Lajmet

Prigozhin: Mbi 20 mijë luftëtarë të Wagner-it janë vrarë në Bahmut

Shifra e të vrarëve, e paraqitur nga Yevgeny Prigozhin, përbën 20 për qind të 50 mijë të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.

Published

on

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha se grupi i tij ka humbur mbi 20 mijë luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.

Shifra e të vrarëve, e paraqitur nga Yevgeny Prigozhin, përbën 20 për qind të 50 mijë të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.

Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6 mijë ushtarë.

Analistët besojnë që në nëntë muaj betejë në Bahmut janë vrarë dhjetëra mijëra ushtarë, në mesin e të cilëve edhe të dënuar që ishin rekrutuar, e që besohet se janë trajnuar pak ose aspak para se të dërgoheshin në fushëbetejë.

Prigozhin, gjatë një interviste të publikuar të martën mbrëma të realizuar nga Konstandin Dolgov, një politolog pro-Kremlinit, tha se qëllimi i Rusisë për “çmilitarizimin” e Ukrainës – që u proklamua si qëllimi i nisjes së pushtimit – ka dështuar sepse ushtria ukrainase është bërë më e fortë pas furnizimeve me armë dhe trajnimeve nga aleatët e saj perëndimorë.

Shefi i Wagner-it po ashtu tha se forcat e Kremlinit kanë vrarë civilë gjatë luftës, gjë që Moska vazhdimisht e ka mohuar.

Prigozhin, një biznesmen i pasur që ka lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin, njihet për deklaratat e tij kritikuese ndaj komandantëve ushtarakë rusë.

Muajin e kaluar ai akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se nuk po furnizon trupat e tij me municione dhe kërcënoi se do të tërheqë mercenarët nga Bahmuti.

Gjatë intervistës, ai po ashtu tha se ka shumë të ngjarë që kundërofensiva e Kievit, që pritet të nisë në javët në vijim, mund të largojë trupat ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, por edhe nga Krimeja e aneksuar, marrë parasysh mbështetjen e vazhdueshme që ka Kievi nga Perëndimi.

“Skenari pesimist: ukrainasve u jepen raketa, ata përgatisin trupat, sigurisht ata do ta vazhdojnë ofensivën e tyre, duke tentuar të kryejnë një kundërofensivë”, tha ai.

“Ata do ta sulmojnë Krimenë, do të tentojnë ta shkatërrojnë urën e Krimesë [që e lidh këtë gadishull të aneksuar ukrainas me territorin e Rusisë], të ndërpresin linjat e furnizimit. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për luftë të ashpër”, shtoi ai.

Rusia ka pretenduar se ka shënuar fitore në Bahmut, por Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 24 maj se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bahmutit.

Bahmuti gjendet në provincën e Donjeckut, që është një prej katër provincave që vitin e kaluar Rusia pretendoi se i ka aneksuar. Këto katër provinca janë pjesërisht në kontrollin e forcave të Moskës./REL

Vendi

Konfirmohet heqja e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës

Published

on

By

Në një debat në Komisionin e Politikes së Jashtme të Parlamentit Evropian për raportin për Kosovën u konfirmua nga Përfaqësuesi i Komisionit Evropian se tashmë janë liruar të gjitha mjetet financiare që ishin të bllokuar për shkak të masave ndaj Kosovës, siç raporton Koha.net.

Duke folur në emër të Komisionit Evropian, Jiri Plecity nga Drejtoria e Zgjerimit konfirmoi se janë hequr masat financiare ndaj Kosovës.

“Mund të konfirmoj se kemi nisur nga maji i vitit të kaluar heqjen graduale të masave, ndërsa në dhjetor të vitit 2025, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen paralajmëroi heqjen e masave të tjera. Mund të konfirmoj se Komisioni tash ka liruar të gjitha mjetet e asistencës financiare, fondet për Kosovën” ka thënë ai.

Gjatë debatit raportuesi për Kosovën Ruiho Terras, kritikoi ashpër këto masa duke thënë se ato kanë pasur pasoja të mëdha për qytetarët, shoqërinë civile dhe gjithë shoqërinë në Kosovë. /Koha.net/

 

 

Continue Reading

Vendi

Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, refuzohet kërkesa për hedhje

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit.

Çështja ndaj Rozeta Hajdarit do të shkojë në gjykim pavarësisht prej përpjekjeve të saj që të hidhej poshtë aktakuza e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në një aktvendim të nxjerrë të premten e javës së shkuar, më 13 mars, një trup gjykues i Departamentit Special të Gjykatës e refuzoi kërkesën e ish-ministres për hedhje të aktakuzës.

Ky trup gjykues i vlerësoi si të pabazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Paparaci e ka siguruar ekskluzivisht vendimin që lë në fuqi aktakuzën për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj ish-ministres së Tregtisë në Qeverinë Kurti II, transmeton Ekonomia Online.

Sipas atkvendimit, aktakuza ka prova të mjaftueshme, nuk ka shkelje procedurale dhe është e bazuar ligjërisht.

Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Rezervave Shtetërore, një afere që i ka shkaktuar afër tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit.

Në të njëjtin rast, bashkë me Hajdarin akuzohen edhe tre të tjerë: dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.

Hajdari, Gara dhe Lipovica dyshohen të tre për të kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare.

Paparaci ka provuar të kontaktojë me Nazim Mehmetin, avokatin e njërit prej të të pandehurve, por ai ka qenë i paarritshëm përmes telefonit të martën.

 

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

REL: SHBA mirëpret marrëveshjen për Ligjin për të huajt, përmend nevojën e konsultimit me komunitetin serb

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe ka theksuar që çdo ndryshim që prek komunitetin serb në Kosovë duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij.

“E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur më 14 mars se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjetet, që ka nisur të zbatohet nga 15 marsi.

Vendimi është bërë publik pas një takimi të zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ligjet për të huajt dhe për automjete nisën të zbatohen pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi kanë hyrë në fuqi plotësisht.

Ligji u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.

Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.

Kryeministri Kurti ka thënë se është pajtuar për të mundësuar leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, në mënyrë që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike derisa Kosova t’i shkrijë ato plotësisht brenda sistemit të vet.

Këto lehtësira janë mirëpritur nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe nga Serbia. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Me 79 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të martë me 79 vota shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit.

Gjatë votimit pati një abstenim të cilin e votoi Redi Muçi. Nuk pati asnjë votë kundër ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë pas vendimit për bojkot.

Votimi:

79 vota pro

1 abstenim- Redi Muçi

0 kundër

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancë u shpreh se terrorizmi nuk është vetëm akt dhune por minim i rendit demokratik.

Ai theksoi se Shqipëria mbetet një shtet i lëkundur në këtë luftë dhe anën e shtetit të së drejtës. Balla rikujtoi edhe sulmin kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke e cilësuar akt armiqësor. Ndër të tjera, Balla theksoi se synojnë të dënojnë çdo formë të mbështetjes së agresionit.

Ai gjithashtu u kërkoi kolegëve të votojnë që ta shpallin Gardën Revolucionare të Iranit, organizatë terroriste. Pas votimit seanca plenare përfundoi. /Euronews/

Continue Reading

Të kërkuara