Lajmet

Profesionet më të mira për personat empatikë

Published

on

Është shumë e rëndësishme për të gjithë që ta gjejnë një karrierë të përshtatshme, por kjo është e domosdoshme sidomos për personat empatikë, që janë të ndjeshëm ndaj persona të tjerë më shumë sesa njerëzit mesatarë. Në rolin e duhur kjo ndjeshmëri mund t’ju ndihmojë që të ndërtoni karrierë të shkëlqyeshme, por ka edhe profesione në të cilat një person me veti të tilla, të provojë përgjegjësi të madhe për paraqitjen dhe lumturinë tuaj.

Në qoftëse e konsideroni veten që jeni në këtë grup, a e keni pyetur veten se në cilin mjedis pune mund të lulëzoni? Cilat janë pikat e forta që do t’i keni nëpër pozita të ndryshme dhe në cilat duhet të keni kujdes? Akademi Pune do të përgjigjet në të gjitha pyetjet që keni.

Çfarë është empatia dhe cilat tipare e karakterizojnë atë?

Një empatik është dikush i cili ka nivel më të lartë të ndjeshmërisë sesa një person mesatar. Ai është i ndjeshëm dhe në një ritëm me energjinë, emocionet dhe mendimet e njerëzve edhe nëse nuk i njeh ata.

Ekzistojnë disa karakteristika kryesore dhe tiparet e personalitetit që shkojnë paralelisht me të qenurit empatikë. Këta priren të jenë më shumë:

Intuitivë: Empatikët janë të shkëlqyer në leximin e mendimeve, energjisë, motivimeve dhe dëshirave të njerëzve përtej fjalëve të tyre.

Kujdesi: Emaptikët kujdesen shumë për njerëzit. Ata kanë një ndjenjë të lindur të mirësisë dhe dhembshurisë.

Dhënia: Emaptikët janë gjithashtu “dhurues natyral”. Ata preferojnë më shumë të japin sesa të marrin. Gjejnë kënaqësi ekstreme duke ndihmuar të tjerët t’i zgjidhin problemet.

Ndjeshmëria: Empatikët janë shumë të ndjeshëm ndaj ndjenjave dhe emocioneve të të tjerëve, por edhe të tyre.

Çfarë duhet të marrë në konsideratë një empatik/e kur e zgjedhë punën?

Empatikët priren të shkëlqejnë në industritë që ofrojnë një shërbim për të tjerët, si mikpritja, mjekësia, mësimdhënia dhe puna sociale. Punët në këto industri kërkojnë një sens të shtuar të intuitës, ndjeshmërisë dhe lidhjes në mënyrë që t’u shërbejnë në mënyrë efikase të tjerëve.

Nga ana tjetër janë pikërisht këto profesione që kërkojnë kujdes të madh e që nganjehrë perosnave me ndjeshmëri mund t’ju shkaktojnë ngarkesa të mëdha emocionale. Për shembull fusha e mjekësisë përballet me raste shumë të rënda, ose ajo e punës sociale. Prandaj empatikët duhet ta vlerësojnë veten se cfarë rastesh mund të durojnë dhe deri ku shkon ndjeshmëria e tyre.

A e vlerëson lidhjen mjedisi i punës? Empatikët duhet të kërkojnë mjedise pune që i lejojnë ata të krijojnë lidhje autentike me të tjerët, e cila është vendi ku ata shkëlqejnë dhe ndihen më rehat. Kur merrni parasysh një pozitë, empatikët duhet ta shikojnë kulturën e kompanisë dhe të sigurohen se ata do të kenë mundësinë të lidhen me të tjerët rregullisht

A janë vlerat e organizatës të përafërta me të tyret? Empatikët kujdesen jo vetëm për njerëzit e tjerë, por edhe për vlerat e tyre. Kur vlerësojnë një mundësi, empatët duhet të bëjnë kujdes të veçantë për t’u siguruar që kompania dhe pozita janë në përputhje me vlerat e tyre personale.

