Lajmet

Presidenti i Austrisë nderon Rektorin e UBT-së, Dr. Edmond Hajrizi, me Medaljen e Artë të Meritave

Published

on

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen e ka dekoruar Presidentin dhe Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi me Medaljen e Artë të Meritave, një çmim që u jepet personaliteteve të larta botërore.

Dekorata e lartë iu dorëzua Rektorit Hajrizi, në një ceremoni solemne organizuar sot në Parkun Inovativ të UBT-së, nga Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Georg Schnetzer.

Kjo dekoratë është ndarë me dekret shtetëror nga Presidenti Austrisë, Van der Bellen, më 23 prill 2025. Ajo nderon kontributin e jashtëzakonshëm të Rektorit Hajrizit në zhvillimin dhe avancimin e sistemit arsimor në Kosovë, si dhe në forcimin e marrëdhënieve akademike, shkencore dhe kulturore ndërmjet Austrisë dhe Kosovës.

Në fjalën e tij, ambasadori Schnetzer vlerësoi ndikimin afatgjatë që Rektorit Hajrizi ka pasur në fushën e arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Është një nder i veçantë për mua që sot, në emër të Republikës së Austrisë, t’ia dorëzoj këtë medalje të rëndësishme Profesor Edmond Hajrizit. Ky çmim, i ndarë nga Presidenti Federal Alexander Van der Bellen, përfaqëson mirënjohjen e Austrisë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe për forcimin e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve tona në fushën e shkencës, kërkimit dhe shkëmbimeve akademike”, deklaroi ambasadori Schnetzer.

Ai shtoi se UBT është shndërruar në një urë të fortë akademike mes Austrisë dhe Kosovës, duke nxitur partneritete të qëndrueshme dhe bashkëpunime të frytshme në shumë fusha.

Në fjalën e tij falënderuese, Prof. Dr. Edmond Hajrizi e cilësoi këtë medalje si një nder të jashtëzakonshëm dhe me domethënie të veçantë personale.

“Kjo medalje ka një kuptim jashtëzakonisht të veçantë për mua, sepse më jepet nga shteti i Austrisë, një vend që për më shumë se 30 vjet e kam quajtur shtëpinë time të dytë. Në një kohë kur Kosova po kalonte periudha të vështira, Austria ishte vendi që hapi dyert për ne, duke na dhënë mundësinë të ëndërrojmë, të zhvillohemi dhe të kontribuojmë për të ardhmen”, theksoi Rektori Hajrizi.

Ai shtoi se modeli austriak i arsimit ka qenë një nga frymëzimet kryesore në ndërtimin e filozofisë akademike të UBT-së:

“Austria është një lider global në inovacion, arsim dhe zhvillim. Ajo ka krijuar një ekosistem të jashtëzakonshëm që lidh ngushtë akademinë me industrinë, duke u ofruar studentëve mundësinë të aplikojnë dijen në praktikë. Kjo qasje është bërë pjesë thelbësore e punës sime dhe e modelit që kemi ndërtuar në UBT”, tha Rektori Hajrizi.

Hajrizi, i nderuar për këtë çmim jetësor, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e shumtë, ndërkombëtarë e vendorë, që ndihmuan në rrugëtimin dhe të arriturat e tij jetësore.

Ai theksoi mbështetjen e familjen së tij, si një nga elementet më të rëndësishme të suksesit dhe të arritjeve së tij, veçanërisht bashkëshorten e tij, Fisnete Hajrizi, e cila ishte bashkrijuese, përkrahëse e vazhdueshme e vizionit dhe ideve të tij, nga fillimi deri në realizimin final.

Përveç rolit të tij akademik, Prof. Hajrizi është ndërmarrës vizionar që ka themeluar më shumë se 30 kompani dhe laboratorë inovacioni, si dhe Parkun e parë të Shkencës, Inovacionit dhe Teknologjisë në Kosovë. Ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrës aktiv në iniciativa që promovojnë arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

UBT, i themeluar në vitin 2001 nga Prof. Hajrizi, ku mandej nisi me vetëm 29 studentë dhe sot numëron mbi 10000 studentë në disa kampuse. Institucioni është ndërtuar mbi modelet dhe standardet akademike austriake, me një qasje ndërdisiplinore dhe të orientuar drejt praktikës. Në vitet e para të funksionimit, UBT ka përfituar ndjeshëm nga ekspertiza e profesorëve dhe hulumtuesve të Universitetit Teknik të Vjenës (TU Wien) dhe institucioneve të tjera akademike austriake.

Sot, institucioni vazhdon bashkëpunime të shumta me universitete, institute kërkimore dhe qendra ekselence në Austri, ndërsa programi EUROTRIP i UBT-së u mundëson studentëve vizita studimore dhe eksperienca praktike në institucione austriake.

Përveç dimensionit akademik, UBT ka kontribuar ndjeshëm edhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, përmes bashkëpunimeve me Dhomën Ekonomike Federale të Austrisë (WKÖ), organizatën austriake për zhvillim ekonomik WIFI, si dhe institucione të tjera partnere. Universiteti organizon rregullisht aktivitetin tradicional “Ditët e Austrisë”, që ka shërbyer si platformë për shkëmbim idesh, përvoja dhe mundësi bashkëpunimi.

Gjithashtu, UBT ka qenë një nga promotorët kryesorë të futjes së modelit austriak të arsimit profesional dual në Kosovë, duke kontribuar në reformimin e sistemit arsimor në vend.

Ceremonia e dorëzimit të medaljes u mbyll me një pritje solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionesh, profesorë, studentë, bashkëpunëtorë ndërkombëtarë dhe miq të institucionit.

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slam

Published

on

By

Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti bartësen e parë, kroaten Iva Oberan.

Lufta ishte e barabartë, ndërsa në kohën shtesë Laura realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Laura fitoi 500 pikë në renditjen botërore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara