Osmani takohet të martën pasdite, 14.09.2021 me homologun e saj gjerman, Frank Walter Steinemeier. Për presidentin gjerman, i cili është në detyrë që prej vitit 2017, është hera e parë që pret në rezidencën e tij një president ose presidente nga Kosova. Dy paraardhësit e tij, Horst Köhler, dhe Joachim Gauck, kanë pritur në vitet 2010 përkatësisht 1013, presidentin Fatmir Sejdiu dhe presidenten Ahtifete Jahjaga. Vetëm Hashim Thaçi, nuk u prit kurrë nga ndonjë president i Gjermanisë zyrtarisht si homolog.
Biseda mes Osmanit dhe Steinmeierit pritet të jetë miqësore, edhe për faktin, që presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, e njeh mire Kosovën dhe rajonin, pasi ka qenë një nga lobuesit e palodhshëm për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj, pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Steinmeier atëherë ishte ministër i Jashtëm në qeverinë Merkel I dhe ka qenë i pranishëm edhe në varrimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në fillim të vitit 2006. Para se të fillonte detyrën si ministër i Jashtëm, ai ka qenë shef i kabinetit të ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder.
Fokusi tek ekonomia
Por takimi Osmani-Steinmeier pritet të jetë një takim me karakter më shumë simbolik. Temat aktuale të politikës gjermane në Ballkanin Perëndimor, Osmani pritet t’i shtjellojë me ministrin e Jashtëm, Heiko Maas, të mërkurën. E këtu pritet të mos mungojnë dy çështje: dialogu Serbi-Kosovë dhe bashkëpunimi rajonal, që do të thotë konkretisht, që Kosova të angazhohet për jetësimin e projektit të Procesit të Berlinit, që përfshihet nën emrin Tregu i Përbashkët Rajonal. Të dyja proceset kanë ngecur në vend. “Mungesa e progresit në këto dy procese po pengon rajonin për të ecur përpara drejt rrugës së BE-së”, i tha DW-së kohë më parë në një intervistë sekretari gjerman i shtetit për punë të jashtme, Miguel Berger.
Joachim Gauck dhe Atifete Jahjaga
Osmani do të qëndroje deri të enjten në Berlin, ku do të takohet edhe me përfaqësues të diasporës, me shkencëtarë të Universitetit Humbold dhe Përfaqësues të Ekonomisë Gjermane. Me këta të fundit, Osmani do të përpiqet të lobojë, për investime në Gjermani. Disa nga argumentet që do të sjellë presidentja e Kosovës për këtë lobim, ajo i tha në një intervistë për të përditshmen gjermane Süddeutsche Zeitung: “Ne luftojmë krimin dhe korrupsionin me institucione të reja, promovojmë investime të huaja me ligje të reja dhe kemi fuqi punëtore në moshë të re, shumë prej të cilëve flasin gjermanisht – ne jemi vendi ideal për kompanitë gjermane”.
Jo takim me kancelaren Merkel
Vetëm kancelarja Angela Merkel, e cila pak kohë më parë u shpreh si mbështetëse e grave, nuk gjeti kohë të takohet me gruan, që në Kosovë e quajnë me simpati, Merkel-in e Kosovës. Zyra e shtypit e qeverisë gjermane nuk pranoi ta jepte sqarime, ndaj pyetjes së DW. “Ne zakonisht nuk i komentojmë kërkesat që i vijnë Kancelares për takime,” i tha një zëdhënës DW.
I pyetur nga DW se si janë marrëdhëniet Kosovë-Gjermani, pasi Kosova është një nga vendet që nuk po e pranon miratimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, ai u përgjigj: „Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë janë shumë të mira. Kancelarja Merkel ka telefonuar me homologun saj, Albin Kurti, në muajin maj. Gjermania i mbështet reformat politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit – përfshirë edhe Kosovën”.
Më tej zëdhënësi kujtoi bisedën që do të zhvillohet po të martën, 14.9, në Tiranë, mes kancelares Merkel dhe homologut të saj kosovar, Albin Kurti, dhe shtoi: “Veç kësaj, është gjë e mirë që në Samitin e Procesit të Berlinit, më 5 korrik, të gjithë pjesëmarrësit deklaruan gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar për krijimin e një Tregu të Përbashkët që përfshin të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor.”