Por cilat janë punët specifike që mund t’i bëjnë empatikët?

Infermierë

Punëtorë social

Trajneri i karrierës

Menaxher i Burimeve Njerëzore

Menaxher i Marketingut

Shkrues

Mësues

Hulumtues i kompanisë për njohje të tregut

3 punë të cilat nuk janë shumë të përshtatshme për empatikët

Ka edhe role që mund të jenë nganjëherë në kundërshtim me personalitetin tuaj dhe nëse doni të jeni të lumtur në punë, do të doni të shmangni këto lloj të mundësive.

Udhëheqja ekzekutive: Ekzekutivët shpesh duhet të marrin vendime të vështira që ndikojnë te punonjësit, ndonjëherë duke i vendosur fitimet dhe nevojat e biznesit mbi njerëzit, të cilat mund të jenë sfiduese për personat e ndjeshëm.

Shitjet: Kur një empati punon në këtë lloj mjedisi, jo vetëm që ata mund të ndiejnë stres për t’i “prekur” objektivat e tyre, por ata gjithashtu mund ta marrin edhe stresin e kolegëve të tyre, gjë që mund të ndikojë në përformancën e tyre.

Politika: Politika mund të jetë intensive, me stres të lartë dhe, në shumë mënyra dhe me qëndrim të prerë.

Continue Reading

Aktualitet

Ambasada e SHBA-së shpreh gatishmëri për bashkëpunim me presidenten Shiroka-Pula

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pas një takimi zyrtar të zhvilluar me përfaqësues të këtij misioni diplomatik.

Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada amerikane konfirmoi përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të punuar ngushtë me institucionet e Kosovës në realizimin e objektivave strategjike.

“Ambasada amerikane mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Continue Reading

lajme

Profesori i UBT-së, Halil Bashota merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për ekokritikën në Londër

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Halil Bashota ka prezantuar punimin e tij shkencor dhe ka marrë pjesë në një panel diskutimi në Konferencën Ndërkombëtare për Ekokritikën dhe Studimet Mjedisore, të organizuar nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR), në Birkbeck, University of London, në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Punimi i profesorit Bashota trajtoi ekopoetikën dhe modernizmin përmes veprave të poetit amerikan William Carlos Williams, me fokus të veçantë në poezitë “Asphodel” dhe “The Red Wheelbarrow”. Përmes kësaj analize, ai shqyrtoi mënyrën se si poezia e Williams-it ndërton marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe natyrës, trajton botën natyrore dhe nxjerr në pah rëndësinë ekologjike të përditshmërisë.

Konferenca e cila u organizua nga London Centre for Interdisciplinary Research (LCIR) në Birkbeck, University of London, shërbeu si një platformë për dialog ndërdisiplinor dhe diskutime mbi mënyrat se si letërsia, kultura dhe studimet mjedisore ndihmojnë në kuptimin e marrëdhënies së njeriut me natyrën dhe sfidat ekologjike bashkëkohore.

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

12 tetor 1993

Amnesty International i brengosur për situatën në Kosovë

Represioni masiv i policisë serbe kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe në tërësi gjendja e rëndë ekonomike dhe politike e shqiptarëve të Kosovës, është preokupim i përhershëm i Amnesty International.

Kështu, në një raport për gjendjen aktuale në Kosovë të organizatës së lartëpërmendur ndërkombëtare, pasqyrohet në mënyrë shumë të plotë dhe reale pozita tejet e rëndë e shqiptarëve në Kosovë dhe njëkohësisht, siç njofton gazeta gjermane “Frankfurter Allgemaine”, Amnesty International (AI), në mënyrë ultimative u bënë thirrje OKB-së, BE-së, KSBE-së, Organizatës së Shteteve Islamike, që të ndërmarrin masa për angazhim të përbashkët në kthimin e misionit vëzhgues të KSBE-së në Kosovë dhe për të evituar shkallëzimin e hapjes së konfliktit me përmasa ballkanike, ku do të jetë e pashmangshme përfshirja edhe e vendeve fqinje.

Në raportin e AI që u botua në gazetat kryesore gjermane, thuhet se në Kosovë gjendja është tejet e tensionuar për shkak të sulmeve të parreshtura të policisë serbe kundër popullatës shqiptare. Organet zyrtare serbe kanë larguar misionin e vëzhguesve të KSBE-së dhe nuk kanë pranuar vizitën e një delegacioni të Amnesty International në Kosovë. Çdo ditë AI-së i vijnë informacione për sulmet e vazhdueshme të policisë serbe ndaj shqiptarëve, të cilët e përbëjnë popullin shumicë në Kosovë.

Që nga viti i kaluar kemi pasur informacione për keqtrajtimin e fëmijëve, pleqve dhe grave shqiptare në Kosovë si dhe të aktivistëve politikë dhe atyre të të drejtave të njeriut. Kështu ngjau edhe me një aktivist, i cili u torturua në polici për shkak të angazhimit në detyrat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut. Që nga largimi i misionarëve vëzhgues të KSBE-së, represioni serb ka marrë përmasa të shtuara, prandaj Amnesty International nga instancat ndërkombëtare kërkon shtimin e vëzhgimit ndërkombëtar në Kosovë për të ndalur shkallëzimin e situatës. Kosova, sipas AI, është e rrezikuar jo vetëm nga represioni policor, por edhe nga ashpërsimi i gjendjes ekonomike të shqiptarëve.

Gjatë raportit të AI-së janë dhënë disa raste të rrahjeve dhe torturimit të shqiptarëve edhe në rrugë, si dhe deklarata të policëve serbë, të cilët nuk kanë frikë nga kërcënimi me sanksione.

Së këndejmi Amnesty Internatioal e thirrë bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrë masa konkrete në rastin e Kosovës, sepse vetëm brenda javës së kaluar janë burgosur mëse 34 shqiptarë, kurse gjatë muajit shtator janë burgosur 83 shqiptarë, të cilëve organet zyrtare serbe u mveshin epitete të terroristëve, etj.

 

12 tetor 1994

Represioni në Kosovë

Rahovec: – Ditëve të fundit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve ka shtuar represionin ndaj banorëve të fshatit Dabidol të Rahovecit. Para pak ditësh policia serbe mori në stacionin e policisë tetë veta si, Ramadan e Shpend Krasniqin, Zef, Gjokë, Gjergj e Muharrem Gashin, Haxhi Isakajn dhe Ramiz Morinën.

Njoftohet se personat e lartëshënuar janë keqtrajtuar brutalisht në stacionin e policisë në Rahovec.

Ndërkaq, nën pretekst të kërkimit të armëve në polici u morën edhe Ruzhdi Krasniqi e Lulzim Morina nga Ratkoci i Rahovecit.

Prizren: – Këto ditë në fshatin Lutogllavë të Prizrenit, policia serbe bastisi shtëpinë e Aliriza Metajt, tek i cili u gjetën armë.

Nga Prizreni bëhet me dije se ditëve të fundit, policia serbe në këtë komunë po i bastis, plaçkitë dhe keqtrajton fizikisht shumë qytetarë shqiptarë, ndërsa pronarët e dyqaneve dhe firmave private po i gjobitë me sasi të mëdha parash.

Skënderaj: – Në fshatin Açarevë, nën pretekst të kërkimit të armëve, u bastisën shtëpitë e Mahmut Selimit, Fadil Shabanit, Brahim Rrahmanit, Cenë Nurës dhe Islam Miftarit.

Më 9 tetor, në fshatin Rezallë, një ekspeditë e policisë serbe rreth dhjetë orë, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Besim e Hamdi Deliut.

