Aktualitet
Procedurat disiplinore ndaj prokurorëve e gjyqtarëve – rritet numri i rasteve, kërkohet ndryshimi i ligjit
Published
5 years agoon
By
UBT newsDrejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencë për medie në të cilën u shpalosën të gjeturat e analizës “Natyra e çështjeve disiplinore në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës dhe funksionimi i mekanizmit disiplinor”.
Rreze Hoxha-Zhuja tha se në këtë analizë, Drejtësia Sot pasqyron mënyrën e funksionimit të mekanizmit disiplinor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve e deri në muajin maj të këtij viti.
Sipas saj, të gjeturat e analizës tregojnë se në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021, ka një trend të rritjes së numrit të ankesave dhe kërkesave për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit, në raport me vitin 2020.
“Të dhënat zyrtare për periudhën 1 janar deri më 30 qershor 2021, tregojnë se KPK ka aprovuar të gjitha kërkesat për fillim të procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit, e më pas për të njëjtat ka krijuar Panele Hetimore”.
Sipas saj, KPK-ja ka publikuar vendimet të marra nga Gjykata Supreme ndaj vendimeve disiplinore të ankimuara, përderisa një praktikë e tillë nuk është vërejtur nga ana e KGjK-së
“KPK mban një praktikë shumë të mirë të publikimit të vendimeve të marra nga Gjykata Supreme ndaj vendimeve disiplinore të ankimuara të KPK-së, duke ofruar kështu një pasqyrë të plotë dhe të qasshme për publikun. Një praktikë e tillë nuk është vërejtur nga ana e KGjK-së, ku vendimet e marra nga Gjykata Supreme nuk janë të publikuara as në uebfaqen e KGJK-së e as në atë të Gjykatës Supreme. Ndërsa sa i përket procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve, ueb portali i KGJK-së përmban një indikator të posaçëm me statistika disiplinore dhe vendimet disiplinore të ndara nga vendimet e tjera të Këshillit, duke ofruar kështu një qasje më të lehtë për qytetarët. Një mundësi e tillë nuk është hasur në uebfaqen e KPK-së, e cila konsiderojmë se duhet ndjekur shembullin e KGJK-së”.
Ajo më tej ka shtuar se Ligji aktual nuk ka përcaktuar qartë llojin e masës disiplinore që shqiptohet për secilën shkelje disiplinore.
Sipas saj, një situatë e tillë paraqet shkeljet të të drejtave të njeriut, përkatësisht të drejtës për ankesë ndaj vendimeve gjyqësore dhe administrative.
“Tutje, Drejtësia Sot ka gjetur se Ligji aktual nuk ka përcaktuar qartë llojin e masës disiplinore që shqiptohet për secilën shkelje disiplinore ose në rastin e arritjes së marrëveshjes për pranimin e shkeljes disiplinore. Poashtu, mbetet shqetësues fakti që palëve nuk iu mundësohet që vendimin e Gjykatës Supreme si vendim përfundimtar ta ankimojnë, respektivisht të fillojnë konfliktin administrativ. Prandaj, në këndveshtrimin tonë, një situatë e tillë paraqet shkeljet të të drejtave të njeriut, përkatësisht të drejtës për ankesë ndaj vendimeve gjyqësore dhe administrative”.
Këto janë rekomandimet e GLSP-së
1. Drejtësia Sot fton Ministrinë e Drejtësisë që të bëj ndryshim/plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit ashtu që: a) Të inkuadrohen edhe kompetencat për t’i kërkuar KGjK-së dhe KPK-së fillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe kompetencën për të ushtruar ankesë në Gjykata Supreme për raste individuale, ashtu siç e përcakton edhe Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
2. Drejtësia Sot fton Ministrinë e Drejtësisë që të inicojë plotësim/ndryshimit të Ligjit më numër Nr. 06/L – 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ashtu që: a) Të përcaktojë autoritetin kompetent tek i cili duhet paraqitur ankesat ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës; b) Të përcaktojë se si duhet të evitohet konflikti i interesit ne rastet kur subjekt i procedurës se disiplinimit janë gjyqtarë të Gjykatës Supreme, dhe të njëjtit e ankimojnë vendimin e KGJK-së në këtë gjykatë. c) Të përcaktojë saktë subjektet të cilat konsiderohen palë në procedurën disiplinore, subjekte këto të cilat kanë të drejtë ankimimi të vendimeve të Këshillave në Gjykatën Supreme, duke përfshirë këtu edhe subjektin i cili fillon procedurën me ankesë pranë Autoritetit Kompetent.
3. Drejtësia Sot fton KGJK-në që të bëjë plotësim/ndryshimin e Rregullores për Procedurën e Ngritjes në Detyrë për Gjyqtarë, si dhe Rregullores për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve ashtu që: a) Të përcaktojë ndikimin e sanksioneve disiplinore në procesin e avancimi (ngritjes në detyre); b) Të përcaktojë për secilin sanksion disiplinor veç e veç kohëzgjatjen e ndikimit të tyre në avancim, përkitazi me peshën e sanksionit; c) Të specifikojë subjektet të cilat konsiderohen palë në procedurën disiplinore në rastin e atakimit të vendimeve të KGJK në Gjykatën Supreme, duke përfshirë këtu edhe subjektin i cili fillon procedurën me ankesë pranë Autoritetit Kompetent.
4. Drejtësia Sot fton KGJK-në dhe Gjykatën Supreme që të bëjnë publikimin e vendimeve të Gjykatës Supreme të marra në drejtim të vendimeve disiplinore të marra në shkallë të parë nga ana e KGJK-së.
5. Drejtësia Sot fton KPK-në që ta bëjë plotësim/ndryshimin e Rregullores për Transferim e Avancim të Prokurorëve, ashtu që: a) Të ndryshojë sanksionet disiplinore dhe ndikimin e tyre në avancim përkitazi me sanksionet disiplinore të përcaktuara me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore për Prokurorë.
6. Drejtësia Sot fton KPK-në që të bëjë përditësimin e uebfaqes së saj ashtu që të përfshijë në brendësinë e saj një indikator te posaçëm për procedurën disiplinore ndaj prokurorëve, duke përfshirë statistika dhe vendimet disiplinore më lehtë të qasshme për publikun. Në këtë drejtim ftojmë KPK-në që të ndjek praktikën e mirë të uebfaqes së KGJK-së.
You may like
Lajmet
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit
Published
10 hours agoon
March 13, 2026By
ubtnews
Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.
Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.
*****
Pjesë nga intervista:
Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?
Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja. Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.
Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?
Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.
Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?
Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.
Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?
Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.
Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?
Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.
Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?
Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.
Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.
Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?
Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.
Botë
Trump: Putini ‘mund’ të jetë duke e ndihmuar Iranin
Published
13 hours agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke e ndihmuar Iranin të mbrohet nga sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit.
Komentet e tij vijnë pasi informacionet e reja të inteligjencës treguan se Rusia i ka dhënë Iranit informacione që mund ta ndihmojnë Teheranin të godasë anijet luftarake, avionët dhe asete të tjera amerikane në rajon, transmeton Klankosova.
“Mendoj se ai mund t’i ndihmojë pak, po, mendoj”, tha Trump në një intervistë me transmetuesin amerikan Fox News, e cila ende nuk është transmetuar.
“Dhe ai ndoshta mendon se ne po e ndihmojmë Ukrainën, apo jo?”.
“Po, ne po i ndihmojmë edhe ata”, vazhdoi Trump.
“Dhe kështu ai e thotë këtë, dhe Kina do të thoshte të njëjtën gjë, e dini. Është si, hej, ata e bëjnë dhe ne e bëjmë me gjithë drejtësi”. /Fox News/
Vendi
PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses
Published
13 hours agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.
Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.
Vendi
Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses
Published
15 hours agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.
Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.
Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.
“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.
“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.
Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit
Trump: Putini ‘mund’ të jetë duke e ndihmuar Iranin
PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses
Shqipëria synon ta shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit
Dyfishohet mbështetja financiare për sportistet dhe trajneret femra
Kombëtarja U17 vazhdon përgatitjet për kualifikimet e Evropianit 2027
Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses
Lufta e sinjaleve: Si po e ndihmojnë Rusia dhe Kina Iranin të “shohë” fushëbetejën
Basketbolli kosovar feston 11 vjet anëtarësi në FIBA
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