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë një koalicion me “Listën për Familjen”.
Kjo u bë e ditur në konferencën për media nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj që me z. Rrahmani dhe anëtarë të tjerë të listës Familja kemi bërë marrëveshje për koalicion dhe bashkëpunim para dhe paszgjedhor. Qëllimi i këtij koalicioni është që të bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progres dhe ta ndryshojmë gjendjen në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, emergjencat, sigurinë dhe, normalisht, duke pasur kujdes edhe për mirëqenien dhe familjen. Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm dhe se do të kemi sukses. Normalisht që do të kemi pjesëmarrje nga lista Familja në listën zgjedhore të PDK-së. Është vlerë e shtuar çdo kandidat për deputet që do të jetë në listën e përbashkët”, tha ai./EO
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për media për zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme që do të mbahen me 28 dhjetor.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Armend Zemaj tha se pjesëmarrja e mërgatës në procesin e votimit është legjitimim dhe forcim i demokracisë në vend.
“Mërgata e Kosovës ka qenë gjithmonë shtylla e proceseve shtet-ndërtuese. Në ditët më të vështira mërgata ishte krah nesh, në momentet më vendimtare ishte zëri i arsyeshëm dhe i vendosur për të mirën e vendit tonë. Ne i bëjmë thirrje mërgatës të jenë pjesë e këtij procesi jetik. LDK do të mbrojë çdo ditë të drejtën e mërgatës për t’u regjistruar për të votuar dhe për t’u trajtuar me dinjitet që ata e meritojnë. Asnjë pengesë politike asnjë tendencë për bllokadë dhe asnjë vijë partie nuk mund ta ndalë të drejtën demokratike të mërgatës sonë dhe integritetin e votës së tyre. Jemi të bindur që me pjesëmarrjen e mërgatës ky proces do të jetë më i fortë më legjitim dhe më përfaqësues për të gjithë qytetarët të Republikës së Kosovës“, tha Zemaj.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës tha se Lëvizja Vetëvendosje ka shfaqur nga fillimi tendencën për siç thotë ai kapjen e bordit të televizionit publik.
“Tash 5 vite po bëhen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje dhe e cila nga dita e parë e marrjes së mandatit në Kuvendin e Kosovës ka shpërfaqur hapur tendencën për kapjen e bordit të RTK gjë të cilën e ka arrit me shumicë votash dhe përmes bordit ka vendos njerëz që janë militantë të LVV dhe sot po udhëheqin RTK-në. Kjo ka qenë fatkeqësi edhe për televizionin publik edhe për redaksinë editoriale të cilën në vazhdimësi është kritikuar përmes lajmeve të porositura dhe të njëanshme“.
Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është baza themelore e shtetit pasi sipas tij aktivitetet kundër okupimit serb kanë nisur përmes LDK-së.
“LDK mund ta them me përgjegjësi të plotë, është baza themelore e shtetit dhe demokracisë në këtë vend, nga viti 1989 e deri më sot. Çdokush që e ka nis luftën kundër aparatit shtetëror të okupimit serb e ka nis përmes LDK, dikush përmes forumit të rinisë dikush përmes luftës çlirimtare dhe dikush pas shtet-ndërtimit apo edhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, tha Zemaj.
Kujtojmë se sot ka nisur regjistrimi i votuesve jashtë vendit të qytetarëve të Kosovës./KP
Dy persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti rrugor sot në Llaushë të Skenderajt.
Zëdhënësi i policisë rajonale për Mitrovicë, Avni Zahiti ka konfirmuar se në këtë aksident ishin të përfshira një kamion dhe dy vetura.
“Aksident trafiku me lëndime i shkaktuar sot rreth orës 13:25, në rrugën rajonale Skenderaj- Klinë, në segmentin rrugor në fshatin Llaushë. Në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura, përveç dëmeve materiale lëndime kanë pësuar dy persona”, ka thënë Zahiti./KP
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Sasha Mirkoviq, ish-nënkryetar i Kllokotit, duke e dënuar me 1 vit burgim lidhur me akuzën për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.
Ndaj Mirkoviq, është shqiptuar edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 viteve”.
Ai u obligua që në emër të shpenzimeve gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave./EO