Lipjan: – Sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Fitim Selimit, sekretar i Degës së LDK-së në Lipjan që të paraqitet nesër në stacionin e policisë.

Gjakovë: – Dje, rreth orës 8, me pretekst të kërkimit të armëve, në dyqanin e tij privat, në fshatin Junik, policia mori Ali Isuf Zeqirin, kryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Gjakovë. Ali Zeqiri në lokalet e policisë në Gjakovë u mbajt deri në orën 13:00 dhe u rrah aq rëndë sa u detyrua të shtrihet në spitalin e Gjakovës.

 

12 tetor 1995

Karl Bilt: Kosova është përfshirë në planin global për zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi

Në një tekst të gazetës “Flaka” të Shkupit me titull “Gjendja alarmante e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë” konstatohet se çështja e Kosovës dhe ajo mbarëshqiptare në ish-Jugosllavi, këtyre ditëve në Kombet e Bashkuara në Gjenevë ishte në qendër të debatit. Në dy konferencat e fundit për shtyp, organizuar nga zyrtarë të OKB-së dhe të Evropës, të angazhuar drejtpërsëdrejti në krizën e ish-Jugosllavisë, Kosova u shqyrtua si një temë serioze dhe si çështje, e cila dita më ditë po e preokupon bashkësinë ndërkombëtare.

Siç kemi informuar, të mërkurën e kaluar, mediatori ndërkombëtar i Unionit Evropian, Karl Bilt, para gazetarëve deklaroi se “Kosova është përfshirë në planin global për zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi…”, ndërsa dje në selinë e OKB-së, mbajti një konferencë për shtyp, po ashtu me temë për Kosovën, edhe raportuesja e posaemëruar për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, finlandezja Elizabeth Rehn, e cila tash e tutje do të vazhdojë misionin e z.Mazovjeckit, i cili në qershorin e këtij viti dha dorëheqje nga ky post, për shkaqe tashmë të njohura.

Duke folur për krizën në ish-Jugosllavi dhe pasojat e konfliktit mes palëve të konfrontuara, ajo deklaroi se kriza më së tepërmi ka goditur popullatën civile, me ç’rast janë shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante dhe kanë dalur jashtë kontrollit. Këso situatash fatkeqësisht sot kemi në Bosnjë, Kroaci, Kosovë e gjetiu.

Po ashtu emisarja e OKB-së, për gazetarët deklaroi se detyrën e saj mbi të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi do ta fillojë nga zeroja edhe atë që nga dita e hënë e javës së ardhshme, kur do të gjendet në teren për të kontaktuar me masën dhe palët ndërluftuese. Dhe, mu për këtë, nënvizoi ajo, “mua nuk më intereson cilët janë lule e cilët gjemba, për mua të gjithë udhëheqësit e palëve në luftë janë fajtorë për tragjedinë trivjeçare në ish-Jugosllavi, viktima të së cilës janë gratë, fëmijët, pleqët, etj…”, theksoi ajo.

Në pyetjen tonë, se cili është opinioni i saj mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, ajo për deklaroi: “Gjendja e shqiptarëve në Kosovë është fatkeqësisht tejet e vështirë dhe dramatike, situatë kjo vërtetë që na brengos. Të folësh sot për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, e të mos përmendësh Kosovën, është një gabim i madh, sepse atje shkelen të drejtat e shqiptarëve në mënyrë flagrante. Situatën e kemi parasysh dhe e përcjellim vazhdimisht. Edhe pse aktualisht komuniteti ndërkombëtar është i preokupuar me ndërprerjen e gjakderdhjes në Bosnjë-Hercegovinë, ne kurrsesi nuk guxojmë ta harrojmë Kosovën, gjendja e së cilës do përmirësohet gjithsesi…”, përfundoi z.Elizabeth Rehn.

 

12 tetor 1998

Suharekë: Prani e madhe e forcave policore në qytet

Burimet e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Suharekë bëjnë të ditur se prania e forcave ushtrake e policore serbe në këtë komunë nuk është zvogëluar aspak. Përkundrazi, prania e tyre duket tashti edhe më e madhe.

Të hënën paradite në Suharekë ishte një gjendje e tensionuar. Nëpër qytet pati lëvizje të mëdha të forcave ushtarake e policore, ndërsa patrullat e policisë ndaluan e legjitimuan pothuaj të gjithë kalimtarët dhe automjetet.

Rreth orës 10.00 në fushën sportive afër hotelit “Ballkan” dhe shkollës fillore aterruan dy helikopterë. Oborri i shkollës u vërshua nga një nunmër i madh policësh e atumjetesh policore. Në këtë gjendje ishte i pamundur vazhdimi i procesit mësimor, prandaj nxënësit u liruan në shtëpi.

Lëvizja e banorëve të fshatrave Reshtan e Samadraxhë është shumë e vështirë për shkak të stacionimit të forcave policore serbe. Në këto fshatra ka pasur edhe raste të keqtrajtimit të banorëve, me motivacion se ata nuk janë vendës, por kanë ardhur për të vejdhur. Ndër të keqtrajtuar ditët e fundit ishin edhe Halit Demiraj (55) e Agim Demiraj (25), të dy nga Samadraxha.

I njëjti burim njofton se në fshatin Mohlan, i cili vazhdon të mbahet nën rrethimin e plotë të forcave policore serbe prej para tri javësh, janë kidnapuar 22 shqiptarë, kryesisht të rinj. Deri tash është konfirmuar se më 9 e 10 tetor, në shtëpitë e tyre, janë kindapuar: Jusuf Gashi, kryetar i Aktivit të LDK-së, vëllezërit Ahmet, Fadil, Haxhi, Elmi e Safet Gashi, pastaj vëllezërit: Asllan, Hysni e Bafti Gashi, si dhe Reshat Gashi, Alush Kabashi, Besim Kabashi, Jetish Kabashi, Liman Kabashi dhe Rushit Kabashi, të gjithë nga Mohlani.

Njoftohet se këto ditë u bë identifikimi i trupit pa jetë të Lulzim Shaip Gutajt (18) nga Suhareka, i cili është vrarë gjatë aksioneve të forcave serbe në fshatin Jezerc, ku kishte shkuar për të punuar në pronën familjare.

Foto: Karl Bilt

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

11 tetor 1993

 Gjashtë veprimtarëve në Gjakovë iu caktua paraburgimi prej një muaji

Gjykatësit e instaluar serbë në Gjykatën e Qarkut në Pejë, me aktvendimin nr.84/93, caktuan paraburgimin në kohëzgjatje prej një muaji për 6 veprimtarë të Gjakovës. Në paraburgim gjenden: mr.Mazllom Kumnova, kryetar i Forumit Demokratik dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës; Murteza Nura, shkrimtar, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së; Shefqet Vokshi, nënkretar i Degës së Partisë Fshatare të Kosovës; ing.Naser Zeka, ish-oficer në armatën e ish-Jugosllavisë; Ruzhdi Shehu, ish-punëtor i Mbrojtjes Popullore dhe Teki Dobroshi, ish-punëtor i PTT-së. Me të njëjtin aktvendim, njoftohet se iu është caktuar paraburgimi edhe Bajram Mahmutit, Lulzim Shasivarit, dhe Ilir Bytyçit, të cilët gjenden në arrati.

Të gjithë këta akuzohen se gjoja prej vitit 1992 deri në shtator të vitit 1993, “kanë bërë vepër penale të cenimit të tërësisë territoriale të RF të Jugosllavisë nga neni 116, paragrafi 1 i Ligjit Penal të Jugosllavisë”, duke iu qasur punës në formimin e organeve ilegale paraushtarake dhe formacioneve paraushtarake në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”.

11 tetor 1994

Arrestohen e dënohen drejtorët e shkollave në Mitrovicë

Dje u dërgua në vuajtjen e një dënimi prej 20 ditësh Brahim Bala, drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Ai është dënuar kohë më parë nën akuzë se nuk i ka respektuar ligjet e Serbisë në arsim.

Policia serbe arrestoi sot Murteza Berishën, drejtoi i shkollës fillore “Migjeni” në Mitrovicë.

Nuk dihet shkasi i këtij arrestimi. Dje, dy inspektorë serbë kishin shkuar në shkollën “Migjeni” dhe kishin kontrolluar të gjitha klasët, me pretekst se në hapësirën e saj ndjekin mësimin edhe nxënës të shkollës së mesme.

11 tetor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Mitrovicë: – Më 5 tetor, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Feriz P. Ademit (52) në lagjen Bair të Mitrovicës. Meqë nuk gjeti armë, policia ia mori atij pasaportën dhe letërnjoftimin dhe e urdhëroi që më 7 tetor të paraqitet në polici.

Pas paraqitjes në polici më 7 tetor, ai është urdhëruar që të paraqitet sërish më 12 tetor.

Më 9 tetor, policia për herë të pestë ishte në shtëpinë e Sahit Mujës dhe kërkoi djalin e tij, Hasanin, i cili momentalisht ndodhet në Gjermani dhe e urdhëroi atë që brenda dy orëve të paraqitet në polici së bashku me djalin e tij. Sahiti u paraqit në polici në kohën e caktuar dhe u mbajt aty rreth dy orë. Ai ishte i detyrua të paraqitet në polici edhe më 10 tetor.

Dje, rreth orës 9.30, dy policë shqetësuan familjen e Jakup N. Fazliut na lagjen Ura e Gjakut, në kohën kur ai nuk ishte në shtëpi.

Viti: – Dje, policia serbe ia la thirrjen në shtëpinë e tij, Sadik Haxhiut që të paraqitet sot në stacionin e policisë serbe në Viti.

Ai u mor në pyetje nga inspektorët serbë nga ora 10:00 deri rreth orës 14:00, me ç’rast u pyet rreth angazhimit të tij në LDK. Inspektorët serbë u interesuan në veçanti rreth funksionimit të komisioneve të LDK-së në nivel komunal.

Vushtrri: – Më 9 tetor, komandanti i policisë serbe në Vushtrri, takoi në rrugë Daut Jasharin nga Vushtrrija, të cilin e urdhëroi që me pretekst të dorëzimit të armëve, së bashku me dy djemtë e tij, Fatmir e Fadil Jasharin të paraqiten në stacionin e policisë në Vushtrri.

Ai në polici është paraqitur vetëm, me ç’rast u rrah rëndë dhe u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici me dy djemtë e tij. Dje në polici u paraqit Dauti së bashku me Fatmirin, ndërsa këtë të fundit e rrahën.

Dauti dhe dy djemtë e tij janë urdhëruar që edhe sot të paraqiten dhe ata ende po mbahen në polici.

 11 tetor 1997

Ismail Kadaresë iu dha çmimi “Honoris Causa”

Pardje, pikërisht në ora dhjetë, në praninë e anëtarëve të Senatit, të profesorëve universitarë të Saint-Etienit, personalitete të shquara të kulturës franceze dhe të gazetarëve të shumtë, shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kakdare, iu dha çmimi i nderit, Doktor Honoris Causa. Në këtë solemnitet madhështor ishin të pranishëm edhe bashkëshortja dhe shkrimtarja, Elena Kadare, delegacioni i Universitetit të ri shqiptar të Tetovës, i kryesuar nga rektori dr. Fadil Sulejmani, prof. Murat Bejta, dr. Xhemail Xhemaili, Astrit Leka, si dhe mysafirë dhe bashkatdhetarë të shumtë nga qytete të ndryshme të Francës, por pati edhe të tillë që kishin ardhur nga Zvicra.

