Lajmet

Politika nuk i ndal verimet e serbëve në Shqipëri

Në Serbi ka pasur edhe një fushatë negative për Shqipërinë.

Published

on

Pavarësisht deklaratave të politikanëve në Serbi, të dhënat zyrtare tregojnë se interesimi i qytetarëve serbë për pushimet verore në Shqipëri është në rritje.

Asociacioni Kombëtar i Agjencive Turistike të Serbisë (JUTA) thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri në kohë të sezonit, numri i mysafirëve serbë në Shqipëri është rreth 100 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.

Në Serbi ka pasur edhe një fushatë negative për Shqipërinë.

Dragan Markoviq Palma, udhëheqës i Partisë Serbia e Bashkuar dhe deputet në Parlamentin e Serbisë, ka porositur qytetarët që të mos shkojnë “për një coca-cola më të lirë në Shqipëri”.

Në ueb-faqen e partisë së tij, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, Markoviq citohet të ketë thënë se Shqipëria është “fajtore dhe nxitëse e gjithçkaje që shqiptarët e Kosovës u kanë bërë serbëve në Kosovë”.

Por, disa që kanë veruar në bregdetin shqiptar këtë vit, besojnë se Markoviq nuk është dikush që mund të japë këshilla.

“Dragan Markoviq Palma nuk është adresë ku mund të dëgjosh këshilla, çfarëdo, e posaçërisht për temat rajonale”, thotë Jana Vujiq, banore e Beogradit, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Vlorë, Shqipëri
Vlorë, Shqipëri

Markoviq është i njohur për publikun në Serbi edhe për udhëheqjen e delegacioneve ekonomike dhe politike në vendpushimet në Greqi dhe Egjipt, që organizohen nga qyteti i Jagodinës në Serbinë qendrore.

Ai e ka nisur karrierën politike në vitin 1993, kur ka formuar Partinë Serbia e Bashkuar, së bashku me Zhelko Razhnatoviq Arkanin, udhëheqës i Gardës vullnetare serbe – një formacion paraushtarak që ka marrë pjesë në luftërat e viteve 1990 në Jugosllavinë e atëhershme.

Shqipëria – një destinacion gjithnjë e më i popullarizuar

Interesimi i qytetarëve serbë për destinacionet në bregdetin shqiptar është rritur ndjeshëm në vitin 2020.

“Para kësaj kohe, më 2018 dhe 2019, ka pasur midis 3 mijë dhe 5-6 mijë turistë nga Serbia në Shqipëri – kryesisht nga jugu i Serbisë dhe rrethinat e Novi Pazarit”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i JUTA-s, Aleksandar Seniçiq.

Ai thotë se vitin e kaluar, Shqipëria, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka qenë një nga vendet e pakta të hapura për qytetarët e Serbisë.

Sipas tij, përvojat e atyre që kanë vendosur ta kalojnë verën në Shqipëri në atë kohë, janë të mira, dhe fakti që nuk kërkohen dokumente shtesë për qytetarët e Serbisë as këtë vit, janë arsye për rritjen e interesimit.

“Deri në këtë moment të sezonit, ne kemi rreth 100 për qind më shumë mysafirë se vitin e kaluar, i cili ka qenë dukshëm më i mirë në krahasim me vitet 2018 dhe 2019. Vitin e kaluar, kemi regjistruar rreth 20,000 turistë nga Serbia në Shqipëri”, thotë Seniçiq.

Nëse trendi vazhdon, sipas tij, Shqipëria mund të presë rreth 60-70 mijë turistë nga Serbia deri në fund të sezonit.

Vlorë, Shqipëri
Vlorë, Shqipëri

I pyetur se si mund të ndikojnë deklaratat e Markoviqit në sektorin e turizmit, Seniçiq thotë se ato, përgjithësisht, nuk çojnë në ndonjë gjë të mirë.

“Sigurisht, ato mund të kenë ndikim negativ, sidomos nëse mediat i plasojnë ato në mënyrën se si bëhet në Serbi. Kjo nuk duhet të bëhet, jo sepse është Shqipëria në pyetje, por cilido destinacion tjetër qoftë. Njerëzit duhet të kenë lirinë për të zgjedhur se ku do të udhëtojnë”, thotë Seniçiq.

“Patriotizmi” vs. mini-Shengeni

Që nga janari i këtij viti, qytetarët serbë mund të udhëtojnë në Shqipëri vetëm me kartën biometrike të identitetit. Kjo vlen edhe për hyrjen e shtetasve shqiptarë në Serbi.

Një gjë e tillë është bërë e mundur me marrëveshjen ndërshtetërore që qeveritë e këtyre dy vendeve e kanë arritur në kuadër të iniciativës për “mini-Shengenin”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë nënshkruar një deklaratë me synimin e krijimit të një “mini-Shengeni” midis tre vendeve, në tetor të vitit 2019, në Novi Sad.

Kjo deklaratë parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Lajmet

Rreth 1 milion euro të padeklaruara zbulohen në Merdare

Published

on

By

Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar në pikëkalimin kufitar Merdare, gjatë hyrjes në Kosovë.

Sipas Doganës se Kosovës, automjeti u përzgjodh për kontroll të detajuar pas analizës së riskut. Gjatë skanimit me rreze X u identifikuan dyshime për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e veturës.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kontrolli u thellua dhe u konfirmua se në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit ishin fshehur mjete monetare të padeklaruara.

Vlera e dyshuar e shumës arrin rreth 1,000,000 euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu pret ambasadorin italian, diskutojnë për zhvillimet e fundit politike

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot ne takim Ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.

Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishin zhvillimet aktuale në vend.

Gjithashtu, Kryetarja Haxhiu ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, në cdo fazë të zhvillimit të shtetësisë.

“Kryetarja Haxhiu nënvizoi ecurinë pozitive në funksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe rritjen e angazhimit për realizimin e agjendës së punës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe fuqizim të partneritetit mes  Kosovës dhe Italisë, duke përfshirë zgjerimin e kontakteve dhe shkëmbimeve në nivel parlamentar.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT shënon 25 vite si institucioni me ndikimin më të madh ekonomik në arsimin jopublik

Published

on

By

Në jubileun e 25-vjetorit të themelimit, UBT po konfirmon edhe një herë pozicionin e tij si institucioni me numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat të arsimit të lartë në Kosovë, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Për një çerek shekulli, UBT ka ndërtuar jo vetëm një institucion arsimor modern, por një ekosistem të fuqishëm zhvillimi që gjeneron vende pune, inovacion dhe stabilitet ekonomik. Nga një fillim modest me pak akademik, sot UBT përfshin qindra profesorë, doktorë shkencash, ekspertë dhe profesionistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë.

Rritja e vazhdueshme e stafit gjatë këtyre viteve reflekton vizion të qartë strategjik dhe investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor. Ky zgjerim nuk përfaqëson vetëm sukses institucional, por një kontribut konkret në uljen e papunësisë dhe fuqizimin e tregut të punës në Kosovë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se arritja e këtij jubileu përkon me një moment të rëndësishëm zhvillimor për institucionin.

“25 vjet më parë nisëm me një vizion për të ndërtuar një institucion që do të ndikonte realisht në zhvillimin e vendit. Sot, kur UBT është punëdhënësi më i madh në arsimin e lartë privat, mund të themi me bindje se kemi krijuar një model të qëndrueshëm që gjeneron dije, punësim dhe zhvillim ekonomik”, theksoi rektori Hajrizi.

Përgjatë këtij rrugëtimi, UBT ka investuar vazhdimisht në zgjerimin e kapaciteteve akademike, teknologjike dhe kërkimore, duke krijuar një mjedis profesional ku promovohen barazia gjinore, meritokracia dhe zhvillimi i vazhdueshëm.

Në 25-vjetorin e tij, UBT nuk feston vetëm historinë e suksesit, por konfirmon angazhimin për të vazhduar të jetë një shtyllë e ekonomisë së dijes dhe një motor i fuqishëm i punësimit në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

5 milionë euro për gratë ndërmarrëse dhe zhvillimin e zonave rurale në Kosovë

Published

on

By

Agjencia Franceze për Zhvillim, përmes Proparco, ka nënshkruar një marrëveshje financimi me Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK) në vlerë prej 5 milionë eurosh, me qëllim fuqizimin e grave dhe komuniteteve rurale.

Nga kjo shumë, 3 milionë euro janë të destinuara për gratë ndërmarrëse, ndërsa 2 milionë euro të tjera për projektet në zonat rurale.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, vlerësoi se këto kredi do të ndihmojnë në rritjen e përfshirjes së grave në biznes dhe zhvillimin e sipërmarrësve në komunitetet rurale. Ai shtoi se sa më shumë gra të jenë të përfshira në biznes dhe sektorin publik, aq më e fortë bëhet Kosova.

Drejtori ekzekutiv i AFK-së, Xhevdet Spahija, theksoi se bashkëpunimi me Proparco do të fokusohet kryesisht në kreditimin e grave ndërmarrëse dhe grave në bujqësi. Ai gjithashtu kujtoi se që nga viti 1999, AFK ka shpërndarë rreth 500 milionë euro përmes afro 165 mijë kredive.

Drejtori Regjional për Euroazi në Proparco, Steve Gardon, u shpreh se partneriteti synon të bëjë zhvillimin ekonomik në Kosovë më gjithëpërfshirës, duke fokusuar mbështetjen tek gratë sipërmarrëse dhe bizneset në zonat rurale, ku qasja në financa është më e kufizuar.

/Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara