNAM) dhe Fakultetit të Stomatologjisë të Maqedonisë së Veriut.

Profesoresha e UBT-së, Dr. Jeta Kiseri – Kubati, ka publikuar studimin shkencor me titull “Bleeding on Probing Associated with Two Different Bonded Fixed Retainers: A 12-Month Evaluation” në revistën prestigjioze International Journal of Biomedicine, duke sjellë rezultate të rëndësishme në fushën e ortodoncisë dhe shëndetit periodontal.

Një aspekt i veçantë i këtij publikimi është përfshirja si bashkautore e ish-studentes së UBT-së, tashmë alumne, Diona Panxhaj, e cila vazhdon të kontribuojë në aktivitete kërkimore shkencore edhe pas përfundimit të studimeve. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e UBT-së në zhvillimin e brezave të rinj të profesionistëve dhe integrimin e tyre në projekte kërkimore me karakter ndërkombëtar.

Studimi ka analizuar ndikimin e dy llojeve të retainers fiks ortodontikë në gjendjen periodontale të pacientëve gjatë një periudhe 12-mujore. Rezultatet treguan se retainers me dizajn të sheshtë (flat retainers) shoqëroheshin me nivele më të ulëta të gjakderdhjes gjatë sondimit periodontal krahasuar me retainers me dizajn të rrumbullakët, duke sugjeruar një përgjigje më të favorshme periodontale.

Ky publikim përfaqëson një tjetër dëshmi të angazhimit të stafit akademik dhe studentëve të UBT-së në prodhimin e njohurive shkencore me ndikim ndërkombëtar, si dhe forcimin e bashkëpunimit me institucione prestigjioze të arsimit të lartë në botë.

UBT vazhdon të mbështesë kërkimin shkencor, inovacionin dhe përfshirjen aktive të studentëve dhe alumnëve në projekte që kontribuojnë në avancimin e shkencës dhe praktikës profesionale.

Continue Reading

Vendi

Profesori i UBT-së, Genc Demjaha, ligjëroi në Simpoziumin e III-të të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Genc Demjaha, ishte një nga ligjëruesit e Simpoziumit të III-të të organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA), në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Krahinës së Steiermarkut (Ärztekammer Steiermark), ngjarje e mbajtur në Graz të Austrisë.

Në kuadër të programit shkencor të simpoziumit, profesori Demjaha mbajti ligjëratën me temën “Parimet e Sigurisë së Pacientit në Sistemin Shëndetësor”, ku trajtoi aspektet themelore të sigurisë së pacientit dhe rëndësinë e zbatimit të standardeve bashkëkohore në kujdesin shëndetësor.

Gjatë prezantimit, ai vuri theks të veçantë në menaxhimin e rreziqeve klinike, promovimin e kulturës së sigurisë në institucionet shëndetësore, si dhe në përgjegjësinë profesionale për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta për pacientët. Ligjërata nxiti diskutime të rëndësishme ndërmjet pjesëmarrësve dhe kontribuoi në shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e sigurisë së pacientit.

Simpoziumi mblodhi mjekë, stomatologë, studiues dhe profesionistë të shëndetësisë nga Austria, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera evropiane, duke shërbyer si platformë për prezantimin e arritjeve shkencore, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e shëndetësisë.

Organizimi i këtij simpoziumi, për herë të parë në bashkëpunim të ngushtë me Ärztekammer Steiermark, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të lidhjeve profesionale dhe institucionale ndërmjet komunitetit mjekësor shqiptar dhe institucioneve shëndetësore austriake.

Pjesëmarrja dhe kontributi i profesorit Genc Demjaha në këtë ngjarje prestigjioze dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të stafit akademik të UBT-së në promovimin e dijes, shkëmbimin e ekspertizës dhe avancimin e praktikave profesionale në nivel ndërkombëtar.

Continue Reading

Vendi

“Veç lodhen shumë nëse nuk e zgjedhin UBT-në”, Hajrizi në RTV Dukagjini rendit arsyet për maturantët

Published

on

By

Rektori i UBT, Edmond Hajrizi, ka renditur një sërë arsyesh pse maturantët duhet ta zgjedhin këtë institucion për të vazhduar studimet e tyre universitare.

Duke folur në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Hajrizi tha se studentët nuk kanë nevojë të kërkojnë mundësi të tjera kur UBT ofron gjithçka në një vend, duke filluar nga infrastruktura moderne e deri te mundësitë për punësim.

Sipas tij, UBT disponon rreth 300 laboratorë dhe një bibliotekë që ai e cilësoi si ndër më të mirat në botë.

Ai theksoi se institucioni ka një raport shumë të favorshëm mes stafit akademik dhe studentëve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe mbështetjen individuale për studentët.

Hajrizi nënvizoi gjithashtu se UBT gëzon akreditime ndërkombëtare nga institucione në Evropë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë si një garanci shtesë për cilësinë e programeve studimore.

“Veç lodhet shumë nëse nuk e zgjedh UBT-në. Të gjitha i ka në një vend. 300 laboratorë i ka. Bibliotekën më të mirë botërore e ka. Numri i raportit staf i rregullt me studentë është më i miri. Është i akredituar nga Evropa, Britania, nga Amerika. I ka 80 kompani që e kryen praktikën pa dal hiq prej zyrave të UBT-së. Dhe njëkohësisht e ka mundësinë që shumica prej tyre të punësohen… i ka të gjitha programet që i ëndërron, që ka një ëndërr për një program, nuk e gjen  më shume se sa në UBT. E ka çmimin më të lirë të mundshëm që mundet me studiu”, ka thënë Hajrizi.

Continue Reading

Lajmet

UBT DO TË ORGANIZOJË FORUM AKADEMIK TË VEÇANTË NË KOSOVË NË NDER TË 250-VJETORIT TË AMERIKËS: “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”

Published

on

By

Washington, DC — Projekti “America Inspires Freedom – The Kosovo Story” ka kënaqësinë të njoftojë se UBT, Partneri Kryesor Akademik i projektit, do të organizojë një forum akademik të veçantë më 29 qershor 2026 në Prishtinë, si pjesë e programimit zyrtar ndërkombëtar që shënon 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Forumi, me titull “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, do të mbledhë studiues të njohur amerikanë, ekspertë të politikave publike, përfaqësues të komunitetit të veteranëve, studentë, profesorë universitarë dhe zyrtarë publikë për të diskutuar marrëdhënien e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe rolin e arsimit në formësimin e lidershipit demokratik për gjeneratat e ardhshme.

Ky aktivitet është pjesë e projektit më të gjerë “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, i cili u njoh zyrtarisht më herët gjatë këtij viti përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe America250, Komisionit Amerikan për Shënimin e Çerek-shekullit të Pavarësisë së Amerikës. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova u bë vendi i parë dhe i vetëm jashtë Shteteve të Bashkuara i përfshirë zyrtarisht në programimin ndërkombëtar të America250.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti partneritetin dhe mundësinë për të organizuar këtë forum në UBT.

“UBT-ja është e nderuar të shërbejë si Partneri Kryesor Akademik i Projektit për Shënimin e 250-vjetorit të Amerikës në Kosovë dhe të organizojë këtë forum akademik të veçantë. Marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është ndër partneritetet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit tonë, ndërsa institucionet e arsimit të lartë kanë përgjegjësi të veçantë për të ruajtur dhe avancuar vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky partneritet. Ne jemi krenarë që UBT do të kontribuojë në këtë iniciativë historike dhe do të ndihmojë në forcimin e themeleve intelektuale të partneritetit Kosovë–SHBA për vitet që vijnë”.

Faton Bislimi, Themelues dhe Drejtor i Projektit “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, theksoi rëndësinë e aktivitetit dhe rolin udhëheqës të UBT-së.

“250-vjetori i Amerikës ofron një mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të festuar historinë amerikane, por edhe për të reflektuar mbi ndikimin e thellë që lidershipi, vlerat dhe miqësia amerikane kanë pasur për popullin e Kosovës. Pak kombe në botë mund të flasin për rolin e Amerikës në historinë e tyre me aq shumë mirënjohje dhe respekt sa Kosova. Jemi thellësisht të nderuar që kemi UBT-në si Partnerin tonë Kryesor Akademik në këtë iniciativë historike. Duke sjellë së bashku folës të shquar amerikanë dhe pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm, ky forum do të ndihmojë që gjeneratat e reja të kuptojnë si sakrificat që siguruan lirinë e Kosovës, ashtu edhe vlerat demokratike që duhet të udhëheqin të ardhmen e saj”.

Si partner i projektit, UBT do të organizojë një nga aktivitetet më të rëndësishme intelektuale dhe edukative të kësaj nisme, duke riafirmuar përkushtimin e kahershëm të universitetit ndaj inovacionit, vlerave demokratike, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekselencës akademike.

Forumi do të trajtojë tema që lidhen me lirinë, demokracinë, lidershipin, përgjegjësinë qytetare, partneritetin transatlantik dhe mësimet që përvoja e Kosovës mund t’u ofrojë gjeneratave të ardhshme.

Continue Reading

Të kërkuara