Atmosferën edhe më madhështore e bëri pjesëmarrja dhe paraqitja e ansamblit kombëtar “Shota” nga Prishtina, i cili herë pas herë u paraqit me këngë dhe valle burimore shqiptare.

Lidhur me veprën letrare e artistike të shkrimtarit me famë botërore, kandidat për Çmimin Nobël, Ismail Kadare, në fillim foli profesori i letërsisë në Universitetin e Saint-Etiene, Aleksandër Zotos, i cili veçoi se Kadare është shkrimtar i përmasave botërore. Kadare në veprën e tij gërsheton rrethana shoqërore, historike e politike gjatë shekujve.

E ka për nder Universiteti i Saint-Etiene që sot i ndan çmimin e nderit Doktor Honoris Causa shkrimtarit shqiptar nga Gjirokastra, Ismail Kadare, tha në fillim të fjalës së tij rektori i Universitetit Saint-Etiene. Ky shkrimtar dhe humanist i madh në veprën e tij paraqet në mënyrë artistike fatin e popullit të tij të lashtë prej antikës e deri në ditët e sotme.

Pas referimit të rektorit, në foltore doli shkrimtari Ismail Kadare, së bashku me rektorin Mris Venësan, dhe në një atmosferë solemne e me duartrokitje të gjata të të pranishmëve, mori çmimin e nderit, Honoris Causa. Të theksojmë, me të njëjtin çmim, nga Universiteti Paris 8, vitin e kaluar, më 16 dhjetor, u nderua edhe kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ismail Kadare tha se këtë titull e shikoj si një vlerësim për popullin tim. Dëshiroj t’ju kujtoj – tha Kadare, se vetëm disa ditë më parë studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës u keqtrajtuan vetëm pse kërkuan të futen në objektet e tyre universitare, nga të cilat u dëbuan para shtatë vjetëve. Këtë mirënjohje e vlerësoj si shenjë kurajimi të studentëve të Universitetit të Prishtinës, u shpreh ai.

Manifestimet kulturore treditore në Saint-Etien vazhdojnë nesër me programin artistik të ansamblit “Shota’, i cili do të paraqitet para publikut shqiptaro-francez, njofton “Bujku”.

11 tetor 1998

 Malishevë: 83 shqiptarë të vrarë gjatë aksioneve të muajve të fundit të forcave serbe

Gjatë ofensivave të forcave të ushtrisë e policisë serbe muajve të fundit në fshatrat e Malishevës, janë vrarë së paku 83 shqiptarë, përfshirë këtu 8 fëmijë të mitur e 13 femra, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Gjatë këtyre muajve forcat serbe kanë plagosur 73 shqiptarë, prej tyre 31 femra dhe 20 fëmijë e të mitur, ndërsa të zhdukur konsiderohen 17 shqiptarë e 5 familje të tëra.

Po ashtu forcat serbe gjatë kësaj kohe i kanë zhvarrosur edhe 8 kufoma të shqiptarëve, nga të cilat 4 nuk dihet ku janë dërguar.

Që nga 28 korriku e deri në fund të shtatorit, forcat serbe kanë plaçkitur, djegë e shkatërruar 23 fshatra shqiptare, pastaj 1 mulli në Banjë shumë hambarë e grunaja, 9 objekte shkollore, 2 ambulanca, 3 xhami dhe shumë objekte zejtare.

Ofensivat serbe për pasojë patën edhe zhvendosjen e mijëra familjeve shqiptare. Për mungesë të kushteve elementare për jetë nën qiellin e hapur kanë vdekur së paku 23 fëmijë dhe 17 gra e pleq.

Agresori serb gjatë këtyre muajve ka vrarë edhe mijëra krerë bagëti.

 Foto: Ismail Kadare

Continue Reading

Të kërkuara