Botë

Presidenti Trump: Më 4 mars tarifa për Meksikën e Kanadanë, 10% shtesë për Kinën

Published

on

Presidenti Donald Trump tha të enjten se më 4 mars do të vendosë tarifa prej 25% për mallrat e importuara nga Kanadaja dhe Meksika ashtu siç kishte planifikuar fillimisht. Ai tha se dy vendet fqinje nuk po bënin ende sa duhet për të frenuar fluksin e drogës që hyn në Shtetet e Bashkuara.

Po kështu Presidenti Trump paralajmëroi në platformën e tij të mediave sociale ‘Truth Social’ se po të martën do t’i vendoste Kinës një tarifë shtesë prej 10%, krahas 10%-it që i vendosi Pekinit në fillim të këtij muaji. Kina iu kundërpërgj masës së parë amerikane, duke u vendosur produkteve të njëjtën tarifë prej 10 për qindësh.

“Droga vazhdon të hyjë në vendin tonë nga Meksika dhe Kanadaja në nivele shumë të larta dhe të papranueshme”, tha Presidenti Trump. “Një përqindje e madhe e saj, është në formën e fentanilit dhe prodhohet dhe furnizohen nga Kina”, shtoi ai.

Në fillim të këtij muaji Presidenti Trump njoftoi se do të vendoste tarifa ndaj Kanadasë dhe Meksikës, dy nga aleatët dhe partnerët tregtarë më të ngushtë të vendit.

Por ai e pezulloi vendimin për një muaj, deri më 4 mars, pasi Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se do të dërgonte 10,000 trupa në kufirin me SHBA-të për të ndihmuar në kontrollin e trafikut të drogës. Po kështu Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se do të emëronte një zyrtar që do të trajtonte çështjen fentanilit.

Meksika eksporton 80% të produkteve të saj në Shtetet e Bashkuara.

Zonja Sheinbaum tha në fillim të kësaj jave se “ne presim të arrijmë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara”, por nëse nuk arrihet, Meksika mund të vendosë si kundërpërgjigje tarifa ndaj produkteve amerikane.

Kur Presidenti Trump njoftoi për herë të parë tarifën për importet kanadeze, zoti Trudeau tha se ishte “krejtësisht e pajustifikuar” dhe premtoi të vendoste një tarifë prej 25%, si kundërpërgjigje, duke filluar nga 12 marsi për produktet e çelikut dhe aluminit amerikan. Kanadaja është eksportuesi kryesor i të dy metaleve në SHBA.

Ekonomistët thonë se tarifat që Presidenti Trump po vendos ka të ngjarë të rrisin çmimet e shitjes me pakicë për konsumatorët dhe koston e materialeve për bizneset. Meksika, Kanadaja dhe Kina, sipas kësaj renditjeje, janë tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por Bashkimi Evropian prej 27 vendesh është partneri më madh.

Në mbledhjen e parë të kabinetit të tij të ri të mërkurën, Presidenti Trump tha se do të shpallte “shumë shpejt” një tarifë prej 25% për mallrat e importuara nga BE-ja.

BE-ja u zotua se do t’i përgjigjet “në mënyrë të vendosur dhe menjëherë” pengesave “të pajustifikuara” tregtare dhe sugjeroi se do të vendoste tarifat e veta ndaj importeve amerikane nëse Presidenti Trump vazhdon me planet e tij.

Në njoftimin e tij në “Truth Social”, Presidenti Trump tha se tarifat reciproke ndaj atyre vendeve që do tu vendosin tarifa mallrave amerikane, do të hynin në fuqi më 2 prill. Ai ka lënë të kuptohet gjithashtu për vendosjen e tarifave ndaj importeve në automobilë, lëndë drusore, produkteve farmaceutike e mallra të tjera.

Shumë ekonomistë kanë paralajmëruar vazhdimisht se tarifat mund të çojnë në çmime më të larta, duke nxitur rritjen e inflacionit në SHBA. Presidenti Trump ka pranuar se një gjë e tillë mund të shkaktojë dhimbje afatshkurtër për amerikanët, por ai ka shtuar se tarifat do të ishin përfundimisht të dobishme për ekonominë më të madhe në botë.

Presidenti Trump thotë se tarifat do të ishin një nxitje për kompanitë e huaja që të prodhonin më shumë në Shtetet e Bashkuara si një mënyrë për t’i shmangur ato.

Lajmet

Sulm masiv mbi Kievin: Zelensky akuzon Rusinë për shkelje të armëpushimit

Published

on

By

Një objekt kyç i energjisë që furnizon Kievin me ngrohje dhe energji elektrike, si dhe një ndërtesë banimi, janë goditur gjatë një sulmi me raketa balistike ruse. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili theksoi se goditja ndodhi pa asnjë paralajmërim të hershëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se nga goditja e bllokut të banimit të martën vonë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur 21 të tjerë. Ai konfirmoi se janë goditur disa objekte energjetike në kryeqytet, ndërsa në orët e para të së mërkurës bëri të ditur se sulmet masive kanë ndërprerë rrymën në disa pjesë të Kievit. Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore pas shpalljes së alarmit të kuq.

Sulmet e reja vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Rusisë dhe Ukrainës ishte rënë dakord për një armëpushim energjetik. Lidhur me këtë, Zelensky reagoi ashpër duke u shprehur: “Ukraina mbështeti një armëpushim energjetik. Rusia po synon edhe një central tjetër elektrik dhe jetët e njerëzve tanë. Kjo është plotësisht e padrejtë: kur ata po shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, dhe Ukraina nuk po merr as paralajmërime të hershme për lansimin e raketave balistike”.

Presidenti ukrainas shtoi se është me rëndësi që bota të mos heshtë dhe që Shtetet e Bashkuara të shohin qartë se çfarë po ndodh dhe kush është përgjegjës për vazhdimin e luftës. Kjo është nata e dytë rresht që Kievi përballet me sulme të tilla, ndërsa Zelensky po përgatitet të takohet në London me kryeministrin britanik Andy Burnham për të diskutuar përshpejtimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pas sulmeve të së hënës mbrëma, lindi spekulimi se SHBA-ja kishte ndërprerë qasjen e Ukrainës në inteligjencën kyçe për përgjimin e kërcënimeve. Megjithatë, Trump e mohoi këtë duke deklaruar: “Ne po i ndihmojmë ata dhe po ndajmë inteligjencë. Ne duam që lufta të përfundojë.” I pyetur për sulmet ruse mbi energjetikën, Trump përmendi se edhe Ukraina kishte goditur disa objekte një ditë më parë, ndërsa shmangu të konfirmonte nëse Rusia e kishte shkelur armëpushimin, duke shtuar se të dyja palët duan që lufta të përfundojë, por “nuk dinë se si të arrijnë atje”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Lajmet

Ish-komandanti ukrainas, Syrskyi: Kemi stabilizuar frontin dhe kemi ndalur përparimin e Rusisë

Published

on

By

Ukraina ka arritur të stabilizojë vijën e frontit dhe ka thyer aftësinë e Rusisë për të përparuar, falë humbjeve të mëdha që i ka shkaktuar ushtrisë ruse. Kështu deklaroi ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Oleksandr Syrskyi, në intervistën e tij të parë për BBC-në që prej shkarkimit nga detyra gjatë verës.

Syrskyi hodhi poshtë kritikat se ishte konsideruar nga “shkolla e vjetër” për të udhëhequr një ushtri teknologjikisht të avancuar. Ai deklaroi se humbjet e Rusisë në luftë janë gjashtë herë më të mëdha se ato të Ukrainës — dhe deri në 11 herë më të larta nëse numërohen vetëm ushtarët e vrarë.

Sipas të dhënave, inteligjenca britanike vlerëson se Rusia ka humbur rreth gjysmë milioni ushtarë që nga nisja e pushtimit në vitin 2022, ndërsa vlerësimet amerikane flasin për rreth 150 mijë ushtarë ukrainas të vrarë deri në mesin e vitit 2026. Syrskyi bëri me dije se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Rusia arriti të merrte vetëm 61 kilometra katrorë, ndërsa raporte nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW) konfirmojnë se gjatë shtatorit 2026, Moska humbi më shumë territor sesa që arriti të pushtonte.

Ish-komandanti sqaroi gjithashtu përplasjet e tij me ish-ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, të cilat çuan në shkarkimin e të dyve nga presidenti Zelensky. Ai theksoi se kishte mospërputhje në furnizime, pasi Fedorov prioritizonte dronët por neglizhonte pajisjet e tjera thelbësore tokësore. Pavarësisht kritikave, Syrskyi nënvizoi se nën drejtimin e tij përdorimi i dronëve arriti nivele rekord, duke krijuar për herë të parë Forcat e Sistemeve pa Ekipe, ku sot dronët shkaktojnë 80% të humbjeve ruse.

Duke arsyetuar operacionin e tij më të diskutuar — hyrjen e trupave ukrainase në rajonin rus të Kurskut në gusht 2024 — ai e quajti atë një domosdoshmëri që detyroi Moskën të riorientonte trupat dhe t’u jepte frymëmarrje brigadave ukrainase.

Në fund, Syrskyi iu drejtua aleatëve evropianë me një mesazh të qartë: të fillojnë të përgatiten për luftë tani dhe t’i lënë mënjanë iluzionet se konflikti nuk do të arrijë tek ata. Ai parashikoi se e ardhmja e luftës do të jetë edhe më teknologjike, me përdorim të inteligjencës artificiale dhe robotikës, por nënvizoi se roli kryesor në fushëbetejë do të mbetet gjithmonë ai i njeriut. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Trump pretendon “armëpushim energjetik” mes Rusisë e Ukrainës, Kievi raporton sulme të reja

Published

on

By

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë daktord për një “armëpushim energjetik” me efekt të menjëhershëm, mirëpo pa dhënë detaje shtesë për marrëveshjen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh i papritur nga ky njoftim, por konfirmoi se Kievi është i gatshëm të pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse nëse Moska bën të njëjtën gjë. Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së Trump-it, Zelensky akuzoi Rusinë se goditi me dronë një central elektrik në Kiev dhe objekte energjetike në Kharkiv, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Kërkesa e Trump-it ndaj Ukrainës për ndalimin e goditjeve mbi rafineritë ruse lidhet me një marrëveshje për importin e naftës dizele ruse, e cila ka pezulluar përkohësisht disa sancione me synim uljen e çmimeve të karburantit në SHBA përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Kjo iniciativë ka nxitur kritikave të ashpra nga Zelensky, zyrtarë evropianë dhe politikanë amerikanë. Nga ana tjetër, Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe BE-ja kanë shprehur mbështetje për idenë e një armëpushimi të qëndrueshëm energjetik, ndërsa Moska ende nuk ka bërë ndonjë koment zyrtar. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara