Lajmet

Presidentja Osmani në Samitin Botëror të Qeverisjes: Sundimi i ligjit dhe dinjiteti njerëzor në zemër të inovacionit

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin e saj të tretë në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, ku trajtoi rrugëtimin e Kosovës nga rindërtimi pas luftës drejt ndërtimit të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit, forcimin e të drejtave dhe vendosjen e dinjitetit njerëzor në qendër të inovacionit dhe qeverisjes moderne.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e këtij forumi ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një hapësire ku përvoja, idetë dhe përgjegjësia globale bashkohen për të adresuar sfidat e së ardhmes.

Ajo e cilësoi Kosovën si një shtet të ndërtuar mbi guximin, duke përshkruar tranzicionin e saj “nga mbijetesa në sovranitet”, nga një vend i shkatërruar nga lufta në një shtet që sot krijon rregulla në shërbim të qytetarëve të vet. Sipas Presidentes, me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe institucionale që e vendos demokracinë në qendër dhe drejtësinë si shtyllë kryesore.

“Sot, Kosova nuk është më vetëm përfitues i solidaritetit ndërkombëtar. Ne jemi një kontribues në të, një vend që ka mësuar shpejt, ka ndërtuar mençurisht dhe tani flet me besim. Nga ndërtimi i institucioneve nga zeroja deri te përmirësimi i tyre me qëllim të vërtetë, Kosova është bërë një shembull i gjallë se shoqëritë rezistente, të bazuara në rregulla dhe të orientuara nga qëllimi, nuk janë vetëm trashëguar, ato gjithashtu projektohen në mënyrën më pozitive”, theksoi Osmani.

Presidentja vuri theks të veçantë në rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ndërtimit të besimit të qytetarëve në institucione, duke nënvizuar se drejtësia nuk duhet të mbetet e largët dhe e pakuptueshme për qytetarët. Ajo theksoi se digjitalizimi i drejtësisë nuk është vetëm një përmirësim teknik, por një imperativ i të drejtave të njeriut, që synon ta afrojë drejtësinë më pranë qytetarëve.

Në këtë kontekst, Osmani paralajmëroi se teknologjia dhe inovacioni duhet të jenë gjithmonë të ankoruara në të drejtat, barazinë dhe mbikëqyrjen demokratike, duke theksuar se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja nuk duhet të thellojnë pabarazitë apo të dobësojnë të drejtat themelore.

“Transformimi digjital duhet ta afrojë drejtësinë më pranë njerëzve, duke mundësuar që qytetarët tanë të kenë qasje të lehtë në informacion, të ndjekin çështjet e tyre dhe të ndërveprojnë me institucionet pa barriera të panevojshme. Kur udhëhiqet nga vlerat, teknologjia bëhet një urë midis institucioneve dhe njerëzve që ato shërbejnë. Në të njëjtën kohë, ne qasemi tek digjitalizimi me përgjegjësi”, tha Osmani.

https://www.facebook.com/reel/844451768553854

Lajmet

Arrestohet në Prizren i dyshuari për keqpërdorim të të dhënave bankare të shtetasve amerikanë

Published

on

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për keqpërdorim të të dhënave bankare dhe personale.

Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim përmes platformave të ndryshme online, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Gjatë aksionit, të realizuar me urdhër të gjykatës, janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me autoritetet amerikane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tërmet 5.9 ballë godet Zelandën e Re

Published

on

Një tërmet me magnitudë 5.9 ka goditur qytetin Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke shkaktuar lëkundje të forta, por pa raportime të menjëhershme për të lënduar apo dëme materiale.

Epiqendra ishte rreth 40 kilometra në veri të Te Anaut, pranë rajonit turistik Fiordland.

Fillimisht autoritetet vlerësuan magnitudën në 6.3 dhe lëshuan paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të sigurta.

Pas rishikimit të të dhënave, magnituda u ul në 5.9, paralajmërimi u zbut dhe më pas u anulua plotësisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Supreme ndryshon dënimin për Edmond Lajqin: Nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së të pandehurit Edmond Lajqi, duke ndryshuar vendimin për dënimin e tij të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të ri të Supremes, Lajqit, i cili është shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve, i është zbutur dënimi nga burgimi i përjetshëm në 30 vjet burgim efektiv. Gjykata ka vendosur që në këtë dënim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët e tjera, aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë kanë mbetur të pandryshuara.

Ndonëse Supremja konstatoi se gjykatat më të ulëta e kishin vërtetuar drejt fajësinë dhe cilësimin juridik të veprave, ajo gjeti se ato nuk e kishin zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme sqaroi se një pjesë e rrethanave të cilësuara si veçanërisht rënduese nuk kishin mbështetje në prova, kurse disa të tjera përbënin elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të përdoreshin sërish për të justifikuar masën më të rëndë ndëshkimore.

“Burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Duke u bazuar në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme vlerësoi se ky standard ligjor nuk ishte plotësuar për dënimin maksimal, duke argumentuar se dënimi i ri i vendosur prej 30 vitesh përmbush plotësisht efektin e drejtësisë.

“Dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm” thuhet në vendim.

Continue Reading

Lajmet

Ish-drejtori i kompanisë së autostradave në Itali dënohet me 12 vjet burg për shembjen e urës Morandi

Published

on

Ish-drejtuesi i kompanisë Autostrade per l’Italia, Giovanni Castellucci, është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, ku humbën jetën 43 persona në gusht të vitit 2018.

Vendimi u mor nga gjykata në Xhenova, ndërsa prokurorët kishin kërkuar një dënim më të ashpër për Castelluccin, i cili ishte në mesin e 57 të pandehurve në këtë proces gjyqësor.

Ura u shemb gjatë një stuhie shiu, duke bërë që automjete dhe kamionë të binin nga lartësia. Tragjedia ndodhi në kulmin e sezonit turistik dhe konsiderohet një nga fatkeqësitë më të rënda infrastrukturore në Itali.

Një tjetër ish-zyrtar i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burgim.

Familjarët e viktimave e mirëpritën vendimin. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në tragjedi, tha se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin e gjykatës, ndërsa Egle Possetti, që humbi motrën dhe familjen e saj, e cilësoi dënimin ndaj Castelluccit si “të pranueshëm”.

Castellucci aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër prej gjashtë vitesh burgim për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në vitin 2013./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara