Lajmet

Profesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)

Published

on

Punimi shkencor me titullin “Konformiteti me të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe ndërtimin e paqes në Kosovën e pasluftës” është botuar së fundmi në revistën prestigjioze të Fakultetit Juridik të Universitetit Hasanuddin në Indonezi, e cila është e indeksuar në Scopus (Q1) dhe karakterizohet nga një impakt i lartë shkencor.

Hulumtimi është realizuat nga autorët: Prof. Avni H. Alidemaj, Prof. Alban Maliqi dhe Prof. John Doone, me bashkëautorësi edhe të Mr.Sc. Valdon Bytyci, Zyrtar i Lartë për Drejtësinë Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, të cilët në mënyrë analitike trajtojnë krimet e kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Studimi i profesorëve të UBT-së evitendon shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe analizon ndikimin e tyre në proceset e drejtësisë tranzicionale.

Sipas autorëve, adresimi i këtyre shkeljeve përbën një parakusht thelbësor për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në shoqëritë e daluara nga lufta.

Ky publikim dëshmon edhe një herë rolin e UBT-së si një mjedis konstruktiv për hulumtime shkencore në fusha të ndryshme, përfshirë edhe ato të shkencave juridike dhe politike.

Për më shumë detaje mbi punimin shkencor, vizitoni: https://pasca.unhas.ac.id/ojs/index.php/halrev/issue/view/207

Continue Reading

Lajmet

Madonna rikthehet me “Confessions II”, vazhdim i albumit të saj legjendar pas 20 vitesh

Published

on

Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, është rikthyer me albumin e ri “Confessions II”, një vazhdim i drejtpërdrejtë i albumit të saj të suksesshëm “Confessions on a Dance Floor” të vitit 2005.

Në kopertinën e albumit, fytyra e artistes mbulohet nga një vello vjollcë, ndërsa në hyrje të projektit ajo shprehet: “Ndonjëherë më pëlqen të fshihem në hije. Të krijoj një personazh të ri, një identitet tjetër. Mund të jem kush të dua.”

Pas një beteje serioze me sepsën që i rrezikoi jetën, Madonna rikthehet në atmosferën e klubeve të natës, duke sjellë një album që feston lirinë, vallëzimin dhe arratisjen përmes muzikës. Në tekstet e këngëve, ajo kritikon gjithashtu një brez që, sipas saj, po zëvendëson përjetimet reale me kohën e kaluar në TikTok.

Albumi është realizuar sërish në bashkëpunim me producentin britanik Stuart Price, i cili kishte punuar edhe në projektin origjinal të vitit 2005. Sipas Madonnës, synimi i tyre ishte që albumi i ri të ishte po aq i mirë ose edhe më i mirë se paraardhësi.

Kritikët vlerësojnë se, megjithëse “Confessions II” nuk e tejkalon plotësisht albumin origjinal, ai i afrohet nivelit të tij, veçanërisht në pjesën e parë, e cila dominohet nga ritme energjike dance dhe atmosfera tipike e muzikës së klubeve.

Një nga momentet më të vlerësuara të albumit është kënga “Danceteria”, ku Madonna rikthehet në fillimet e karrierës së saj, duke i kushtuar një homazh klubit ku hodhi hapat e parë drejt suksesit dhe kujton njerëzit që e ndihmuan të siguronte kontratën e saj të parë diskografike./A.K/

Continue Reading

Kronikë e zezë

Raporti i Policisë: Detajet e reja për të shtënat me armë në Podujevë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja përmes raportit 24-orësh lidhur me incidentin me armë zjarri që ndodhi mesditën e së enjtes në Podujevë, ku pas një përleshjeje mbetën të plagosur katër persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40 dhe është cilësuar zyrtarisht nga autoritetet si “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Në këtë incident kanë mbetur të plagosur tre nga personat e përfshirë në konflikt, të cilët po trajtohen si të dyshuar, si dhe një kalimtar i rastit i cili u gjend aty pranë, ku që të gjithë kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor. Pas ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të rendit, në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja.

Me vendim të prokurorit të rastit, njësitë policore kanë kryer bastisje edhe në pronat e të dyshuarve.

Gjatë këtyre kontrolleve, policia arriti të gjejë dhe të sekuestrojë edhe dy armë të shkurtra me 82 fishekë, një armë gjuetie me 49 fishekë, si dhe katër karikatorë që mbanin në total 85 fishekë të tjerë.

Ky rast tashmë po i nënshtrohet procedurave të mëtejme hetimore në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me organet e drejtësisë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mbyllet qumështorja “Vita” pas inspektimit të AUV-së

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në qumështoren “Vita”, gjatë të cilit janë marrë mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike, si dhe është verifikuar dokumentacioni, objekti dhe linjat e prodhimit.

Sipas AUV-së, gjatë kontrollit janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi. Agjencia bëri të ditur se subjekti ushtron veprimtari për përpunimin e qumështit në bazë të autorizimit përkatës, por në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me bazë qumështi, qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse, për të cilat nuk posedon autorizimin e nevojshëm.

Megjithatë, AUV theksoi se në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit, duke sqaruar se inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa veprimet e mëtejshme do të varen nga rezultatet laboratorike.

Pas inspektimit, qumështorja “Vita” njoftoi se do ta ndërpresë punën për shtatë ditë.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Artan Spahia, deklaroi para mediave se fabrika nuk do të punojë deri në daljen e rezultateve dhe vendimit përfundimtar nga autoritetet.

“Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës. Vendimi është që të mbyllet deri sa ata të dalin me një vendim me rezultatet. Ne i kemi kontrollet e analizat të gjitha. Fermerë ju kërkojmë falje, por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll juve e po ju falimenton. Shpresoj që të kthehemi pas shtatë dite. Nga sot, qumështorja ‘VITA’ nuk punon dhe nuk pranon qumësht”, tha Spahia.

Më pas, në një adresim para punëtorëve, ai kritikoi ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke pretenduar se veprimet e tij favorizojnë importin e qumështit.

“Ministri i cili më shumë e do Serbinë, më shumë sesa neve. Do më shumë me hy qumështi prej Serbisë, në Maqedoni e me u fut në Kosovë, sesa qumështi i ‘Vitës’. Ne nuk jemi kriminela, ne kemi me shku faqebardhë dhe nuk kemi me u dorëzu”, u shpreh ai.

Spahia u premtoi gjithashtu punëtorëve se kompania do të vazhdojë aktivitetin në sektorë të tjerë dhe se pagat e tyre do të ekzekutohen pavarësisht pezullimit të përkohshëm të prodhimit.

Gjatë ditës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, njoftoi se 25 inspektorë ishin dërguar për një kontroll të paparalajmëruar në qumështoren “Vita”, ndërsa AUV ka bërë të ditur se procedurat administrative dhe çdo masë e mundshme do të varen nga rezultatet e analizave laboratorike.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozitë me dokumente arkivore në Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë

Published

on

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka hapur një ekspozitë me dokumente origjinale, duke sjellë në vëmendje historinë e gazetarisë sportive shqiptare dhe figurat më të njohura të saj ndër vite.

Ekspozita përfshin materiale arkivore të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), dokumente origjinale dhe periodikë të viteve ’60–’90, të cilat pasqyrojnë ndeshjet më të rëndësishme të kombëtares shqiptare, si dhe zhvillimet kryesore të kampionateve vendase.

Në aktivitet morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, gazetari i parë sportiv profesionist në historinë e medias shqiptare, Ahmet Shqarri, si dhe emra të njohur të gazetarisë sportive, ndër ta Moisi Dalipi, Ylli Ago, Dëfrim Methasani, Ervin Baku, Vilma Masha, Glenti Nallbani, Pano Xhixho dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Anila Basha.

Drejtori i Arkivave, Auron Rrokaj, vlerësoi kontributin e gazetarëve dhe komentatorëve sportivë në ruajtjen e kujtesës historike kombëtare përmes punës së tyre.

Ndërkaq, Ahmet Shqarri përshëndeti organizimin e ekspozitës, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë sportive dhe përkushtimin e gazetarëve ndër breza.

“Ju falënderoj dhe përgëzoj për nismën tuaj, për ekspozitën që nuk e kam parë gjëkundi tjetër. Unë kam punuar mbi 50 vite në gazetarinë sportive dhe ka qenë privilegj. Kam punuar që prej vitit 1969 deri në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi, duke komentuar një plejadë sportistësh të jashtëzakonshëm”, u shpreh Shqarri.

Mes dokumenteve të ekspozuara ishin korrespondenca mbi organizimin e ndeshjeve mes skuadrave shqiptare dhe italiane në vitin 1940, qarkorja e vitit 1936 për emërimin e korrespondentëve të gazetës “Sporti Shqiptar”, numra të gazetës “Sporti” të ruajtura nga Asdreni, si dhe dokumente të Radiotelevizionit Shqiptar mbi transmetimet ndërkombëtare të ndeshjeve të futbollit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara