Kulturë

Princ Harry kërkon mbrojtje nga policia gjatë vizitës në Britaninë e Madhe

Kjo pasiqë ai humbi mbrojtjen e policisë në Britani pasi vendosi të largohej nga familja mbretërore.

Published

on

Princ Harry ka marrë masa ligjore, të cilat do t’i siguronin mbrojtje policore gjatë vizitës në Britaninë e Madhe me familjen e tij dhe të gjitha shpenzimet do t’i paguante personalisht, tha përfaqësuesi i tij ligjor.

Harry, Duka i Sussex dhe gruaja e tij Megan humbën mbrojtjen e policisë në Britaninë e Madhe pasi vendosën të largoheshin nga familja mbretërore në vitin 2020. Çifti tani jeton në Kaliforni me fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet.

Princi dëshiron t’i çojë fëmijët për të vizituar Britaninë e Madhe, por ai dhe familja e tij “nuk mund të kthehen në shtëpi” sepse është shumë e rrezikshme për ta, tha avokati i Harry-t, duke përmendur kërcënimet “ekstremiste dhe neo-naziste” që familja kishte pranuar më parë.

Në verën e vitit 2021, “siguria e tij u rrezikua nga mungesa e mbrojtjes së policisë pasi u largua nga një ngjarje bamirësie”, tha avokati, duke shtuar se më 30 qershor, pas takimit me fëmijë me aftësi të kufizuara, paparacët vrapuan pas makinës në të cilën ai ndodhej.

Princi pretendon se anëtarët e sigurimit të tij në Shtetet e Bashkuara nuk kanë qasje në informacione për sigurinë në Britaninë e Madhe, gjë që është e nevojshme që ai dhe familja e tij të qëndrojnë të sigurt.

Aksioni ligjor i nisur në shtator dhe qëllimi i tij të ndikojë në rishikimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme britanike, mund të vërë në siklet familjen mbretërore, tashmë përballë një gjyqi të mundshëm të Princit Andrew për shkak të akuzave për sulm seksual.

Për të mbrojtur monarkinë, Mbretëresha Elizabeth II i hoqi Andrew të gjithë titujt zyrtarë dhe ushtarakë këtë javë dhe po qarkullojnë zëra se princi tani po paguan vetë sigurinë.

Një zëdhënës i Princit Harry tha për agjencinë e lajmeve PA se “Britania e Madhe do të jetë gjithmonë shtëpia e Princit Harry, si dhe vendi ku ai, gruaja dhe fëmijët e tij duan të ndihen të sigurt”.

Lajmet

“Uta në Sharr”, filmi i animuar shfaqet në Prishtinë dhe Prizren

Published

on

Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, do të shfaqet më 22 shtator në Kino ARMATA në Prishtinë dhe më 23 shtator në Dokukino në Prizren.

Shfaqjet do të mbahen në orën 17:30, 18:00 dhe 18:30, ndërsa hyrja është falas. Për shkak të kërkesës së madhe, pjesëmarrësit duhet të rezervojnë biletat paraprakisht.

Filmi, i cili zgjat 10 minuta, sjell në ekran bukuritë natyrore të Kosovës dhe e përdor natyrën si hapësirë për bashkim dhe mirëkuptim mes komuniteteve.

Në qendër të tregimit janë Uta dhe Deltari, të cilët udhëtojnë nëpër malet e Sharrit, duke i ftuar fëmijët të zbulojnë këtë botë së bashku, pavarësisht komunitetit nga i cili vijnë.

Animacioni është realizuar nga Anibar Studios, ndërsa skenari dhe tregimi janë të Tuba Safçiut. Kënga “Uta në Sharr” është kompozuar, shkruar, interpretuar dhe prodhuar nga Arbër Salihu (La Fazani), me vokal nga Lisa Zuka.

Projekti është pjesë e nismës “Uta në Sharr – Edukim Gjithëpërfshirës dhe Ndërgjegjësim Mjedisor përmes Tregimit të Historive, Animacionit dhe Mësimit në Natyrë”, e financuar nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe e zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova/o.

Nisma po zbatohet në 12 komuna të Kosovës dhe synon të promovojë edukimin gjithëpërfshirës, ndërgjegjësimin mjedisor dhe tregimin e historive për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot i jepet lamtumira e fundit Flora Brovinës

Published

on

By

Sot, më 18 shtator, i jepet lamtumira e fundit ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe humanistes së njohur, Flora Brovina, e cila u nda nga jeta më 15 shtator në moshën 76-vjeçare.

Nderimet për jetën dhe veprën e saj do të fillojnë në orën 10:00 me një mbledhje komemorative në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Më pas, nga ora 11:30 deri në orën 14:30, në hollin e Kuvendit të Kosovës do të mbahen homazhe shtetërore në nderim të figurës së saj.

“Ceremonia e varrimit të ish-deputetes Brovina do të bëhet të premten, më 18 shtator, në ora 16:00 në varrezat e qytetit në lagjen Arbëri në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Flora Brovina la pas një trashëgimi të pasur si mjeke, poete, veprimtare e të drejtave të njeriut dhe politikane me kontribut të çmuar në shtetndërtimin e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Të premten mbahen ceremonitë përkujtimore dhe varrimi i Dr. Flora Brovinës

Published

on

Të premten, më 18 shtator 2026, do të zhvillohen ceremonitë përkujtimore dhe të varrimit të Dr. Flora Brovinës.

Ceremonia përkujtimore në nderim të saj do të mbahet në orën 10:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Më pas, nga ora 11:30 deri në 14:30, homazhet do të zhvillohen në Hollin e Kuvendit të Kosovës.

Në orën 16:00, ceremonia do të vijojë me varrimin e Dr. Flora Brovinës në Varrezat e Qytetit, në Dragodan.

Ndërkaq, të shtunën dhe të dielën, më 19 dhe 20 shtator, e pamja do të mbahet në Hotel “Grand”.

Njoftimi është bërë nga familjet Begu dhe Brovina, të cilat kanë shprehur mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që do të marrin pjesë në ceremonitë e përcjelljes së saj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

19 vjet nga vdekja e Robert Jordan, autori i “The Wheel of Time”

Published

on

Më 16 shtator 2007, bota e letërsisë fantastike humbi shkrimtarin amerikan Robert Jordan, pseudonimi i James Oliver Rigney Jr. Ai ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare, duke lënë pas një prej serive më të njohura të zhanrit fantastik.

Jordan u bë i famshëm veçanërisht për serinë “The Wheel of Time”, e cila përbëhet nga 14 romane dhe një libër paraprirës. Saga ka shitur rreth 90 milionë kopje në mbarë botën dhe konsiderohet ndër veprat më të suksesshme të letërsisë fantastike.

Para se t’i përkushtohej shkrimtarisë, Jordan shërbeu në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Vietnamit. Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, ai studioi fizikë dhe punoi si inxhinier bërthamor për Marinën amerikane.

Karrierën si shkrimtar e nisi në fund të viteve ’70. Ai shkroi romane historike, një western dhe shtatë romane për personazhin Conan the Barbarian, përpara se të niste punën për “The Wheel of Time” në vitin 1984.

Fillimisht, Jordan e kishte menduar serinë si një histori prej vetëm tre librash, por projekti u zgjerua ndjeshëm me kalimin e viteve. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk arriti ta përfundonte sagën, por para vdekjes la shënime të hollësishme për mënyrën se si duhej të përmbyllej historia.

Pas vdekjes së tij, shkrimtari Brandon Sanderson mori përsipër përfundimin e serisë, duke u mbështetur në materialet e lëna nga Jordan. Tre librat e fundit u botuan nga viti 2009 deri në vitin 2013, me “A Memory of Light” që shërbeu si vëllimi përmbyllës.

19 vjet pas vdekjes së tij, Robert Jordan vazhdon të kujtohet për krijimin e një universi të gjerë letrar, i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme në letërsinë fantastike dhe vazhdon të tërheqë lexues në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara