Prishtina do të jetë nikoqire, për herë të katërt radhazi, e turneut ndërkombëtar të pingpongut “Prishtina Open 2026”, i cili do të zhvillohet nga 28 deri më 30 gusht.
Edicioni i sivjetmë pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë deri më tani, me mbi 300 pingpongistë që pritet të marrin pjesë në garat që do të zhvillohen në kryeqytetin e Kosovës.
“Prishtina Open” tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme për pingpongun kosovar, duke u ofruar sportistëve mundësinë të përballen me garues nga vende të ndryshme dhe të fitojnë përvojë në arenën ndërkombëtare.
Turneu do të zgjasë tri ditë dhe është i regjistruar edhe në kalendarin e Unionit Evropian të Pingpongut (ETTU), duke i dhënë aktivitetit një dimension të rëndësishëm ndërkombëtar.
Organizimi i edicionit të katërt vjen si vazhdimësi e suksesshme e turneve të mëparshme, me synimin për të promovuar pingpongun në Kosovë dhe për ta konsoliduar Prishtinën si një pikëtakim të rëndësishëm të sportistëve nga rajoni dhe më gjerë.
“Prishtina Open 2026” organizohet nga Klubi i Pingpongut Priping, në bashkëpunim me Federatën e Pingpongut të Kosovës, ndërsa mbështetet nga Ministria e Sportit dhe Rinisë dhe Drejtoria e Sportit e Komunës së Prishtinës.
Me pjesëmarrjen e mbi 300 sportistëve, edicioni i sivjetmë pritet të sjellë konkurrencë të fortë, përballje interesante dhe spektakël për adhuruesit e pingpongut, duke e bërë “Prishtina Open 2026” një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij sporti në Kosovë.
D.L